-Tirana ne Dimer - Kjo poeme e shkrimtarit Ismail Kadare eshte marre ne internet nga Forumi i Kolec Traboinit “Sofra Letrare“ Poeme nga I. Kadare 1 Fryn erë e dimrit, fishkëllen si bishë Që nga Gjykatë e Lartë në Parlament. Tirana gdhin, aq pabesisht e hijshme, Sa s'di ç'ta marrësh, delir apo qytet.
Zgjohet sërish, me atë emër të tmerrshëm, Që një mijë vite rreh ta heqë më kot. Vërtetin gjethet dantealigershëm Si shpirtra që nuk patën trupa dot.
Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt, Në varg veturash rendin, s'dihet ku. E verbër si të tjerat ngjan kjo ditë Ngaqë askush s'beson askënd, askund. 2 Në një mëngjes të tillë ç'të bësh më mirë, Se sa të shkosh në klubin "Davidoff"? Të zësh një kënd mu te qelqnajë e ngrirë Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off.
Në kafene ka për çdo punë një qasje, Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot. Për tri mijë euro porosit një vrasje, Për katër mijë, titullin vikont.
Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin, Çmimin Nobel a një veturë të re, Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit Të zotit president me emër hebre.
Flitet për mllefe, për kupën që u mbush, Për Jezu Krishtin a ndjesën fill pas kobit. Në njërën nga tryezat shpall dikush Një skicë të re të historisë së kombit.
Pas tij, kur etërit tanë një vjeshtë dolën për pre, Një shkabë rrëmbyen në trojet e mëdha. Më lehtë u merrje shpirtin se atë shpend, Ndaj bota u lodh e shkabën ua la.
Krenarë që Romën e Bizantin zhvatën, Jo një kasolle vllahu në Ballkan, E vunë në flamur të tyre shkabën Dhe bij të saj u shpallën anembanë.
Kështu në kafene kjo punë merr qasje Me "kundra" e "pro" të bujshme, natyrisht. Okej, për tri mijë euro, thotë vrasësi, Për dukën dhe dukeshën bashkë, dyfish. 3 Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë. Temperatura e dollari zbresin prap. Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë, Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e ****.
A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht? Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka. Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish, Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.
Po ç'është ky popull që në gropë i shtrirë Kujton aq krenarisht se është në majë? Dhe kur përkunër, nga gropa del i lirë, Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?
Një makth i dalë nga një gjumë i marrë Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe. Ca trumba zogjsh me curle e celularë Që nëpër mjegull klithin, nëpër re. 4 Pse gjethet befas prarim kurore marrin, Tek shtrohen si qilim mbi bulevard? Kambana e katedrales së Shën Palit Trishtueshëm bie si me peng e aht.
Ç'nuk pjell ky vend, horra, shenjtorë e tmerr, Zonja Makbeth e pranga e perla e hekura. Dhe ja tani njëra pas tjetrës nxjerr Dy mbretëresha, që të dyja të vdekura.
Nuk qenë robina jo, rrëmbyer vonë, Pas dokeve kreshnike a në pritë. Kanë ardhur vetë, ndonëse qenë në fron E para veç një vit, e dyta as një ditë.
Dhe katedralja i përcjell me vaj Dy mjellmat e gabuara, të mekura. Ato që s'erdhën për kurorë, veç për varr, Të brishtat zonja, mbretëreshat e vdekura. 5 Në klubin "Davidoff" qelqnajë e ngrirë Dremitje dite sjell s'di se nga ku. Një si madonë e lodhur më është përhirë, Që italishtja gjuhë mund t'ishte gjithashtu.
Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme, Në të njëmijtin e treqindin vit, Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë E lodhi ndoshta gjuhën italisht.
O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh, Këto tri kate, rradhët, ashensorët, Ku hypin, zdrypin, klithin obobo, Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.
Të gjithë janë aty, rrahin më kot Të ndërrojnë katet, por katet s'ndërrohen kurrë. Të zes, në mjegull shtyhen sindozot, Ish-korbat e së zezës diktaturë.
Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori? Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi. Shkodran je ti? Ç'plenum i zi të polli? Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.
Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt, Piktorët andej, i pesti rreth u mbush. Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati. Në s'do të digjesh te i teti shkrumb.
Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka, Ashtu siç ju nuk patët për askënd. S'ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha, As te Politbyroja nuk ka vend.
Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri, Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë. I nënti rreth po mbushet, dhe ai. S'ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë. 6 Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi. Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall. Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri, Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh. Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja M'u duk se më kujtonte një premtim. Vdekja s'më la, atë premtim të mbaja, I thashë më në fund plot pikëllim.
Ajo më pa habitshëm që pas qelqit: Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem. Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur, Atëhere mua ç'më mbetet që të jem?
S'e di, i thashë, me habi të ftohtë, Tek shpirti prapë me pikëllim m'u mbush. Dikush nga ne të dy s'është më në botë, Po cili a cila, këtë s'e di askush.
Një copë herë me shenja morëm e dhamë. S'kuptoheshim, veç kishim mall e mund. Gjersa ajo u tret te qelqi i madh Dhe unë mbeta shkret në kundaskund. 7 Mbrëmja po bie. Tirana rrotull bllokut Nis të stoliset për ballo a për orgji. Një foshnje e rastit, e paligjshme e Nju-Jorkut, Një ëndërr xhuxhe a shkërbim i tij.
Në borxhe e gjyqe rrokaqiejt vërtitin Drita dhe bare rrotulluese lart. Poshtë tyre, luanesha të përgjumura në pritë, "Amerikan", "Raiffeisen" e "Credin's Bank".
Por s'do t'ia dijë askush për borxhe a gjyq, Të dehur qejfit krejt a marrja e hakut. I gjatë, si natë e ankthshme n'udhëkryq Shfaqet mes brymës kryebashkiaku.
Kull e Sahatit po tregon një orë, Që ndoshta kundërshtohet si çdo gjë. Në sallat e muzeut të fundit vizitorë Ja muzgu si në kurth befas i zi.
.... Paris, mars-prill 2005
|