Home arrow Letėrsi arrow Tregime arrow Tregim nga Elinda MARKU- "Donna K"...kliko ketu...
Tregim nga Elinda MARKU- "Donna K"...kliko ketu...

“Donna K”
tregim
(nëse lexuesja e filxhanit shikon nr' tre në filxhan, të paralajmeron- llafe)

Elinda MARKU


Donna K është një grua ende shumë e bukur. Po të kish ca mish më shumë për të veshur kockat, do të thoshja se, është një grua 62 vjece shumë herë më e bukur se një grua 42 vjece. Mosha i ka shtuar një sëmundje , të sikletshme. Vuan nga skleroza.
Donna, kjo grua e bukur , para se të punësohej aty ku ende “punon” ka qënë sekretare e një drejtori në një shkollë të mesme në Down Town . Donna tregon se drejtori për të cilin ka punuar para 13 vjetësh, ka qënë një shqiptar brun ,i pashëm , qejfli e me humor të hollë . I gjatë, e rreth te 40-ave, nga Mali i Zi. Reth të dyzetave por jo 40 tamam . Drejtori me origjinë shqiptare kish qëlluar një karakter krejt ndryshe nga ish bashkeshorti i Donnes,me origjine gjermane, i lindur ketu. Kur Donna u bë sekretare , 3 vjet mbas divorcit plus 3 vjet mbas vdekjes së tij nga një infrakt në zemër. Donna, historinë e vdekjes së ishbashkëshortit të saj , e tregon në disa variante. Një herë tregon : I ra infrakt nga xhelozia , kur mori vesh historinë time me drejtorin e shkollës.

Tjetrën herë tregon: Nuk i ra infrakt por e vrau gruaja e tij e dytë, për t’i marre pronat. Pastaj tregon : Vdiq nga infrakti në zemër , sepse e tradhëtonte gruan e dytë , me një 30 vjecare, prej të cilës detyrohej të merrte viagra pa recetë.

***

Drejtori i shkollës, shqiptari brun e frot i pashëm , kish qëlluar të kishte një grua fort xheloze. Tmerrsisht xheloze. ( gjithemonë sipas Donnes).
Ku ta dish se nga e kishte marre vesh, a ndoshta nuk kish marrë vesh gjë prej gjeje, por thjesht xhelozia e solli një ditë në shkollë për ta takuar e për të na kapur. Shqiptarja e sertë kish filluar të ulërsite me sa kishte në kokë teksa kishte hyrë në zyrën ku luanin drejtori me sekretaren. Gruaja herë ulëriste në shqip duke iu drejtuar burrit ia afruar duart rreth qafës, e herë ulëriste anglisht, duke iu sulur Donnes edhe kësaj duke ia afruar duart rreth qafës , e duke e mbyllur fjalinë në anglisht. “I am going to kill you”. Donna meqë ishte trembur më shumë se sa cuditur se si drejtori bashkëshort , nuk po bënte asgjë për të mbajtur gruan e për ta mbrojtur Donnen nga kërcenimet e saj, bën si bën dhe arrin të ngreje telefonin e të formoje 3 numra. 911. Duke e lënë telefonin të varej në telin kacurrel. Policia me siguri ka dëgjuar ulërimat e shqiptares xheloze , dhe ka mbërritur në shkollë , për 3 minuta. Drejtori i zënë më shumë në turp se në faj, kish deklaruar se gruaja e tij vuan nga paranoja.E moren gruan dhe e dërguan, le të themi ashtu si thotë Donna , në spitalin e të cmendureve. Dhe mbas 3 ditësh ia kthyen shqiptarit në shtëpi. Mbas kësaj ngjarje jo dhe aq të këndshme për një drejtor shkolle , e emruan në një shkollë tjetër. Ndërsa Donnen , drejtori i ri që e zevëndësoji shqipatrin , mbasi pa se Donna kishte 25 vjet punë me gjithë keto tri vitet si sekretare , i plotësoji letrat dhe e nxorri në pension. Prej aty Donna fillon punë në një hotel , front desk, vetem për 3 ditët e fundjavës. Aty e kam gjetur , në vitin 2000. Mbas 3 vjetësh housekeeping , aplikova për në third shift , front desk . Gjatë kësaj kohe Donna aplikon ëer pozicionin e menaxheres se dytë. Dhe drejtori i hotelit, kësaj here një polak, ia jep Donnes pozicionin , duke e pritur jo 3 muaj , që ajo të mund ta mësonte punën, por 9 muaj. Deri sa Donna u detyrua të largohej nga puna , për asrye shëndetësore.(skleroza). Tani mbas një viti është kthyer prap. Në pozicionin që la Donna kur u largua u emrua një shqiptare. Donna akoma nuk ka filluar punë, por prêt të filloje. Madje nuk prêt, por vjen cdo natë në punë , në turnin tim dhe gjithë natën pastron koridoret e pastërta të hotelit. Eshtë kaq e lodhur, kaq e deshpëruar dhe kaq e dobët, sa shpesh me zë frika ta hap derën që lidh e që ndan korridorin me front deskun, se mos e ka lënë zemra aty në korridor. Shqiptarja –shefja ime e re, me tha nje dite; Mos e nga , le të vije të bëjë ç’të dojë. Sepse Bossi, javës tjetër ka vendosur e do t’i bëjë një party , në shenjë celebrimi për daljen në pension, edhe nga ketu.



Ndonjëherë ia jep në koke Donnes e hyn tek front desku, e fillon më tregon një variant të ri ,për vdekjen e ishbashkeshortit të saj. Ose një variant të ri për sakndalin me drejtorin shqiptar. Një herë i kërkova të ma tregonte si e kishte emrin ky drejtori shqipitar. Por meqë nuk po i kujtohej dot, i kërkova falje ,pasi është dicka krejt përsonale dhe në të mirën e të dyve të mos e tregoji, të pakten emrin. Megjithëatë , natën tjetër unë ia kerkoj krejt pa djallezi e plot kureshtie emrin e shqiptarit. Ajo kësaj here pranon se ia ka haruar emrin duke më thënë;- Që kur kam njohur këtë polakun e ka fjalën për shefin e hotelit, teksa tregon me gisht deskun e tij, nuk i mbaj mend asnjë nga emrat e burrave që kam patur , përvec atij që martova once. Por të jap jap fjalën se do ta gjej. Do të hyj në internet e të kërkoj tek historiku i shkolles. Dhe megjitheëmend Donna kish hyrë në internet , dhe kish kërkuar në një web shqip, me siguri ngaqe nuk i është kujtuar as emri i shkollës. Vjen të nesërmen 3 orë më parë se unë të merrja turnin. Më prêt gjithë hare. Mbasi mbesim vetëm , më zë për dore e më ul tek tavolina e gjatë në loundry room, duke më folur me zë shumë të ulët e duke nxjerrë nga canta e saj shumë e madhe , një bllok të kuq, në faqen e parë të të cilit kish shkruar tre emra shqiptarësh. Ma vendosi bllokun para e më tha; Njëri prej këtyre duhet të jetë me siguri, por unë nuk jam e sigurtë se cili. Ti duhet ta njohësh , sepse je shqiptare.

Pohova me kokë ,pa e ditur as vetë çfarë vërtetë pohoja, duke përmbajtur një qeshje që dhemb. Lexova emrat e shqiptarëve

Naim Frasheri, Skender Beu, Nënë Tereza. Pastaj iu drejtova e mbushur me një ndjenjë mëshire të papërballueshme , e i thashë: Donna , duhet të jetë njëri prej këtyre dy të parëve, sepse ky emri i fundit është grua, dhe që në anglisht do të thotë “mother Teresa” . Mbuloj shpejt e shpejt emrin e nënë Terezes me dorën e saj thatanike e nxitoji ; Ok, ok, atëhere njëri nga keto të dy duhet të jetë, he e njeh?

C’t’i thoja unë Donnes?

***

Meqë vetëm 3 ditë kanë mbetur nga dita që Gary, boss- bën partyn e Donnes. Donna e ka marrë vesh se do të kemi një party, ndonëse mund te mos e dijë se me ç’rast.. Dhe mbasi ka marrë listën e të gjithë numrave të telefonit të të gjithë punonjësve, nga desku , gjithe ditën e lume nuk bën gjë tjetër vecse thërret secilin numër duke e filluar bisedën :-. Shiko, Gary ka vendosur të bëj një party. Unë ende nuk e kam vendosur nësë do shkoj apo jo, por gjithësesi , as ti mos shko nëse nuk vij unë. Ok? Love you. You know that I love you, I always I will be there for you. I vjen radha numrit tim ne listen që Donna po thërret, e më thotë: -Dëgjo Kris, Gary po bën një party, unë ende nuk e kam vendosur nësë do shkoj apo jo, por të lutem , ti e di që je mikja ime më e mirë, që unë jam gjithnjë në anën tënde e të miqve të tu, të lutem nëse nuk vij unë, as ti mos shko. Ok? Love you. -Donna, Donna, prit një second: e lus. Dhe e pyes: E di ti se pse bëhet ky party? Bëhet për ty. Nuk ke si të mos vish. Eja se do kenaqemi. Po te duash merre edhe Naim Frasherin me vete, Garyt do t’i bëhej qejfi.

-Oh meqë ma kujtove , mos e ke gjë numrin e Naim Frasherit? Dua ta marrë edhe atë e t’i them që të mos vijë nëse nuk vij unë. – Posi nuk e kam nurmin e Naimit: i them, duke kuptuar se Donna nuk ka kuptuar gjë prej gjëje. I jap numrin e celularit të Garyt. Ajo merr Garyn duke e thirrur Naim e i thotë:- I dashur, oh i shtrenjti im, oh dashuria ime më e madhe, më plotëso vetëm një dëshirë. Nëse nuk vij unë në partyn që po bën Gary , as ti mos shko. Love you! You know that I still love you.

….

Elinda Marku. ( 28 shtator 20008)
 
Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.