KËRRMA Edison Ypi Urtësia dhe Egërsia, Njerzillëku dhe Shtazëria, Shenjtëria dhe Djallëzia, nuk janë kurrë larg njëra-tjetrës as në hapësirë as në kohë. Ato, si lëngje të ndryshme të patretëshme me njëri-tjetrin brënda së njëjtës enë, lëvizin, afrohen e largohen, përleshen dhe përpëliten, por kurrë nuk ngatërrohen, kurrë nuk pajtohen. Një nga këto enë është Tirana jonë ku qëndra e saj, është vendi ku kjo mpleksj e e çuditëshme është më e përqëndruar rrjedhimisht edhe më e dukëshme. Nuk ka qënë gjithmonë si është sot; Vetëm me kafenera dhe dëngëla ! Ka pasur punë ! Madje shumë punë. Si në çdo qendër qyteti ballkanik aty ka qënë Pazari. Pazari, të cilin në Kosovë e quajnë Çarshi, kishte gjith' ç'i lypsej një qyteti të mbijetonte; Endës, qeleshexhinj, kasapë, kovaçë, jorganxhinj, argjendarë, gdhendës gurësh varresh, dhe plot e plot artizanë të tjerë. Zanatçinjtë ja linin brez pas brezi zanatin bijve dhe nipave. Tek hyje, mahniteshe, turbulloheshe, deheshe, nga simfonia e çekiçëve mbi kudhra, trokitjeve mbi kalldrëm, aroma e qofteve mbi zgara, pëshpërimave të njerëzve. Aty kah fillimi i '60-ave e rrafshuan. Erdhi një tullac nga larg, një karagjoz i kapardisur i famshëm stepash për të cilin pyetej fshehtas me shpoti se në cilin xhep e mbante krëhërin. Karagjozi mori një mistri dhe mbi magjinë ballkanike të porsa therur që rridhte gjak hodhi të parën dorë beton të ftohtë të pa shpirt. U ndërtua Pallati i Kulturës që prodhoi gjithçka veç kurrën e kurrës kulturë. Pallati, bisha e gurtë, u duk se e kafshoi për vdekje pazarin e mishtë të cilit i zuri vendin. Mirpo pazari kishte qënë i madh. Teproi goxha truall i cili me bar u mbuall. Në lindje të Pallatit, aspak mbretëror aspak kulturor, pas shumë vitesh, politika tranzicionale gërmoi atë gropën gjigande si gropë meteori që është sot. U duk sikur gropa e re e thellë, pas rrafshimit sipërfaqësor "kulturor", u gërmua përsëri enkas për t'ja shkulur përgjithmonë edhe rrënjët më të thella Pazarit të Vjetër. Mirpo s'ndodhi aspak ashtu. Pikërisht kur pakkujt ja merrte mendja, përskaj gropës së dallavereve të pafundme të vjetra e të reja të politikës, në një fqinjëri të pabesueshme me Rrugën e Barrikadave të luftës, u gjallërua një Teqe e vogël e Paqes. Kishte mbetur gjallë Teqeja ! Ja ashtu, duke dhënë shpirt, në hekë e sipër, nuk ishte mposhtur, ishte zvarrisur, kishte duruar. Sot, Pallati gjigand i Kulturës të dritës verbuese të hidrocentraleve proletare - nxin. Teqeja e vogël e Dritëzës së kandilit - ndrit. Në mes gropa ! Politika e hapi. Politika po do përsëri ajo ta mbyllë, ta mbushë. Epo mirë ! Le ta mbyllë, le ta mbushë, le ta ngjeshë. Po me se ?! E mira do ishte me kërrma. Por që kërrmat të digjen sa më shpejt dhe të mos vijnë erë të qelbin dynjanë, si dhe për të evituar rrezikun që kërrmat të ngrihen lugat, paraprakisht gropa duhet të mbushet deri në një farë niveli me acid. Nëse acid nuk do gjindet se mund të konsiderohet i kushtueshëm, ose do gjindet, por porsa do gjindet do vidhet, mund të përdoret gëlqere. Gëlqerja do jetë e përgatitur në furra ku djegin goma makinash, sepse tjetër s'ka. Ska sepse s'ka qymyr. Por s'ka as dru sepse drutë po vidhen në mes të ditës me kamiona po ikin në Itali. Megjithatë, s'ka as dru as qymyr, por s'ka as problem. Gëlqere për ibret, s'u bë ndonjë qamet, gëlqere për djegje kërrmash do jet'. Flakni në gropën e kërrmave; Kërrmën e kërrmave. Atë më të ndyrën, atë më të pistën ! Mënyrën e sotme çnjerëzore shtazarake të bërit politikë. Atë mënyrë atë politikë që është bërë ferri i shqiptarisë, atë që prodhon fjalë sa për Kinën, por punë as sa për Kavajën. Premtimet e pafundme plot me bosh të cilat tashmë nuk i interesojnë kurrkujt dhe nuk u a var kurrkush veç një pakice infinitezimale fanatikësh politikë dhe atyre që i llomotisin. Mijëra tonelatat e të vjellave mediatike të atyre që i vjellin dhe të sahanlëpirësve që pa pik' turpi i lëpijnë sahanët sa herë që vjellësit u a vjellin mbi kokë. Dëngjet e gazetave që nuk shiten. Sa t'i flakni në Mat, Shkumbin e Vjosë pa u a këputur as spangon, hidhini me kamionë drejt e aty. Se është edhe afër dhe nuk kushton. Dosjet anti korruptive imagjinare të prononcimeve haluçinante të politikanëve të lartë. Meqënëse nuk i dërgojnë në Prokurori, le t'i flakin edhe ato aty. Minjtë e gjirizave të thashethemeve të kafeneve. Aty brënda në gropë, edhe nëse disa do kenë mbetur të gjallë, pas pak do ngordhin minjtë si qen. Pas tyre të plasen në gropë këpucëlëpirësit, qentë e korridoreve, të cilët aty me adhap ngordhshin si minj. Po buburrecat e administratës ?! Ata nepotistat, vulëhumburit dhe vulëhumburat që gromësijnë nëpër zyra, nipërit, mbesat, kushurinjtë, kushurireshat ?! Nuk e meritojnë edhe ata një copë gropë ?! Patjetër ! Veç aman sa më thellë, sa më thellë të jetë e mundur, mundësisht në taban të gropës, se kush u merr erën atyre plehrave. Hidhini n'at' gropë gjarpërinjtë e shpifjeve që shkatërrojnë jetë njerëzore duke shkaktuar boshllëqe në gjoks, patologjira nga më të panjohura, deri edhe tumore. Mos harroni të groposni Shqipen e përdhosur fosile me jo më shumë se treqind fjalë që përdorin komunikatorët e mëdhenj tru kalçifikuar e sklerotizuar, deri edhe akademikë me nam. Le të flaket të harrohet ajo Shqipe ! Të dali një e freskët e re ! Rrasni në gropë anatemuesit e veckël të atyre të paktëve emra të mëdhenj të historisë qe kemi. Nuk mund të mos u bëhet atyre kaq nderim. Nuk shkon të veçohen ata trima nga kërrmat e tjera kombëtare. Nuk duhen harruar në asnjë mënyrë idealistët kallpë. Të të dyja rracave; Ata që e nisën me ideal dhe po e vazhdojnë me hajdutllëk, demek pragmatizëm pa kufi si kanë nisur ta quajnë vetë. Por edhe ata të tjerët. Ata që e nisën me hajdutllëk, dhe tani, pasi i mbushën xhepat, ndreqn punët, zbrazën kokën, hajdtutllëkun pa e lënë, i janë vërsulur idealizmit të llogjeve. S'do ishte keq të rezervohet një cep grope edhe për ata që po bëhen shkak të pësojnë infarkte disa nëpunësa të ndershëm prokurimesh publike kur të marrin vesh se një kushëri i tyre po aq i ndershëm sa edhe ata po synon të bëhet ministër. A mund të mos gjendet një copë vend edhe për tonelatat e shkresurinave të kthimit të pronave ?! Sigurisht që mund të gjendet. Hajt pra hidhini në atë gropë të prehen si ka lezet në tok' të vet' të paktën tapitë e tironcave nipa të pronarëve të dyqankave të Pazarit të Vjetër. Si do mbulohen tërë këto kërrma ?! Duhet bazament i fortë sepse sipër përmes gratavështirësirave grataburokratike do ndërtohet grataçiel që do shitet me grataçmime. Zgjidhja është gati. Shtresa e epërme të mbushet me mbeturinat e betonta të shkatërrimit të kryqëzimit të Zogut të Zi. Shkatërrimi nis me sot me nesër. Me zi' e me bezdi, por ja ku u zgjidh edhe kjo vështirësi. Po tani ?! Tani që Luftën Antikomuniste Nacional Çlirimtare, LANÇ-in kundër llamburitjes së përkohëshme të hidrocentraleve e fitoi dritëza e pashuar e përjetëshme e Teqezës së kandilit ndiçimtar që u mbajt ndezur me aq mund e gjak, Atij, Atij të ndershmit të vërtetë shqiptar, s'i ka mbetur gjë tjetër veçse të shkojë buzë asaj grope të uruar e të këndojë këngën e dhimbjes së pambarim; Jo, nuk jam unë Një tjetër është që heq Unë s'do ta duroja. Sa ka ngjarë, Le ta mbulojnë qefinët e zes Fenerët le të sjellin natë.
|