Home arrow Letėrsi arrow Poezi arrow Vizatime dashurie ne terr-Agim Spahiu
Vizatime dashurie ne terr-Agim Spahiu

VIZATIME DASHURIE NE TERR
AGIM SPAHIU
( 1952 – 1993 )

Oh!
Po më dridhet shpirti si një fije bar,
unë po shkoj drejt dimrit, ti del në behar . . .
2.
* * *
Me mall e gjamë po të lyp nëpër hanë
gjersa t’m’ngrijë fryma n’gojë
gjysma akull,
gjysma borë . . .

3.

Mall
. . s’më le mjegulla të të shoh, of, të të shoh,
pezmi im,
helmi im!
E largoj me dorë - afron,
me krahë e pres - qesh e më mbulon,
më mbështillet, rreth meje përdridhet,
i fryj sa kam fuqi e prapë s’të shoh ty, helmi im,
pezmi im!
Dhe dal nëpër hënë vetëm, kur mjegulla ka tretur,
qaj kodrat me rradhë, qaj malet e lartë
e ti s’je as zë as hije, laznorja ime . . .
S’më lënë njerëzit të të prek, of, me ty të flas,
të qesh,
s’më lënë dhe dal nën hënë vetëm,
kur njerëzit kanë fjetur.
Shtrihem mbi barin që dhemb për hapin tënd
e ti s’je më as zë as hije, laznorja ime . . .
Vetëm-o, cingthi – pres mjergull të mos ketë
e prapë të shoh, të prek, të flas e të qesh me ty,
helmi im, pezmi im!
4.

Frymë a hije
A je ti, fol, a je ti -
frymë a hije
që përbihesh derës
për në thelb të zemrës?!
A je ti, fol, a je ti -
mallkimi im,
syfilxhane, mollëbojëpeme -
pëllumb i bardhë midis reve?!. . .
5.

Kur të pashë
Të vërejta e u rrëqetha . . . Ecja
e s’ecja,
rè m’u duk vetja,
trëndafil ku vdiste vesa . . .
6.
* * *
Në këmishë të hollë, jelekbojëgjake,
si kripa në zjarr
më plase . . .
M’i jep jetë kësaj nate!
7.

Ne të dy
U deshëm pa fjalë.
Si të vdekur
a si të gjallë?!. . .
8.

Ti më vjen
Ti më vjen me zjarr në duar
e terur, e përvëluar,
ti më vjen me zjarr në duar . . .
Zjarrin do ta mbaja në pëllëmbë të dorës
si yjzit në vallen e borës . . .
Ti më vjen me zjarr në duar
e terur, e përvëluar,
ti më vjen me zjarr në sy . . .
. . . dhe digjemi të dy.
9.

Qysh t’i them mungesat, mungesat nuk thuhen
Qysh t’i them mungesat?! S’mundem, mungesat nuk thuhen,
mungesat veç ndjehen, të zënë si ethet
e s’ke më gojë as fjalë, mbytesh në ankth e mall,
veç sytë të thonë se je gjallë . . .
Po t’i fal sytë. Merri sytë!
Me dy drita syri të flas nga thellësitë,
të them je gjëma ime, je shpresa ime -
e heshtura me gjëmime. Të them – je muzikë,
gjëmëtare kundër gjëmës, këngë e mbushur prej ëndrrës . .
Me dy drita syri të them je e vërtetë
që më mban në jetë, plagë që dhemb e vdekjen
e tremb . . .
Qysh t’i them mungesat?! Ndruhem, mungesat nuk thuhen,
mungesat me ty shkrihen, flenë dhe ringrihen,
në ty përpëliten, dridhen, të shtojnë dhimbën -
drita i largon, terri i afron . . .
Po t’i fal sytë! Merri sytë!
E në dy drita syri, në dy drita syri të ndiej
si më ndrit ylli.
10.

Kur jam vetëm
Digjem për buzën e djegur,
për fjalën e mençur tretem -
kur jam vetëm.
11.

Dhe sa gjëra kam për të të thënë
. . . dhe sa gjëra kam për të të thënë, engjëlli im i fjalës,
engjëlli im i dritës… Pëshpëris vetëm,
pranë teje pa thënë mbeten,
i mbart si zemrën, i ndryj si heshtjen . . .
Kam udhëtuar rrugë të gjata në vende të largëta pa ty.
Heshtja më ka pushtuar dhe kam qenë i trishtuar,
si pemë e përcëlluar prej rrufeje shituar.
Ma kanë thënë të tjerët, vetë s’e kam ditur,
s’e kam ditur se në fytyrë jam prishur,
s’e kam ditur se sytë më janë fikur,
s’e kam ditur se trupi më është tretur,
s’e kam ditur se isha i pushtuar
prej trishtimit dhe heshtjes . . .
Oooo, s’e kam ditur ç’më ka gjetur!
Të tjerë thënë ma kanë ndryshimin, engjëlli im.
Vetëm një gjë e kam ditur njeri pa pëshpëritur:
më ke munguar ti - dashuri.
12.

Dashuri e njomë
E kam një dashuri të njomë,
i afroj dorë,
i largoj dorë . . .
E kam një dashuri të brishtë,
i afroj gisht,
i largoj gisht . .
Ta prek
kam frikë
mos e prish.
13.

E dashura ime
. . . zot, si ishe mbrëmë:
një copë qiell me hënë!
14.

M’i jep sytë
M’i jep sytë, të lozin me të mitë,
sytë, dashuri, m’i jep sytë!
M’i jep gishtat e hollë të loz me to,
gishtat, dashuri, m’i jep gishtat!
M’i jep buzët me të miat të puthen,
buzët, dashuri, m’i jep buzët!
M’i jep flokët, fytyra të më mbulohet,
flokët, dashuri, m’i jep flokët!
Ma jep besën ta rritim jetën,
besën, dashuri, ma jep besën!
Në gjallje e në vdekje!
Pa frikë, dashuri, pa frikë
të ndezim një dritë
që prej trupit tone të shpallet
e bota le të kallet . . .
15.
Kur s’të shoh
Shihem në pasqyrat e mëngjesit, i mbush mendjen
vetes se jam i ri, vesh këmishën e bardhë e dal
në pikëpjekje me ty . . .
Dal të shoh hapin, fytyrën e çelët,
të ndiej ecjen, vështrimin, përkëdheljen
e ti të therësh si flutur prilli nëpër shtatin tim,
të më japësh kaltri, forcë e besim,
të më japësh zjarr djali
e të më mbash në këmbë – të lehtë të ma bësh
çdo gjendje të rëndë . . . E pastaj,
e pastaj unë i gjithi të jem dashuri
përqafuar me botën, përqafuar me ty,
i shpenguar si era, i mrekulluar si pema
të sythoj ëndrra e punë të reja . . .
. . . Po kur qëllon që s’të shoh dot
pasqyrat më qorrohen, nxihet këmishë e bortë,
më sulmojnë rrudhat, plakja e mosdashja,
mërgon ëndrra, fjala, më mbulon nata.
Plakem një mot kur s’të shoh dot!
16.

Para teje
Para syve të kulluar
shtanga turbulluar . . .
. . . Fola a s’fola, unë a bota
u troshit
troha
troha?!
Veten mallkova!
17.

E diela pa ty
Është tepër a gjatë e diela pa ty!
S’kam ku ta çoj, s’kam si ta përgjysmoj,
më mundojnë orët, më rëndojnë orët,
dua t’i ndaj dhe s’i ndaj dot,
dua t’i fal dhe s’i fal dot!
Janë vetëm të miat orët
e të dielës së tretë të marsit,
vetëm imja është krejt e diela . . .
E përqafoj,
e përkëdhel,
e pushtoj me ajër, bar e gjeth, me zogj
e thirrje.
Ah, veç ti mungon, e dashura ime!
Dhe është një ditë marsi mahnitëse,
si fytyra jote – tmerrësisht tronditëse,
një ditë që të pushton si krahët e tu,
një ditë që të thërmon si sytë e tu,
një ditë që të trishton po të jesh vetëm.
Vetëm,
po të jesh vetëm . . .
Me dëshirë do të vdesësh po të jesh
vetëm.
Pa ty është tepër e gjatë e diela,
s’kam ku ta çoj, s’kam si ta përgjysmoj . . .
As për të vdekur nuk vdes dot.
o zot!
18.

Nëse vdes
Nëse vdes,
sytë e mi do të kujtohen.
Sytë si varret -
nuk harrohen.
19.

Lamtumirë, dashuri
Unë po vdes pak nga pak . . . pak
nga pak,
pak,
a nuk e ndien se unë po vdes nga këmbëngulja
për të mbetur i kristaltë, i tejdukshëm si një qelq?!
Dhe veten pjesëtoj në ëndrrat që besoj . . .
A nuk e ndien se po vdes nga dashuria?!
Nuk ju beson më fjalëve, fluturimeve të mia,
nuk qesh e nuk loz, as më përqafon dot.
Dashuria mungon . . . dashuria mungon,
u tret e u shkret dashuria që më beson!
A nuk e ndien se unë po vdes
në luftë me shëmtirën e gjakut, të rrugës e qytetit,
bile edhe me më të largtën: të shtetit e supershtetit,
në luftë me masakrën, padrejtësinë dhe vesin . . .
A nuk e ndien se po vdes nga mosdashuria?!
Si ajri më rrethon indiferenca dhe përbuzja,
ooo, sa e gjatë qenka rruga!
Ku je, dashuri, që ende më beson?
Shpejto! Ti rron, rron, rron!
Pak nga pak po vdes . . . pak
nga pak,
po vdes.
A nuk e ndien se gjithçka imja po shkon?
Lamtumirë, dashuri, që ende më beson!
20.
* * *
Mbi botë
një orë e paqtë
si gusha jote
zbardhtë!
21.

Për ty

Do ta gëlltis veten si kafshatën i urituri,
se nga trupi po del, po më fluturon shpirti . . . 22.

E fundit
Mos u mundoni për varr!
Sa të vdes,
varrosmëni në sytë e saj!
1987-1990
( përgatiti dhe botoi në “Illyria”, Mensur Spahiu
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.