Home Intervista VIP Mira Konci-intervista
|
Fjalët e pathëna të Mira Konçit …dergoi per ALBDREAMS Gjovalin Kaçorri GENTIAN MINGA Gjithnjë në kërkim të së bukurës dhe profesionales në këngë… Është e natyrshme kjo për një këngëtare të kalibrit të Mira Koncit! Është e natyrshme edhe për faktin se ajo ka lidhje të forta shpirtërore me kompozitorin e saj! Gjithnjë së bashku, kanë krijuar hite të bukura dhe kanë ndarë gëzimet që ato u kanë sjellë. Sigurisht që Mira, ndjen një kënaqësi të veçantë, sepse punën e lodhshme dhe plot sakrifica e sjell para publikut që e do dhe e duartroket. Ndërkohë që gjithnjë në sallë, është një spektator që nuk mungon kurrë në interpretimet e saj: Shpëtimi, bashkëshorti artist, kompozitori i talentuar i këngëve të saja dhe të shumë emrave të tjerë të njohur të terrenit muzikor shqiptar. “Edhe kur Shpëtimi punon për këngëtarë të tjerë, unë dëshiroj që punët e tij të dalin sa më mirë dhe të vlerësohen sa më tepër nga kritika dhe njerëzit e thjeshtë… Madje, e dini çfarë?! Kënga e Ledina Çelos që përfaqësoi Shqipërinë në “Eurosong” ishte orkestruar nga Shpëtimi, ndaj së bashku me fëmijët, bënim tifozllëk nga shtëpia gjatë netëve të festivalit të fundvitit” – tregon Konçi. Sapo ulemi në tryezë, e shoh se ka dëshirë të flasë mbi punën e saj në albumin e fundit, një punë që duket cilësore duke marrë parasysh hitet të cilat janë përfshirë në të… “E pathëna fjalë”, e cila i ka dhënë edhe titullin albumit, është një këngë solo e konfirmuar tashmë, sepse në një nga edicionet e “Këngës Magjike” ka fituar vendin e parë. Me zërin e bukur të Mirës, albumi duket sikur u thotë të gjithë njerëzve… Brenda vetes ti më merr, ose do të kishte qenë më mirë… Me vete ti më merr!... - Mira, si lindi ideja për të realizuar këtë album? - Thjesht menduam se kishte ardhur koha për t‘u paraqitur para publikut me një përmbledhje të re muzikore, ky na u duk momenti më i mirë, më i volitshëm… “E pathëna fjalë” përfshin disa nga hitet më të mira gjatë karrierës sime si dhe disa këngë të cilat, ndonëse nuk janë shumë të dëgjuara, janë punuar e krijuar nga Shpëtimi dhe janë kënduar nga unë gjatë këtyre viteve… Pra, nuk janë këngë të krijuara posaçërisht për këtë CD! - Puna juaj si ekonomiste dhe jeta familjare ju kanë larguar paksa nga kënga! - Jam e dhënë pas familjes sime, dhe përveç kësaj jam njeri i përgjegjshëm, ndaj nuk dua t‘i le detyrat e mia pa bërë… Të qenit nënë sidomos, të ha shumë kohë! (Buzëqesh) - Gjithsesi, ju keni detyrime edhe ndaj këngës! - Faktikisht, nuk i kam munguar as skenës dhe as publikut… Kam kënduar nëpër festivale apo koncerte të ndryshme, kurse kjo CD është dëshmia ime më e fundit se nuk e kam lenë as këngën pas dore… E dua muzikën dhe fansat e mi! - U keni munguar fëmijëve këto kohë që jeni marrë me albumin? - Për ta ky nuk ka qenë një problem. Madje vajza ka qenë një shtysë e madhe që të dilja me një album të ri. Gjithnjë më pyeste se pse nuk dilja në treg me një CD, sikurse kanë bërë gjatë kësaj periudhe disa këngëtarë… - Ju kemi dëgjuar të këndoni ndonjëherë edhe këngë të huaja… Kur ndiheni më mirë, kur këndoni shqip? - Sigurisht! Sepse ndihem shqiptare, e dua gjithçka shqiptare dhe si rrjedhojë edhe muzikën shqip. Gjithsesi, edhe kur kam provuar të këndojë në gjuhë të huaja, kam mbetur e kënaqur… Kjo i ka shërbyer kulturës sime muzikore! Njohja e shumë hiteve botërore, më ka ndihmuar të mësojë diçka më tepër në muzikë. Ka këngë që të lejojnë t‘i japësh krijimtarisë tënde nota të reja… - Cilët janë këngëtarët tuaj të preferuar në arenën ndërkombëtare? - Uitni Hjustën dhe Maraja Keri më pëlqejnë veçanërisht… Ato kanë kënduar gjatë karrierës së tyre të gjatë si yje të muzikës superhite. Nga këngëtarë të këtij kalibri, frymëzohem për këngët e mia të reja! Jo vetëm t‘i dëgjojë por dhe të këndojë hitet e tyre, më bën më krijuese… - Po muzikën popullore, ju pëlqen ta këndoni? - Ka disa këngëtarë, të cilët kanë mbetur peng dhe enden mes muzikës së lehtë dhe asaj popullore, pa e gjetur ende edhe sot e kësaj dite se cilit zhanër i përkasin apo i përshtaten. Personalisht, ndihem e qetë në këtë drejtim, pasi e gjej mjaft mirë veten te muzika e lehtë, ndonëse e kam kënduar dhe atë populloren me raste. Kam një të tillë, të përpunuar në albumin “E pathëna fjalë”… - Kur këndoni këngë popullore, ndiheni familjare me të? - Natyrisht! Pse jo?! Jam lindur dhe rritur në një familje tiranase dhe e kam në gjak këngën popullore. (Buzëqesh) E dua këtë rrymë muzikore, por e theksoj se e kam gjetur më tepër veten te muzika e lehtë… - Po marrëdhëniet me publikun e Diasporës, si i keni? - Mjaft të mira! Emigrantët shqiptarë kudo në Botë, janë një pjesë shumë e rëndësishme e fansave të mi. Sapo më është dhënë rasti të jem pranë tyre, e kam shfrytëzuar. - Dhe keni pasur shpesh raste të tilla? - Po, kam kënduar në Itali, Zvicër, Gjermani e në shumë vende të tjera ku jetojnë shqiptarë. Më kanë pritur mirë kudo që kam qenë. Jam zbavitur pa masë! - Jeni përzgjedhëse për skenat ku këndoni? - Preferoj të këndojë nëpër koncerte, jo nëpër mbrëmje. Më pëlqejnë më tepër organizimet me skena dhe salla të mirëfillta. Ndihem më mirë aty! - Shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, a do të mund ta kenë në dorë këtë album të fundit tuajin? - Po, ne jemi kujdesur që edhe ata të kenë mundësi ta gjejnë në treg “E pathëna fjalë”… E përsëris se janë një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e adhuruesve të mi, ndaj dëshiroj me gjithë shpirt që t`i kenë këngët e mia, t`i dëgjojnë ato. - Ju dhe Shpëtimi, a jeni të kënaqur nga ky album? - Në një farë mënyre, jemi të qetë sepse nuk i kemi mbetur borxh as krijimtarisë, as publikut dhe as vetes në këtë përpjekje. Mendoj se puna është bërë cilësore! - Pse njerëzit duhet ta blejnë “E pathëna fjalë”? - Ne kemi punuar me dashuri në këtë përmbledhje këngësh, ndaj do të doja që ajo të dëgjohej nga njerëzit dhe të mos kalonte pa u vënë re. - Pse e titulluat albumin pikërisht kështu dhe jo ndryshe? - Kënga solo “E pathëna fjalë” ka në qendër temën e dashurisë, temë drejt së cilës publiku është tejet i prirur… Këmbëngulja që klipi t`i bëhej kësaj kënge, ishte e Shpëtimit. Ai mendoi, me të drejtë, se ky klip do të kishte pasur ndikim më të madh te njerëzit krahasuar me çdo klip tjetër. Gjithashtu, kjo këngë të le hapësira të fantazosh dhe të krijosh nga pikëpamja video, sepse është një baladë e bukur dashurie. Edhe trajtimi i këngës nga ana e Shpëtimit ishte për mos t`u kritikuar, kështu që albumi bën figurë të mirë me këtë titull. - Po ti vet Mira, kishe ide të tjera përsa i takon titullit të albumit? - Në fakt, kisha shumë dëshirë që të titullohej “Zemrat presin”. Kjo është një këngë e cila bën pjesë në album e që mua më pëlqen jashtë mase. Është baladë dhe trajton një temë sociale që ndoshta nuk do të kishte pasur të njëjtin ndikim te publiku, të paktën jo atë ndikim që kanë temat e dashurisë. Nga ana tjetër, do të kishte qenë shumë më e vështirë t`i realizoje një klip siç duhet kësaj kënge! - Teksti i ‘singëllit’ që i dha emrin albumit, është tepër i veçantë. Kush e ka punuar atë? - Teksti është shkruar nga Pandi Laço. Shpëtimi kishte krijuar muzikën qysh më përpara dhe ia dha atë Pandit. Ai e veshi këtë muzikë me vargje dashurie, sepse mesa duket, këtë frymëzim i ngjalli muzika. Mendoj se këtë tekst dhe këtë melodi e ndjen çdokush, është tepër universale! - Ju bashkëpunoni prej një jete. Kujt i dëgjohet më tepër fjala? - Zakonisht, në gjithçka që themi apo bëjmë, unë dhe Shpëtimi plotësojmë njëri-tjetrin. Si tip, kam një besim shumë të madh te vetja, dhe kur fiksohem se kam të drejtë, s‘ka burrë nëne të më largojë nga e imja. Megjithatë, në më të shumtën e rasteve i jap të drejtë Shëptimit. U jap prioritet dhe rëndësi mendimeve të tij! - Klipin e këngës që lançon CD –në, e realizuat në Maqedoni… Si ia kaluat andej, u argëtuat ndopak? - Për të xhiruar klipin, na është dashur të rrimë një ditë të tërë me truk dhe të pozojmë para kameras… Ka qenë diçka shumë e vështirë, edhe sot kam ftohtë kur kujtoj se kam ndejtur për orë të tëra në ujë aq sa këmbët më kishin ngrirë… Megjithatë, menjëherë sapo mbaruam me klipin vizituam me Shpëtimin disa vende të bukura në Shkup… - Ndonëse sakrifikuat paksa për këtë klip, ai ishte gjithsesi më profesional dhe i arrirë krahasuar me klipin tuaj të parë, “Argjiro”… - Natyrisht! Koha ka evoluar, gjërat kanë ndryshuar. Teknologjia është shumë herë më e mirë se atëherë, të paktën sot ka studio profesionale për prodhimin e klipeve. Jemi të kënaqur nga “E pathëna fjalë”, kurse “Argjiro” është realizuar në 1997-ën, kohë kur s`kishte profesionalizëm të mirëfilltë në Shqipëri, përsa u takon klipeve. - E kujt ishte ideja për ta futur edhe Shpëtimin në këtë klip? - E atij vet, por dhe unë rashë menjëherë dakord për këtë! Kur bëj gjëra të rëndësishme, Shpëtimin e dua pranë
|
|
|
|