Home Histori Historia E Shqiperise Si perfunduan kokat e shtetit shqiptar - I-
|
|
Si perfunduan kokat e shtetit shqiptar - I- |
Si perfunduan kokat e shtetit shqiptar - I - Erion HABILAJ, Sonila YZEIRI KRERET E SHTETIT 1- Ismail Qemali Kryetar i shtetit, 4 dhjetor 1912 - janar 1914 2- Turhan Përmeti 7 shkurt 1914-20-maj 1914 3- Princ Vidi Maj 1914- nëntor 1914 4- Esat Toptani Nëntor 1914 -janar 1916 5- Fan S. Noli 16 qershor 1924-23 dhjetor 1924 6- Ahmet Zogu 24 dhjetor 1924 - 6 prill7- Shefqet Verlaci 12 prill 1939 8- Omer Nishani 10 janar 1946-1 gusht 1953 9- Haxhi Lleshi 1 gusht 1953-22 nëntor 1982 10- Ramiz Alia 22 nëntor 1982-30 prill 1991 11- Sali Berisha 9 prill 1992-27 mars 1997 12- Rexhep Mejdani 24 korrik 1997-24 korrik 2002 13- Alfred Moisiu 24 korrik 2002
Plot 13 kanë qenë krerët e shtetit shqiptar, që nga krijimi i tij më 28 nëntor 1912. Ismail Qemali, Turhan Pashë Përmeti, Princ Vidi, Esat Toptani, Fan S. Noli, Ahmet Zogu, Shefqet Verlaci, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia e të tjerë kanë shkruar faqe të tëra në historinë tonë kombëtare. Ismail Qemali dha dorëheqjen, duke i lënë postin princ Vidit dhe vdiq në Itali në vitin 1919. Turan Pashë Përmeti nuk qëndroi gjatë në krye të shtetit shqiptar, ndërsa princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria pas rrëmujave vetëm pas gjashtë muaj qeverisjeje. Pas tij do të vinte në krye të shtetit Esat Pashë Toptani, i gjykuar për kohën si antishqiptar dhe i ekzekutuar në Paris në vitin 1920 nga Avni Rustemi. Fan Noli nuk ishte i prerë për të qenë kryetar shteti, ndaj dhe qëndroi për pak kohë në krye të qeverisë e më pas për t’i shpëtuar ndëshkimit të kundërshtarit të tij politik Ahmet Zogu e la përgjithmonë Shqipërinë duke u vendosur në SHBA, ku dhe vdiq në vitin 1965. Ahmet Zogu do të ishte njeriu më jetëgjatë në krye të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij. Në fillim president dhe më pas mbret, zogu do ta linte pushtetin në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste. Zogu vdiq në Paris dhe eshtrat e tij nuk janë kthyer akoma. I fundit kryetar shteti në vitin 1939 do të ishte Shefqet Vërlaci. Nga viti 1939 e deri në vitin 1944, Shqipëria ndodhej e pushtuar dhe shtetin e drejtonin ushtarakët e zgjedhur nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste. Në sistemin e Enver Hoxhës, që de fakto ishte kryetar i shtetit, kryetarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor do të ishin figura dytësore dhe me pak peshë në jetën politike të vendit. Kuvendin Popullor nga viti 1944 e deri në vitin 1991 e kanë drejtuar Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia. Presidentët e Republikës Parlamentare të pasviteve ‘90 do të zgjidheshin Sali Berisha, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu. Modelet e Qeverisjes Shqipëria ka provuar disa modele qeverisjeje, përfshirë protektoratin ndërkombëtar, monarkinë, regjimin e partisë–shtet, si dhe republikën parlamentare. Më 1912 u krijua qeveria e parë me Ismail Qemalin në krye, e cila kishte edhe kompetencat e kryetarit të shtetit. Më 6 shkurt 1914, Konferenca e Ambasadorëve emëroi princin Vilhelm Vid si kryetar të shtetit shqiptar. Në periudhën shtator 1914 – janar 1920, Shqipëria u bë shesh lufte duke ndërruar disa qeveri, ku detyra e kryetarit të shtetit u mbulua nga qeveri-regjenca të ndryshme. Më 8 janar 1920, Kongresi i Lushnjës zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, i cili do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit duke rikthyer parlamentarizmin. Në vitin 1924 Fan Noli u zgjodh kryetar i qeverisë, duke ushtruar edhe funksionet e kryetarit të shtetit. Pas ndryshimeve të shpeshta në qeverisje, më 31 janar 1925, Asambleja Kombëtare miratoi formën republikane të regjimit dhe votoi Ahmet Zogun si President të Republikës. Tre vjet më pas, më 1 shtator 1928, Shqipëria u shpall Monarki ku Ahmet Zogu do të ishte mbret i shqiptarëve. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill 1939 dhe bashkimit të dy vendeve, Viktor Emanueli III u bë mbret i Shqipërisë. Vitet 1943-‘44 nën pushtimin gjerman rikthejnë qeverisjet–regjenca. Përfundimi i luftës së Dytë Botërore dhe çlirimi i Shqipërisë më 1944 u shoqërua me zgjedhjet e para parlamentare të dhjetorit vitit 1945 dhe me kalimin e funksionit të kryetarit të shtetit në organ kolegjial, si Presidium i Kuvendit Popullor. Në periudhën 11 janar 1946 – 12 dhjetor 1990, gjatë të cilës Shqipëria përjetoi diktaturën komuniste, funksionet e kryetarit të shtetit u kryen nga Omer Nishani (10 janar 1946 - 1 gusht 1953), Haxhi Lleshi (1 gusht 1953 - 22 nëntor 1982) dhe Ramiz Alia (22 nëntor 1982 – 22 shkurt 1991). Më 22 shkurt 1991 u krijua Këshilli Presidencial i drejtuar nga Ramiz Alia, i cili i ushtroi funksionet deri më 30 prill 1991. Më 30 prill 1991 me zgjedhjen e presidentit të parë të Republikës Parlamentare nga ana e një Parlamenti shumëpartiak, krijohet Institucioni Kushtetues i Presidentit të Republikës. Në çaste të vështira për popullin shqiptar, kur krerët e Lëvizjes Kombëtare bënin çmos për mbrojtjen e vendit nga copëtimi, vendimtare ishte nisja e Ismail Qemalit nga Stambolli për në Bukuresht. Në historinë e diplomacisë shqiptare shkruhet se Ismail Qemali arriti të përfitonte nga kundërthëniet ekzistuese të Fuqive të Mëdha. Ismail Qemali, në takimet e fundit që pati me përfaqësuesit diplomatik evropian, arriti të sigurojë simpatinë e idesë së popullit shqiptar për shpalljen e pavarësisë. Ismail Qemali kërkonte me urgjencë mbledhjen e delegatëve të Shqipërisë në Durrës apo Vlorë. Qemali me 14 patriotë shqiptarë më 19 nëntor u nis nga Trieste, për në Durrës, ku arriti më 21 nëntor 1912. Në rrethanat e rrezikshme politike që ekzistonin në vend nga rryma të ndryshme dhe zënkat e feudalëve shqiptarë, pamundësonin veprimin e lirë në ngritjen e flamurit kombëtar. Në çaste kritike që ekzistonin në Shqipërinë e Mesme, Ismail Qemali me shokë vendosi që të vazhdojë rrugën për nga Vlora. Në këtë kohë, ushtritë ballkanike kishin hyrë thellë në tokën e Shqipërisë. Ata, tashmë, kishin pushtuar Strugën, Elbasanin, Tiranën dhe ishin nisë për në Durrës, kurse Vlora mbahej e rrethuar prej grekëve. Qarkullimi nëpër Shqipëri nuk ishte aspak i lehtë, pasi bandat dhe ushtria e shteteve ballkanike kishin zaptuar pjesën më të madhe të vendit. I shoqëruar nga delegatet e disa qyteteve u nis për në Vlorë ku arritën në 25 nëntor. Ky qytet qysh më parë ishte përcaktuar si qendër ku do të mbahej Kuvendi gjithëkombëtar për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në referatin e vet foli shkurt për të kaluarën e Shqipërisë, gjendjen dhe rrethanat momentale politike. Ismail Qemali propozoi që Shqipëria të shpallet “Shtet më vete, e lirë, e pavarur. Të gjithë delegatët këtë propozim e aprovuan duke u ngritur në këmbë dhe duke e përcjellë me duartrokitje aktin e shpalljes së pavarësisë. Ismail Qemali e ngriti lart në Vlorën heroike flamurin e Skënderbeut. Me aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali, më 29 nëntor 1912, i njofton për aktin historik gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, për këtë vendim, Ismail Qemali njofton edhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që të njihnin aktin e pavarësisë si ndryshim i vullnetit politik të kombit shqiptar.
Kryetari i qeverisë së përkohshme Kujtimet e djalit të Ismail Qemalit Djali i Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlora, ka jetuar në Strugë nga viti 1936 deri në dimrin e vitit 1953, kur ndërroi jetë. Sipas dëshmive historike, ai ishte djali i parafundit i Ismail Qemalit dhe siç ka deklaruar në kujtimet e tij, në të gjitha ecejaket diplomatike që ka pasur është shoqëruar nga djali i tij, Qazimi. Ismail Qemali për djalin e tij ka thënë se, “ai ka qenë kujtesa e tij në tërë aktivitetet”. Qazim Bej Vlora ka lindur në vitin 1870. Në vitin 1919 ai është helmuar së bashku me të atin, duke ngrënë darkë në Itali. Ismail Qemali gjeti vdekjen, ndërsa Qazimi mundi ta përballojë dhe të jetojë. Në vitin 1936, Qazimi shkon në Strugë me një dokumentacion të pasur të qeverisë së Ismail Qemalit. Në moshën 66-vjeçare martohet me Behije Sherif Masllafin, e veja e Inajet Bej Ohrit, motra e të cilit ishte martuar me një tjetër djalë të Ismail Qemalit. Në vitin 1949, kur u prishën marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe asaj të Jugosllavisë, Qazimi ngeli i izoluar në Strugë. Sekretari personal i Ismail Qemalit, nga viti 1900 deri në vitin 1919, ai ka qenë pranë të atit në çdo udhëtim, në çdo mbledhje dhe gati në të gjitha përpjekjet diplomatike për trojet shqiptare. Qazim Bej Vlora ka qenë njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja, aktivist i shquar në qeverinë e Vlorës dhe sekretar personal i Ismail Qemalit. Vdes në Strugë në një anonimitet të plotë në dimrin e vitit 1953, duke lënë pas një dokumentacion të pasur dhe një bibliotekë shumë të madhe dhe përveç dokumenteve të qeverisë së Vlorës që ka konfiskuar policia e fshehtë maqedonase, fati i dokumenteve të tjera nuk dihet.
Një pasha në krye të shtetit (Turan Pashë Përmeti) Në dhjetor të 1918-ës, Kongresi i Durrësit që bashkoi 50 delegatë nga pothuajse e gjithë Shqipëria politike (me përjashtim të Korçës dhe të Vlorës), konkludoi me formimin e qeverisë së Durrësit, fillimisht miqësore me Italinë, dhe që shpresonte të siguronte bashkimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në Ballkan gjatë muajve vendimtarë të Konferencës së Paqes në Paris. Kjo qeveri u kryesua nga Turhan Pashë Përmeti dhe reflektonte në përbërjen e saj tërë spektrin fetar të shoqërisë shqiptare. Që në fillim të krijimit, detyra më e ngutshme me të cilën u përball kjo qeveri, ishte caktimi i delegacionit që do ta përfaqësonte zyrtarisht atë në Konferencën e Paqes, ku de facto ndodhej “Qeveria e Botës”, si dhe përgatitja e memorandumeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare drejtuar Fuqive të Mëdha. Një rol të rëndësishëm në përvijimin e qëndrimit të delegacionit zyrtar shqiptar në Paris luajtën dy figura të rëndësishme nga radhët e klerit katolik shqiptar, imzot Luigj Bumçi dhe at Gjergj Fishta. Rritja e revoltave anti-italiane në Shqipëri, kritikat e ashpra në shtypin shqiptar të kohës për Turhan Pashën dhe etiketimi i tij si filo-italian, bënë që, me vendim të qeverisë së Durrësit, në qershor të vitit 1919, ai të zëvendësohet si kryetar i delegacionit zyrtar shqiptar, me imzot Luigj Bumçin.
Princ Vidi Më 17 mars Vidi, duke u mbështetur kryesisht te feudalët, formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i Perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Peterburg të Rusisë. Me t’u vendosur në fronin e Shqipërisë, princ Vidi u përpoq të zgjidhte problemin më urgjent dhe më të ndërlikuar të vendit, atë të largimit të trupave greke nga Shqipëria e Jugut dhe të vendosjes së administratës shqiptare në këto vise. Por qysh në fillim, ai tregoi se nuk ishte i vendosur të mbronte deri në fund, pa kompromis interesat e shtetit shqiptar. Për të zgjidhur këtë çështje, ai hyri në bisedime me qeverinë “vorio-epirote” të shpallur në Gjirokastër. Dhe për këtë qëllim, Vidi caktoi si komisar të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut oficerin holandez, Tomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ristrukturuar xhandarmërinë shqiptare. Ky shkoi në Korfuz dhe më 10 mars zhvilloi bisedime me përfaqësuesin e “vorio-epirotëve”, Karapanon. Tomsoni, duke ditur se Fuqitë e Mëdha, KNK dhe vetë princ Vidi nuk donin të kishin shumë kokëçarje, u premtoi grekëve disa të “drejta të veçanta” për popullsinë e “Epirit të Veriut”. Largimi i princit Vilhelm Vidi nga Shqipëria Duke e ndier rrezikun nga sukseset e kryengritësve, princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga Veriu mundën të vinin disa forca të pakta, ndërsa Shqipëria e Jugut duke qenë përballë ndjekjeve, mizorive e shpërnguljeve nga forcat greke, nuk mundi të jepte ndihmë. Për rrjedhojë, në fund të korrikut 1914 dhe në pragun e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte në gjendje të rëndë politike. Pushteti i qeverisë shqiptare, tashmë ishte kufizuar vetëm në Durrës e në Vlorë-(deri më 1 shtator kur ajo ra në duart e kryengritësve);në Shqipërinë e Mesme shtrihej pushteti i kryengritësve; viset e Jugut ndodheshin nën shtypjen e forcave greke, krahinat e Verilindjes nën presionin e vazhdueshëm të serbëve, ndërsa Shkodra ndodhej nën administrimin e forcave ndërkombëtare. Princ V. Vidi bëri përpjekjen e fundit për të shpëtuar qeverisjen e tij. Ai iu drejtua edhe Fuqive të Mëdha me kërkesën për të zbatuar zotimin që kishin marrë në Konferencën e Londrës për të garantuar bashkërisht pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe për këtë qëllim kërkoi formimin prej tyre të një force ndërkombëtare prej 3 mijë vetash, për të shtypur kryengritjen. Por Fuqitë e Mëdha, duke qenë në konflikt me njëra-tjetrën, premtuan se do të ndihmonin për të shpëtuar vetëm jetën e princit dhe të familjes së tij, por jo edhe intervenimin ushtarak atje. Në këto rrethana, kur edhe kishte filluar Lufta e Parë Botërore, princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria, më 3 shtator 1914, pas plot 181 ditësh sundimi të pasuksesshëm. Vilhelm Vidi dhe suita e tij e lëshojnë Durrësin në orën 8 të mëngjesit, dhe me anijen italiane të luftës “Mizurati” kalon në Itali. Së bashku me të u larguan edhe ministrat e qeverisë, anëtarë të tjerë të oborrit mbretëror, si dhe udhëheqës të lëvizjes patriotike shqiptare, të cilët u vendosën pjesërisht në Shkodër, ndërsa një pjesë kaloi në vende të ndryshme të Evropës. Menjëherë pas largimit të V. Vidit, më 5 shtator në Durrës hynë kryengritësit dhe aty u vendos selia e Këshillit të Përgjithshëm. Aktet ndërkombëtare të viteve 1913-14 edhe pse kishin definuar pozitën neutrale të Shqipërisë dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për këtë statut të saj, megjithatë Shqipëria u përfshi në planet ushtarako-strategjike të fuqive ndërluftuese, veçanërisht të Austro-Hungarisë e Italisë dhe të shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë, të cilat që nga tetori 1912 nuk reshtnin për ta coptuar atë
|
|
|
|