Home arrow Intervista arrow VIP arrow Merita Halili-intervista
Merita Halili-intervista
Image Më mungon shumë spektatori i Shqipërisë Raimonda Shundi
Merita Halili, është cilësuar si “Miti i këngës popullore qytetare”.Ajo ka shumë vite që është larguar nga Shqipëria, por akoma në kujtesën e publikut shqiptar ruhen emocionet e zjarrta sa herë që ajo ngjitej në skenë. Emigrimi i saj për në Amerikë, ishte një humbje e madhe për skenën shqiptare, por megjithatë këngëtarja e madhe Merita Halili, kënaqësinë që u fali për shumë e shumë vite q
ytetarëve të Shqipërisë, ua dha emigrantëve shqiptarë të Amerikës, të cilët në zërin dhe këngët e saj shuajnë mallin për vendlindjen dhe harrojnë për pak çaste trishtimin dhe dhembjen që të shkakton ndarja e gjatë nga dheu mëmë.Ajo shpreson që një ditë do të kthehet në Shqipëri dhe do të këndojë sërish për publikun shqiptar, që e deshi dhe e duartrokiti aq shumë për zërin e saj të ëmbël dhe interpretimin e saj të shkëlqyer në skenë. Ajo ka përfunduar liceun artistik për kanto dhe ka punuar për shumë kohë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Është trashëgimtarja e denjë e të madhes Afsa Zyberi e Fitnete Rexha. Ajo aktualisht jeton në Amerikë, por ne arritëm që përmes email-it të realizojmë këtë intervistë me të. Ajo ka tre fëmijë, është 38 vjeç dhe këngëtaret e saj të adhuruar janë, Afsa Zyberi dhe Fitnete Rexha. Aktualisht ajo jeton në Amerikë bashkë me familjen e saj.
Znj. Merita, ju keni shumë vite që po i mungoni skenës shqiptare, pasi prej shumë vitesh jetoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A jeni penduar sadopak për vendimin që keni marrë duke u larguar nga Shqipëria për në Amerikë?
Nuk është se jam penduar, por shprehja “guri i rëndë peshon në vendin e vet”, është shumë aktuale për çdo emigrant që largohet nga vendlindja e tij. Të them të drejtën po shoh që na mungon shumë Shqipëria. Sido që të jetë Amerika ka vlerën e vet, por Shqipëria mbetet Shqipëri dhe që të jem e sinqertë, mua personalisht Shqipëria më mungon shumë.
Atëherë, si keni arritur të largoni mallin që ju sjell vendlindja juaj, ndërkohë që siç thoni dhe vetë Shqipëria ju mungon shumë?
Mendoj se na ka mbajtur gjallë muzika, duke mbijetuar pa u brengosur shumë.
Nga është bashkëshorti yt dhe a i përket ai fushës së artit?
Im shoq është nga Kosova, dhe i përket fushës së artit. Ai është muzikant dhe kështu ne ndihmojmë shumë njëri-tjetrin. Gjithmonë përpiqemi që të mos krijohen pengesa.
Keni dhënë shumë koncerte për shqiptarët e Amerikës, por ndërkohë kohët e fundit për spektatorin shqiptar keni kënduar fare pak?
Është shumë e vërtetë që për shumë vite unë i kam munguar skenës shqiptare, por nga kënga nuk jam shkëputur për asnjë moment, pasi unë këndoj live për shqiptarët e Amerikës dhe për shqiptarët që kanë emigruar në vende të tjera të botës. Por ndonëse, nuk jam shkëputur nga skena dhe nga kënga, kam vënë re se më ka munguar shumë publiku i Shqipërisë. Publiku shqiptar më pëlqen shumë ndaj kur unë jap koncert në Shqipëri, vijë me shumë emocion dhe e pres me padurim ditën kur do të kthehem në vendin ku unë kam lindur dhe kam kaluar pjesën më të bukur të jetës sime.
Fëmijët e tu a kanë trashëguar diçka nga mami i tyre në lidhje me këngën dhe muzikën?
Kanë trashëguar. Madje vajza e vogël ka të dhëna të mira në fushën e muzikës. Ka patur edhe raste që ajo ka marrë mikrofonin dhe ka kënduar në skenë edhe kur ka qenë fare e vogël.
Kam vënë re, se të gjithë artistët që jetojnë jashtë vendit të tyre janë shumë më të lidhur me njëri-tjetrin. Po Merita Halili sa e lidhur është me artistët dhe këngëtarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë?
Unë mendoj se artisti ka nevojë për një komunikim të tillë, sepse arti është kolektiv dhe nuk mund ta bësh vetëm sado i talentuar që të jesh. Është më e bukur, por edhe më me emocion kur këndon me Eli Farën, Aurela Gaçen, apo me këngëtarë të tjerë të njohur, se sa kur këndon vetëm, sepse është kënga e mirëfilltë popullore që na bashkon më shumë me njëri-tjetrin.
Kur sheh filmimet e tua të vjetra bardhë e zi, të pëlqen, apo e kritikon veten?
Më shumë merrem me pamjen time të dikurshme, por edhe ajo e ka patur vlerën, ashtu siç ajo ka qenë në të vërtetë. Shpesh bëjmë edhe humor me kohën e shkuar, por atë kohë nukmund ta hedhim poshtë. Tani jemi në një kohë tjetër dhe shumë mirë mund t’i japësh spektatorit po të njëjtat emocione si atëherë. E rëndësishme është që t’i dhurosh spektatorit këngën e bukur dhe tingullin e bukur, pra t’i dhurosh muzikën e pastër shqiptare.
Kohët e fundit dëgjohet shpesh për huazimin e muzikës. Si e gjykoni këtë treg muzikor që ne po shohim dhe që ka prekur edhe muzikën tradicionale shqiptare?
Unë mendoj se të gjitha këto që po ndodhin në tregun muzikor do të vendosen në vendin e vetë përpos kësaj rrëmuje, ose përpjekjeve të veta individuale. Të gjitha këto probleme në fushën e muzikës popullore shqiptare do të sheshohen dhe gjithkush do të marrë atë që meriton. Në çdo kohë që kalon do të dalin probleme të tilla, sepse edhe shtetet e tjera i kanë këto probleme të kopjimit të muzikës, por folklori mbetet gjithmonë i pacënuar sepse ky folklor është ndërtuar me shumë mund dhe me shumë vështirësi. Duke u takuar shumë shpesh me mitet e muzikës sonë popullore, por në mënyrë të veçantë tek gjurmimi, kam përshtypjen se këngëtarët e mirë, apo qoftë edhe pedagogët tanë duhet të ndjehen edhe më shumë aktiv, sepse të ruash folklorin shqiptar ruan origjinalitetin e muzikës sonë.
Tashmë ju jeni pjestare e një grupi muzikor në Amerikë që quhet “Alba”, si u krijua ky grup muzikor?
Ishte idea e Edi Xhanit dhe i bashkëpunimit me këngëtarët jashtë. Objektivi kryesor i këtij grupi, është jo vetëm ruajtja, por edhe pasurimi i traditës shqiptare. Unë i bëj thirrje të gjithë këngëtarëve që ta ruajnë dhe jo ta transformojnë muzikën tonë popullore.
Mendon se fakti që jetoni larg, ka bërë që adhuruesit e tu të shumtë të largohen?
Nuk mund të pranoj kurrë që më janë larguar dashamirësit dhe fansat, pasi unë gjithmonë kam patur dhe kam admiruesit e mi. Kjo ndihet nga mënyra se si ata më presin.
Kur një artist i mungon për një kohë të gjatë spektatorit, krijohet një hendek me publikun dhe fansat e tij. Ju çfarë keni bërë për të ruajtur lidhjet me spektatorin e dikurshëm?
Ne që jetojmë kaq larg na duhet që të organizojmë koncerte të tilla, si ai që na pret më 10 dhjetor, për të mbajtur sa më afër spektatorin, ndonëse largësia të krijon vërtet shumë probleme.
Tani që jeni larg, e ndieni mungesën e spektatorit shqiptar?
E ndjej. Shoh që më mungon shumë spektatori i Shqipërisë.
Kur keni nisur të këndoni?
Kam filluar të këndoj që kur isha fëmijë
 
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.