Home arrow Kosova arrow Cdo gje rreth Kosoves arrow Kush Ishte Dr. Rugova
Kush Ishte Dr. Rugova

Biografia e Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova
Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.
Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babanë, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike të cilat po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.

Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pe
jë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Zotëri Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.

Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë.

Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe parti e grupe të tjera.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992. LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë "Manuel Carrasco i Formiguera", në Barcelonë, Spanje

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.