Home arrow Intervista arrow VIP arrow Redon Makashi-intervista
Redon Makashi-intervista
  “Ndoshta duhet të martohem që të mos flasin më keq për mua”
Interviste me kengetarin REDON MAKASHI
Petrika GROSI

“Ndoshta duhet që të martohem, në mënyrë që t’u jap fund thashethemeve, të cilat hapen vazhdimisht mbi mua. Nuk jam një Don Zhuan, përkundrazi, jam tip i qetë, e ndonjëherë edhe i ndrojtur dhe më i thjeshtë se ç’duhet”, kështu është shprehur në intervistën e dhënë dje ekskluzivisht për gazetën “Ballkan” këngëtari i njohur s
hqiptar, Redon Makashi. Ai shton se, “shumica e këtyre fjalëve mbi mua, hapen nga ndonjë gazetë, kryesisht prej meshkujve, si xhelozi, dasha-keqësi, apo ku di unë se çfarë tjetër, kurse prej femrave nuk më ka ardhur kurrë ndonjë e keqe”.
-Me çfarë aktivitetesh është marrë këngëtari Redon Makashi gjatë kohëve të fundit?
Ashtu si dhe gjithë kolegët e tjerë të mi këngëtarë, jam angazhuar me aktivitetet dhe koncertet e shumta që janë dhënë thuajse në të gjithë rrethet e Shqipërisë me rastin e fushatës elektorale. Madje isha edhe në disa vende ku nuk kisha qenë më ndonjëherë më parë. Madje ngaqë shkonim sa nga një vend në tjetrin ndodhte që takonim kolegë nëpër kryqëzime të ndryshme dhe e pyesnim njëri-tjetrin se ku ishin koncertet. Kështu takova njëherë dhe Irmën me Eranda Libohovën. Pra veç politikanëve dhe militantëve, nëpër kryqëzime të ndryshme rrugësh ishin në lëvizje edhe gjithë artistët më të njohur shqiptarë. Pra nuk ishte fushatë e keqe dhe për ne artistët; Dihet që njëherë në katër vjet zhvillohet këto aktivitete të mira nga ne, ndoshta nuk janë artistike të mirëfillta, por mes tyre kishte edhe mjaft realizime cilësore. Më ka pëlqyer shumë sidomos koncerti i Kuçovës, por në përgjithësi në gjithë qytetet e mëdha të vendit organizimet kanë qenë të kënaqshme, duke nisur që nga skenat, deri tek detajet e tjera.
-Cilat kanë qenë këngët që ka kënduar më shpesh Makashi gjatë këtyre koncerteve?
Kam kënduar më tepër këngët rritmike të albumit tim të dytë. Kjo zgjidhe u bë prej meje sepse kur del që këndon në një shesh, është më mirë që të mos interpretosh këngë të reja, por të vjetrat, ato që njihen mirë dhe që kanë qenë hite, e kështu edhe turma mund të të ndjekë duke e kënduar tekstin me ty. Më bënte përshtypje nëj diçka se kishte vende ku njerëzit shikonin si të hutuar, të çorroditur koncertin dhe nuk reagonin hiç, e nga ana tjetër, kishte dhe mjaft vende ku as policia nuk ndalonte dot euforinë e spektatorëve dhe të fansave tanë, të cilët mezi përmbaheshin. Kjo për mendimin tim vinte në varësi të zhvillimit krahinor, intelektual, gjendjes ekonomike dhe grupmoshave të spektatorëve. Zakonisht më të fjetura dhe pasive janë treguar zonat të cilat ndodheshin larg rrugëve nacionale, pra provincat e rrethet e largëta. Unë bëra dhe njëfarë testimi me anë të këtyre udhëtimeve të shumta dhe i dhashë përgjigje pyetjes se: “A vazhdon të jetë Redoni pas 14 viteve ai i mëparshmi, këngëtari i kërkuar nga publiku në masë si ndodhte në vitet ’90?” Dhe testi ishte mjaft i kënaqshëm për mua, pasi vërtetova se publiku më do, i njeh mirë këngët e mia, deri tek më të vjetrat.
-Nëse kthehemi pak mbrapa në kohë, çdo të thoshit për edicionin e 43-të te festivalit në RTVSH, ku ju e prisnit shumë një çmim pastaj nuk ua dhanë? Në atë moment jam ndjerë shumë keq, por çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe për mua ky episod tashmë ka kaluar. E rëndësishme për mua është që të vazhdoj të bëj këngë të mira, të cilat të mund të shkojnë tek publiku dhe të mirëpriten prej tij. Sa për çmime unë asnjëherë nuk jam mirëpritur nëpër festivale dhe kjo sepse nuk kam futur asnjë lloj miku dhe nuk i jam servilosur askujt duke e zënë prej mënge apo duke i ngrohur xhepat me rryshfete. Ky fenomen me mua ka qenë thuajse i përhershëm pasi shumë prej këngëve të mia që janë bërë hite, ndoshta janë skualifikuar pa hyrë fare nëpër festivale. Këtu ka diçka që dua ta veçoj, festivali ka të mirën dhe të keqen e tij; e keqja është se nuk fitojnë ata që janë më të mirët dhe që e meritojnë, kurse e mira mbetet fakti i afirmimit të këngëtarëve. Të mos harrojmë se unë jam bërë i njohur pikërisht nga ky festival në fillimet e mia. Atëhere ky aktivitet muzikor qe i vetmi që mund të të nxirrte në pah si talent të ri, njëherë në vit kur dhe ai organizohej. Pra nuk kam pengje se më mungojnë çmimet sepse kryesorja është që me këngët e mia kam shkuar kudo nëpër shtëpitë dhe zemrat e njerëzve.
-Pra testimi i publikut u doli mëse pozitiv, a mendoni se është koha e duhur për të lançuar një album tjetër në tregun muzikor?
Po sigurisht. E kam menduar këtë gjë dhe e kisha nisur punën, të cilën e ndërpreva tani për një muaj nga koncertet e shumta të fushatës elektorale. Them ta nis sërish punën dhe kam në plan një bashkëpunim me Shpëtim Saraçin dhe qoftë fundi i vitit, apo fillimi i vitit tjetër do të sjellë albumin tim të ri. Këngët do të jenë rritmike, por edhe balada.
-Si të gjithë, edhe ju në rininë tuaj keni pasur idhuj apo jo?
Nuk e mohoj këtë gjë. Bitëllsat ishin idhujt e mi, megjithëse muzika që atëhere ka evoluar shumë, ata vazhdojnë të jenë të preferuarit e mi. Sado të rritet një njeri, shokët e fëmijërisë nuk i harron. E njëjta gjë është dhe me mua, pavarësisht se kohët kanë ndryshuar, Bitëllsat mbeten të preferuarit e mi.
-Po grupi juaj i famshëm “Tre Myskëterët” a ka gjasa të bashkohet sërish në të ardhmen?
Grupi ynë u shkri. Elton Deda tashmë jeton në Amerikë dhe ka aktivitetin e tij, jetën e tij, punët me të cilat është i lidhur. Po kështu edhe unë me Sandrin, (Aleksandër Gjokën). Kur e formuam grupin vumë re një mospërfillje të madhe ndaj muzikës rock në vendin tonë dhe vendosëm që të formonim grupin dhe të hapnim edhe pub-in me emrin e tij. Pastaj, kuptohet që ashtu si shumë gjëra në Shqipëri, edhe ky projekt i yni nuk eci siç duhej.
-Po për fanset tuaja çfarë do të thoshit?
Kam shumë kontakte, sidomos me email. Shumica e fanseve të mia kohët e fundit i përkasin Kosovës. Po kështu marr shume emaile dhe nga jashtë, prej shqiptarëve të diasporës. Shumë prej tyre kërkojnë të dinë më tepër për aktivitetet e mia, për jetën private, apo dhe dëshirojnë të njihen më mirë nga afër... Edhe këtu shoh një fenomen që ndodh kohët e fundit; këngëtarët shqiptarë kanë më tepër fansa në Kosovë, kurse ata nga Kosova kanë shumë fansa në Shqipëri. Këta fansa më detyrojnë që të përpiqem sa vjen e më shumë të krijoj këngë të bukura, për t’u dhuruar atyre kënaqësinë që më japin.
-Kohët e fundit media nuk u ka lënë shumë të qetë. Disa u kanë quajtur, “Don Zhuan”, të tjerë, të martuar, të dashuruar, e kështu me radhë... Vetë ju, çfarë do të thoshit lidhur me këto detaje?
Për momentin shumë gjëra që nuk i di, i marr vesh nga gazetat apo revistat e ndryshme. Ka arritur deri sa kam marrë vesh papritur se unë përdorkam drogë, alkol, e kështu me radhë, ndërkohë që edhe një cigare kur e pi, e harxhoj tymin kot sepse nuk e pi tamam. Pastaj puna e “Don Zhuanit” është e vjetër. Mbase duhet të martohem që të shpëtoj nga këto thashetheme njëherë e mirë.
-Pra, e ka gjetur Redoni femrën e tij dhe a është i lidhur aktualisht me ndonjë vajzë?
Është turp të them që nuk jam i lidhur, në moshën time normale që e kam dhe unë dikë. Ndoshta normalisht e me ngadalë gjërat do të shkojnë drejt martesës. Por, në lidhje me thashethemet dua të shtoj se kur del me dikë, ndonjë shoqe, në restorant apo lokal, të gjithë që të shohin kujtojnë dhe hapin fjalë se ka në mes një lidhje, pra histori dashurie. Kjo ndodh ngaqë një person publik nuk mund të ketë jetën e vet aq të qetë sa një njeri normal dhe mbahet vazhdimisht nëpër gojë duke u bërë obiekt thashethemesh. Dua të them se kot merren me mua pasi nuk jam aspak Don Zhuan. Shumë më tepër se unë ka njerëz të thjeshtë që ndoshta bëjnë kërdinë me femrat. Në përgjithësi këto fjalë të pakëndshme për mua hapen nga meshkujt, të cilët kur xhelozohen apo kur ndihen inferiorë janë shumë të këqinj dhe të gjitha i pret prej tyre, pasi nga femrat deri më sot nuk më ka ardhur ndonjë e keqe. Madje, me-që rra fjala në një revistë, “Spektër” nëse nuk gaboj, lexoj shpesh shpifje nga më të ndryshmet për mua, mbi histori e lidhje që nuk i kam pasur ndonjëherë. Pavarësisht kësaj, më vjen mirë që jam në qendër të vëmendjes
 
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.