Home arrow Intervista arrow VIP arrow Si u bera folese e njohur ne ekran
Si u bera folese e njohur ne ekran
Image “Si u bëra folëse e njohur në ekran”Dorina TOPOLLAJNë Shën Valentinin e pesë viteve më parë, veshët i janë bërë flakë të kuq. Erjona Shehu ende nuk i ka harruar emocionet e atij 14 shkurti. Atë të martë, ajo është ulur për herë të parë në studion e lajmeve në një transmetim televiziv në “TV Koha”. “Ishte e frikshme. Nuk mund ta mendoja që një send pa jetë në dukje, si kamera, të të pushtojë aq frikshëm dhe të të japë aq shumë emocione”, tregon folësja e njohur e “Top Channel”. Që atëherë, besnike i kanë mbetur vetëm emocionet që e shoqërojnë në çdo edicion. Vitet i kanë dhënë më shumë se çdo gjë tjetër, ndryshimin. “Njeriu ndryshoka vërtet shumë në pak kohë, 5 vjet mua më duken shumë pak, aq shumë saqë habitem kur mendoj se sa potencial mund të ketë secili prej nesh për të përdorur”, tregon Erjona Shehu. Jashtë ekranit ajo thotë se është njeri i zakonshëm: mjeke dermatologe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një bashkëshorte që vdes të gatuajë dhe një mami që emocionohet kur vajza e saj një vjeçe e gjysmë, turret drejt ekranit për ta përqafuar.
I ndiqnit lajmet kur ishit fëmijë?

Çuditërisht shumë, madje më shumë ndiqja lajmet sesa emisionet apo filmat. Ndoshta dhe pesha politike që kishin lajmet atëherë ndikonin shumë në atmosferën familjare dhe i jepnin një hije të rëndë imponuese ambientit familjar.
Ju kujtohen spikerët e asaj kohe, çfarë komentesh bënit për to?
Më kujtohen shumë mirë Kiço Fotjadhi dhe Tefta Radi, por nuk më kujtohet të kem bërë komente për ta, besoj se atëherë i shihja të shkrira lajmet dhe folësit bashkë, ndaj dhe nuk kisha komente për ta. Tashmë që e ushtroj vetë këtë profesion them se ata, pavarësisht kornizave të atëhershme, kanë qenë profesionistë shumë të mirë, përderisa në kujtesën time jetojnë të bërë njësh me lajmin.
A e dini cila është spikerja e parë shqiptare?
Jo, ose më saktë e kam shumë të turbullt emrin në kujtesë. Historia e folëseve në Shqipëri ka lindur shumë kohë përpara meje, ndaj dhe këtu ndjehem e painformuar.
Juve si ju pëlqen t’iu quajnë, spikere, moderatore, apo gazetare?
Folëse, kështu shoqërohet emri im në lajmet e “TCH” dhe më pëlqen.
Kur ju ka shkuar ndër mend për herë të parë, që të bëheni prezantuese lajmesh?
Në një vend si Shqipëria argëtimi dhe informimi është i pa shmangshëm i lidhur me median, sidomos atë elektronike, ndaj dhe në fëmijërinë dhe rininë time të hershme televizioni ka zënë një pjesë të mirë të ditës. Besoj që atëherë kam nisur të ëndërroj, por pa dalë nga kufijtë e imagjinatës se dikur do të jem edhe unë në një ekran televiziv me misionin e shenjtë të informimit.
E kujtoni transmetimin e parë?
Po, ka qenë 14 shkurt 2001, ditë e martë. (qesh). Edhe drejtori i atëhershëm i “TV Koha”, Vullnet Musaraj, i cili më nxori për herë të parë në ekran, më tha se do të jetë e paharrueshme për mua kjo ditë, pasi lidhej me Shën Valentinin. Vërtet nuk e kam harruar. Ishte e frikshme. Nuk mund ta mendoja që një send pa jetë në dukje, si kamera, të të pushtojë aq frikshëm dhe të të japë aq shume emocione. Më kujtohet që veshët më ishin bërë flakë të kuq dhe në fund të lajmeve më ishte tharë gjuha.
Sa prova keni bërë për t’u futur në transmetim?
Jo shumë, kisha kaluar disa eksperienca televizive nëpërmjet transmetimeve të drejtpërdrejta që ishin bërë nga radio “Koha”, njëra madje shumë e vështirë. Ishin zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe kam qëndruar “non stop” në transmetim nga ora 10:00 deri në 2:30 të ditës tjetër. Ishte e lodhshme, por shumë e bukur.
Çfarë thoni tani që e kujtoni atë edicion të parë?
Tani habitem. Njeriu ndryshoka vërtet shumë në pak kohë (5 vjet mua më duken shumë pak), aq shumë saqë habitem kur mendoj se sa potencial mund të ketë secili prej nesh për të përdorur.
Thonë për ju se në fillim të karrierës rrinit shumë para pasqyrës duke dhënë lajmet. A është e vërtetë, nëse po, vazhdoni ta bëni?
Muajin e parë të daljes time në ekran, po shumë. Por edicioni i orës 22:30 në “TV Koha” ritransmetohej në orën 24:00 dhe për mua ky ishte një fat shumë i madh. Nuk kisha më nevojë për pasqyrën, sepse korrigjoja vetveten duke parë lajmet dhe unë i besoj teorisë që: kritiku më i mirë për një njeri është vetja e tij.
E keni shënuar numrin e edicioneve që keni prezantuar? Sa është ai?
Jo, duhet të jenë shumë, megjithatë janë shumë pak, krahasuar me eksperiencat e emrave të mëdhenj që kanë kaluar në televizionet tona, sidomos ata që kanë qenë në TVSH dhe që për mua për momentin mbeten të pakontestueshëm.
Cila është “gafa” më e madhe që keni bërë deri tani?
Nuk them se kanë qenë gafa, më shumë kanë qenë lapsuse që dua apo nuk dua unë, nuk u shmangem dot, janë pjesë e punës.
A ju ka ndodhur të “hidhni në erë” edicionin?
Jo kurrë, them se e bëj shumë seriozisht daljen në ekran, e cila pavarësisht se duket se të merr vetëm 30 minuta, kërkon shumë më tepër impenjim.
A ju ka kapur ndonjëherë e qeshura?
Po, në 5 vjet që jap lajme në televizion, unë vazhdoj të mbetem njeri i zakonshëm, me luhatje nga më të ndryshme, përfshi dhe humorin. Besoj se është si një nga ato momentet kur të kap e qeshura përpara shefit dhe përpiqesh ta mbash.
A keni përsëri emocione kur jepni lajmet, apo është kthyer në një gjë normale?
Çdo ditë që jap lajme kam shumë emocione dhe kjo është shumë e sinqertë, ka raste që edhe më mbahet fryma kur flas, sidomos kur bëhet fjala për çështje vërtetë me peshë.
Cilat janë lajmet më të vështira për t’u anonçuar?
Kam dhënë shumë lajme, por nuk ka më të rënda se ato që flasin për dhunën ndaj fëmijëve dhe krimin në familje. Më kujtohet një edicion në të cilin kam lexuar katër lajme që erdhën njeri pas tjetrit gjatë edicionit të orës 15:00 në “TCH” për krimin në familje. Në lajmin e fundit e ndjeva se po më dridhej trupi dhe kur kam dalë nga studio isha gati t’ia plasja të qarit.
Veçoni ndonjë moment të vështirë gjatë karrierës suaj? Thonë që njëherë desh ju ka rënë llambadari gjatë transmetimit apo në prova. A është e vërtetë?
Shumë e mirëinformuar (qesh). Po kam qenë në “TV”, gjatë kohës që po flisja dhe një nga dritat “kondra”(kështu i quajnë teknikët e ndriçimit) po binte dhe unë e ndjeja që po binte edhe ndriçimi, por u tregova shumë “trime”, e çova fjalinë deri në fund dhe nuk lëviza vendit. Me kujtohet reagimi i drejtorit të atëhershëm të informacionit në “TV Koha”, Roland Qafokut, dhe kameramanit Spiro Misha që rendi të mbante llambadarin: e qeshur, frikë dhe më pas komente të tipit: shyqyr që dola gjallë!
Çfarë mendoni ndërsa jepni lajmet?
Mendoj vetëm për lajmin, dua që kur unë lexoj të më kuptojë kushdo, për mua kjo është A-ja e punës.
A ju është prishur ndonjëherë prompteri gjatë transmetimit? Si keni dalë nga situata?
Po ka ndodhur. Nuk them se më ka shkaktuar shumë problem, thjesht kam ulur sytë mbi letër dhe kam vazhduar të lexoj normalisht. Unë nuk kam nisur punë si folëse me prompter, por me letër dhe që të jem e sinqertë, letra për mua është më e besueshme dhe më e vërtetë se prompteri.
A ju ka ndodhur të lexoni diçka që ju s’keni pasur dëshirë ta lexoni?
Nuk më kujtohet, jo jam e sigurt. Kam fatin që të punoj në një TV, ku e vërteta e thënë lakuriq është prioritet i një stafi të tërë dhe të vërtetën unë e them gjithmonë me shumë kënaqësi.
Po kur jeni në gjendje të keqe shpirtërore çfarë bëni, kërkoni t’iu zëvendësojnë apo e vazhdoni punën? Keni pasur ndonjë rast të tillë?
Më duhet të ripërsëris që duke qenë njeri i zakonshëm përjetoj sa kënaqësi aq dhe probleme e shqetësime, por nuk kam lënë kurrë që këto të fundit të më ndikojnë në punë. Do ta mbivlerësoja veten n.q.s shqetësimet e mia do t’ia transmetoja edhe shikuesit.
E shikoni edicionin tuaj pas transmetimit? Sa herë? Çfarë vërejtjesh i bëni vetes?
Dikur shumë shpesh, tani më rrallë. Nuk po e them se çfarë vërejtjesh kam për veten, sepse lista do të bëhej shumë e gjatë. Por sa më shumë e shoh veten, aq më shumë gjej për të rregulluar.
Kur i ndiqni koleget tuaja, i shikoni më shumë me syrin kritik apo sikur të jeni ju në vend të tyre?
Nuk më pëlqen të shoh të tjerët për të bërë vërejtje mbi ta apo punën e tyre. Më pëlqen të shoh për të gjetur mangësitë që kam unë në dhënien e lajmit. Sa më shumë të shohësh aq më shumë mëson.
Më thoni një kolege shqiptare dhe një të huaj që ju e keni idhull?
Tashmë ka ardhur një kohë që unë e ndjej veten pjesë të emrave të folëseve në Shqipëri. Në këtë moment them që idhujt i ke lënë pas dhe përpiqesh të perfeksionosh veten, pasi ke marrë atë çfarë ke dashur nga idhujt e tu, e ke përpunuar dhe ke krijuar individualitetin tënd. Tani them që jam në stadin kur po kërkoj për idhuj të rinj që me thënë të drejtën i gjej vetëm tek shkolla më e madhe dhe më fuqishme medias në botë, BBC.
Sa pudër harxhoni? Sa kohë shpenzoni tek grimi?
Sa më shumë kohë të kesh, aq më shumë mund të shpenzosh tek grimi. “Look”-u si çdo gjë tjetër edhe një pjesë e punës ku mund të investosh kohë pa fund. Ndërsa pudër, (qesh) nuk e di sa kg mund të kem harxhuar në këto 5 vjet.
Vjen një ditë kur mosha bën të vetën, dhe mediat shqiptare janë të ndjeshme në këtë drejtim, ndryshe nga ato të huaja. Keni menduar se kur do largoheni nga kjo punë?
Besoj se do të jem në media edhe për ca kohë, për më tepër që media në Shqipëri ka filluar të maturohet, jo vetëm në vlera por edhe në njerëz, megjithatë koha është induktor perfekt që ta tregon çdo gjë me përpikmëri dhe është e pamëshirë në këtë përpikmëri.
Çfarë pune do bënit nëse do të largoheshit?
Këtu mund të them me saktësi se e di shumë mirë se çfarë do të bëj: do të jem një mjeke dermatologe shumë e mirë dhe do të përpiqem që kushdo që do të më kërkojë ndihmë në këtë drejtim të ketë një pamje perfekte dhe një lëkurë të përsosur.
Cili është komplimenti më interesant që keni marrë për shkak të punës suaj? Po vërejtja më e rëndë?
Nuk më kujtohet komplimenti më i bukur, kam natyrë që nuk para u jap rëndësi komplimenteve, pasi nuk bëj dot në to diferencimin e përqindjes së të vërtetës. Sa për vërejtjet, edhe kur janë shumë të vogla, kur i marr nga bashkëshorti im më duken shumë të rënda dhe i marr shumë seriozisht.
Si ndjeheni kur njerëzit ju japin të njohur në rrugë?
Ndjehem shumë keq. E kam thënë dhe diku në një tjetër intervistë, nuk di se si të reagoj. Reagimet dhe njohja e njerëzve janë shumë impenjative.
Kush është fansi juaj më i mirë?
Nëna ime, besoj se më ka ndjekur më shumë se kushdo tjetër.
Kush është Erjona Shehu jashtë punës?
Një njeri i zakonshëm. Kam impenjimet e mia, punën në spital, detyrimet si nënë dhe si bashkëshorte, një dëshirë shumë të madhe për të gatuar dhe akoma më të madhe për të kaluar sa më shumë kohë me familjen time, që më ka bërë të jem një njeri që nuk e kisha njohur kurrë më parë.
Ju keni një vajzë të vogël, çfarë thotë kur e sheh mamin në televizor?
E kam parë së fundmi, ndërsa ritransmetohej një nga emisionet e “TCH” që atë ditë e kisha bërë unë “News Room”. Desa u sul drejt ekranit dhe e puthi duke zgjatur duart. Nuk jam ndjerë ndonjëherë aq e emocionuar. Mu mbushën sytë me lot dhe e mbulova me të puthura.
Pasqyra
Për një muaj provat më të mira për të kanë qenë ato para pasqyrës. Kjo e ka ndihmuar shumë për të korrigjuar vetveten. “Por edicioni i orës 22:30 në “TV Koha” ritransmetohej në orën 24:00 dhe për mua ky ishte një fat shumë i madh. Nuk kisha më nevojë për pasqyrën, sepse korrigjoja vetveten duke parë lajmet dhe unë i besoj teorisë që: kritiku më i mirë për një njeri është vetja e tij”, thotë Erjona. Tashmë nuk i shikon aq shpesh edicionet si më parë, por gjen gjithmonë diçka për të rregulluar tek vetja.
Idhujt
Erjona Shehu e ndjen veten pjesë e emrave të folëseve në Shqipëri. “Në këtë moment them që idhujt i ke lënë pas dhe përpiqesh të perfeksionosh veten, pasi ke marrë atë çfarë ke dashur nga idhujt e tu, e ke përpunuar dhe ke krijuar individualitetin tënd”, shpjegon folësja. Ajo e ndjen veten në një stad kur po kërkon për idhuj të rinj. “Me thënë të drejtën i gjej vetëm tek shkolla më e madhe dhe më fuqishme medias në botë, BBC”
Lajmet e vështira
Lajmet e vështira për të s’janë ato fjalët e gjata e termat e ngatërrueshëm, por historia që gjen mes rreshtave te lajmit. “Kam dhënë shumë lajme, por nuk ka më të rënda se ato që flasin për dhunën ndaj fëmijëve dhe krimin në familje”, tregon folësja e “Top Channel”. Ajo kujton një edicion në të cilin ka lexuar katër lajme që erdhën njëri pas tjetrit për krimin në familje. “Në lajmin e fundit e ndjeva se po më dridhej trupi dhe kur kam dalë nga studio isha gati t’ia plasja të qarit”, kujton ajo.
  
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.