Home Politike Te gjitha nga pak Albert Brojka flet se si ....kliko ketu...
|
|
Albert Brojka flet se si ....kliko ketu... |
Albert Brojka flet se si e njeh Berishën, Topallin, Topin dhe Selamin Kreshnik Kuci Një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike deri në vitet 2008, flet për riaktivizimin e tij politik pas 8 vitesh pauzë. Në një bisedë me “Korrierin”, ai shpjegon arsyet e këtij vendimi, ndërsa thotë se do të mbajë një qëndrim ndryshe. Ish-kryetari i PD-së së Tiranës si dhe i Bashkisë së kryeqytetit, thotë se nuk do të kandidojë për ndonjë post në PD, të paktën në këto zgjedhje. Gjithashtu, Albert Brojka flet për periudhën e tij në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, periudhën pas vitit 1997, marrëdhëniet me presidentin e atëhershëm, Sali Berishën dhe me figurat e tjera që tashmë janë në poste të rëndësishme të shtetit shqipta
-Keni deklaruar riaktivizimin tuaj politik në PD. Pse ky vendim dhe pse në këtë kohë? Abert Brojka: “Unë këtë do e lidh me ecurinë time politike personale. Kam rreth tetë vjet që jam shkëputur nga politika aktive e Partisë Demokratike. Arsyeja kryesore ishin ngjarjet që ndodhën pas vitit 1997. Duhet të kujtoj krizën që kaloi vendi në vitin 1997, vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998, zhvillimin e zgjedhjeve, lëkundjen e shtetit shqiptar, më pas në 1999-ën ishte kriza kosovare, ku gati 130 mijë kosovarë u strehuan vetëm në Tiranë etj. Dua të them që në vitin 2000 unë dorëzova mandatin dhe ka qenë një jetë shumë aktive, ku ndjeva përgjegjësitë e mia gjatë kësaj kohe. Partia Demokratike e la pushtetin në vitin 1997 dhe ndenji gati tetë vite në opozitë. Unë ndjeva përgjegjësinë time, isha një ndër drejtuesit e PD-së. Dhe përgjegjësia e PD-së për ngjarjet e 1997-ës dhe për atë që ndodhi më mbrapa nuk mund të përjashtohet. Nuk mund të përjashtohet as prej meje. Kjo ishte arsyeja që unë u tërhoqa nga politika, sepse ndjeja përgjegjësi. Kisha nevojë për një pauzë që të reflektoja. Ndoshta edhe drejtues të tjerë të PD-së duhet të kishin bërë të njëjtën gjë, për të treguar përgjegjësinë që ata ndjenin në ngjarjet e 97-ës dhe më pas. Arsyeja e dytë ishte se edhe e ndjeja veten të konsumuar në njëfarë mase, sepse kisha një periudhë aktive nga viti 1993 deri në vitin 2000 në poste të ndryshme si ministër, zëvendësministër në qeveri, deputet në parlament, kryetar në parti dhe në bashki etj. Pastaj të konsumon edhe vetë jeta aktive politike”.
-Pse riktheheni tani, për të marrë një copë nga “torta” e pushtetit të Partisë Demokratike? “Edhe të tjerët ma kanë bërë një pyetje të tillë, duke menduar se mund të perceptohet që kthimi është bërë sepse janë zgjedhjet në PD dhe ndoshta po afrohet koha për të kandiduar. Absolutisht. Deklaroj se nuk kam ndërmend të kandidoj për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Kam ndërmend të jem aktiv në PD-në e Tiranës, duke filluar që nga seksionet si anëtar i thjeshtë. Më vonë mbase mund të bëhem pjesë e kandidimit, por jo në nivelin e kryetarit. Mendoj se ka fusha ku unë mund të kontribuoj, p.sh. në kuadrin e politikave që ndërton PD-ja me Komitetin e Orientimit të Politikave, që ka tashmë dhe që mendoj se duhet rinovuar. Unë mund të kontribuoj si specialist, më shumë sesa si partiak. Do të kisha dëshirë që të isha aktiv dhe të paktën të isha në forumet drejtuese të PD-së së Tiranës dhe të kontribuoja në kryesinë e PD-së së Tiranës, sidomos në opozitën që mund t’i bëj bashkisë së kryeqytetit. Ky është maksimumi i asaj që unë pretendoj aktualisht dhe jo më tepër. Pastaj varet nga elektorati i PD-së, në qoftë se do të më japë kontributet, por unë kaq i kam pretendimet”. -Si e shihni PD-në nga ajo e tetë viteve më parë? “Mendoj se ka ndryshime. Partia Demokratike ka nevojë për më shumë liberalizëm, për më shumë demokraci dhe liri. Ka nevojë për mendimin ndryshe, ka nevojë për alternativë ndryshe. Kam shprehur mendimin se mund të ketë grupe të organizuar brenda Partisë Demokratike, që mendojnë ndryshe dhe që mund të mbështeten nëpërmjet statutit”. -E keni fjalën për lejimin e fraksioneve brenda PD-së? “Edhe për fraksionet. Dikur kam qenë edhe për fraksionet. Jo thjesht për atë mendimin e ngurtë të fraksionit, sesa mund të ketë mendime kundër të organizuara. Duhet që mendimet e të gjitha palëve të hidhen në votë, mundësisht të fshehtë dhe të fitojë alternativa më e mirë. Zërin ndryshe, alternativën ndryshe dhe grupimin ndryshe unë e quaj pozitive për një parti”. -Po ju, tek cila pjesë e PD-së do të bëni pjesë, tek “kritikët” apo tek “ushtarët”? “Do të isha kundër asaj për t’u kthyer në parti për të qenë ushtar. Do të them mendimin tim lirshëm, ashtu siç e mendoj, edhe sikur të më rrezikohet posti apo pozita ime, në rast se do të kem diçka të tillë. Do të kërkoj që të respektohet mendimi apo alternativa. Do të isha kundër idesë jo vetëm për mua, por edhe për të tjerë, që të futesh në politikë për të qenë një ushtar i bindur për të zbatuar vetëm atë që thotë partia. Duhet të jesh vetvetja. Duhet që alternativën apo mendimin ta thuash dhe ta mbështetësh me argumente. Por nëse do të thuash gjëra shabllone, pa argumente mbrapa, kot i ke hyrë politikës”. -Si e mbani mend Berishën në kohën kur ishte president dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaja atëherë? “Unë, personalisht, marrëdhëniet i kam pasur jashtëzakonisht korrekte dhe të mira. Mua më është lejuar nga zoti Berisha që të punoj dhe ta ushtroja mandatin tim. Nuk e kam pasur presionin dhe ndërhyrjen. Edhe nga Berisha, edhe nga PD-ja më është respektuar ajo votë që më kanë dhënë qytetarët. Mund të them që në njëfarë mase kam qenë i privilegjuar kur kam qenë kryetar bashkie. Ka arritur deri aty, sa zoti Berisha ka deklaruar që kam mandat të plotë për të përfaqësuar PD-në, sepse në atë kohë ishin situatë e vështirë. Unë e kam pasur mbështetjen që në atë kohë, edhe ngrohtësinë e kam pasur, por ishte vendimi im që u largova nga PD-ja për arsyet që i thashë më sipër”. -Megjithatë, largimi juaj erdhi si pasojë e sulmit të partisë suaj për të ashtuquajturin bashkëpunim me Partinë Socialiste për festat e nëntorit? “Po, po. Në kohën time në ligj ishin të dyja datat për të festuar pavarësisë, edhe 28 Nëntori, edhe 29 Nëntori, siç është edhe tani. Në bazë të ligjit për protokollin e shtetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës shoqëron presidentin në vizitat e tij për festa, dhe protokolli përcakton edhe vendosjen e kurorës në datën 29. Në një kohë që PD-ja ishte në opozitë, ishte e natyrshme që ajo të shfrytëzonte edhe të zgjedhurit e vet, kryetarët e bashkive, për interesat e veta. Për interesat e veta politike mund edhe ta urdhëronte dhe të bënte presione që të vendosë kurorën më datë 28, sepse ne nuk e njohim datën 29. Kryetari i bashkisë duhet të respektojë ligjin dhe jo urdhrat e presionet e partive. Unë edhe sot e kësaj dite deklaroj që duhej të vendosja më datë 29, sikurse ishte ligji dhe jo urdhri i partisë. -Nuk mendoni se ka pasur ndonjë prapaskenë tjetër për sulmin e PD-së ndaj jush, sepse në atë kohë, por edhe sot, duke parë përbërjen, do të ishte luks për këtë forcë për të sakrifikonte Albert Brojkën? “Për vetë situatën në të cilën kalonte PD-ja, sakrifikimi i Albert Brojkës nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Unë e ndjeja që po përdoresha dhe e dija që çdolloj partie do t’i përdorte të zgjedhurit e vet për interesa veta politike. Kështu që edhe veten e lashë të përdoresha në njëfarë mënyrë, por kisha detyrim të respektoja ligjin, por të respektoja edhe partinë që më kishte zgjedhur. Kështu që kam ruajtur vazhdimisht ekuilibrin. Kur më ndodhi herën tjetër, që erdhi festa e 28-29 Nëntorit, preferova të shkoja jashtë shtetit për një vizitë, që të mos isha fare në vend. Më kujtohet që më ka ardhur një herë në zyrë, në emër të Partisë Socialiste, Kastriot Islami me prefekten e Tiranës në atë kohë, Makbule Çeçon. Më kërkonin me presion që shkruheshin parulla “Lavdi 28-29 Nëntorit” etj., sepse kryetari i bashkisë ka të drejtë të nxjerrë parullat. Unë në atë kohë nxora parulla vetëm me fjalët “Lavdi Dëshmorëve të Kombit”, domethënë që e vlerësoja luftën dhe dëshmorët. M’u bë një presion nga këta dy drejtues, sepse nuk nxirrja datat 28-29. Unë iu përgjigja se nuk më interesonin asnjëra datë, as 28-ta e as 29-ta, por më interesonte shumë që të vlerësoja kontributin që kanë dhënë të gjithë, kontributin për pavarësinë. Ata ishin në siklet për vete dhe thoshin se pensionistët dhe veteranët kërkojnë që të shikojnë datat 28-29. Dhe unë kisha gjetur një rrugë të mesme, që të respektoja ligjin, forcat politike dhe dëshmorët. Dua të them që një parti politike incidente të tilla i shfrytëzon për interesa të veta. Mbaj mend gjithashtu, që mua dikur m’u urdhërua që ta ul flamurin gjysmështizë, pasi ishin vrarë tre vetë në veri të Shqipërisë, që ishin anëtarë të PD-së. Flamuri gjysmështizë ulet vetëm kur presidenti shpall ditë zie, gjë që nuk kishte ndodhur në këtë rast. Megjithatë partia më kërkoi që ta ulja flamurin gjysmështizë dhe unë e ula për burrëri, por u thashë që kjo ishte në kundërshti me ligjin. Në atë kohë u përgatit nga kryeministri Fatos Nano propozimi për shkarkimin tim nga detyra, por nuk e bëri. Me këtë dua të them, që partia politike të përdor”. -Mos po ndodh edhe tani ajo që ju thatë më lart, që Partia Demokratike po i përdor të zgjedhurit e vet, kjo në kuadër të përmirësimit të imazhit për luftën ndaj korrupsionit? “Unë do të dëshiroja që të mos i sakrifikonte figura të tilla thjesht për interesa politike, por nëse vërtet janë përfshirë në korrupsion figura të tilla, atëherë bën mirë që t’i largojë. Por në qoftë se po i përdor si “mish për top”, thjesht për të treguar, ai bën gabim”. -Si e shihni tashmë kryeministrin Berisha, me të cilin fillimisht keni pasur marrëdhënie të mira kur ishte president? “Ndoshta iu shmanga në një farë mënyre pyetjes që më bërë më përpara. Ka shumë ndryshime në Partinë Demokratike, edhe në vetë mënyrën e menaxhimit të saj. Do t’i quaj vite të suksesshme këto tre vite që ka kaluar PD-ja në pushtet. Shteti ka funksionuar, qeveria ka qenë aktive dhe arritje ka pasur. Në qoftë se ka arritje nga një qeveri, meritat kryesore i takojnë kryeministrit. Unë do të quaj qeverisje ndryshe, ashtu siç erdhi në pushtet, sepse para se të merrte pushtetin në 2005, krijoi një komitet politikash, ku nuk thithi militantë, por specialistë dhe profesionistë të fushave të veçanta. Ai dha mesazhin se nuk do të qeverisë me njerëz që kanë shfrytëzuar politikën për interesa personale. Një zgjedhje e tillë mua më pëlqeu. Ai ruajti gjithashtu edhe ekuilibrat politikë, gjë që ka qenë e vështirë në kohën që isha unë. Futi në koalicion edhe të majtë, edhe të qendrës. Ka pasur një koalicion të gjerë, për të treguar se do të qeverisë ndryshe”. -Si i shikoni vonesat në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike, mbledhjet e rralla të kryesisë etj? “Pikërisht është një nga të metat e saj. Kur partia vjen në pushtet, kontingjenti kryesor kalon në qeverisje duke krijuar një boshllëk. Në momentin që partia vjen në pushtet, forcohet qeveria dhe dobësohet partia. Kjo ka ndodhur për tre vite. Unë mund të them se PD-ja brenda për brenda ka punuar dobët dhe e ka përqendruar të gjithë energjinë e saj në qeverisjen e vendit. Tashmë që po nisin zgjedhjet, duhet pikërisht që një pjesë të këtij kontingjenti që e hodhi në mbështetje të qeverisë, të mund ta rikthejë përsëri. Duhet të thithë burime të reja nga jashtë, duhet një punë e madhe për të treguar se çfarë është bërë për tre vite. Pra, tani është momenti që qeveria të përqendrohet tek partia. Ndoshta unë gjej rastin të them se është një moment i mirë edhe për mua që kam qenë jashtë politikës shqiptare për të kontribuar tek partia në këtë moment”. -Po kandidimin e Besnik Mustafajt për postin e kreut të PD-së së Tiranës, të cilin e keni drejtuar edhe ju më parë, si e vlerësoni? “Besnik Mustafaj është një figurë serioze dhe më vjen mirë që mori iniciativën për të kandiduar për kreun e PD-së së Tiranës. Arsyeja është se elektorati i Tiranës e ka votuar vazhdimisht dhe kërkon të bëjë diçka për këtë elektorat. Ai është një intelektual jo vetëm në fushën politike, por edhe në atë shoqërore”. -Po kryeparlamentaren aktuale, Jozefina Topallin, si e shihni tashmë dhe si e keni njohur para se ajo të bëhej nënkryetare e Partisë Demokratike? “E shoh gjithnjë e më të vendosur për të ushtruar funksionet e veta, gjithnjë me e prirur për të qenë aktive, sidomos për sa i përket çështjes së integrimit të gruas në shoqëri. Aktivitet vazhdimisht në rritje. Unë Jozefina Topallin e kam njohur qëkur kemi qenë të dy anëtarë të parlamentit në vitin 1997, ku ajo ka qenë anëtare kryesie e PD-së dhe ka pasur rol aktiv. Ajo ishte dhe është e guximshme në mbrojtjen e mendimeve dhe alternativave të vetave”. -Po presidentin aktual, ish-nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si e mbani mend dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me të? “Qëkur është bërë president, është e vështirë që ta takoj zotin Topi. Marrëdhëniet i kam shumë normale. E njoh që para se të bëhej deputet. Pinim kafe dhe luanim futboll. Më pas, në vitin 1996, ai u afrua në PD-në. Në atë kohë unë isha kryetar i PD-së së Tiranës. Ai kandidoi për deputet në Tiranë dhe unë kam pasur rastin që ta ndihmoj edhe në fushatën elektorale kur kandidonte për herë të parë. Kam respekt për mendimet e tij dhe për guximin. Ai është bërë president në sajë të kontributit në PD, por tashmë ka detyrimin t’u shërbejë njësoj forcave politike, t’i shërbejë vendit. Ai duhet të jetë presidenti i të gjithë shqiptarëve dhe jo i një partie politike, gjë që është e vështirë. Dhe unë them që ka energji të brendshme për të gjetur ekuilibrin, që edhe të mos humbasë mbështetjen e PD-së, por edhe të gëzojë respektin e forcave të tjera politike”. -Me figurat e hershme të Partisë Demokratike, si Eduart Selamin, Aleksandër Meksin apo ndonjë tjetër, si i keni marrëdhëniet? “Unë kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Duke filluar që me zotin Aleksandër Meksi, apo me ish-ministra të tjerë të qeverisë “Meksi”, që sot janë në PD ose jashtë saj. Kam marrëdhënie të mira edhe me ata që po rikthehen dhe që janë në forca të tjera politike, qoftë me zotin Tritan Shehu apo Dashamir Shehin. Jam i hapur që t’i takoj, pavarësisht pozicioneve politike. Pra, unë marrëdhëniet e mira i kam si me ata që janë në PD, ashtu edhe me ata që janë larguar prej saj”. -Ju keni qenë një nga themeluesit e PD-së. A ishte realisht Selami një kandidat i fuqishëm për të drejtuar më gjatë Partinë Demokratike? “Zoti Selami ka qenë një nga figurat kryesore të PD-së, ka qenë drejtues i saj dhe për kontributin që ka dhënë i takonte ndoshta që të qeveriste për kohën kur PD-ja ishte në pushtet. Nuk mund t’i heq asnjë presje kontributit të zotit Selami. Mendoj se PD-ja e ka vlerësuar atë për kontributin e tij. Por në një moment kyç, zoti Selami u largua nga vendi...” -U largua, apo e larguan? “Edhe PD-ja ka minuset e veta, pikërisht për sjelljen ndaj zotit Selami. U mbajt një qëndrim i ashpër, në një kohë që ajo duhej të ishte treguar më shumë tolerante. Por mendoj se qëndrimi që mbajti PD-ja mbrapa, tregoi se ajo në një farë mase ishte penduar”. -Një pyetje të fundit. Jeni akuzuar për abuzim me dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë gjatë kohës kur ishit kryetar i bashkisë. Cili është thelbi i këtyre akuzave? “Dua të them se një kryetar bashkie mund të akuzohet nëse ka shkelur ligjin, nuk mund të akuzohet se ka dhënë leje ndërtimi. Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar se ku konsistojnë akuzat që më ka ngritur Edi Rama. Unë e pyes se cilin ligj kam shkelur? Pse nuk më çon përpara drejtësisë? Ai e ka bërë këtë që të fitonte pikë politike. Ai hodhi baltë mbi paraardhësin e tij, aq më keq që unë isha i PD-së dhe erdhi në pushtet. Këto akuza kanë qenë të pabazuara. Unë kam dhënë leje ndërtimi dhe kam dhënë shumë, pasi të tilla ishin kërkesat. Në ligjin për urbanistikën, një firmë që paraqet kërkesën për të marrë leje ndërtimi dhe nuk i kthehet përgjigje brenda 35 ditësh, leja quhet e miratuar. Kjo edhe sot e kësaj dite. Në qoftë se duan të ndërtojnë të Tiranë dhe ligji e lejon, mua më detyron ligji që të jap leje ndërtimi. Atëherë, pse më akuzon, se zbatova ligjin?! Pastaj, nuk ka pasur as plan urbanistik dhe nuk ka as sot. Vetë zoti Rama ka tre mandate dhe akoma nuk e ka bërë planin urbanistik. Tashmë ai është në akuzë tjetër, që ka bllokuar lejet e ndërtimit. Ai e ka bërë Tiranën pronë të tijën, aty ku do jep leje, dhe aty ku nuk do nuk jep. Sot e kësaj dite nuk mund të tregohet një godinë ku unë kam shkelur ligjin dhe kam masakruar Tiranës”. |
|
|
|