Home arrow Kulture arrow Cdo gje ne Albdreams arrow Konference shkencore per At Zef Pllumin...kliko ketu...
Konference shkencore per At Zef Pllumin...kliko ketu...
Image Pader Zef Pllumi-letra e lakmuesit per sfidat e shoqerise se sotme
Gazeta 55

Në Tiranë, në 1-vjetorin e vdekjes, u mbajt konferenca shkencore “At Zef Pllumi - mes shkrimit e historisë”, bashkorganizuar nga Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”.

Nevoja e dekomunistizimit të shoqërisë dhe shndërrimi i aksionit të tyre në normën tonë të përbashkët – apeli i përbashkët i ajkës së albanologjisë.

Fahri Balliu: Sjellja ndaj Padër Zefit ka zbuluar fytyrën e dyshimtë të medias shqiptare

Në prani të një numri të madh pjesëmarrësisht e të ftuarish, në sallën qendrore të konferencave të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u zhvillua Konferenca shkencore me titull “At Zef Pllumi - mes shkrimit dhe historisë”, organizuar nga Instituti i kërkimeve Politike “Alcide De Gasperi”, Provinca Françeskane Shqiptare “Zonja Nunciatë”, Universiteti i Tiranës dhe “Qendra e Studimeve Albanologjike”. Moderuar nga rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, seanca e parë nisi me referatin e mbajtur nga Prof. Dr. Sabri Hamiti, studiues i mirënjohur nga Kosova, me temë “Misionari i rebeluar”, duke u marrë në përgjithësi me trajtimin ideor dhe përcjelljen e mesazhit te veprës së atit të shquar françeskan.

Ndër të tjera ai theksoi se “misionari duhet ta paguajë detyrën me jetë”, duke aluduar kështu për të gjithë kalvarin e vuajtjeve të At Zef Pllumbit dhe misionarëve të tjerë katolikë gjatë regjimit monist. Përkushtimi dhe përbetimi ndaj besimit, theksoi profesor Hamiti, ka përcaktuar gjithmonë jetën e Zef Pllumit si shkrimtar misionar, kurse libri i tij përmban gjithë dramatikën e këtij përkushtimi. Duke u thelluar më tej në rolin e At Zef Pllumit si misionar dhe përcjellës i mesazheve hyjnore, ai theksoi ndër të tjera se Ati françeskan ia arriti këtij synimi, duke ruajtur e kultivuar njerëzoren në vallen e çmendur të dhunës e bestialitetit.

Ai e ndau veprën monumentale të fratit françeskan “Rrno për me tregue” në tre shkallë, ku e para perceptohet prej tij si jetesa dhe mbijetesa ndaj ferrit (komunist). Shkalla e dytë cilësohet përjetimi dhe rijetimi si kujtesë e asaj çka ndodhi, ndërsa shkalla e tretë është: zija e shkrimit që mbështetet në mbijetesë e në rikujtim për të dhënë dëshminë në trajtën më të besueshme e bashkë me të, efektin e reales. Më poshtë ai në mënyrë eksplicite, nxorri në pah synimin e librit të Zef Pllumit, ku njeriu përshkruhet në situata ekstreme, atëherë kur ai zbret në egërsi dhe kur sojin e vet e kthen në “kafshë të punës”. Si përfundim

At Zef Pllumi në analizën e kritikut të njohur kosovar e pranon rolin e misionarit, por kthehet në misionar të rebeluar. Rebelimi i tij fondamental në veprën “Rrno vetëm për me tregue” është rebelim kundër harresës, por gjithsesi mesazhi zgjerohet edhe më tej duke bërë thirrje për falje, por jo për harresë.

Në fjalën e tij ati françeskan Gazmend Tinaj, përfaqësues i Provincës Françeskane Shqiptare, theksoi në referatin e tij me temë “ Të humbësh për të fituar” se për pesëdhjetë vjet, lufta u zhvillue e pamëshirshme ndërmjet djallit e Zotit, Krisht… “Nuk kje ajo lufta parabiblike ndërmjet Shën Mëhillit e Luçiferrit, por kje ajo e shekullit të njizetër, ndërmjet komunizmit ateist dhe klerit katolik shqiiptar. Kje luftë e pabarabartë”. Ndërkohë, referenti dëshmoi edhe mbi fatin dhe pikëpamjet e françeskanëve të tjerë të mëdhenj si At Prenushi, Justin Rrota, P. Andon Arapi e të tjerë.

Ndërkohë ai theksoi se kalvari i vuajtjeve i përjetuar nga At Zefi, nuk ishte thjesht një përjetim individual, por këtë kalvar e përjetoi edhe Kisha Katolike, duke e cilësuar atë sipas tij si “Kopshti i Gjetsemanit”, një referencë e qartë kjo nga vepra e njohur e At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”. Urtia më e madhe në konceptin e At Zefit - theksoi më poshtë Gazmend Tinaj - nuk ishte si të evitonte, apo t`u ikte torturave, problemeve të jetës, si çdokush bën në ditët e sotme, por të pranonte me dashuri atë çka zgjedhja e jetës së tij përmbante dhe nënkuptonte. Në fund ai solli ndër mend amanetin e At Zefit, i cili mund të konceptohet si testamenti i tij shpirtëror. Duke iu drejtuar apostujve të tij, ai shprehet në një letër shumë qartë mbi ruajtjen të pastër të kujtimit mbi vendet ku ai kishte shkelur e kujtuar, e të cilat më vonë u kthyen në vende persekutimi të të pafajshmëve, me fjalët: Ruejne me kujdes këtë vend e shtëpi t’ shenjtë! Rueni kujtimet e atyne që kjenë këtu përpara jush! Ata kjenë që i prinë këtij populli të mjerë me dritën e fesë e të përparimit, e ju rueni sot e mbrapa jo vetëm gjurmët e tyne, por edhe shpirtin e tyne!

Më pas fjalën e morën dy përkthyeset e veprës monumentale të At Zef Pllumit, në frëngjisht dhe në anglisht, përkatësisht, Prof. émérite Odile Daniel dhe Kate Schank. Në fjalën e saj, përkthyesja e frëngjishtes, znj. Daniel, theksoi që në fillim se në personalitetin e At Zef Pllumit u mishërua gjithë kujtesa e Shqipërisë dhe vlerat që përbejnë madhështinë e këtij vendi… kjo vepër e madhe - theksoi ajo - dallohet mbi të gjitha për vërtetësinë. At Zef Pllumi nuk kërkoi të lëvdonte veten, por të dëshmonte duke vënë në zbatim fjalët e superiorit At Martin Sirdanit ne kapitullin “ Në gërmadhat e kishës” kur ai tha: “Rrno vetëm për me tregue”. “Detyra për të kallëzuar vitet e gjakut dhe tmerrit, të cilat i përballoi me një guxim të paepun”, ishte sipas njohëses dhe përkthyeses në frëngjisht të veprës së At Zef pllumit, primare. Në fjalën e saj, ndërsa rrëfente mbi emocionet që përjetoi kur ra për herë të parë në kontakt me këtë libër, Prof. Daniel që kishte ardhur enkas nga Parisi, theksoi se libri i At Zef Pllumit nuk kufizohet vetëm në kallëzimin dhe dënimin e stalinizmit e krimeve të tij, por ky libër ngjall një interes të veçantë për njohjen e historisë së Shqipërisë e të kulturës së saj, veçanërisht në hapësirën frankofone. Zef Pllumi, vijoi ajo më tej, ka kryer një vepër rehabilitimi të historisë shqiptare. Ai ka çarë/grisur perden e mashtrimit të propagandës staliniste, duke treguar se në ç`mënyrë pushteti i asaj kohe kishte falsifikuar të shkuarën. Por një aspekt tejet interesant i veprës nën këndvështrimin e përkthyeses së saj në frëngjisht, është edhe nxjerrja në pah e vlerave tradicionale të humanizmit në shoqërinë shqiptare, ku më konkretisht shprehen përmes solidaritetit që At Zef Pllumi ndan me bashkëvuajtësit e tij në burgje apo në kampe riedukimi. Vlera të tjera që autori i librit mishëron në librin e tij, sipas saj, janë edhe ajo e besës dhe e qëndresës. Një vlerë e shtuar e cila duket se ka lënë mbresa të forta te profesoresha franceze është edhe shpirti i humorit shkodran që ka mbetur i paprekur edhe përtej vuajtjeve të panumurta në shpirtin e At Zef Pllumit.

Ndërkohë përkthyesja e librit në gjuhën angleze, botuar në Amerikë, Kate Schank, u përqëndrua më shumë tek vlerat informative të librit të At Zef Pllumit, i cili në përmbajtjen e tij “iluminoi” mendjet në Perëndim e Amerikë mbi gjendjen e vërtetë që mbretëronte në Shqipëri, përsa i përket persekutimit ndaj fesë e mendimit të lirë.

Më pas fjalën e mori Dr. Dhurata Shehri nga UT, për t’u pasuar nga fjala e publicistit dhe botuesit të njohur Fahri Balliu, i cili u përqendrua tek marrëdhëniet e ndërsjella të bashkëveprimit, midis veprës së At Zef Pllumit dhe medias shqiptare. Duke vënë theksin mbi domosdoshmërinë e kuptimit të mesazheve që ati i njohur françeskan la për mbarë shqiptarët, drejtori i gazetës “55”, njëkohësisht drejtor i Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”, u ndal në marrëdhënien e vështirë që frati vendosi me mediat shqiptare pas vitit 1990. duke u shndërruar në një letër lakmusi. “Padër Zef Pllumi u shndërrua në një emblemë që e imponoi praninë e mediave, dhe jo që e kërkoi praninë e tyre, theksoi publicisti Balliu. Ai ishte gjithmonë një referencë, një mbrojtës, në momentet e vështira të tranzicionit, që po kalon kjo media jonë, me burime gjithnjë e më të dyshimta. Por Padër Zefi ishte gjithmonë me ne, për të treguar se sa e rëndësishme ishte të përballeshe edhe me serbët, armiqtë historikë të shqiptarëve, edhe pse ata mund të duken më të fortë sesa janë, se sa e rëndësishme ishte të mos bëje kompromis me diktaturën komuniste dhe se sa e rëndësishme ishte që në demokraci të ktheheshe në nje referencë morale dhe busull orientimi, për të gjithë ne, që ishim të hutuar e të trazuar. Gjatë fjalës së publicistit Balliu, një vend të rëndësishëm zuri edhe përqasja që ndodh sot në shtypin shqiptar, mes emblemave të opinionit shqiptar si Padër Zefi, dhe ikonave të regjimit diktatorial si Aranit Çela, sprova që tregojnë se media ka ende shumë punë për të bërë e se veprën e Padër Zefit mund ta përdorë gjithmonë si pikë orientimi, sa herë ajo ndihet e hutuar apo humbet rrugën.

Ndërsa prof.dr. Sabri Hamiti nga universiteti i Prishtinës e cilësoi At Zef Pllumin si dëshmitar, misionar të rebeluar dhe shkrimtar të shquar. “Roli i misionarit është i vështirë, sepse duhet të përmbushë universalen duke ruajtur të pashprishur personalen dhe njerëzoren në vallen e çmendur", tha prof.dr Hamiti.


Në seancën e dytë fjalën e mori ish-ambasadori gjerman i fundviteve ‘ 80 - fillimviteve ‘ 90, Prof. Dr. Daum, i cili rrëfeu momente interesante mbi fatin e shqiptarëve në ato vite dhe rolin e të persekutuarve politikë në rrëzimin e komunizmit. Më pas një sërë kritikësh dhe studiuesish të njohur, si Prof. Dr.Ardian Marashi, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Dr. Persida Asllani, nga Universiteti i Tiranës, i mirënjohuri Rudolf Marku apo kritiku Mark Marku nga UT, theksuan vlerën e veprës dhe të mesazheve që At Zef Pllumi la në aspektin e trashëgimisë kulturore, atë historik, letraro-artistik, etik, moral dhe ruajtjen e arkivimin e vlerave arkeologjike.

Kujtimet e Kolec Çefës, Gëzim Peshkëpisë dhe Tanush Mulletit, sollën copëza interesante nga kujtimet personale që lidheshin me kontaktet që ata kishin pasur me At Zef Pllumin. Në fund të pranishmit në konferencë u ftuan për një drekë-koktej në ambientet e Bar-Restorant “Piazza”.

At Zef Pllumi, lindi në vitin 1924 në Malin e Rencit (Lezhë) dhe ndërroi jetë në 25 shtator të vitit të kaluar. Ai përfaqëson një pasuri kulturore e njerëzore, një institucion që diti t'i rezistojë regjimeve dhe kohrave më të vështira.

I konsideruar si ndërgjegja e një treve dhe historie të tërë, Ai, pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por besnik ndaj fjalës së zotit dhe bindjeve të tij diti t'i mbijetojë për rreth tre dekadave burgjeve komuniste. I burgosur për herë të parë në moshën 22 vjeçare, At Zefi dëshmoi fitoren morale dhe njerëzore kundër një prej regjimeve më totalitare në Europën Lindore. Si i tillë, ai përfaqësoi disidentin politik, luftëtarin antikomunist dhe simbolin e qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane.

 
Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.