|
|
Nanë Tereza, Ikona Shqiptare e Botës
"Vetëm një popull i madh mund të nxjerrë njerëz të mëdhenj", e kam parë të shkruar kështu në një libër. Nuk e kujtoj autorin e kësaj fraze, porse mbetet integral ky mendim në mendjen e shumë shqiptarëve, kur i kushtohet Nanës Terezë, bijës së madhe të popullit tonë. Këtë të vertetë nuk mund ta bëjnë të besueshme as përpjekjet e rëndomta të propagandës mediatike, që gati gjithmonë kërkojnë "feed back" edhe në shenjtër, as protagonizmi shterpë i politikës sonë që është kryekëput kundër petkut logjik dhe real që Nana Tereza veshi, si katolike dhe si shqiptare. Ngutja në fund, para lumnimit të saj, gjoja për të bërë gjithçka për bijën e Shqipërisë, duke organizuar takime e simpoziume, promovime ekspozitash, koncerte galà, madje edhe duke kënduar këngë me pretendimin se pëlqeheshin nga Nanë Tereza, pa ditur as shijet muzikore të saj; e të gjitha këto, besoj se duhet të ishin të fundit në rradhën e nderimeve për një shqiptare që nderonte mikun dhe tjetrin në nevojë, ma parë se veten dhe që pa hezitim në darkën e organizuar per nderë të saj, ditën kur mori çmimin "Nobël", e refuzoi atë me qëllim që shpenzimet, të grumbulloheshin për ata që ajo i quante " fukarenjtë e mi". Nga rendja me e madhe për të gjetur tek Nanë Tereza figurën emblemë për ne shqiptarët , mund të konsiderohet normale vetëm atëherë kur ajo të paraqitet para Botës, jo si një pankartë, por si një model i gjallë dhe frymëzues.
Vertetë se fama dhe 124 çmimet e fituara prej saj nuk mund ta përligjim me faktin e vetëm se ajo ka qënë shqiptare-për ndryshe do të hynim në kurthin e atyre që na quajnë nacionalistë- porse është e kuptueshme që bazën e formimit dhe të edukatës e mori nga kultura e popullit të saj. Mohimi i këtij elementi thelbësor, mendoj se e varfëron figurën dhe staturën e kësaj shqiptareje të madhe. Shkencat pedagogjike dhe përvoja e çdonjërit konfirmojnë faktin se informacionet dhe edukimi fetaro-kulturor që femijët marrin ne fillim të jetës, krijojnë jo vetëm themelin jetës së mëvonshme, por edhe impulsin e zhvillimit të saj. Atë Anton Harapi, në një artikull të botuar në vitin 1937, me titull Guri i themelit shkruante: "shum punë të mira fëmit ma shumë i xanë prej nane se prej shkolle..... madje ato do t'i bajë të zot me rregullue jetën, me ba mirë, e të gjitha ato gjana që shohin t'kryme prej nanave". Duke ndjekur të njëjtën linjë, nuk mundemi t'i shmangemi mësimit që edhe psikologjia na jep në lidhje me karakterin personal dhe shumë kategori shprehish që njeriu i fiton pikërisht në moshë të hershme, nga ku me kalimin e viteve i konkretizon ato. Nanë Tereza është objekt i krenarisë kombëtare për atë që ajo në jetën e vet bëri duke lejuar Zotin të veprojë në të, sikurse vetë ajo thoshte: Unë jam lapsi i Zotit, por edhe për faktin tjetër se ajo trashëgoi shumë cilësi të popullit të vet dhe të familjes së saj. Përvoja e jetës së Nanës Terezë është e radikalizuar në Ligjin ungjillor të dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit që e gjeti, e mësoi dhe e praktikoi që në familjen e saj. Sipas dëshmive të Lazrit vëllait të Nënës Tereze, baba i tyre shpeshherë i mësonte fëmijet e vet se "duhet të jeni bujarë me të gjithë, sepse Zoti ka qenë me ne bujar, tue na dhanë shumë e gjithçka, prandaj bani mirë të gjithve". Kështu që fëmijët, të mësuar nga prindërit vendosnin fshehtas paketa me ndihma në dyert e shtëpive të të varfërve të qytetit. dëshmitë e shumta rreth veprës madhështore të Nanës Terezë, lehtësisht mund të rilidhen me veprat e mëshirës që e ëma bënte me njerëzit nevojtarë dhe me të gjithë ata që ndjenin dorën e saj. Mundet të ketë qënë ajo promotoria e parë e shpirtit të krishterë dhe kombëtar që u rrënjos dhe u konkretizua qartë në veprën e Nanë Terezës. "Sjelljet dhe mënyrët e nanës,-shkruan atë Anton Harapi, studiuesi i shqiptarizmës,- janë për fëmi, typi me të cillën ato kundrojnë të mirën dhe të keqën, fjalët, punët, e sjelljen e vet e të të tjerve; nana u flet fëmijve jo aq me gojë sa me të rrahuna të zemrës, me t'lshumt e syve, e kjo fjalë e saj njet, prekë e dëpërton thellë ndër ma t'imtat pejza të shpirtit t'fmisë. Shty prej një fuqie të msheftë, fmija tërhiqet me ba si ban nana, aq sa fjala e popullit thotë: m'ban nanë që t'gias. Varzat, sidomos janë shprehja ma e njimendtë e sjelljes së nanës". Kjo që thuhet ma sipër nuk është një sforcim logjik që t'gjejmë shkaqe krenie në favor tonin, por është rrjedhë normale e asaj trashigimie të pasur që një popull mban në peshtahun e vet, nga ku herë pas here nxjerr elemente vitale e me vlera që shumë syresh janë metafora dhe esenca e këtij populli. Shprehitë e ndryshme të kulturës shqiptare dëshmojnë se, në dallim nga popujt e tjerë, gati gjithmonë, populli ynë ka qënë i liruar nga egoizmi me targë nacionaliste. Shprehja popullore si: "Shtëpia është e Zotit dhe e mikut", trumbeton në histori si lajmëtare të vlerave dhe virtyteve, pikërisht të këtij populli. Ai që e sheh figurën dhe personin e Nanë Terezës si kundërti e shpirtit kryelartë shqiptar ku heroi është vetëm ai që qëndron në fushë betejë me armë në dorë, injoron me shumë mënyra aspektin human dhe fetarë që shqiptari ka përçuar në histori, jo vetëm nëpërmjet personazheve dhe figurave mitologjike mendoni shumë nga mitologjitë apo baladat ku vihen në dukje aspekte të tilla si, besa e dhënë apo dashuria deri në vetëflijim: Rozafa, Argjiro, Kostandini, Doruntina, Zanat e malit por edhe personalitete konkrete që në histori kanë qënë mbartës të shpirtit të lirisë dhe së vërtetes, nga ku ka lindur edhe legjenda e fundshekullit tonë, Nana Tereze. Armatura e shqiptarit, edhe pse shumë herë e nevojshme, nuk ka qenë vetëm shpata apo topi, por sukurse Nanë Tereza dëshmoi, besimi dhe dashuria ndaj Zotit dhe dashuria në shërbim ndaj njeriut në nevojë, janë armatura që i ka hije çdo shqiptari. Heroina jonë u vesh pikërisht me këtë armaturë që gjeti në shtëpinë e saj. Mori nga ky popull fenë, duke e vlerësuar atë si gjënë më të çmuar të jetës. U bë pikërisht kjo fe në Jezu Krishtin kapitali më i çmueshëm i jetës së saj, në mënyrë të atillë saqë arrrinte të shihte në fytyrën e çdo vëllai që vuante, Fytyrën e Zotit të saj në kryq. Ajo iu kushtua Zotit duke iu kushtuar njerëzve. Kushtimi i saj ka themel biblik: sikurse Zoti i jetës së saj edhe ajo thotë: Në duart e tua, o Atë po e dorëzoj jetën time. Ka themel katolik që do të thotë universal, u sherben njerëzve të të gjithë botës. Ka themel kombëtar; është shprehi e shpirtit të tij, me gjak jam shqiptare, dëshmoi ajokur iu akordua çmimi "Nobël" për paqe. Nanë Tereza nxjerr në pah Shqipërinë dhe fenë e saj në Jezu Krishtin, e ne duhet të krenohemi për këtë, sikurse Hillari Klinton iu drejtua ish presidentit Meidani gjatë ceremonisë mortore të saj "Ju duhet të ndiheni krenarë për këtë bijë të popullit tuaj". Shqipëria është krenare per bijën e saj, po aq sa duhet të jetë edhe përgjegjëse përballë breznive dhe historisë në përçimin e vlerave që kjo shenjtëreshë i jetoi dhe i dha kombit të saj dhe botës mbarë. Nanë Tereza është krenaria jonë në atë masë që ajo do të jetë modeli dhe frymëzimi i ynë. Ne do ta nderojmë atë kur do të jetojmë më ndershmërisht nderin që na jep të qënurit shqiptarë. "Secilli popull e secilli komb, thotë Atë Anton Harapi,- orvatet sa ku mundet me i rujtë, me i zhvillue, me qitë në pah e me ua trashigue breznive të gjitha njato veti e të mira që perbajnë jetën, shpirtin e karakterin e tij." Nanë Tereza i bëri të gjtha këto, prandaj ajo është Shqiptare.
|
|
|
|