Kryetari i grupit parlamentar të unionistëve në komisionin e brendshëm të Bundestagut, Ralf Gëbel, ka kërkuar një bashkëpunim më të mirë ndërmjet organeve që kthejnë refugjatë dhe atyre të sigurisë në Kosovë. Në një intervistë ekskluzie për programin shqip të Dojçe Veles, ai tha:
"Kthimi i pakicave në Kosovë mbetet problematik. Kjo nga njëra anë ka të bëjë me faktin, që jo çdo zonë i plotëson kushtet për kthimin e refugjatëve. Një kritikë që e dëgjuam nga njerëz të ndryshëm gjatë vizitës sonë, ishte që ndihmat për kthim ofrohen edhe për ato zona, ku kthim faktikisht është i parealizueshëm."
Eksperti kristiandemokrat për çështje të brendshme, Ralf Gëbel, udhëhoqi grupin e deputetëve gjermanë që të mërkurën dhe të enjten (26./27.04) vizitoi Kosovën.
"Më shumë kontakte"
Në intervistë me Dojçe Velen, ai ka kërkuar, që organizatat që merren me kthimin "të hyjnë në kontakt më intensiv me organet e sigurisë dhe të informohen se ku mund të bëhet kthimi, e ku së pari duhet të realizohen kushtet në planin afatgjatë."
Në Gjermani jetojnë afro 60 mijë kosovarë pa status të rregulluar. Gjysma e tyre janë pjestarë të pakicave. Gjatë muajve të fundit janë përsëritur mosmarrëveshjet ndërmjet UNMIK/ut dhe qeverisë gjermane, pasi organet e administratës ndërkombëtare i patën kthyer mbrapsht disa refugjatë të ardhur nga Gjermania. Kjo çështje do të trajtohet edhe në kuadër të konferencës së ministrave të brendshëm të landeve, që zhvillohet të enjten dhe të premten (04./05.05) në Garmish të Bavarisë.
"Gjendja e paqendrueshme"
Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, parlamentarët gjermanë ishin njohur nga afër me kushtet e kthimit të serbëve në Komunën e Istogut, si edhe me problemet e ushtarëve dhe policëve gjermanë të stacionuar atje. Gëbel i vlerësoi pozitivisht hapat e bëra në ngritjen dhe funksionimin e Shërbimit Policor të Kosovës. Por ai thekson, se për shkak të statusit të pazgjidhur, gjendja në Kosovë është e paendrueshme:
"Situata është e qetë, por jo stabël. Çdo gjë duket se është në varësi të zgjidhjes së statusit, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik. Shumë investitorë, që mund të gjejnë kushte të mira në Kosovë janë duke pritur rezultatin e vjeshtës, se si do të ndërtohet e ardhmja e këtij rajoni, se a do të ketë siguri juridike dhe cila do të jetë pozita e tij në qarkullimin ndërkombëtar," - ka përfunduar Ralf Gëbel, ekspert kristiandemokrat për çështje të brendshme në Bundestag, mbasi u kthye nga Kosova.