Home arrow Letėrsi arrow Tregime arrow "Soprani"Edison Ypi
"Soprani"Edison Ypi
SOPRANI
Edison Ypi

Sovrani ?! Ay i atij verdiktit të cilit nuk mund t'i bishtnojë askush ?! Ay nuk ekziston në Shqipëri ! Është thjesht' pjesë e retorikës moralistike, hipokrite, politike.
Soprani po. Ay ekziston.
Oh ç'rrac' e pështirë ky Soprani ! Ky mashkull i tredhur me zë të hollë ! Ky katragjysh i Sovranit.
Ta shohësh Sopranin, bindesh menjëherë se Njeriu, nga Derri, Zhapiu, Gjarpëri, Skilja, po, mund ta ketë ori
gjinën, por nga Majmuni jo kurrë. Ku majmuni me gjithato reflekse, shkathtësira, inteligjenca, ku Soprani !
Gjith' isharete, gjith' sy e vesh' e buz' e ball' e vetull Soprani. Flet me ty, bën shenja përçmuese për tjetrin që sapo ka kthyer shpinën. Flet me tjetrin, sapo ke kthyer shpinën ti, shenjat e liga i bën për ty.
Ecën rrugës Soprani. Koka sa majtas - djathtas. U këmbyet ? E pe, por nuk të pa e të mbeti merak ?! Jo - jo, hiç merak mos kij. Të pa, të pa. Sapo ktheve kokën për diçka tjetër, pe Sopranin që po të sheh. Kur të kishte përballë bëri sikur nuk të pa, pra të pa' pa nge, tani qe po e sheh që nuk po e sheh, po të kqyr më nge.
Hyn Soprani në një lokal. Qëndron pak tek dera i ngrehur në pozicion; Erdha unë ! Nuk më shihni ?! Ja ku jam !
Kur kafenenë e ka të tijën, i ka vënë emrin e vet, sido që ta ketë.
Llafoset pafund për gjithçka. Kompetent i madh. Dijetar i madh. Të gjitha, madje edhe çështjet me rëndësi planetare, i sheh gjithmonë dhe vetëm nga këndi i intersit personal. Kur ngec dhe s'ka nga t'ja mbajë, për të dalë nga gropa ku e ka futur vet' muhabetin, thot'; U talla. Kur gropa ku ka rënë është pus i thellë pa asnjë shpresë për të dalë, pasi është hedhur breg më breg e gardh më gardh, pasi i ka shëtitur të gjitha skajet, të gjitha të kundërtat dhe veshë që ta dëgjojnë e ta durojnë nuk ka siguruar asnjë, ather', me nervozizëm, me neveri', në mënyrë urdhërore, thot'; E lemë fare kët' muhabet !
Plehrat i hedh nga dritarja në oborrin e pallatit ose nga makina në asfalt. Pështymore ka ashensorin. Urinatore cepin më të afërt, ku të jetë. Kur është në udhëtim dhe ka ndalur diku e po liquid-ohet, rrotullon ngadalë shtatin një herë këndej një herë andej në varësi të anës prej nga në horizont dëgjohet zhurma e ndonjë makinë.
Kur nuk ka makinë, ka biçikletë kineze. E ka ruajtur qysh athere. Qysh athere kur e pyetnin; Çfarë pune bën, çfarë je ? dhe ay përgjigjej; Gjymës puntor, gjymës brigadier. Eh athere ishte kohë tjetër. Ishte Proletar, ishte "Klasë në Fuqi". Por edhe tani, jo keq.
Mbahet Soprani. Nga Mi' i heshtur gjirizash që priste dhjetë vite për të blerë atë biçikletën vietnameze a kineze që e ka edhe sot, i zjarrtë vetëm në mbledhjet e kolektivit, tani ka marrë flakë. Është bërë më i revoltuari, më i pa kënaquri, më antikonformisti nga të tërë.
Skllavi i djeshëm proletar që ushqehej vetëm me lakra dhe vetëm me shpresën për revolucion shpëtimtar planetar, sot, revolucionari i vonuar, refuzon dhe sfidon të gjitha qeveritë, të gjitha administratat, të gjitha institucionet, të gjitha Ligjet.
Soprani nuk është Mediokri. Mediokrin ku ma gjen ! Mediokrit mbajnë Botën më këmbë.
Pa ta' qytetërimi do të shembej në çast. Nuk jan' fort inteligjentë apo të ditur, por janë të sjellshëm, të qetë, të qytetëruar, respektojnë Ligjin, institucionet.
Soprani është kope' me derra.
Cilësia e parë e Sopranit është se nuk njeh Cilësinë. Për Sopranin ka vetëm sasi.
Vetëm numura. Vetëm aritmetikë. Vetëm Sa ? Kurrë Si ?
Ndahen Sa ? - ja dhe Si ? - ja ?! Nuk ndahen. Problemi me Sopranin është se ka shumë më tepër Sa ? se sa Si ?. Për shembull, shkon për të shkuar Soprani, edhe në Opera edhe në
Koncerte simfonikë. Por shkon kot. Atje vetëm trupin shpje. Shqisat, ndjesitë, ndjeshmëritë, i ka aty ku do t'i ketë gjithmonë. Aty ku i kanë mbetur kur ka qënë dhjetë vjeç, tek Nikola. Jo tek Nikola Paganini, as tek Nikola Makiaveli, tek tjetri, i Barit, i atij
Barit të miut që do hante e dorën armikut kurrë nuk do ja ndente.
Soprani është ay që ditën e votimeve e kthen në ditë lufte.
Derr Sopranit ja merr votën me gënjeshtra që as Derri nuk i ha.
Të lë t'ja vjedhësh votën me gënjeshtra Soprani. Të lë për të lënë, por pa kaluar as një muaj, ta përplas turive votën dhe rrotën dhe të rruat vota që ja vodhe. Meqënëse hajdut e makut i regjur është qyshkur ka lindur, nuk të la kot ta vjedhësh. Sapo ta ngresh administratën mezi pret ta rrafshojë krejt atë administratë duke t'i cilësuar të gjithë nëpunësit e saj hajdutë. Për të mos u a hëngër hakun, ekspertat më të mëdhenj të kësaj lloj hakmarrjeje fatkeqe autodestruktive, në ballë të saj, janë krerët e Mediave. Më i miri i sopranëve nga letërsia botërore di përmendësh, ose disa batuta të Shvejkut, ose nja dhjetë vargje të Eseninit, ato të asaj letrës për nënoken. Për më tepër nuk ja nin'. Familja e Sopranit ? Fëmijët ? Edukimi i fëmijëve ? S'ka punë Soprani me ato. Ato punë i bën për mrekulli vetvetiu rruga, oborri i pallatit, diskoja, kafeneja.
Jetën sentimentale e ka tejet të koklavitur. Të rënët në Dashuri të të tjerëve, se vet' nuk bie kurrë në Dashuri, e percepton si të rënët në një gropë me baltë ku të rënit i duhet qarë halli. Dashurinë, aq sa e njeh, e njeh veçse përmes barcaletave dhe meselerave të fëlliqta.
Të dashurën e quan "Qëne". Gruan e përdor për hyzmetqare. I tredhuri Sopran, ay i cili një kishte një ka, por që athere, për shkak të moralit proletar, thosh' se s'kishte asnjë, tani, tani që nuk i ngrihet as ay një që kishte as ky një që ka, thotë se ka disa. E meqënëse thotë se ka disa, ç'bën thua ti ?! E merr dashuroren në një hotel për të kaluar një natë. Gruan harroje. Gruaja në shtëpi. Meqënëse gjatë natës, jo disa, por asnjë dhe asgjë, i thotë dashurures të këlthasë kot ç'do dhjetë a pesëmbëdhjetë minuta. Kjo këlthitje, duke pataksur si edhe pakëz eksituar klientët e hotelit, mes tyre edhe disa Sopranë që e dinë zananë, çudit dynjanë që rrinë e mendojnë; Ç'i futi ky more aman ?! Atë të mishtin të drejtin, apo të alumintin me pes' maja pirunin ?!
Soprani punon pak, punon keq, me mllef, gjith' dëngla, dhe kërkon të paguhet shumë.
Punëdhënësin e quan gjithmonë shfrytëzues të pa shpirt. Kjo është arësyeja pse Shqipëria e varfër shkon e merr ustallarë në fund të botës, në Kurdistan e në Kinë.
Soprani, për të vjedhur korent nga ana tjetër e rrugës, gërmon një kanal mbi asfaltin e saposhtruar. Ndërkohë, për të ruajtur kalamjtë nga makinat, ndërton një mal betoni mbi asfaltin e saposhtruar. Një lloj "Polici të Shtrimë" ky, si i thonë në Kosovë. Lartësinë e këtij polici të shtrimë të ngordhur tërthor rrugës, e kalkulon me laps në dorë në përpjestim të zhdrejtë me shtrenjtësinë e makinës së vet. Sa më e shtrënjtë makina e vet, aq më i ulët mali i betonit. Kur vet' nuk ka makinë, nga haseti, inati, zilia, cmira, malin e bën aq të lartë saqë ndodh që makinat që kalojnë andejpari me një farë shpejtësie, kërcejnë drejt e në oborr të shtëpisë, drejt e në mes të tufës së kalamajve.
Edhe kur është emigrant po ay muhabet. Po ëshë në Itali thotë të gjithë italianët janë qena !
Në Greqi të gjithë grekët janë derra ! Në Gjermani të pa shpirt ! Në Angli pisa ! Në Amerikë shfrytëzuesa !
Ndodh që vjen në Shqipëri Soprani emigrant për tu martuar. Dhe martohet. Është, ta zemë, banor i një fshati plot freskira e bukurira. Nusja është nga Fshati për Karshi por jeton në Fshatin Përbri sepse në Fshatin për Karshi nuk jeton asnjë njeri, janë shkulur të gjithë kanë vajtur në Greqi e në Angli. Ditën e martesës, Sopran katranit, nuk i mjaftojnë bukuritë dhe freskitë e fshatit. Me disa makina me borira dhe shamira, të parën e të cilave e nget i ngrehur vet', vete për të bërë disa rrotullime "Për Kamer" në qytet. Për ta parë de'.
Për ta parë triumfator, si dhe sa ja ka hedhur, futur, qen italianit, derr grekut, pis anglezit.
Ndërton shtëpi të re Soprani. Bukur ! Bukur - bukur, por mbi çati një flamur shqiptar.
Këtë flamurin valavitës, Soprani llokoçitës, e vë sepse seç ka ca ngatërresa me truallin, me pronarin, me lejen e ndërtimit, me zbatimin e rregullave urbanistike. Jam Atdhetar ! Jam
Patriot ! Jam nacionalist ! Mos mu afro ! Trim timonier me flamur mbi çati, rrafshoj gjithçka, s'dua t'ja di !
Është edhe diplomat i madh. Veç të kesh durim ta dëgjosh tek shkoqit gjithçka. Më skile se krejt Kisingerat dhe Ollbrajtat. Pika që s'i bie Sopranit tonë ! Qyqi, meqënëse nuk e di se vendimmarrësit euroamerikanë për Shqipërinë këmbejnë a s'këmbejnë nja katër a pes' fraza gjatë dy a tri minutave një herë në gjashtë muaj gjatë kafesë së mëngjesit, Shqipërinë e paraqet nyjen e të gjithë interesave të gjithë botës. E paraqet sikur një puhizë të fryjë në
Panaja', shtatë a tetë Gjemi' mbyten në Panama.
Hiç qef nuk e ka komunikimin e drejtpërdrejtë, njerëzorin, seriozin. Nuk i beson atij lloj komunikimi. Gjithmonë tërthorazi. Gjithmonë anësepëranës. Gjithonë pas diçkaje fshihet diçka tjetër.
Soprani, për gjonat politike që nuk i spjegon dot, ose nuk i kupton dot, ose thjesht nuk ja do mideja t'i shprehë, thotë; "Ehu, ajo punë ka marrë fund, atë e kanë urdhëruar të huajt, Bota, Amerika, Europa".
Sa i sigurtë bre ky Soprani ! Kot është mbushur Shqipëria tejembanë me Baste, ë ?! Të gjitha siguri, vendosmëri, tregojnë !
Qef të madh ka të telefonojë radiot dhe televizionet në emisionet interaktive. Trash zërin, flet me pauza, gërrhet ndonjëherë, krruan fytin nja katër a pes' herë, dhe rri e dëgjoje o i zi.
Gjuha e sopranit ?! Bubububu ! Fatkeqësi kombëtare ! Miks i pështirë i shqipes së shpartalluar me ekstazën e dizinformimit.
Ja Shqipja e Sopranit ! E takon tek, ta zemë, Rruga e Kavajës. Bukur ! E pyet ku ndodhet Bashkia. Nis e gurgullon Soprani. Përmes nja tridhjetë "domethënë"-ieve dhe nja pesëdhjetë "a m'kupton ?!" ta spjegon aq labirintikisht, jo sikur po të kallxon si shkohet diku pesëqint metra larg, por sikur po të kallzon adresën e të fundmit kovaç japonez farkëtues të Katana-s, shpatës së Samurait, në më të humburin bodrum të më të humburit fshat niponik. Në fund, sa më i leshtë spjegimi, sa më i përsosur keqkuptimi, aq më e gjërë buzëqeshja, aq më të dukshëm dhëmbët e pa larë, ndonjëherë edhe të verdhë të florinjtë.
Soprani, nuk ta beson kurrë t'i thuash një fjalë të mirë për dikë. E shumta ngre supet dhe shtrembëron turinjtë demek ; Nuk e di ! Ama i the edhe një çerek llafi të keq për cilindo, atypëraty e kthen në roman. Dhe pa ja rrëfyer brënda ditës të tërëve që njeh, derman s'ka, gjumi s'e zë.
Soprani jeton në dy mënyra; Ose shkon rrakapjekthi drejt fukarallëkut total, ose drejt pasurimit të rrufeshëm të pakontrolluar. Prandaj janë miq e shpesh takohen e qajnë hallet ministri me shoferin, deputeti me portierin, drejtori me halabakun etj. Sopranët, kjo rracë e ligë, me të gjitha mungesat dhe veset përkatëse, janë tejet të përhapur edhe në nivel të lartë. Kopeja e ekspertëve, analistëve, opinionistëve, të cilët nëpër kafenera e cilësojnë Sopranin me emra organesh genitale, nuk i tha rracës së vet çerek fjale për të vërtetën e piramidave. Dhe po ajo kope', po ata që të qajnë me dhëmbë krokodili e të kafshojnë më lot' sorkadheje, së njëjtës rracë, su kujtua kurrë t'i thotë gjysëm fjale se nëse politikanët mësojnë zgjedhësat si të votojnë, kjo është më e shëmtuar dhe më ofenduese se sa t'i pështysh në surrat.
Megjithatë Soprani vazhdon të jetë i bindur se politikanët, tamam ata që hipokritikisht e quajnë Sopranin Sovran, janë njerëzit më të squtë.
Soprani nuk kupton marifetet e erudicionit kallp të cilin plehrat mediatike e shpallin për origjinal por që në të vërtetë është marrë nga Interneti me select-copy-paste.
Sopranët nuk janë një copet. Janë disa copash. Bëjnë disa jeta. Disa të errëta në dritë, të tjera të ndritura në errësirë.
Mjerë Soprani që nuk kupton shumë gjëra. Që nuk kupton për shembull; Pse Arti i vërtetë është rënkimtar ?! Pse Jeta nuk është as e shkurtër as e gjatë as e bukur as e shëmtuar ?!
Pse ka njerëz që e adhurojnë Perëndinë pa asnjë kusht ?! Pse ka aq shumë shqiptarë që vuajnë e nuk rënkojnë ?! Pse në Shqipëri ka plot e plot fukarenj të cilëve për të vjedhur mëndja kurrën e kurrës nuk u vete ?! Si ndodhi që Pjetrit të Madh një mbrëmje befas i lindi hobby i dentistit dhe atypëraty ju fut me darë kuajsh pa narkozë ja shkuli dhëmbët e shëndoshë një nga një krejt Kuvendit Kombëtar të Partisë së vet' ?!
Edhe diçka; S'ka pamje më të pështirë se "shoqnia" e pes' a gjasht Sopranave bashkë, rreth të 30-ave, jo më të lartë se 163 centimetra !
Ky, këta, ishin ata që dhanë at’ vërdiktin më 3 Korrik.
 
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.