Home Intervista VIP Tonin Tershana-intervista
|
|
Tonin Tershana-intervista |
Lashë mikrofonin në Tiranë gjeta mistrinë në Athinë SOT Këto ishin disa prej fjalëve që Tonin Tërshana tha në një intervistë për gazetën ‘SOT”. Më tej ai vijoi me fjalët prekëse: “Jeta im larg atdheut ka qenë mjaft e vështirë dhe shumë e lodhshme”. Kur dhe ku ka lindur Tonin Tërshana ? Unë kam lindur më 1 qershor 1949, vendlindja ime është qyteti i humorit, Shkodra. Siç dihet është një qytet me shumë kulturë artistike dhe unë ndjehem krenar që jam shkodran. Si lindi pasioni juaj për të kënduar dhe kur keni kënduar për herë të parë? Kur kam qenë fëmijë i vogël kam kënduar vetëm në shtëpi dhe nuk kam marrë pjesë në ndonjë aktivitet kulturor për fëmijë. Ndërsa kur unë isha trembëdhjetë vjeç, në pushimet e verës, kam pasur komshinj dy djem që i binin kitares. Këto ishin të teatrit të Turizmit shkodran dhe në vitin 1962 më morën atje për të parë se si këndoja. Në fillim mësova të këndoj dy- tre këngë italiane. Më pas ata më bënë ftesë për në teatrin e turizmit shkodran, ku këndova disa këngë italiane. Nje ndër këto këngë ishin, “Norma Mia”,” Scrivimi”, etj. Për këngët që këndoja më paguanin 240 lekë në muaj. Çfarë shkolle keni mbaruar dhe ku keni studiuar ? Unë kam filluar të këndoj që trembëdhjetë vjeç dhë jam paguar për këtë punë qoftë edhe pak. Më vonë më doli e drejta e studimit në Tiranë, ku fitova vetëm gjysmën e bursës. Pra gjysmën tjetër duhej të paguaja lekë, sepse vetëm gjysma ishte e paguar nga shteti. Me shumë sakrifica arrita të paguaj shkollën për dy vjet ndërkohë që mamaja ime punonte dhe bëri të pamundurën që unë të shkollohesha. Po më vonë çfarë keni bërë, pra si filloj jeta juaj pas shkollës ? Kur u ktheva nga Tirana ku studioja, fillova punë në Shkodër dhe gjithmonë profesioni im ishte të këndoja. Në vitin 1965 kur unë isha 16-vjeç, u njoha me Myslim Maksudin, ai punonte në ushtri dhe iu kishte folur për mua që të merrja pjesë në Asamblin Ushtarak. Po këtë vit në shtator unë u paraqita atje për të bërë prova, me qëllim që ato të shikonin në qoftëse isha i zoti. Aty këndova rreth katër –pesë këngë italiane, sepse në atë kohë edhe sot në Shkodër pëlqehet shumë kënga italiane. Z. Tërshana si filluat të këndoni në festivalin e muzikës së lehtë, ose më mirë kush e zbuloi talentin tuaj dhe në ç ‘vit dolët për herë të parë në skenë? Kur unë këndoja në asamblin e Ushtrisë, një ditë edhi Ferdinant Deda, ai kërkoj të më takonte dhe më ofroi ndihmën e tij për t’u bërë një këngëtar edhe në Festivalin e Muzikës së Lehtë Shqiptare. Më pas ai më ftoi në Tiranë ku më prezantoi dhe me Nikolla Zaraxhin, Tonin Hrapin dhe Abdulla Grimcin. Ata më vunë në provë duke kënduar disa këngë, këndova si italisht ashtu edhe shqip. Ato e pëlqyen shumë zërin tim dhe ndërkohë që unë këndoja, Ferdinanti më shoqëronte me piano. Në ç’vit ju bë ftesa e parë në Festivalin e Muzikës së Lehtë Shqiptare dhe si titullohej kënga që ju kënduat ? Ftesa e parë për të kënduar në radiofestival m’u bë në nëntor të vitit 1965. Unë u paraqita me këngën “ Të dua o det”, ku dhe u vlerësova me vendin e parë. Emocionet nuk mund të them se ishin të mëdha, mbase ngaqë isha i vogël në moshë dhe nuk e kuptoja rëndësinë e çmimit të parë. Si është vlerësuar karriera juaj gjatë viteve si këngëtar dhe a ka qenë ajo që ju keni dëshiruar ? Gjatë karrierës sime që nga viti 1965 deri në vitin 1985, jam vlerësuar më gjashtë çmime të para. Katër çmimet e para i kam marrë në Festivalin e Radio Televizionit dhe dy si interpretues. Sipas statistikave, renditem i dyti pas Vaçe Zelës, si këngëtar më i mirë. Karriera ime si këngëtar ka qenë fitimprurëse vetëm nga ana morale dhe jo nga ana ekonomike. Për mua një ndër çmimet më vlerësuese ka qenë dhe ai i festivalit të 11-ku u vlerësova me vendin e parë. Z. Tërshana pse u larguat nga Shqipëria, duke braktisur vendin dhe punën tuaj, cili ishte shkaku ? Unë u largova nga shqipëria në vitin 1997, jo sepse dëshiroja por mënyra e jetesës këtu më detyroi. Pata shitur shtëpinë dhe e humba në firmat piramidale. Jetesa këtu ishte e pamundur dhe si zgjidhje të vetme pashë vetëm emigrimin. Ose më mirë ndër shumë të këqijave, e keqja më e mirë ishte largimi im për në Greqi. Si ishte jeta juaj në emigracion, ç’farë pune keni bërë ? Në Greqi shkova nga halli dhe kam punuar në punë nga më të ndryshme. Kam punuar në beton duke bërë llaç, kam punuar si hamall, bojaxhi etj. Punët ishin aq të lodhshme sa ndonjëherë qaja. Jeta nuk ka qenë e mirë dhe e lehtë, kam përballuar të gjithë vuajtjet e një njeriu të varfër dhe pa të ardhme në emigrim. Pas ikjes tuaj në Greqi, kur u kthyet për herë të parë në Shqipëri dhe pse erdhët ? Pasi qëndrova për dy vjet në Greqi, pa u kthyer fare m’u bë një ftesë nga Ardit Gjebrea për në festivalin e Këngës magjike. Unë isha pa dokumenta në atë kohë dhe ai ma mundësoi ardhjen time ne Shqipëri, duke më nxjerrë një vizë. Në Shqipëri qëndrova një javë dhe u ktheva përsëri në Greqi. Që nga viti 1997 deri në vitin 2005 kam jetuar atje. A keni ndërmend të ktheheni në Greqi përsëri për të jetuar atje ? Tani ka dy muaj që kam ardhur dhe nuk kam ndërmend të iki. Aktualisht meqenëse nuk kam shtëpi jam vendosur në “Kavalishencën Ushtarake” në Durrës. Por me dëshirën time nuk do të largohem nga Shqipëria, përveçse për të takuar fëmijët e mi. Si e pritët ftesën në festivalin e 44-ërt dhe trofeun që iu dha ? Ishte një ftesë e vonuar, por m’u bë qejfi që më ftuan. M’u duk vetja sikur ishte hera e parë që merrja pjesë, pas një shkëputje të madhe nga skena dhe rikthimi ishte jashtëzakonisht emocionues. Po më dridhej i gjithë trupi mbrapa kuintave. Për mua të këndoja në atë skenë ishte si të përjetoja të gjithë emocionet në vite. Z. Tërshana ç ‘farë mendoni në lidhje më këngëtarët e rinj dhe rrymat muzikore që janë futur, pra si t’u duk festivali i 44-ërt? Festivali i fundit ishte mjaft i bukur dhe me këngë më të bukura se vitet e kaluara. Këngëtarët e rinj janë mjaft të talentuar dhe jam i sigurtë që do të kenë një karrierë të gjatë artistike. Më pëlqen dhë ndryshimi i rrymës së muzikës, gjë që i bën këngët më të bukura. Gjithashtu dhe teknika është më e përparuar se në ato vite. Me pak fjalë muzika shqiptare po ecën mjaft mirë. Në ç’vit keni dalë në pension dhe sa merrni, a e përballon dot jetën ? Dola në pension në vitin 2004 dhe marr 95 mijë lekë të vjetra. Kjo shumë parash nuk më del as për ujë sepse dhe ai blehet. I bie që unë të lë duhanin , kafen dhe të mos ushqehem , po të mos ishte gruaja që punon. Puna ime prej 25 vjetësh më ka dhënë vetëm kënaqësi morale, kurrë ekonomike dhe as tani në pleqëri. Edhe pse jam i vjetër duhet të punoj për të jetuar. Artistët në shtetin shqiptar kurrë nuk janë vlerësuar siç duhet
|
|
|
|