Home arrow Letėrsi arrow Tregime arrow "Pisi"-Edison Ypi
"Pisi"-Edison Ypi
Image PISI
Edison Ypi

Pisi! Ky krimb nën gur! Ky zhapi’ mbi mur! Ky mi’ që po rrëshqet. Ky katran që po nxin. Ky lubi që po kafshon! Ky gjarpër që po lëvrin! Ky qen që po leh! Ky plehër që po gënjen e po shpif!
Pisi nuk është i kësaj Bote. Pisi nuk mund të jetë i kësaj Bote. Pisi ka ardhur nga një Botë tjetër ku Jeta është në fillimet e veta. Nga një Botë pa Diell, pa Hënë, pa Dritë, pa Hije, pa dete, ujra, ajra, ylbera, erëra, frymë, stinë.
Pisi nuk i përket ndonjë bashkësie. Nuk përbën ndonjë racë. Është thjesht një individ këtu një atje me lidhje të pakta përtej të cilave pak di ç’bëhet. Di aq sa i intereson. Aq sa të mos pengohet të paguhet.
Pisi po e lë Pushtetin pa u bërë merak nëse Dielli e Hëna do të lindin e perëndojnë kur Pisi të mos jetë më në Pushtet.
Pisi po vjen në Pushtet duke e lëpirë Pushtetin si qeni pellgjet e gjakrave të kasapit mbi rropullitë e hedhura të bagëtive.
Pisi shan e shpif si i vjen doresh.
Mirëpo sqimatar i madh Pisi! Nuk shan e shpif e intrigon dosido. Pisi, pus plehrash pa fund, i zgjedh viktimat. I zgjedh nga lart. Nga sa më lart. Kurrë nga poshtë. S’do ishte edhe aq keq sikur Pisi të shpifte edhe nga lart edhe nga poshtë, sepse rezultati do të ishte diku aty nga mesi. Jo-jo, Pisi ynë, të cilin nuk e njeh askush, Pisi që nuk e kallëzon adresën dhe rri i fshehur nëpër vrima, shpif e shan e shfryn vetëm të epërmit. Ata më të përkushtuarit, ata më efikasët, ata më të famshmit. Për shembull, pavarësisht sa janë ata që e pjerdhin, Pisi u është qepur me bojë të zezë në trastë e po nxin qindra faqe gazetash kundër Shkrimtarit të Madh. Atij të madhit fare. Kandidatit të Çmimit Nobel. Atij që gjithnjihet edhe nga bebet në bark të nënave. Atij që nderohet e adhurohet cep e m’cep t’Planetit. Atij që është përkthyer në dhjetëra gjuhë. Nderit të Shqipërisë në Botë, Atij të cilit librat i qarkullojnë në miliona kopje. Meqë ra fjala, ekziston edhe një Pis i vogël pak më pak Pis se Pisi i madh. Një farë kafshëze ky.
Kafshëz që kurrë nuk kafshoi dot. Kurrë shkrimtar nuk u bë. Kurrkush nuk e njeh.
Kafshëza shkruan disa lajkëza ku mes rreshtëzave ulërijnë ca zilirëza. Të dy
Pisat, edhe ay i të zezës mbi të bardhë, edhe ay i të bardhës mbi të zezë, nuk po ngopen së zbrazuri publikisht gëlbazat anormaliteteve interiore; Mushkërive të kalbura, zemrës së munguar, veshkës së bllokuar, prostatës së fryrë, stomakut jo tretës, tiroides së deformuar, trurit të tkurrur, rrënjëve të shkulura.
Por më i ndyri është ay i pari. Ay s’kuptohet si vazhdon, pse vazhdon, kush e ysht, kush e lajkaton, kush e mëson, kush e përkëdhel, kush e paguan.
Megjithatë vazhdon! Vazhdo - vazhdo të shpifësh Pis i ndyrë! Vazhdo përderisa ka budallenj me brirë që të hedhin kocka për të lëpirë!
Vazhdo, sepse derisa të ta fusin hunë, Shkrimtarit je duke ia ngrënë munë, por
Shqipërisë ama je duke ia vënë zjarrin.
Vazhdo o ezhdërha përderisa mbrapshtësia jonë fund s’po ka!
Nuk ka sot shqiptar të ndershëm e patriot, sado i veçuar, sado në pun’ të vet’, t’i ketë shpëtuar syrit vigjilent të Pisit!
Vjen një ditë vdes njeriu. Kalbet mishi. S’dihet ç’bëhet me shpirtin. Në përgjithësi
Po! Por për Ne shqiptarët jo! Ne, pa mbaruar punë me shpirtin, nuk merremi me mishin. Kështu, kemi nisur e po e kalbim e po e shesim vet’ shpirtin tonë së pari.
Ç’do bëjmë me mishin pak na intereson. Mishin le të na e marrin të na e ngjeshin në kutia kartoni kuadratike, pastaj ta shesin dynjaja ta kullufisin.
Karvanë të pafund në vendet e shenjtë. Fëmijë që hanë shpretka qingjash të sapotherur. Magjistarë e magjistrica që të gënjejnë si ta dojë cocrra e qejfit gjithandej. Xhepat plot me antidepresiva. Pra shenjat për shkatërrim dhe shpëtim të shpirtit janë. Janë, por a mjaftojnë?!
Jo, nuk mjaftojnë! Nuk mjaftojnë sepse Pisa të tjerë gëlojnë.
Pisi prostitucionalist me nam! Ay që ters e vërtit Sherihanë!
Pisi gjuhëtar! Se si i futi ankimit një “mi’” askush s’e di. Shkoi e bëri nga “Ankim” i thjeshtë njerëzor në “Ankimim” kafshues helmues gjarpëror! Vazhdo - vazhdo shkatërroje Shqipen Pis gjuhëtar. Veç ta dish, se vetëm me atë “Mi’ rrëshqanor që i ke futur një fjale të vetme, është krejt njësoj sikur Shqipërisë i ke shkatërruar tri qytete!
Pisi politikan që shpif e kafshon! Lere ç’ka thënë i Urti; “Po të kafshoi një qen, nuk mund të hakmerresh duke e kafshuar qenin”. Jo mor jo! Ky i kthehet e kafshon qenin që ç’ke me të. Ja ngul dhëmbët ja shqyen një copë mish. Copën e mishit me gjith’ lëkurë. Lëkurën me gjith lesh. Po edhe qëni ama, kusur s’i lë. Se edhe qëni Pis është, halli hallit nuk i ngja’, Pisi me Pisin, qëni me qënin janë vëlla.
Pisi i gjirizave të djeshëm, përgjithësisht një fakir fukara lindur për skllav tip “Peqe Lepe” zhgërryer e përpëlitur gjith’ jetën nëpër soc-puset e soc-propagandave, jo fort i rrallë në Shqipëri, sot, pasi përpin tonelata me pisllëqe byroistike, një e dy e tregon meselera të tilla; Kena pas’ i Shef Kuadri babaxhan shpirt njeriu. I merrte punët shtruar. Shifte kush ka mo shum’ kalamoj. Atij ia qate hallin t’parit. Atij ia merrte çunin a gocën n’pun’.
Pis pocaqia u fut vrullshëm. E kish lagur rrebeshi i beharit. Hë mor Pis, vet u lage. Kjo duket. S’ishte edhe aq keq, se bashkë me lagjen ndoshta edhe u lave pakëz. Por pa më thuaj një çikëz, rruga, rruga e re, e sapozgjeruar e sapoasfaltuar, e sapokompletuar me tuba shkarkimi me të gjitha, a grumbulloi ujë, a thithën ulluqet, tubat, qyngjet?! Jo - jo, kurrgjë nuk thithën qyngjet, përgjigjet Pisi, rruga plot me ujë, pellg, liqen, det, oqean, ujë s’kish, por unë e pash’.
Pisi modern është edhe ay hata’ fare. Vetëm instinkte shtazarake! Jetë sentimentale nuk ka. I mungon jeta sentimentale njëlloj si, kur për çudi, vëren se celularit të sapoblerë i mungon një aksesor që quhet “Blue Tooth”. Dëshpërohet pak, por e merr veten shpejt. Ça po m’duhet “Blue Tooth”, thotë me vete, kam në kokë e në gojë “Red Tooth”. Me atë shikoj, dëgjoj, komunikoj, lëpij, kafshoj, puth, dashuroj. Ky fis Pisi ka një variant feminil. Është ajo llapaqenia moderne e cila gjith’ ditën e lume bën triko me lesh duke çkombinuar celularin e thashethemeve me celulitin e shalëve.
Pisi i biznesit?! Ay reagon ndryshe. Ngrihet në mëngjes nga shtrati i gjumit të cekët të ngatërresave të thella. Nis e mallkon nëpër dhëmbë tregtarin që i shiti shtratin. Pastaj drejt e para pasqyrës. Aty ia nis e shan me numër shtëpie, me numër telefoni, faksi, e-mail, me të gjitha duke nisur nga shteti prej ku një tjetër pis biznesmen ka sjellë pasqyrën, Abu Dabi për shembull. Pastaj me radhë, me nënë e me babë, krejt kokrrizat e rërës, krejt malet, lumenjtë, qytetet, katundet, njerëzit deri në halenë ku po sheh veten në pasqyrë sa i pështirë është.
Si ore nuk mundet askush një punë me e nis pa e parashiku Pisi si ka për t’gurgullu?!
Koha kalon. Pisi shan, shpif, gërryen, shkatërron! Mjerë ne. Mjerë Shqipëria jonë.
Të huajt dhe Pisi?!
Ata janë këtu si ay dhëndri i cili kur mori vesh se vjehrrës i kishte vdek burri, u nis gjith gaz në shtëpinë e vjehrrës me “Aletin” në shpinë!
Ah ata po lodhen ta kurojnë Pisin me Placebo!
Prandaj s’po kemi pothuajse kurrgjë kombëtare; Mirëkuptim, Paqe kombëtare, Politikë kombëtare, Art kombëtar, zhvillim kombëtar, bashkim kombëtar! Na i varros të tëra Pisi Kombëtar.
 
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.