|
|
Zbardhet plotësisht enigma – Karl Gega Blu Sky & Radio Kosova Staff 136 vjet më parë, me 22 qershor 1869, Shoqata e Arkitektëve dhe Inxhiniereve austriakë inauguronte në Semmering të Austrisë monumentin kushtuar projektuesit dhe ndërtuesit te hekurudhës më të famshme malore në botë, atij që hodhi poshtë një nga dogmat e shkencës inxhinierike angleze mbi pamundësinë e ndërtimit te hekurudhave malore, dhe, be ri te mundur kalimin e një lartësie te pa arritur më parë - rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, Karl Geges. Pas 136 vitesh, më 24 qershor 2005, në Vjenë zbardhet plotësisht enigma – Karl Gega. Kështu na shkruan miku ynë, Fatmir Velaj, nga Vjena.
Është Shoqata „Rinia“ që në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Vjenë organizon simpoziumin “Carl Ritter von Ghega -Midis legjendës dhe realitetit” dhe zbardh enigmat e fundit te këtij Kolosi te artit te ndërtimit te hekurudhave.
Është merite e kryetarit te Shoqatës “Rinia”, z. Shpetim Redo, këshilltarit te ambasadës Dr. Artan Canaj, studiuesit nga universiteti i Venecias Dr. Alvin Saraçit dhe arkitektit Flamur Ahmeti nga Kosova, organizimi i këtij simpoziumi ne sallën festive te Bashkisë Nr. 9 të Vjenës, ne prani te dhjetëra bashkatdhetarëve dhe zbulimi i te panjohurave mbi lindjen, vdekjen, prejardhjen dhe shume elementeve te panjohura me parë, nga jeta e këtij gjeniu te hekurudhës - perle te Semmeringut : “një kryevepër e mendjes njerëzore, qe për te gjitha kohët do te mbetet e lidhur me jetën e Gheges“, sikurse e ka vlerësuar ish-Presidenti i Austrisë, Franz Jonas.
Qe sot e tutje ne shqiptaret mund te deklarojmë plotësisht te sigurt se Karl Gega është shqiptar dhe kjo, jo mbi bazën e hipotezave, por të dokumenteve historike te deklaruara për here te pare publikisht me 24 qershor 2005.
Te gjithë biografët e Karl Geges, ( botimet për te janë me dhjetëra në Austri, Itali e Gjermani), në se kanë arritur ta japin një përshkrim te detajuar të gjithë veprimtarisë se Gheges - arkitekt e inxhinier, e kane pasur te pamundur të hyjnë ne jetën e tij personale.
Biografi me i fundit i Geges, austriaku Wolfgang Straub, ne librin e tij te ri botuar me 2004 “Carl Ritter von Ghega“ nënvizon se “Për njeriun - Gega ne nuk kemi trashëguar pothuajse asgjë”. Jeta e tij private ne te gjitha botimet letrare e shkencore është trajtuar ne përgjithësi ne mënyre të mjegullt apo hipotetike.
Sigurisht qe edhe prejardhja e tij është trajtuar ne mënyre hipotetike, duke e konsideruar si austriak italian. Edhe ne ato raste kur thuhej se prejardhja e tij mund te ishte nga Shqipëria, referuar formalisht mbiemrit te tij, ajo konsiderohej me shume si një hipoteze, por jo si një realitet i argumentuar dhe i provuar.
Karl Gega radhitet ndër 100 “Austriaket me te mëdhenj” të të gjithë historisë se kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Terezes, Franz Josefit, Kafkes etj.
Dr. Alvin Saraçi e argumenton gjenezën e Gegëve mbi bazën e dokumenteve origjinale te gjetura ne bibliotekën e Muzeut Correr te Venecias, te pabotuara më parë, hartuar ne vitin 1835 nga Giovanni Battista Ghega, prift ne Kishen e San-Markos dhe kusheri i pare (djal i xhaxhait) i Karl Gheges.
Katragjyshërit e Karl Gheges dhe Giovanni Battista Gheges ishin vendosur ne Perast, pranë Kotorrit në Mal te Zi, pasi u larguan nga Shqipëria, e cila ra plotësisht nën sundimin turk me mposhtjen edhe te Shkodrës me 1479.
Prej me shume se tre shekujsh ata kishin shërbyer si oficere marine dhe zyrtarë te lartë te Republikës se Venedikut. Një dokument i 3 tetorit 1739 mund te konsiderohet si dokumenti i pare e gjetur deri tani, qe dokumenton linjën e Ghegeve, qe fillon me Giorgio(Gjergj) Ghegen dhe vazhdon me te birin e tij Cristoforo (Kristofor), qe del si oficer marine ne Venedik, por edhe si pjesëmarrës ne luftën Veneciane te Thesalise kundër turqve, ku mbetet i plagosur dhe humbë një krah.
Cristoforo pati një djalë me emrin Gasparo (Gaspër), i cili ne vazhdën e traditës familjare u be oficer marine duke arritur gradën e kolonelit. Gaspari pati tre fëmije: Antonion (Anton), Giovanniantonion dhe Angelan.
Antonio Ghega eshte babai i Karl Geges, kurse Giovanniantonio është i ati i Giovanni Battista Gheges, prift ne Kishen e San-Markos.
Dr. Saraçi nënvizon se duhen vazhduar kërkimet e mëtejshme ne arkivat e Perastit ne Mal te Zi. Ne ketë simpozium iu dha fund edhe hipotezës mbi vetëvrasjen e Karl Geges. Dr. Artan Canaj mbi bazën e dokumenteve origjinale te gjetura ne arkivin e Shtetit te Austrisë dhe Muzeut Teknik të Vjenës, dëshmoi lindjen e Karl Gheges me 10 janar 1802 (dhe jo me 13 qershor 1802), si dhe provoi se Karl Ghega ka vdekur me 14 mars 1860 ne Lugeck ne Vjene (hipoteza e vetëvrasjes hidhet plotësisht poshtë) dhe se ceremonia fetare është zhvilluar ne Katedralen kryesore te Vjenës, Shën-Stefan, kurse trupi është varrosur ne varrezat e Währinger-it ne Vjene.
Me 1887, kur këto varreza u shpërngulen, sarkofagu me eshtrat e Geges u vendos ne panteonin e njerëzve me te shquar te Austrisë, pranë Mozartit, Beethovenit, Shubertit, Shtrausit, Brahmsit dhe Alois Negrellit (projektuesit te kanalit te Suezit).
Legjenda Ghega filloi me 22 qershor 1869. Kjo date e përjetësoi ketë personalitet shumëdimensional duke iu berë e ditur te gjithëve se Karl Ghega është Ghega i Semmeringut, se personin nuk mund ta ndanin më nga vepra e tij.
24 qershori 2005 mbase do te duhej ta konsiderojmë si datë që zbardhi përfundimisht enigmën Ghega.
Çdo komb kërkon gjithmonë identitetin e tij dhe kjo në një fare mase mishërohet tek personalitetet dhe figurat e mëdha. Një figure e tille është edhe Ghega.
Çështja e prejardhjeve ka kohe qe është bere një nga çështjet më të ndjeshme, jo vetëm në skenën ballkanike por edhe me gjere.
Rasti i Nënë Terezës, mohimi i prejardhjes se saj shqiptare dhe hedhja e tezave nga me absurde për origjinën e saj, sikurse shprehet shkrimtari ynë i shquar Kadare: “ … janë tërthorazi një përpjekje për të shpallur, se populli shqiptar s´mund të ketë modele pozitive, e aq me pak modele sublime si Nene Tereza…”.
Dokumentimi dhe vënia në pah e prejardhjes dhe origjinës se Geges, “nuk duhet te konsiderohet si një përpjekje folklorike apo mendësi romantike nacionaliste, por si një detyrim moral dhe shkencor, që do ta bëjë më të plotë portretin e gjeniut Karl Ghega”.
Fati ka dashur qe ne që punojmë dhe jetojmë në Vjenë e Austri kemi një privilegj te madh, te krenohemi me figura te tilla mitike qe do t’i kishte zili çdo komb.
“Skënderbeu, Nënë Tereza, Karl Ghega, Alexandër Moisiu - sikurse u shpreh njëri nga referuesit, - janë figura të cilat ne shqiptarët duhet t´i kemi si emblema në flamurin tone për të hyrë në Evropë. Janë figura që tregojnë se si shqiptarët janë ndjerë evropianë nëpër shekuj dhe asnjëherë nuk e kane braktisur ëndrrën për të qenë në Evropë. Shumë popuj do të dëshironin te kishin këto figura. Ne qe i kemi, duhet të dimë t’i vlerësojmë dhe t’í vëmë ne pah sa me mirë. Këto modele janë mbështetja dhe frymëzimi në punën tonë për te bërë Shqipërinë me te pranishme, me të njohur, më të afërt dhe më të dashur në Austri”.
|
|
|
|