Home arrow Politike arrow Te gjitha nga pak arrow Shqipėria pėrmirėson indeksin e korrupsionit ...kliko ketu...
Shqipėria pėrmirėson indeksin e korrupsionit ...kliko ketu...
Image Shqipëria përmirëson indeksin e korrupsionit
Gëzim Guri i BBC-së bisedoi me zotin Miklos Marschall

Indeksi vjetor i perceptimit të korrupsionit që publikohet nga organizata Transparency International tregon se korrupsioni mbetet një sfidë serioze në vendet e Evropës juglindore.

Të gjitha vendet e këtij rajoni janë nën shifrën 5 nga 10 që është maksimumi i pikëve në indeks, që tregon se shumica e këtyre vendeve përballen me nivele serioze të perceptimit të korrupsionit.

Megjithatë, indeksi i këtij viti veçon Shqipërinë si një nga vendet ku ndikimi i luftës ndaj korrupsionit ka shënuar përparim.

Shqipëria, që shënonte shifrën 2,9 në indeksin e vitit 2007, është ngjitur në shifrën 3,4 në indeksin e vitit 2008 duke zënë vendin e 85-së.

Kjo organizatë thotë se reformat kundër korrupsionit nga autoritetet shqiptare duket se kanë dhënë "rezultate paraprake".

Ndëshkimet e një numri zyrtarësh, thotë Transparency International, kanë "krijuar besim në mesin e publikut se korrupsioni mund të ndëshkohet në Shqipëri".


Gëzim Guri i BBC-së bisedoi me zotin Miklos Marschall, drejtor rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore në organizatën Transparency International.


BBC: Çfarë përfaqëson ky indeks i organizatës Transparency International.

Zoti Marschall: Ky është indeksi vjetor i perceptimit të korrupsionit që ne botojmë. Është një indeks që përgatitet në një Universitet që caktohet nga organizata jonë Transparency International. Hartuesit e indeksit përdorin anketimet që kanë kryer organizata të ndryshme. Në indeksin e këtij viti ne kemi përdorur 10 anketa të kryera nga institucione të njohura si Freedom House, Forumi Ekonomik Botëror, Universiteti i Kolombias, e kështu me radhë.
Kur botojmë renditjen mbi bazën e indeksit na duhen të paktën tre anketa të pavarura dhe krahasuese, për ta përfshirë një vend në sistemin tonë. Ky indeks nuk është një analizë e thellë e situatës së korrupsionit, por ai gjithësesi, krijon një pamje relativisht të arsyeshme se ku qëndron një vend krahasuar me vendet e tjera të botës kur është fjala për korrupsionin.

BBC: Pra, ky është një indeks për perceptimin e korrupsionit në vende të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht për nivelin e korrupsionit.

Zoti Marschall: Ashtu është, sepse korrupsioni zor se mund të matet. Ai është një dukuri shumë e ndërlikuar ekonomike dhe sociale. Gjëja më e afërt për vlerësimin e korrupsionit është të pyesësh njerëzit që kanë shumë njohuri për korrupsionin në vendin e tyre. Ne pyesim sipërmarrësit që ushtrojnë biznes në vendin në fjalë, pyesim edhe ekspertët dhe analistët. Bazuar mbi këto anketa, ne dalim me këtë renditje krahasuese mes këtyre vendeve. Kështu pra veprojmë. Perceptimet kanë kufizimet e tyre por, siç e dini, në biznes perceptimet kanë vlerë.

BBC: Kur janë kryer anketat që keni përdorur në përgatitjen e këtij indeksi vjetor për perceptimin e korrupsionit?
Zoti Marschall: Anketimet që përdorëm janë kryer kryesisht gjatë vitit 2007 dhe në fillim të 2008-s. Ato nuk pasqyrojnë zhvillimet më të fundit, por mbulojnë zhvillimet e vitit të kaluar dhe të fillimit të këtij viti.

BBC: Dhe perceptimet për korrupsionin në këtë periudhë e kanë ngjitur Shqipërinë shumë vende më lart në tabelën e indeksit tuaj.

Zoti Marschall: Në Shqipëri ka përmirësime. Nuk ka dyshim për këtë. Mendoj se elementi kyç nuk është renditja në listë por pikët që ka Shqipëria në këtë indeks, ku është shënuar rritje. Kjo tregon se tani ka një vullnet më të fortë politik për të luftuar korrupsionin. Mendoj se këtu ka ndikuar edhe presioni nga jashtë që po bën Bashkimi Evropian.
Qeveria ka ndërmarrë disa reforma shumë të rëndësishme dhe nisur nga percpetimi i përgjithshëm i komunitetit të biznesit, sot është më e lehtë të ushtrosh biznes se më parë. Sigurisht, indeksi i Shqipërisë për perceptimin e korrupsionit mbetet relativisht i ulët, që do të thotë se nuk është koha që Shqipëria të festojë. Por, kjo tregon se reformat që kryhen me këmbëngulje, japin rezultat.

BBC: Nisur nga perceptimi për korrupsionin, a keni identifikuar fusha ku ka pasur më pak apo aspak përmirësim?

Zoti Marschall: Indeksi për perceptimin e korrupsionit nuk mund t'jua japë këtë informacion të hollësishëm. Kjo sepse të anketuarit nuk pyeten për korrupsionin në sektorë specifikë. Indeksi që ne botojmë jep një pamje të përgjithshme nga perceptimi i përfaqësuesve të biznesit dhe analistëve. Megjithatë me cilësinë e drejtorit rajonal të organizatës Transparency International, unë kam njohuri për Shqipërinë. Kam qenë atje dhe jam takuar me drejtues të qeverisë dhe me drejtues të opozitës. Mendoj se ka pasur disa përmirësime.
Megjithatë më shumë duhet bërë në drejtësi, prokuroria duhet të jetë më e fuqishme. Duhet të ketë përmirësime edhe në fusha të tilla si prokurimet publike, që duhen rregulluar më mirë. Ka gjithashtu sektorë të prekur nga korrupsioni si shëndetësia apo arsimi, ku ende duhet të japësh ryshfet që të regjistrohesh. Megjithatë, mendoj se është një lajm i mirë për Shqipërinë që mendimi i bashkësisë ndërkombëtare që ka shumë peshë mbi qarqet ndërkombëtare të biznesit, për Shqipërinë është përmirësuar. Ky është një konfirmim se pranohet se vendi po përparon vazhdimisht, ndonëse me ritme të ngadalëta.

BBC: Çfarë tregoi indeksi i fundit për një vend tjetër të rajonit, Maqedoninë?

Zoti Marschall: Edhe në Maqedoni qeveria është shumë ambicioze për të ecur përpara me reformat. Megjithëse këtë vit indeksi i Maqedonisë për perceptimin e korrupsionit nuk shënoi rritje, tendenca është përgjithësisht pozitive. Ajo që mbetet për t'u parë është nëse qeveria maqedonase do të jetë serioze për kryerjen e reformave të vërteta apo do të ndërmarrë një fushatë të sukseshme në sferën e marrdhënieve puboike. Unë besoj se kjo nuk do të jetë thjesht një fushatë në marrdhëniet publike por do të ketë reforma substanciale. Përfundimisht mund të them se pozitive është se edhe Maqedonia po përparon dalëngadalë.

BBC: Kosova nuk është e përfshirë në indeksin tuaj të fundit edhe për faktin se nuk e kishte shpallur pavarësinë në periudhën kur u kryen anketimet. A do të figurojë Kosova në indeksin tuaj të ardhshëm?

Zoti Marschall: Shpresojmë që vitin e ardhshëm ta mbulojmë edhe Kosovën. Siç e dini neve na duhen të paktën tre anketime të pavarura për ta përfshirë një vend apo entitet në indeksin tonë.
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.