Home Intervista VIP Lidia ,rusja-intervista
|
Rusja: Si e rigjeta bashkëshortin tim pas 30 vjetësh Dorina TOPOLLAJ, Armand JONUZI Në Rusi 50-vjetori i martesës quhet “Martesa e artë” dhe festohet njëlloj sikur çifti të martohej përsëri. Më 19 nëntor të këtij viti, çifti shqiptaro-rus, Beqir Aliaj dhe Lidia Amerika mbushin plot 50 vjet nga martesa e tyre. Ata kanë vendosur që këtë përvjetor ta festojnë njëlloj sikur do martoheshin. “Do kërcejmë e do këndojmë apo jo Lidia”, epyet të shoqen Beqir Aliaj. Gjatë këtyre viteve ata kanë bashkëjetuar vetëm 20 vjet, pjesën tjetër e kanë kaluar larg njëri-tjetrit.
I kanë kaluar të ‘70-at, por duken si një çift i sapomartuar. Shkëmbimet e shikimeve plot dashuri, buzëqeshjet në fytyrë, madje dhe ngacmimet me fjalë, vërtetojnë se dashuria s’ka moshë. Ajo i flet rusisht, ndërsa ai i përgjigjet shqip. Lidia Amerika dhe Beqir Aliaj, nuk janë ndër të paktat çifte që u ndanë në periudhën e prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Por ndër të vetmit që u bashkuan sërish. Pas 30 vjetësh, ata jetojnë sërish së bashku, duke lënë pas një jetë plot dhimbje e vështirësi. Moskovitja nuk është penduar për pritjen e gjatë, por rrëfen se ka qenë shumë e vështirë. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, 70-vjeçarja nga Moska tregon se si u bashkua me bashkëshortin e saj. Si e përjetoi ndarjen, kthimin në Rusi dhe martesën e të shoqit me një shqiptare. Përse nuk u martua vetë dhe takimi pas 30 vjetësh. Si u njohët me Beqirin? Ne kemi ndjekur studimet së bashku për 5 vjet në Institutin e Naftës. Fakulteti ku ne vazhdonim studimet ka qenë Fakulteti Gjeologjik. Unë vazhdoja degën e Ekonomikut. Ne u njohëm në fakultet dhe për 5 vjet ishim të dashuruar. Në vitin 1955 u martuam në Moskë. Pas përfundimit të institutit në vitin 1956, unë erdha në Shqipëri me Beqirin dhe së bashku me Beqirin patëm dy fëmijë. Kam jetuar në Shqipëri 6 vjet, deri në kohën kur u prishën marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në fundin e vitit 1961 u ktheva në Moskë së bashku me dy fëmijët. A e kujtoni periudhën kur u larguat nga Shqipëria. Si e përjetuat ndarjen? Ndarjen e kam përjetuar shumë keq. Megjithatë nuk e kisha menduar se ndarja jonë do zgjaste kaq shumë. Kujtoja se ne do rrinim larg njëri-tjetrit vetëm për një vit, sepse shpresoja që marrëdhëniet midis dy vendeve tona do rregulloheshin. A mendonit se do të ribashkoheshit sërish? Mendoja se Beqiri do më priste mua gjithë jetën, sepse dashuria jonë ishte shumë e madhe. Kur u ktheva në Moskë jetova në fillim me prindërit e mi. Që të mbaja familjen kam punuar shumë, pasi edhe prindërit i kisha të vjetër. Në Moskë fillova punë në një Institut Shkencor të Naftës. Në saj të punës sime arrita të bëhesha nga një nëpunëse e thjeshtë e këtij instituti, në përgjegjëse të laboratorit të ekonomisë në këtë institut. Kjo pasi mbrojta dezertacionin dhe mora titullin si Kandidate e Shkencave Ekonomike. Unë vazhdoj të punoj akoma në këtë institut, dhe madje kam shkruar një libër e shumë artikuj të ndryshme të karakterit shkencor në gazeta në lidhje me naftën. Gjatë gjithë kohës kam menduar se ne do takoheshim. Gjatë 16 viteve që Beqiri kaloi në burg unë nuk dija asgjë për të. A mbanit kontakte pasi u larguat? Gjatë 6 muajve të parë pasi u largova flisnim shpesh në telefon dhe i dërgonim letra njëri-tjetrit. Më pas asgjë. Letrat që unë i dërgoja Beqirit nuk përfundonin në dorën e tij, por te organet e brendshme. Çfarë menduat gjatë kohës kur u ndërprenë kontaktet? Isha shumë e bindur që ishte faji i sistemi të asaj kohe dhe i askujt tjetër. Po martesën e bashkëshortit tuaj si e morët vesh? Martesën e Beqirit e mora vesh nëpërmjet të ëmës së një shoqeje, e cila ishte e martuar si unë dhe jetonte në Shqipëri. Kur mësuat që Beqiri ishte martuar, a menduat edhe ju të bënit të njëjtën gjë? Pavarësisht nga mendimet e ndryshme që vinin dhe shkonin në mendje, unë nuk mund të mendoja për asnjëri tjetër. Kisha gjithnjë parasysh Beqirin dhe nuk ia lejoja vetes ta krahasoja atë me tjetër kënd. Është dashuri gruaje. Dhe dashuria jonë ka qenë e madhe, nuk e kapërceja dot lehtë. Po ashtu edhe prindërit e mi edhe xhaxhai im më thoshin gjithmonë që të mos e çoja nëpër mend martesën, pasi një ditë unë dhe Beqiri do bashkoheshim prapë. Po fëmijëve çfarë u thoshe për të atin? Kur unë u largova nga Shqipëria djali, Vladimiri, ishte 5 vjeç dhe vajza, Rita, 19 muajsh. Fëmijëve vazhdimisht u kam folur për babain. Ata ndonëse nuk kishin arritur ta njihnin vetë atë, nëpërmjet atyre që u tregoja për të, e kanë njohur gjithmonë, sikur ta kishin pranë si një njeri të denjë dhe me të gjitha virtytet e tij më të mira. Madje djali im kishte marrë edhe disa vese nga Beqiri, si mënyrën e të qëndruarit, qetësinë, nuk është tip shpërthyes. Po më pas, kur dëgjuat për Beqirin? Kam marrë vesh se ai ishte në burg në vitin 1991. Unë gjithmonë gjatë atyre viteve jam munduar të lidhem me të që nga Franca, Rumania, Jugosllavia në mënyrë të ligjshme dhe të fshehtë, por letrat asnjëherë nuk i binin në dorë. Ndërsa në ’91-shin, një shoqja ime që kishte qenë në burg në Shqipëri, më thotë se edhe Beqiri ishte në burg e se do të dilte së shpejti. Më pas djali shkoi në Ministrinë e Jashtme dhe ka pyetur se si mund të merrte vesh se kur mund të lirohej babai i tij. Ata i thanë se do të lirohej shumë shpejt, pasi të gjithë do të dilnin nga burgjet. Unë i dërgova fotografitë e djalit dhe të vajzës, të bashkëshortëve të tyre dhe të nipërve e mbesave, të pashoqëruara me letër, pasi kisha frikë se nuk do i dërgonin as ato. Ju kujtohet momenti kur keni folur me të? Sigurisht. Ka qenë data 17 mars kur ra telefoni dhe i dëgjova zërin. Menjëherë e pyeta “Ku je ti?” Po takimi i parë pas 30 vjetësh? Pas gjithë kësaj kohe, mendonit ta shihnit vetëm për nostalgji apo për t’u lidhur sërish? Kur e takova, mua më ra të fikët, ndërsa djali vrapoi drejt tij. Sigurisht që kryesorja është që unë gjithnjë kam tentuar të lidhem me të. Fëmijët ishin të rritur, s’kishin më nevojë, por unë kisha diçka brenda këtu në zemër që s’e komandoja dot dhe i nënshtrohesha kësaj dëshire të madhe për t’u bashkuar me burrin tim. Ai ishte i sëmurë dhe bëri operacion. Më pas u kthye në Shqipëri ku dhe i vdiq bashkëshortja e parë, e cila i la dy fëmijë. Bujari dhe Kozeta janë shumë të mirë dhe kam marrëdhënie shumë të mira me ta. Më pas Beqiri erdhi në Moskë dhe ne jetojmë atje së bashku. Pas gjithë këtyre viteve, a e keni gjetur po të njëjtën dashuri? Dashuria jonë nuk ka humbur asnjëherë. Ajo ka qenë gjithmonë e gjallë gjatë gjithë këtyre 30 viteve. Beqiri i ka kaluar vitet e burgut vetëm duke jetuar me këtë dashuri. A jeni penduar për gjithë këtë pritje? Jo, nuk jam penduar. Por dua t’ju them se ka qenë shumë e vështirë. “Nuk e mendoja bashkimin me Lidian”
Për Beqir Aliajn ribashkimi me Lidian dukej i pamundur. “Unë e dija që s’do na linin të kalonim kufijtë”, thotë ai mendueshëm. 75-vjeçari ka kaluar shumë vuajtje dhe peripeci në jetë dhe megjithëse është tip alegro, i pasqyrohen në fytyrë sa herë i kujton. Për të nuk ka qenë e lehtë ndarja dhe as martesa me gruan e dytë shqiptare. “Kam menduar thellë dhe e dija që dashuri të dytë nuk ka në jetë, por edhe beqar nuk do zgjidhja asgjë”, tregon ai për atë që asokohe e quante si momentin më të vështirë të jetës. “Martesa ishte më shumë një detyrim për mua, megjithëse e kam respektuar bashkëshorten time, e cila i ka vuajtur shumë pasojat e arrestimit tim”, thotë Aliaj. Ai ka vuajtur 16 vjet burg pa 8 ditë. “Gruaja shqiptare vdiq pak kohë pasi dola nga burgu, pasi ishte e sëmurë me kancer”, tregon ai. Beqiri tregon se prapë me peripeci arriti të shkonte në Moskë, ku tani jeton së bashku me djalin e tij, Vladimirin. “Nuk e mendoja se do bashkoheshim kurrë, por e rëndësishme është që tani jemi bashkë pas 30 vjetësh”, thotë ai
|
|
|
|