Home arrow Intervista arrow VIP arrow Artan Broci-intervista
Artan Broci-intervista
Flet Artan Broci 15 vite pas vrasjes së vëllait, Arbenit"Përse e kam shumëfishuar dosjen e vrasjes së vëllait"Laureta RRYÇIMë 2 prill të vitit 1991 i është dashur të lërë një orë mësimi për t'u nisur në spital, sepse i kishin treguar se të vëllanë ia kishin vrarë. Artan Broci, atëhere ishte maturant, ndërsa sot, pas 15 vjetësh, përveçse vazhdon të jetë vëllai i një dëshmori, është edhe një ndër gjyqtarët më të njohur. Pas gjithë këtyre viteve, duket se ai jo vetëm është kujdesur që emri i vëllait të mbahet mend ashtu siç i takonte, por duke iu besuar shqisave të veta si jurist ruan me fanatizëm një kopje të dosjes. Madje më shumë se aq, ai e ka shumëfishuar atë në disa kopje duke ruajtur kështu një pjesë të së vërtetës së asaj dite. Në një intervistë për "Tirana Observer", gjyqtari rrëfen se e di se Masakra e 2 Prillit ishte përgatitur në kulisat e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Në prillin e këtij viti mbushen plot 15 vjet që nga dita ku ndodhi ngjarja. Cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend kur e kujtoni atë?
Sigurisht që ndjej dhimbje, pasi humba njeriun më të afërt që kisha. Ne ishim dy vëllezër dhe, si dy krahët e një trupi që harmonizohen në jetë, ishte dhe vëllazëria e jonë. Me vdekjen e Arbenit mund të them që e kam humbur një krah.
Ku ndodheshit gjatë kësaj periudhe?
Gjatë kësaj periudhe ndodhesha në qytetin tim të lindjes, në Shkodër ku vazhdoja studimet në shkollën e mesme në vitin e katërt.
Është fakt që vitet e fundit sikur është harruar ngjarja e rëndë e 2 Prillit. Sipas jush, përse ka ndodhur kjo?
Pa dyshim që çdo ngjarje ka rëndësinë e saj historike, po kështu ka hyrë dhe 2 Prilli 1991, si dita që do të shënonte fundin e regjimit komunist në Shqipëri. Mbas ngjarjeve në Rumani u kuptua se sistemet diktatoriale nuk largoheshin në rrugë demokratike, por me revolucione popullore, siç ishte dhe 2 Prilli në Shkodër. Por duhet theksuar gjithashtu fakti se gjatë 15 viteve në Shqipëri ka pasur edhe mjaft ngjarje të tjera mjaft të rëndësishme, si p.sh. Tragjedia e Otrantos, ngjarjet e vitit '97, vrasja e liderit të PD-së, Azem Hajdari në '98, Tragjedia e 9 Janarit etj. Dhe nga kjo pikëpamje do të thosha se ngjarjet kanë ardhur duke i lënë vendin njëra-tjetrës dhe nuk do të thosha se ato janë harruar.
Vëllai juaj ishte një nga drejtuesit e lëvizjeve kundër sistemit. A bisedonit me të në lidhje me problemet e kohës?
Sigurisht, Arbeni ishte një nga firmëtarët dhe themeluesit e PD-së dhe protagonist i lëvizjeve studentore. Ai dhe unë u formuam dhe u rritëm në një familje disidentësh politikë të regjimit të asaj kohe dhe vazhdimisht diskutonim ngjarjet e zhvillimet e ndryshme të asaj kohe në vend, por edhe me gjerë, pasi mbaj mend se kishim mbi 3-4 vite që së bashku dëgjonim "Zërin e Amerikës" apo ndonjë stacion tjetër radiofonik të asaj kohe.
A mund të na risillni bisedën e fundit që keni shkëmbyer me Arbenin?
Mbaj mend se diskutimin e fundit me të e kam bërë natën e 1 prillit, mbas një dite të lodhshme dhe plot me emocione për shkak të zgjedhjeve të 31 marsit. Në Shkodër ishte përhapur fjala se Partia e Punës kishte fituar dhe se këtë fitore e kishte arritur me manipulimin e votave. Qytetarët shkodranë dhe të rinjtë e gjimnazeve kishin dalë të protestonin qetësisht përpara komitetit të partisë dhe kishte pasur përplasje të vogla me policinë. Arbeni dhe drejtues të tjerë të PD-së në Shkodër ishin njoftuar nga punonjës të policisë për të qetësuar protestuesit dhe për të kontrolluar situatën, e cila, kishte të dhëna se mund të precipitonte të nesërmen më datën 2 prill, por tek ne nuk ekzistonte as ideja më e vogël se çfarë masakre ishte përgatitur për Shkodrën në kulisat e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe.
Si kanë qenë marrëdhëniet mes teje dhe Arbenit? Ju kishte shprehur ndonjë shqetësim kohët e fundit?
Marrëdhëniet i kishim brilante, mbas vdekjes së babait tonë, Beqirit, në vitin '88, Beni ishte si të thuash i pari familjes dhe për mua fjala e tij ishte ligj. Mbaj mend se mbas fillimit të lëvizjeve të dhjetorit '90 Beni kishte filluar t`i shihte gjërat ndryshe, dhe për rrjedhojë shqetësimet e tij kishin të bënin pikërisht me zhvillimin e ngjarjeve, forcën që kishte akoma Policia Sekrete dhe Sigurimi i Shtetit . Ne shpesh diskutonim për veprimet e mundshme që mund të ndërmerrnin ata jo vetëm kundrejt Arbenit dhe familjes, por kundrejt të gjithë Lëvizjes Studentore.
A e dinit se sa i angazhuar ishte dhe çfarë pozicioni kishte vëllai juaj në këto lëvizje?
Ai ishte një nga nismëtaret e Lëvizjes Studentore dhe një nga firmëtarët e krijimit të Partisë Demokratike, 300 firmëtarët e parë, fill mbas takimit me z. Ramiz Alia, Arbeni në një intervistë televizive të asaj kohe, ishte padyshim i pari që do të artikulonte shprehjet se "I UROJ PARTISE TONE QE KRIJUAM SOT, NJE RRUGE SA ME TE MBARE" . Mbas ngjarjeve të Dhjetorit, Arbeni do të caktohej nga lideri i Lëvizjes, z. Azem Hajdari, si i deleguari i Grupit Nismëtar për të krijuar Degën e PD-së në Shkodër si dhe për të përhapur programin fillestar të PD-së në këtë rreth. Duhet të theksoj këtu se aktiviteti i tij politik ishte i shkurtër, dhjetor '90 - mars '91, por mjaft i suksesshëm, pasi në zgjedhjet e 31 marsit '91 Shkodra i nxori të gjithë deputetët nga PD-ja.
Ju ka treguar ndonjëherë se çfarë objektivash kishte për të ardhmen?
Sigurisht Arbeni po përfundonte Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike pranë Universitetit të Tiranës, ishte në vitin e 5-të dhe krahas angazhimeve të reja politike, primare për të do të ishte mbarimi i këtyre studimeve. Ai ishte i fejuar dhe se shpejti do të krijonte familjen e tij, në planin politik ishte anëtar i Kryesisë së PD-së në Shkodër dhe sigurisht kishte planifikuar të vazhdonte të kontribuonte në këtë drejtim.
Kur e mësuat atë që ndodhi më 2 prill? Si kujtohet kjo ditë në familjen tuaj?
Unë në atë kohë vazhdoja vitin e fundit të shkollës se mesme dhe gjatë zhvillimit të mësimit dëgjuam të shtëna armësh, kemi lënë mësimin dhe kemi dalë nga shkolla duke marrë drejtimin për në qendër të qytetit. Dikush që nuk kam arritur ta fiksoj, por sigurisht që na njihte të dyve, më tha që të kthehesha fillimisht në spitalin e qytetit, instinktivisht jam kthyer në spital dhe kam gjetur familjarët e afërmit e mi që më lajmëruan se Beni ishte vrarë. Menjëherë mbaj mend se më janë prerë gjunjët dhe kam rënë në tokë, por shumë shpejt kuptova se duhej të forcohesha dhe u ngrita për t'i dhënë kurajë vetes dhe nënës që erdhi aty pranë.
Një ditë që personalisht për mua do të mbetet e pashlyer në kujtesë.
A mendoni se janë gjetur autorët, dhe se kanë marrë dënimin e merituar?
Një pyetje relativisht e vështirë, pasi sot kanë kaluar shumë vite dhe unë vetë jam pjesë e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Është e vështirë të ndash mendimet dhe të gjykuarin si familjar dhe si gjykatës, por për ta përmbledhur do të thosha se pjesërisht Drejtësia e ka thënë fjalën e saj.
Dilemën se kush i vrau protestuesit më 2 prill e ka shuar kriminalisti Estref Myftari, sipas të cilit autore ka qenë policia. A do t'i shtonit ndonjë gjë më tepër këtij konkluzioni?
Duke qenë me një eksperiencë mbi 10 vjet si gjykatës, kuptohet se konkluzionet e ekspertëve janë kategorike për drejtësinë, por në rastin e Arbenit ekspertët nuk kanë arritur të përcaktojnë llojin e armës që është përdorur dhe në varësi të kësaj, mund të përcaktohej nëse i dispononte policia e Shkodrës këto lloje armësh apo jo. Kjo mbetet një nga dilemat e forta të kësaj çështje.
A e di Artan Broci se kush ia ka vrarë vëllain?
Unë di më shumë se kaq, çështja nuk shtrohet dhe nuk është shtruar asnjëherë se kush tërhoqi këmbëzën, por kush dha urdhrin dhe përgatiti Masakrën e 2 Prillit të Shkodrës.
A jeni interesuar se çfarë ka ndodhur me dosjen gjithë këto vite?
Sigurisht ka pasur tentativa për t'i asgjësuar 12-13 volumet e dosjeve të kësaj ngjarje nga persona të ndryshëm qofshin me pushtet gjatë këtyre 8 viteve që kaluan apo dhe të ndryshëm, kuptohet që për interesa të tyre, por nuk janë arritur dot se të gjitha volumet origjinale i disponoj unë, të cilat i kam shumëfishuar tashmë dhe në forma dixhitale me skanim dhe ruhen në disa kopje.
Si e shpjegoni faktin që shefi i hetuesisë së asaj kohe Qemal Lame ka fituar statusin politik në Gjermani dhe Ferit Sula që drejtoi hetimin e dosjes 2 Prilli ka fituar të njëjtin status politik në Belgjikë?
Nuk çuditem shumë, pasi mjaft nga hetuesit e 2 Prillit gjatë këtyre 8 viteve janë ngjitur në majat e Drejtësisë Shqiptare, duke filluar nga z. Ilir Panda, z. Besnik Ymeri etj., që nuk po ua përmend emrin.
Në atë kohë është hedhur ideja se edhe eksponentë të Partisë Demokratike kanë qenë aktivë dhe kanë gisht në ngjarje. Keni dijeni për këtë?
E kam thënë dhe më parë që kjo është një trill i Ramiz Alisë dhe Sigurimit të Shtetit. Personalisht jam i bindur qe s'ka asgjë të vërtetë në të.
“Tragjedia mund të ishte shmangur”
Ngjarja e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës, ku humbën jetën 4 persona, mund të ishte parandaluar, ky është rezultati që ka nxjerrë Komisioni i Posaçëm Parlamentar, një muaj pas ngjarjes tragjike në qytetin verior. Sipas deklaratës së nxjerrë nga ky komision, më datë 3 maj të vitit 1991, forcat e policisë duhet të përcaktonin mjete të tjera për shpërndarjen e demonstruesve dhe jo të përdornin armët. Komisioni Parlamentar në deklaratën e pas hetimeve nxori përgjegjësit e asaj ngjarjeje tragjike si dhe masat që duhen marrë për ta.
“Policia qëlloi mbi protestuesit”
Për ekspertin e kriminalistikës ligjore Estref Myftari, katër dëshmorët e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës ishin qëlluar nga policia. Sipas Myftarit pas zhvarrosjes së tre prej të vrarëve, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës rezultoi se ata ishin qëlluar me armë që përdoreshin nga forcat e policisë. "Kjo hodhi poshtë hipotezën se njerëzit në turmë kishin qëlluar njëri-tjetrin dhe u vërtetua se ishin qëlluar nga punonjës të policisë", tha në intervistë për gazetën "Tirana Observer" kriminalisti Estref Myftari
  
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.