Home arrow Letėrsi arrow Histori e Letersise arrow Timo Flloka & Ndricim Xhepa
Timo Flloka & Ndricim Xhepa

Xhepa e Flloko, martesë me absurdin e Sarrot

Një shfaqje fine e sjell nga një lojë e mrekullueshme, me absurdin e Natalie Sarrot nga Ndriçim Xhepa dhe Timo Flloko.

Një martesë e bukur, aktorë-dramë do ta cilësonte shkrimtari dhe skenaristi Ylljet Aliçkaj. Vetëm ky çift aktorësh të pjekur, me eksperiencë të kultivuar dhe profesionistë, mund ta realizonin atë shfaqje të rëndësishme për të cilën duhet t'i ketë zili gjithë Evropa, do të shtonte më tej regjisori i njohur, Gëzim Kame. E në të vërtetë kjo shfaqje, e titulluar "Për një fjalë goje" që ka vetëm tri net që është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Arben Kumbaros, është e tillë, e freskët, realiste dhe shumë mbresëlënëse. Të paktë, ose aspak mund të kenë qenë ata që kësaj here nuk kanë ngritur zërin me të madhe kundër kësaj vepre. Në të vërtetë ajo është një shfaqje e kopsitur deri në maksimum, që nga ana regjisoriale, që nga skenografia, aktorët, vepra, do të thoshte kështu kritiku, Josif Papagjoni. Bëhet fjalë për një nga veprat më të njohura dhe më të pakta dramatike të shkrimtares franceze, Natalie Sarrot, e cila është vënë mbi 700 herë në skenë, vënia e së cilës në Francë, në vitet '90, ka njohur një sukses të konsiderueshëm e mbresëlënës. Vepra e ngritur mbi mesazhe dhe përpëlitje të një humanizmi të ndjerë në nënshtresat e tij është strukturuar mbi një paradoks të civilizimit modern.
"Vepra është shumë aktuale si mesazh, ashtu edhe si filozofi, pasi problemet e hatërmbetjeve, e qejfmbetjeve janë jo për një fjalë goje, por për një gërmë të fjalës dhe kjo përbën një shtrat të mirë për suksesin e veprës", shprehet kështu regjisori, Gëzim Kame, i cili nuk mund të rijë pa përmendur edhe lojën e aktorëve të zgjedhur. "Më ka lënë mbresa loja e dy aktorëve, e cila është me një profil artistik, që ka qenë mjaft e mirë falë një përjetimi emocional dhe një përjetimi elegant të fjalëve. Aktrimi i tyre është i dukshëm në realizimin e kësaj shfaqjeje. Një lojë realiste që herë-herë veçojmë te trajtimi i figurës së sjellë në skenë nga aktori Ndriçim Xhepa, i përforcuar edhe me elementë të tjerë të ironisë dhe sarkazmës, parë gjithmonë brenda shtratit të dramës", shprehet kështu kritiku Papagjoni. "Për një fjalë goje" u përket atyre veprave të dramaturgjisë botërore të cilësuara si "drama peizazh". Ajo është shembulli më tipik i këtij lloj zhanri. "Për një fjalë goje është një shfaqje elegante e Kumbaros, që zbërthen në mënyrë të shkëlqyer mesazhin e veprës, linja e së cilës zotëron gjithë aksesorët dhe kjo ndihet në skenografi, ndriçim, në tekst, në çdo detaj të aktorëve. Por një vlerë e Kumbaros në këtë shfaqje është edhe përzgjedhja e dy aktorëve (që ju kam thënë dhe atyre), që do të ishte një zili e çdo teatri evropian për të pasur një çift aktorësh të pjekur me eksperiencë të kultivuar, profesionistë të nivelit të lartë dhe ajo që më gëzoi më tepër është ardhja e Timo Fllokos në skenën e teatrit. Këtu nuk mund të lë të vetëm Ndriçim Xhepën, i cili prej kohësh është një aktor evropian", shprehet plot entuziazëm regjisori Kame. Për Aliçkaj nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë për të kuptuar të vërtetën në këtë vepër absurde, të vërtetën e bukur, dhënia e kënaqësisë. "E pata të vështirë të dalloja nga e mora kënaqësinë, nga tematika e veprës, apo loja e aktorëve. Ishte një martesë shumë e bukur e aktorëve me atë temë dhe dua të them se ishte vërtet shfaqje e bukur dhe nganjëherë të bën përshtypje se sa afër është arti i vërtetë dhe sa afër gjërave që ne jetojmë. Shpesh herë nuk dimë t'i shpjegojmë qartë, është një realitet ndoshta i përditshëm, apo i parë nga një sy inteligjent. Për mua roli i tyre ishte vërtet i mrekullueshëm, natyrisht i konceptuar nga Beni, vepër kjo që është në vazhdën e cilësisë së Kumbaros. Eshtë një dëshmi tjetër e një regjisori intelektual", shprehet skenaristi Aliçkaj.
  

Vepra që "dashuroi" dhjetë vjet
"Për një po a për një jo", apo e përkthyer në shqip "Për një fjalë goje", e cila është ngjitur në skenën shqiptare nën regjinë e Arben Kumbaros në datën 28 prill është një nga veprat më të njohura të francezes Natalie Sarrot. Regjisori Kumbaro gjatë një konference për shtyp të dhënë pak ditë më parë u shpreh se ka dhjetë vjet që punon për këtë vepër, e cila u duk qartazi se ishte një sukses i pritur në skenën e Teatrit Kombëtar.

 Dueti Xhepa-Flloko
Një kritik i huaj shprehej se ajo që na afron Sarrot nuk është një përplasje gladiatorësh, apo armaturash të rënda për një konfrontim "asgjësh" të vogla, që po ta shohësh nga afër mbartin dhunën e fushave të betejës pa pasur nevojë për madhështinë e tyre. Ku projekt, i cili është pritur mirë nga publiku shqiptar, është ngjitur në skenë nga aktorët e skenës dhe filmit shqiptar si Ndriçim Xhepa dhe Timo Flloko. Në role të tjera kanë interpretuar aktorët e rinj Artion Vreto dhe Medi Gura. Ndërsa vepra është përkthyer nga Mirela Kumbaro.
 

Flloko: Shfaqja u prit dhe nga "spektatori i keq"Përflitet gjatë rikthimi juaj në teatër, me shfaqjen "Për një fjalë goje..."
Quheni si të doni, rikthim apo angazhim timin, por dua të theksoj se kam luajtur para dy vjetësh në teatër në një projekt shumë të madh, siç ishte "Stinë e mërzitshme në Olimp" me regjisorin Gëzim Kame. Këtë herë vij me pjesën "Për një fjalë goje", një vepër që më pëlqen për mesazhin që përcjell dhe sigurisht ansambli që interpreton përbëhet vetëm nga dy aktorë. Me Ndriçim Xhepën, i cili është një aktor që e çmoj, një partner shumë i mirë, (në "Stinë e mërzitshme në Olimp" kisha Robert Ndrenikën), me këtë dua të them se kur ke partner të mirë dhe vetë ndihesh i mbështetur. Për mua aktori është aktor, si në teatër dhe në film, ndonjëherë janë arsye thjesht teknike që luan më tepër në një film, apo më tepër në një teatër, por në thelb aktori është i njëjti, ndryshojnë specifikat nga filmi në teatër. Në parim nuk ndryshon asgjë nga teatri në film, veçse në teatër emocioni është më i gjallë dhe teatri është më i vështirë në një drejtim, por edhe më i bukur nga ana tjetër. Këtë gjë e ndjeva dhe në këtë shfaqje që duket se ka pasur sukses për spektatorin, i cili e ka pritur shumë mirë, nga kolegët, spektatori "më i keq", ai profesional dhe publiku, artdashësit. Kjo gjë më gëzon.
Si kanë qenë këto javë bashkëpunimi për ju me regjisorin Kumbaro dhe aktorin Ndriçim Xhepa?
Ndërsa për sa i përket regjisorit Arben Kumbaro do të thosha se është një regjisor ekzigjent, kërkues edhe me një formim profesional. Sigurisht për mendimin tim kjo pjesë do të dështonte padyshim nëse nuk do të realizohej nga aktorët, sepse ka një tension të skajshëm dramatik. Eshtë fizikisht e lodhshme deri e papërballueshme për nga situatat dhe diagrami i momenteve shpërthyes që ka, që nuk të lë asnjë çast të marrësh frymë. Eshtë një vepër që nuk ke asnjë çast kohë për të pirë një gllënjkë ujë. (mund t'ju them se mbrëmë në shfaqje mbajta një filxhan me ujë dhe e pija nga pak si kafe, saqë regjisori më pa dhe më tha më vonë, Timo një herë mund ta bëje po jo dy herë). E lodhshme pasi duhet të ekonomizosh energjitë për të realizuar gjithë diagramin, zhvillimin dhe kulmin e rolit. Por duke qenë edhe Ndriçimi, një partner, një aktor me një perceptim racional të hollë, u krijua një manjetizim në marrëdhëniet skenike dypalëshe. Them është një duet që duket se i dha rezultatet. U prit shumë mirë edhe pse vepra është paksa elitare dhe jo fort zbavitëse në një kuptim për publikun.
 

Xhepa: Puna me Fllokon kënaqësia e veçantë në teatërSi u gjendët në veprën e Natalie Sarrot, të vënë në skenë nga regjisori Kumbaro?
Dëshira për t'u angazhuar me këtë projekt e pati fillesën që nga leximi i veprës së Natalie Sarrot, bashkëngjitur njëkohësisht edhe me një lloj dëshire të sugjeruar nga vetë regjisori, Arben Kumbaro për të më pasur aktor në një projekt të tij. Në momentin që e lexova veprën, rrezatoi tek unë një lloj impulsi pozitiv në shtratin realist, që kishte me elementin e absurdit, por elementë absurdë që edhe vetë njeriu i ka në qenien e tij. Një absurd i prekshëm dhe konkret që vërtet i bën interesante të dy personazhet, edhe timin edhe të Fllokos. Duke pasur parasysh edhe ndonjë punë tjetër të Kumbaros, ku ka reflektuar një lloj finese regjisoriale, një lloj filli shumë elegant regjisorial, aq më tepër që edhe më parë kam pasur ofertë për të punuar me të, e cila pa dyshim u pasqyrua konkretisht në këtë vepër të Sarrot.

Si e ndjetë veten krahas partnerit në vepër, Timo Fllokos?
Në këtë kuadër dëshire për të qenë pjesë e këtij projekti e përmbushi në mënyrë pa dyshim të plotë, edhe dëshira për të punuar për herë të parë me një aktor të klasit të parë, pa dyshim me një pedagog të klasit të parë dhe me një mik siç është i mirënjohuri Timo Flloko. Ndjesi apo dëshirë paraprake, të cilat u konkretizuan dhe u bënë plotshmërisht të sakta dhe të bindshme tek unë si aktor, pasi tashmë projekti është kryer dhe premiera është dhënë. Gjatë gjithë këtyre pesë, apo gjashtë javëve pune të përbashkët, ndjeva tek ky koleg një seriozitet, korrektesë, përgjegjësi, dëshirë bashkëpunimi, sedër profesionale që rrallë dhe tepër rrallë e gjen në oborrin e atij Teatri Kombëtar. Bashkëpunimi me Fllokon është nga kënaqësitë tepër të spikatura e tepër të veçanta, që kam ndjerë në kaq shumë vite pune prezence në teatër. Them se këto arsye janë goxha të motivuara për të qenë pjesë e këtij projekti dhe së fundi vetë pritja që i bëri të paktën këto tre net spektatori, një spektator i zgjedhur, i këtyre netëve e plotësoi atë kuadrin e kënaqësisë që ne prisnin të merrnim nga ky projekt, investim i të treve së bashku. Do të falënderoj në mënyrë të veçantë ministrin e Kulturës dhe ministrin Leskaj që e mbështeti këtë projekt, njëkohësisht Uester Uninon, Teatrin Kombëtar dhe drejtorin Kiço Londo.
  

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.