Te besosh Nexhmijen!!!!! Edmond Arizaj Jo pak e besuan. Madje, edhe e përçuan dhe përforcuan rideklarimin e saj ...se mjeku Sali Berisha nuk u pranua në stafin mjekësor të Enver Hoxhës, sepse vjehrra e tij ishte agjente e UDB-së.
Madje paskësh qenë vetë Nexhmije Hoxha që i kishte mbyllur portën e karrierës për më lart kryeministrit të sotëm. Nuk dua ta besoj këtë pohim të sajin. Në fakt, nuk mundem ta besoj. E shoqja e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, alias “Zoti” për Shqipërinë ateiste, ishte në dijeni për një dhëndër me familje të dyshimtë, këtë ua thotë edhe bashkëpunëtorëve më të afërt, shumë prej tyre të njohur për pushkatimet, burgimet e internimet në masë edhe për një gabim më të vogël, dhe për çudi, masa e vetme e marrë kundër dhëndrit me vjehrrën agjente të UDB-së ishte vetëm mospranimi në stafin mjekësor. Ç’paska qenë ky Sali Berisha në atë kohë, ç’krahë të fuqishëm ka pasur që i ka shpëtuar zezonës si rrallë kush? Copëza të historisë së hershme të tij vijnë të shkëputura deri sot për t’u përballur me të venë e Enver Hoxhës; I zbritur nga bjeshkët, me etjen për mësim e karrierë (si shumëkush), me ëndrrën për të qenë pranë Olimpit, arriti të bëhej një nga mjekët më të mirë shqiptarë, e më pas politikan. Nuk duket të ketë në biografinë e tij, as dëshmorë e as heronj. Thjesht besnikëri ndaj partisë, pak e mjaftueshme kjo për ta shpëtuar nga shpata që priste majtas e djathtas, poshtë e lartë, për familjarët e agjentëve. Sidomos për familjarët e agjentëve të provuar, siç e tregon rastin e veja e diktatorit. Por ky Saliu i ri i atëkohshëm i shpëtoi shpatës, madje çuditërisht ishte edhe sekretar rinie në mos gaboj. Kur për agjenturë të provuar apo të sajuar u zhbë komplet familja e kryeministrit të asaj kohe. Duket e pabesueshme që një i zbritur nga bjeshkët, me dosje të zezë, që i dihej, të siguronte të drejtë studimi, të bëhej pjesëtar i organizatës së rinisë, të pranohej në parti dhe të pretendonte edhe të hynte pranë familjes së Hoxhës. Në pohimin e Nexhmije Hoxhës nuk thuhet më shumë. Vetëm se ajo e ndaloi Berishën të bëhej pjesë e stafit mjekësor. Nuk është mësuar ende nëse kërkoi nëpërmjet strukturave të tjera hetim të thellë për Berishën dhe familjen e tij, vërtetim se çfarë paskësh bërë kjo vjehrra agjente kundër Shqipërisë. Dhe çfarë e ndaloi ta syrgjynoste përmbysësin e mëvonshëm të saj, në thellësitë e Spaçit apo tmerrin e Burrelit, në mos më keq. Këto enigma nuk zbardhen. Ndoshta e veja e Hoxhës në atë kohë, kishte merak vetëm shëndetin e burrit të saj dhe nuk u zgjat shumë. Po ata “të tjerët” që mësuan se një potencial i mundshëm agjenturor, kishte shprehur dëshirën për të qenë pranë udhëheqësit, pse ndenjën duarkryq? Enigma që vazhdojnë të mbeten enigma. Por gjërat mund të mos jenë edhe aq të koklavitura. Thjesht pohimi i zonjës Hoxha nuk është gjë tjetër veçse një hakmarrje për njeriun që e cilëson si urdhëruesin për burgun e saj të pamerituar. Një shfrim dufi për njeriun të cilin e bënë me shkollë e me parti dhe “tradhtoi”. Një ahje e thellë e dalë nga shpirti, sepse dikur e kishin në dorë, dhe po të ishte sërish ajo kohë, Berisha do t’i ulej në gjunjë. Kjo është e vetmja hakmarrje që mund të bëjë zonja Hoxha për kryeministrin e sotëm, akuzatorin e djeshëm. Natyrisht edhe sarkazmës me dorën e mbajtur lart nga Berisha pas shtrëngimit me atë të Enver Hoxhës, të treguar nga kolegët e tij pa emër. Gjithsesi, kjo e fundit është më e besueshme. Sepse edhe qoftë kur kalonte makina e Enver Hoxhës, njerëzit rrinin dhe e ndiqnin me sy, deri sa ikte dhe era e karburantit. Pas ’92, Berisha mund të akuzohet për gjithçka, e ditur apo e paditur. Dhe është akuzuar. Por që sistemi diktatorial ka bërë një sy qorr e një vesh shurdh, për një njeri që ka në familjen e ngushtë një agjent të UDB-së, kjo duket absurde. Absurde, sepse paskemi pasur të bëjmë jo me diktaturë, por me demokraci liberale, madje të skajshme. Përse qenka falur Berisha? Çfarë shërbimi i ka bërë pushtetit të atëhershëm që ka shpëtuar nga njolla? Dhe më tej akoma. Si qenka falur bashkëshortja e tij, bija e agjentes së UDB-së? Si qenka shkolluar dhe ka punuar një armik i tillë? Shumë pyetje dhe pak përgjigje për pohimin e madh të zonjës Hoxha. Ndoshta ato vitet e burgut (të drejtë apo të padrejtë) kanë shtresëzuar urrejtjen dhe hakmarrjen. Që sot trazon me një pohim të thjeshtë: Nuk e pranova Berishën, sepse kishte vjehrrën agjente të UDB-së. Nuk po përpiqem të pastroj Berishën, por të kuptoj të vërtetën. Dilemë që mund ta kenë edhe shumë të tjerë. |