Artisti i Popullit Avni Mula ne 80 vjetorin e tij Jonuz Hallaci
Artisti i Popullit, Avni Mula, në moshën 80-vjeçare është ende virtuoz dhe aktiv. Shkallët e TOB-it ai i ngjit çdo ditë ku takohet me miqtë e tij të vjetër e të rinj. Njeriu që vetë dhe familja e tij i ka dhënë më shumë se çdo artist shqiptar, duke e prezantuar atë dhe në mbarë skenat dhe teatrot botërore, ende nuk i është ndarë notave dhe pentagrameve. Këngët dhe krijimet e tij në opera janë unikale dhe të pavdekshme. Shumë prej tyre si "Këngët e atdheut tim", apo "Valsi i Lumturisë", janë hite të muzikologjisë shqiptare. Mula jo vetëm i mori Moskës diturinë dhe arsimimin në muzikë, por dhe një nga vajzat më të bukura ruse Ninën, një artiste unikale dhe kjo në gjininë e operas, që u bë përjetësisht shqiptare dhe nuk u nda prej tij as në kohët e luftës së ftohtë, kur vetëm të mendoje mirë për rusët dërgoheshe në ferr. Avni Mula me dy vajzat e tij muzikante pianisten Adelina dhe sopranon me fame botërore Invën, ka dobësinë më të madhe për qytetin e tij, Gjakovën, prej të cilës iku fare i njomë. Shkodra i dha fëmijërisë së tij krenarinë dhe talentin e të qenit artist i kombit të vet. Njeriu kampion i çiklimzit, nxënës i Fishtës, shpejt do të braktiste timonin e biçikletës për t'i hyrë rrugës së artit. Epoka Mula është e papërsëritshme në asnjë variant. Rrallë kush në botë i ka dhënë kulturës së kombit të vet sa gjigantët Mula. Vetë kompozitor dhe këngëtar, dy vajzat muzikante, bashkëshortja po ashtu. I së njëjtës linjë dhe gjenezë familjare është dhe Osman Mula e vajza e tij Evisi. Në një intervistë për BBC-në shqip, Mula ka rrëfyer për herë të parë shumë sekrete të jetës dhe artit të tij që nga emri që e trashëgoi prej Heroit të Popullit, Avni Rustemi, emër që do të transformohej më tej në emrin e Invës, por i kthyer mbrapsht. Z.Mula ku keni lindur? Unë kam lindur në Gjakovë, më 4 janar të vitit 1928. Në fakt unë kam lindur në 1926, por babai ynë në atë kohë për të mos shkuar ushtar në kohën e Zogut, na ndryshoi 2 vjet ditëlindjen. Datëlindjen dhe emrin tim e kam nga daja im, në atë kohë kur kam lindur se ka qenë shoku i ngushtë armësh, ose propotin, siç thuhet atje, me Avni Rustemin, Heroin e Popullit tonë, në atë kohë ai ka qenë dhe deputet në Kosovë. Në atë kohë familja ime ishte rreshtuar përkrah forcave demokratike dhe Avni Rustemit. Unë e kam për krenari që e kam mbajtur emrin e këtij heroi. Madje më kujtohet kur shkova në Gjirokastër në Libohovë, në vendlindjen e Avniut, u njoha me ata njerëz që kishin adhurim të madh për mua se unë në njëfarë mënyre unë për ta isha Avni Rustemi, heroi ynë. Unë do ta mbaja dhe duhet ta mbaj me nder këtë emër. Unë nuk do ta mbaj me pushkë, por me muzikën time, me artin dhe zërin tim. I detyruar nga rrethanat e asaj kohe ju latë Gjakovën dhe u vendosët në Shkodër. Të kalosh fëmijërinë në Shkodër nuk është pak? Shkodra është një qytet i jashtëzakonshëm dhe unë kam kujtime të shkëlqyeshme. Në kohën time qyteti nuk kishte hotel. Shkodra familjen tonë e priti me bujari dhe më gjithë të mirat. Unë kam pas fatin që jam lidhur me muzikantin dhe pedagogun tim Prenkë Jakova. Ai më ka mësuar muzikën mua. Një njeri i mrekullueshëm që njihet si elita e muzikës shqiptare. Ishte i vetmi që shkruante vetëm shqip pa i marrë borxh askujt. Ka shkruar me zemër dhe jetën e tij. Edhe Fishtën e madh kam pasur njohje personale dhe mësues. Një njeri që e kam adhuruar, muhabetli, i zoti, patriot. Çdo fjalë që ai thoshte ishte e lidhur me atdheun dhe me jetën e tij. E shkruara e tij ishte homeriane. Më pas në Shkodër isha pjesëtar i çiklizmit tek Vllaznia, madje kampion, megjithëse aty ku bënin çiklizëm ne nuk i kishim rrugët e duhura, duhesh me bë shumë ndalesa, madje me ndërpre çiklizmin dhe me kaluar urat në këmbë me biçikletë në dorë se nuk kishte as ura. Ishte luftë, por edhe në luftë muzika dhe sporti nuk ndalen. Më pas e latë Shkodrën dhe biçikletën? Po erdha në Tiranë, në korin e ushtrisë ku për 6 vite kam studiuar autodidakt. Pastaj na u dha mundësia që unë bashkë me disa të tjerë të studiojmë në konservatorin "Peter Licajkovski" në Moskën në vitin 1952. Kur unë u dëgjova bashkë më shokët e mi nga pedagogët në Moskë kishte një komision të klasit të lartë. Në vitin 1953 vdiq kompozitori i famshëm rus Perkofievi. Unë kam asistuar në simfoninë e fundit të tij të shtatën. Atëherë kujtoj se kishin ardhur pak njerëz, vetëm 200. Por fjalët e Perkifievit ishin brilante. "Me të vërtetë kanë ardhë pak me ndigjue simfoninë time, por ama kanë ardhur 200 luanë". Unë më pas njoha Shustakoviçin, Haqiturianin, Prekofievin. Të gjithë ishin njerëz të mrekullueshëm nga çdo pikëpamje. Dëshira e tyre ishte të ndihmonin Shqipërinë. Ne morën dije atje, me diplomë të artë. Erdhëm në Shqipëri e hapëm shkollën tonë me Çesk Zadenë, Tish Dainë, Pjetër Gacin, Ibrahim Tukiqin, Gjoni Athanas, Lukë Kacajn etj. Në Moskë ju u njohët dhe më bashkëshorten tuaj Ninën, prej së cilës nuk jeni ndarë asnjë moment? Ne nuk e dinim se do të prisheshin më vonë njerëzit, politika dhe koha luajnë rolin e vet. Nina kishte ardhur për të studiuar në konservator, ishte nga Izhev, një qytet në Ural. Qyteti ishte vendi i prodhimit të të famshmeve katiushka, që u përdorën nga sovjetikët kundër gjermanëve, por ishte dhe vendlindja e Licakjkovskit. Ajo që na njohu ne ishte muzika. Ajo njohje dhe muzikë ne na bashkoi. Nina mësoi dhe shqipen dhe shqiptarë në Moskë nuk e thërritnin thjesht Nina, por motra Ninë. Si ia shprehët në gjuhën ruse dashurinë për të parën herë Ninës? -Fjala "lublu" është të dua në gjuhën ruse. Më pas shumë çifte sovjeto-shqiptarë u ndanë. Ju qëndruat gjithmonë bashkë, një lidhje ndoshta legjendare? Ne kemi shikuar punën tonë dhe nuk jemi marrë me politikë. Ne nuk na ka prekë as nuk na ka prishë kërkush punë dhe as jetën tonë. Ne kurrë nuk kemi menduar se do të ndahemi ndonjëherë për arsye se na lidhën përjetësisht muzika, dashuria dhe dy vajzat tona muzikante Adelina dhe Inva. Nga dy artistë Avni dhe Nina do të lindte një gjeni që sot trondit skenat dhe operat e botës, Inva Mula. Bethoveni thotë talenti lind, por do punë, djersë dhe sakrifica. E ne na përgatit shpirtërisht, moralisht dhe atdheun tonë si shqiptar është Inva. Dhe për çudi të madhe ajo kur lindi unë pa dashje i dhashë një emër Inva, me kthy mbrasht emrin Avni. Unë në atë kohë po shkoja në Vienë, gruaja ishte në maternitet. Më tha si t'ia vë emrin fëmijës që do të lindë. Unë i thashë n.q.s lind djalë, se një vajzë e kemi, vendosi emrin ti se e ke radhën, n.q.s është vajzë, unë pata shkruar një copë letër emrin dhe pata ikur. Kur vij nga Viena fryn era dhe bie nga dritarja ajo letra kur shoh se Inva ishte emri Avni. Kështu i mbeti dhe e gëzoi e ta gëzojë për tërë jetën vet. Ju keni interpretuar në skenat më të njohura të botës dhe padyshim të Shqipërisë? Ja këtu jam në një foto bardh e zi, që sot ka shumë vlera. Kam marrë çmimin e parë në këngën e kaçurrelës…, "dhe ika nëpër pyje pritave me tela, s'më hiqeshin nga mendja të verdhat kaçurrela…" Historia e një vaze që dashuron një partizan. Në këtë koncert ishte konferencier Pjetër Gjoka, Artist i Popullit dhe merrte pjesë dhe Ibrahim Tukiqi. Operan e parë që kam bërë unë është që në vitin e tretë të konservatorit të Moskës në Balshoi Teatër, është "Figaro" e Rosinit nga opera "Berberi i Seviljes". E kam kënduar dhe me zonjën time Ninën, e kam këndur kudo. Ndërsa kam shkuar dhe bë Verona, e kudo. Në një foto tjetër jeni me Invën duke kënduar me lule në duar... Po jam në Gjakovë. Sa herë shkoj unë atje përlotem. U premtova se do të vij bashkë më Invën në një koncert të madh. Unë shkrova dhe një këngë për Gjakovën. Isha borxhli për të shkruar në këtë qytet. Bashkë me korin e madh të qytetit. Mu kujtua nëna ime që sa herë e merrte malli për Gjakovën dhe bënte pite ose kulpite siç i thonë në Gjakovë, ajo gjithmonë qante dhe pitja përzihej me brumë, ujë dhe me lotët e saj. Edhe mu bashkë me të më dilnin lotët. Ajo ishte pite magjike, "lulzon fusha, lulzon mali bukuri ka ra në sevda për atë këngë më ka marrë malli…". Ndërsa në Gjakovë unë fillova fill pa orkestër me këngë "…lulzon fusha, lulzon mali bukri, ka ra në sevda". Këtu ishin brumi i melodisë që mora nga kënga e nënës, por unë në këtë koncert shtova edhe diçka tjetër "…moj Gjakovë sa m'ka marrë malli, iket këngë du me ta këndu …", edhe më pas futet kori bashkë me Invën. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Unë jam gjakovar dhe e kam nder që jam prej atij qyteti dhe e dua aq shumë sa nuk ka fjalë me e thanë. Çfarë është repertori juaj? Kam mbi 25 opera. Kam kënduar 200 opera. Në 1961 erdhi një urdhër dhe u eliminuan pak a shumë operat. Unë iu futa kompozimit me "Agimet Shqiptare", kështu fillova si muzikant me mbi 1000 mijë këngë, opera. Shumë prej tyre kanë marrë çmime. Muzika ime është e lidhur shumë me popullin tim dhe asnjëherë nuk kam lënë pa përmendur fjalën atdhe. Ndoshta se unë jam brumosur me edukatën familjare, ku fjala atdhe ka qenë diçka e madhe, p.sh. një poezi që pret gërsheta dhe shkon për të luftuar. I thonë nënës së vet "…në të marrtë malli për mua dil ndigjo krisma nga mali, në mu kalbtë rripi i pushkës, nëno moj, në shi në erë, do ta lidh në ball të luftës me gërshetin tim të prerë…". Dua të them vetëm një fjalë dhe nëpërmjet jush, në BBC, se dhe ju keni pasur një sigël nga Bethoveni. Muzika është e pavdekshme është madhështore prandaj duajeni muzikën siç e kam dashur unë se vetëm përfitime do keni dhe jo humbje. Kjo është jeta ime, muzika ime. Jeta juaj nuk mbaron këtu, ajo bashkë me krijimtarinë tuaj vazhdon... Po vazhdon megjithëse unë po i afrohem të 80-ve. Ende kam fuqi dhe energji për të shkruar muzikë për vendin tim. Elegjia dhe hiti i familjes Mula është "Valsi i Lumturisë."
|