|

Elvira Diamanti: Kur luaja filmin isha shtatëzënë Iva musaraj Elvira Diamanti është një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, e cila na ka përfaqësuar denjësisht nëpër botë, me performancën e saj të mrekullueshme dhe nuancat e bukura që i ka dhënë artit kinematografik dhe atij dramatik shqiptar. Dhe pse kanë kaluar shumë vite nga filmat dhe interpretimet e para, Evira Diamanti ka qenë dhe është përsëri një zonjë e bukur dhe e mbajtur. Kjo ka bërë që, Diamanti të cilësohet dhe të renditet në rradhët e femrave, apo aktoreve më të bukura në Shqipëri. Elvira Diamanti është e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo është dioplomuar në vitin 1988, në Akademinë e Lartë të Arteve. Ka punuar në Teatrin Kombëtar deri në vitin 2000 dhe ka filluar punë si drejtore e Teatrit Kombëtar të Fëmijëve në vitin 2002. Ajo prononcohet për gazetën "Sot" dhe tregon gjithçka për jetën e saj artistike. Ju keni interpretuar shumë filma, por filmi që ju ka bërë të njohur ka qenë "Përrallë nga e kaluara", ku ju keni interpretuar personazhin e Marigosë. Si u ndjetë, kur ju thanë se jeni përzgjedhur për të interpretuar në këtë film? Unë kam pasur një karrierë relativisht të pasur dhe duke pasur parasysh atë kohë kur nuk kishte televizione dhe të njohur të bënte vetëm filmi. Para se të bëja konkursin dhe të fitoja përfundimisht shkollën e lartë, kam interpretuar në tre filma duke vazhduar interpretimet e mia në filma, por dhe në teatër. Gjithashtu gjatë viteve të shkollës së lartë, kam luajtur dy pjesë mjaft të sukseshme, ku njëra prej tyre është dhe "Shi në plazh" me trupën e pedagogëve të Institutit të Arteve. Pra, me fjalë të tjera isha e njohur në publik, ndërsa përsa i përket filmit "Përrallë nga e kaluara" më bëri edhe më të dashur, më bëri më të njohur në çdo skaj të Shqipërisë, për vetë faktin se vetë filmi është shumë i dashur dhe shumë popullor. Kjo është arsyeja se unë si personazh dhe si person u bëra i dashur. Isha mësuar me lajmërime të tilla të tipit jeni përzgjedhur për të interpretuar në një film, apo në ndonjë dramë dhe e njëjta gjë ndodhi dhe kur më ofruan personazhin e Marigosë. Cili ka qenë filmi i parë në të cilin ju keni interpretuar dhe si u ndjetë me performancën tuaj të parë? Nuk më ka pëlqyer. Sigurisht që nuk isha profesioniste dhe nuk di të them se çfarë nuk më pëlqeu në performancën time të parë. Kur e shoh sot, them se në atë kohë kam gabuar, sepse aty ka gjëra të mira, në rradhë të parë ka një sinqeritet të moshës, i cili është jo vetëm i moshës, por dhe i mungesës së profesionalizmit, gjë që të bën të bësh një rol aty ku është i qëndrueshëm është i tillë. Pra ishte mirë. Filmi im i parë ka qenë "Radio stacioni", dhe në atë film unë sapo kisha mbaruar vitin e dytë të gjimnazit, pra nuk i kisha mbushur akoma 17 vjeç dhe regjisori i filmit ka qenë Rikard Liarja. Si ishte bashkëpunimi juaj i parë me regjisorin Rikard Liarja? Ne kemi qenë një ekip i shkëlqyer dhe xhirimet e atij filmi janë regjistruar në memorien time si ndër momentet më të bukura të jetës sime, sepse në atë film mund të kishte rreth 30 të rinj, të cilët do të konkuronin, ose kishin konkuruar në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Aktrimit. Pra, ne të gjithë kishim të njëjtat qëllime, të bëheshim aktorë, të njohur, persona publikë. Gjëra, të cilat ishin të pranueshme për të gjithë dhe gjë që është e njohur për moshën në radhë të parë. Të gjithë në atë moshë kanë një dëshirë të vetme të bëhen të njohur. Kjo ishte dhe një mundësi e mirë, por falë Rikard Liarjes, i cili është një njeri mjaft simpatik dhe shumë tolerant u krijua një atmosferë në grup mjaft e mirë, gjë që unë e kujtoj si diçka të bukur në jetën time. Madje unë akoma ruaj shoqëri me disa prej tyre dhe sot e kësaj ditë pas shumë vitesh. Le të kthehemi dhe njëherë tek "Përrallë nga e kaluara". Ai ka qenë një film shumë i bukur, i cili është dhe mbetet i bukur pavarësisht se po dalin filma të ndryshëm me tematika të ndryshme. Mund të na thoni ndonjë skenë ku ju keni qeshur me të madhe ose keni dalë jashtë skenarit? Mund të them se xhirimet e atij filmi kanë qenë një lodhje fizike dhe në fund të filmit unë isha shtatzënë me vajzën time. Këtë gjë unë nuk e dija, por mund të them që gjatë gjithë momenteve të xhirimit ka qenë një seriozitet i jashtëzakonshëm sepse dhe vetë regjisori i "Përrallë nga e kaluara", Dhimitër Anagnosti, është shumë egzigjent dhe serioz. Gjithashtu mund të them që kam qarë pasi kam mbaruar skenat e xhirimit, kjo vinte si pasojë e ndonjë mos arritjeje të momentit ose për shkak të ndonjë forcimi të madh si fizik ashtu dhe shpirtëror. Përsa i përket të qeshurës nuk mbaj mend të kem qeshur. Kam qenë e tensionuar për të nxjerrë maksimalen. Gjithashtu, kujtoj se ka qenë dhe filmi, i cili është realizuar më kollaj në krahasim me të tjerët, përsa i përket interpretimit sepse gjërat ishin të qarta që në skenar dhe kjo është meritë e regjisorit Anagnosti, i cili ishte dhe skenaristi i filmit "Përrallë nga e kaluara" gjithashtu. Ju sot jeni drejtoreshë e Teatrit Kombëtar për Fëmijë, ose siç njihet ndryshe Teatrit të Kukullave. Si kaluat nga aktore e njohur në drejtoreshën e një institucioni për fëmijë? Vjen një moment ku njeriu i ngre disa pikëpyetje vetvetes. Domethënë aktrimi është një profesion, të cilin unë e zgjodha me dëshirë ose jo, pak rëndësi ka, por është një punë, të cilën unë e kam vlerësuar jashtëzakonisht, por ka momente kur njeriu kërkon të bëjë diçka më tepër, gjë që nuk ta lejon ky profesion. Sepse aktori është dikush që kur merr një pjesë për të interpretuar shndërrohet në një personazh tjetër, ndërkohë që unë kisha shumë energji dhe dëshirë për të bërë diçka më shumë. Konkretisht mund të them që për fëmijët në Shqipëri bëhet shumë pak, pra akoma nuk e kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh fëmijë. Unë kam kuptuar që ne shpesh herë ndihemi të frikësuar kur marrim një punë të re apo një shtëpi të re, imagjinoni se si do të ndihet një fëmijë përpara një bote, e cila hapet çdo ditë përpara tij. Pra, fëmijët kanë nevojë për shumë dashuri, por ata kanë nevojë dhe për shumë dialog me të tjerët, kanë nevojë për shumë lojëra të ndryshme, përralla, me qëllimin që realiteti, i cili hapet çdo ditë para tij të vijë sa më i perceptueshëm dhe sa më i ëmbël në sytë e tyre. Duke qenë kështu nëse nuk do të isha bërë drejtore e Teatrit Kombëtar për Fëmijët do të kisha bërë diçka në lidhje me këtë fushë. Pra, do të bëja dhe do të kërkojë një mundësi që unë të bëja më shumë përsa i përket brezit dhe gjeneratës më të re që po vjen. A mendoni se do t'i ktheheni përsëri televizionit? Nuk kam pse them jo, megjithëse kam një frikë për një riangazhim sepse të angazhohesh sërisht do të thotë që njerëzit të të shohin me një bagazh të dyfishtë. Me fjalë të tjera, ajo çka ke dhënë dhe ajo që mund të japësh konkretisht. Sigurisht që do të luaj prapë sepse në fund të fundit ky është profesioni im, por nuk e di kurrë dhe se çfarë do të jetë ajo që do të më shtyjë në skenë dhe në ekran. Nga një sondazh që ka bërë gazeta "Sot", jeni cilësuar si një nga aktoret më të bukura shqiptare. Si ju duket kjo? Sinqerisht nuk mund ta them këtë gjë. Aktore të bukura në kemi pasur vazhdimisht. Për mua në rininë e saj Matilda Makoçi ka qenë një yll i vërtetë dhe më vjen shumë keq që jeta ndonjëherë sjell përplasje të tilla që të shmang nga një rrugë, e cila ti je nisur me shumë sukses. Ajo ka qenë vërtetë një vajzë dhe një grua shumë e bukur. Përsa më përket mua mund të them që ruaj një paraqitje korrekte. Format e tua trupore janë për t'u admiruar. Si e arrini këtë? Është thjesht merita e organizmit tim. Unë përtoj shumë të merrem me fiskulturë ajo, ç'ka unë kam bërë disa kohë ka qenë ecja gjatë mëngjeseve dhe këtë e bëja thjesht për shëndet dhe jo se dua të bëj diçka për estetikën time. Kam mendimin dhe idenë se beteja me vitet që rrjedhin është një betejë e pashpresë. Njeriu është mirë të ndihet mirë në çdo moshë, nuk ka pse të sforcohet për të ruajtur ose për të kapur një moshë që nuk e ka më. Jeni pro apo kundër operacioneve plastike? Operacionet plastike kur bëhen për një efekt shëndeti, ose kur ke një obsesion në mendje dhe ky obsesion të detyron të mos ndihesh mirë dhe të mos jesh vetvetja, pse të mos e bësh një operacion plastik. Ndërsa përsa i përket operacioneve plastike që bëhen për të ruajtur rininë e përjetshme, kjo mendoj se më duket një betejë e pashpresë, ndoshta dikujt mund t'i pëlqejë. Nëse dikush bën një operacion plastik për të hequr rrudhat në fytyrë mund të them se ato rrudha janë tashmë thellë në shpirt sepse përvoja dhe vitet kanë bërë të vetën. Keni interpretuar në shumë filma, cili nga këta ju ka lënë më tepër mbresa? Mbresat e mia më të fuqishme i përkasin teatrit dhe jo filmit. Filmi është paksa kalimtar me emocione, të cilat i merr më vonë dhe nuk i merr dot direkt. Në një film nuk e kupton dot nivelin se ku je në momentet e xhirimit sepse në fund të fundit roli është një tërësi montazhi, muzike, regjizure, etj., efekte që tashmë dihen. Ndërsa në teatër e prek emocionin dita ditës, gjatë provave, gjatë interpretimit në skenë kështu që mund të them dhe mund të përmend se "Kush e solli Doruntinën", ka qenë roli që më ka lodhur, por më ka dhënë satisfaksionin dhe kënaqësinë më të madhe, jo vetëm në skenë, por dhe gjatë provave. Mund të përmend gjithashtu dhe rolin në "Natë pa hënë", që ka qenë dhe ai një rol dhe një atmosferë shumë e bukur, e mrekullueshme. Nëse nuk do të kishit zgjedhur profesionin e aktores, çfarë do të kishit dëshirë të ishit, pra profesioni i dytë që ju keni më për zemër? Do të dëshirojë të isha shkrimtare, më pëlqen shumë perceptimet dhe ndijimet që merr gjatë një libri që lexon dhe aq më tepër kur e shkruan. Megjithatë unë nuk kam qëndruar asnjëherë që të shkruaj seriozisht me përjashtim të hartimeve të mia, të cilat janë pëlqyer gjithmonë. Mbase do të doja të isha dhe piktore. Me sa duket nuk largohem dot jashtë sferës së artit, mbasi nuk do të bëja dot diçka tjetër. Gjithsesi nëse do të kisha tentuar, si në pikturë ashtu dhe në shkrim mund të kisha arritur diçka. Çfarë mendimi keni për brezin e ri të aktorëve? Është një brez krejtësisht i ndryshëm nga i joni, sepse luajnë dhe interpretojnë gjëra të ndryshme nga brezi jonë si dhe ata kanë një liri në skenë ndryshe nga ne. Gjithsesi do të thosha se nuk kanë aq hapa sa kishim ne. Pra në një kohë që ne kemi luajtur edhe klasikët si dhe kemi pasur një shumëllojshmëri rolesh, pra ne kemi pasur më shumë mundësi. Brezi jonë kur mbaronte shkollën hynte direkt në Teatrin Kombëtar. Kjo është fakeqësia e tyre sepse ky brez e gjen veten të ndarë nëpër televizione të ndryshme dhe duke bërë atë punë që ndoshta nuk do të donin ta bënin.
|