Home Intervista VIP Ermiona Lekbello-intervista
|
|
Ermiona Lekbello-intervista |
Femra të mendohet mirë para se të vendosë për bashkëjetesën… “Miss Globe Europe 2004” për moshat mbi 20 vjeç, Ermiona Lekbello ka ardhur nga Amerika për të kënduar në Festivalin e Madh të fundvitit dhe në “Top Fest”. Do të jetë edhe prezantuesja e “Miss Tirana 2005” që do të organizohet në dhjetor. Ajo ka një bekgraund të pasur artistik në lidhje me konkurset e bukurisë dhe sfilatat e modës. Në moshën 15-vjeçare është shpallur “Miss Durrësi”,për të vijuar tek pjesëmarrja në “Miss Albania” dhe së fundi tek “Miss Globe 2004 për moshat mbi 20 vjeç, ku përballë 54 bukurosheve nga bota, u shpall më e bukura e Evropës për moshat mbi 20 vjeç në Palm Spring të Kalifornisë.Menjëherë sapo ka fituar kurorën e më të bukurës së Durrësit në moshë 15-vjeçare ka ikur nga Shqipëria për të sfiluar fillimisht në Itali e më pas në Amerikë. Është 178 centimetra, peshon 58 kilogramë, ka sy të zinj dhe flokët të verdhë. Imazhin e saj e ka përdoruar për reklamë Butik “Firenze” dhe “Alo Uji”. Keni 10 vjet që jetoni në SHBA, ndodhesh në Tiranë për ndonjë aktivitet artistik? Do marr pjesë si këngëtare në “Festivalin e Madh të Fundvitit” që organizohet nga Radio-Televizionin Publik Shqiptar, si dhe në “Top Fest”. Po përgatitem edhe për “Miss Tirana 2005”, ku do të jem edhe prezantuesja. Por po përgatis edhe një album muzikor. E keni përgatitur këngën që do të konkurroni në festivalin e fundvitit? Po. Madje kam punuar shumë për të. Ky festival është një përgjegjësi e madhe, sepse koncerti është direkt, ndaj dua të paraqitem sa më mirë në këtë. Cila është kjo këngë, mesazhi i saj dhe a synoni ndonjë çmim? Është një këngë që i dedikohet gruas indipendente, gruas së fuqishme, gruas që nuk ka nevojë për mbështetje, por që ecën vetë në jetë. Mesazhi i saj është i thjeshtë dhe i kuptueshëm. Nëpërmjet saj u bëhet apel grave shqiptare të jenë më të forta dhe më të pavaruara. Kjo këngë është përgatitur në bashkëpunim me Xhuliana Jorganxhiun dhe Gazmend Mullain. E rëndësishme për mua nuk është çmimi, por publiku. Performanca dhe luku juaj do të anojë nga ekstravaganca? Nuk kam dal asnjëherë ekstravagante në skenë. Luku im në këtë festival do të jetë luku i një femre moderne dhe elegante. Meqë keni udhëtuar në shumë shtete dhe keni takuar shumë meshkuj. Ke parë ndonjë dallim mes meshkujve shqiptarë dhe meshkujve të huaj? Dallime sigurisht që ka, por të them të drejtën nuk e njoh shumë mashkullin shqiptar sepse kam ikur nga Shqipëria në moshën 15-vjeçare. Duke qenë larg nuk kam pasur kontakte me meshkujt shqiptarë, ndaj nuk mund të flas për ta. Sa indipendente është në jetë Ermiona Lekbello? Jam indipendente aq sa mund të jetë një femër. Sigurisht një femër e do një mbështetje, por mbështetja kryesore është mbështetja tek vetja dhe unë jetoj më këtë. Aktualisht vajzat e kryeqytetit lëvizin në çdo ambient me kërthizën dhe barkun përjashta, mos kjo tregon pavarësinë e vajzave shqiptare, kur në ambientet publike apo shtetërore në botë, vajzat përdorin veshje serioze? Këtë që shoh këtu nuk e kam parë, as në Amerikë dhe as në ndonjë vend tjetër të civilizuar. Unë nuk pajtohem me këtë veshje, dhe ndoshat mund të dukem konservatore, por nuk e konceptoj dot një femër me një ekstravagancë të tillë në ambientet shkollore apo në institucione private dhe shtetërore. Madje edhe tani që është ftohtë, kur shikoj një vajzë 18-19-vjeçare që është më shumë e zhveshur, sesa e veshur ndiej ftohtë për to dhe nuk më besohet që ajo është femra e vërtetë shqiptare. Mbase mashkulli shqiptar e ka bërë femrën shqiptare ta paraqesë veten në rrethana të tilla. Si mund ta përkufizosh natyrën e tipit tënd? Jam një femër me karakter të fortë, por dhe një femër sensibël. Jam femër e lirshme, e çiltër dhe gjërat i them siç i mendoj pa shkaktuar mërzi apo negativitet. Jeni natyrë që dorëzoheni para vështirësive? Absolutisht jo, përkundrazi vështirësitë më kalitin më shumë. Si shkon jeta juaj sentimentale? E thashë dhe më përpara, sigurisht që duhet një mashkull që të mbushi boshllëkun e vetmisë, por normalisht nuk jam e vetme, sepse kam vajzën, familjen dhe miqtë rreth e qark. Deri tani i jam dedikuar karrierës dhe me këtë gjë do të eci. Kjo është ajo që më mbush atë anën sentimentale. Cili është koncepti juaj për bashkëjetesën? Bashkëjetesën e kam provuar, mendoj se ajo nuk është zgjidhja. Ka një afat kohor bashkëjetesa dhe po kalove, në momentin që kërkon më shumë nga kjo bashkëjetesë futesh në një labirinth ndjenjash të përcaktuara. Po për martesën çfarë mendimi keni? Kur dëgjoj shprehjen, “që një copë letër nuk i mban dy njerëz, kjo natyrisht që nuk i mban, por të paktën thua që është i yti dhe vetëm i yti duke u betuar para zotit. Si ju duket jeta në Amerikë? Jeta në Amerikë është e egër. Prandaj them se jam forcuar si femër, sepse nuk është e lehtë të çash në Los Angelos pa familjen pranë. Duke qenë se jam një tip që përshtatem nuk e pata dhe të vështirë integrimin në jetën amerikane. Ndihem si në shtëpi tani. Mendoni se të ka ndihmuar edhe bukuria në ato që keni realizuar? Mendoj se bukuria ka qenë një pasaportë dhe një armë akute, sepse pa hapur fare gojën njerëzit më jepnin një “okej”. Por, bukuria është relative. Mendoj që për njeriun më shumë vlerë ka bukuria shpirtërore, se sa bukuria fizike. Është më mirë të dish të komunikosh me njerëzit, sesa të jesh një kukull e bukur memece. Ndiqni ndonjë dietë për të ruajtur linjat e trupit? Tre herë në javë bëj kardio për zemrën, tek Body Solid, por vetëm kaq, pa mbajtur ndonjë dietë të veçantë. Shpenzoni shumë për lukun dhe veshjen? Shpenzoj, është në genin femëror që duhet ta mbash veten. Shoh që keni linja të bukura, të pëlqen t’i zbulosh në publik këto linja? Jo me ekzagjerim. Unë shoh që deri diku i keni zbuluar? Kë kam zbuluar?! Vetëm gjurin kam zbuluar dhe ai është pjesë që shihet. Jeni femër provokuese Absolutisht nuk provokoj. Kur merresh me art, arti është art, mund të dalësh edhe nudo dhe kjo është pjesë e artit. Por, unë nuk e bëj dot këtë gjë. Ndërsa në sfilata vishem sipas rrobave që më vendos stilisti, sepse paguhem për atë gjë. Keni një vajzë të vogël, ka pasur ndonjë rast që vajza ka kërkuar një vëlla? Jo. Është shumë mirë, jemi shumë mirë bashkë dhe e kam si shoqe. Jam shumë e impenjuar me veten. Në Amerikë jeni marrë me sfilata, keni takuar ndonjë personalitet arti? Jetoj në Los Angelos ku kam komshije, Nikolas Sheridon, aktorja kryesore që intrepreton tek telenovela më e ndjekur në Amerikë, “Gratë shtëpiake të dëshpëruara”, dhe që transmetohet nga Top Channel në Shqipëri. Një pjesë të kohës e kaloj duke biseduar me të dhe duke pirë kafe. Ka dëgjuar ajo për Shqipërinë? Ka dëgjuar pasi është me origjinë nga Greqia. Por në përgjithësi ne flasim për gjëra të tërësishme. Më habit fakti që kjo aktore kaq e adhuruar për momentin në Amerikë për shumë kohë ka qëndruar pa punë, sepse aktoret që kalojnë të dyzetat e kanë të vështirë të punësohen. Kur e shoh që ajo tani nga një e papunë, është femra më e adhuruar nga amerikanët dhe shqiptarët mendoj që kjo është jeta; ka momente që je poshtë fare dhe ka momente që ngrihesh sipër. Në dhjetor do të prezantoni “Miss Tirana 2005”, ndiheni e kënaqur? Ndihem shumë. Kjo edhe për faktin që më kujton çastin kur u shpalla “Miss Durrësi”. Kur je larg Shqipërisë për çfarë të merr malli më shumë? Më shumë më merr malli për familjen time, për motrën dhe vëllain. Kam debulesë për mamanë, pasi është personi që më këshillon dhe më jep kurajo gjithmonë. Vëllai juaj ka qenë një sportist i madh. Në Shqipëri ju njohin si Ermiona Lekbello, apo si motra e Arturit? Mbiemri Lekbello është një mbiemër që e ka bërë të njohur më parë vëllai im, por unë mundohem të vazhdoj me hapat e mi. Si familje sportistësh, a jeni ju një tifoze e çmendur pas futbollit? Më shumë më tërheq arti, ndërsa sporti nuk përbën ndonjë pasion të veçantë. Me sport jam marr kur kam qenë fëmijë. Do të qëndroni në Amerikë apo do të riktheheni? Akoma nuk kam vendosur asgjë. Si e shihni të ardhmen e Shqipërisë? Kam shumë besim se Shqipëria do të eci përpara.
|
|
|
|