|
Romani i Ndue Dedajt "Shembja",
...një çertifikatë respekti e mirënjohje për gjeologët e minatorët Marku i Bardhë i "Shëmbjes" Nga Ing. THANAS DEDE* Dergoi per “albdreams” Gjovalin Kaçorri Pas një vargu shkrimesh e botimesh me poezi, novela e tregime, publiçistike e studimesh, shkrimtari mirditor Ndue Deda na paraqet romanin e tij të parë "Shembja". Romani përbën një ngjarje, një vepër të rrallë, një emocion të fuqishëm, në mënyrë të veçantë në trevën dhe brezin që i kushtohet. Ai është, ndoshta, një nga bustet më të larta të historisë dhe letërsisë mirditore e më tej. Mua më ka imponuar emocione të mëdha, të ndiera thellë duke më sjellë afër jetën personale, punën, shokët gjithë ngjarjet dhe zhvillimet sidomos të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Personazhet e romanit ne i njohim të gjithë pas emrave në libër u vëmë emrat e vërtetë dhe…herë pas here shohim vehten, jetën dhe punën tonë. Kjo e bën romanin me vlera të mëdha në shumë degëzime të shoqërisë të djeshmë e të sotme. Romani veçse një vepre të mirëfilltë letrare i cili qëndron denjësisht në familjen e vet, është një çertifikatë respekti e mirënjohje për dhjetra e mijëra njerëz të lidhur me gjithshka jetësore dhe veçanërisht të gjeologëve, minatorëve, fshatarësisë, piramidës administrative, partiake etj."Shembja" është një fjalë me shumë kuptimeUnë jo vetëm që ndjeva emocione,nostalgji, retrospektivë por shpesh komunikoj me shumicën e personazheve të romanit (shokët e miqtë dhe të njohurit) për aspekte të larmishme. "Shembja" është një fjalë me shumë kuptime. Ajo mund të përdoret në disa sfera, të aktivitetit shoqëror dhe shkencor, ideor dhe teknik. Fjalët sinonim i saj mund të jenë edhe shkatërroj dhe e rrëzoj, megjithëatë në shqipen tonë të pasur ajo është mjaft e gjetur. Në roman kjo fjalë shpreh disa kuptime thelbësore: Së pari, përdoret për të treguar rënien morale dhe psikologjike të "një njeriu të ri"; shkatërrimin e fateve dhe jetës së njerëzve; e shumë të tjera deri shkatërrimin ekonomik të personave, familjeve, fshatrave e qytetit. Së dyti, fjala shëmbje përdoret në teknikën e minierave si veprim teknologjik që tregon veçimin e mineraleve të dobishme (të bakrit, kromit etj) nga masa tejtër shkëmbore dhe ashtu e copëzuar transportohet në proceset e rëndësishme industriale. Në këtë kuptim është veprim i dobishëm. Së treti, ajo përdoret kur veprimi ndodh jashtë ndikimit njerëzor, jashtë dëshirës së tyre duke sjellë dëme materiale e deri tek rreziku për jetën e punonjësve e shpesh duke u marë edhe jetën.Në romanin "Shëmbja" ajo përdoret më afër kuptimeve të rastit të parë dhe të tretë. Ne që kemi punuar në profesionin tonë, në industrinë e nxjerrje dhe përpunimit të minierave është fjala që kemi përdorur më shumë se nga fjalët e tjera. Është, si të thuash, fjala e dashur dhe e rëndë, kurorëzuese për realizimin e përpjekjeve tona dhe rënduese kur na plagoste dhe merrte jetë shokësh. Vendosja e titullimit dhe emërtimin "Shëmbja" më duket e gjetur mirë, përfaqësuese e përmbajtjes së veprës dhe dëshmi profesionale e autorit, zotit Ndue Dedaj. Nga zejtaria piruste tek kulmet e industrisë se bakrit Nga kreu i romanit dhe deri në faqet përmbyllëse, diku i drejtëpërdrejtë e diku tërthorazi, haptas e i nënkuptuar është i pranishëm mademi i bakrit, pirustet mirditorë, gjeologët, minatorët. Rreth mademit të bakrit dhe piritit sillen personazhet me fatet e tyre dhe bashkë me ta krijohet uniteti dhjetra shekullor i zejtarisë piruste me eksperiencën e sotme madhështore (tashmë të shteruar) të industrisë së bakrit kulmet e së cilës arritën në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Themi u shpalos një kulm se në trevën e Mirditës u arrit të nxirren rreth 19.5 milionë tonë mineral bakri, 800 mijë tonë koncentrat, 257 mijë tonë bakër blister. Këto u realizuan nga rreth 4500 punonjës në vit, në 14 miniera, tre fabrika pasurimi dhe në një kompleks metalurgjik. Emrat e objekteve të cilët në roman shkruhen ndryshe por nga ne njihen mirë, kanë bërë emër në Shqipëri e më tej si Rubiku, Kurbneshi, Spaçi, Rësheni, Perlati e ndonjë tjetër. Shumë personazhe përbëjnë jetësoren e romanit në 43 kapitujt dhe epilogthin. Ata janë punëtorë, minatorë, specialistë ingjiniera, persona të pushtetit ekzekutiv, të Partisë, fshatarë, sigurimsa etj. Këta personazhe nuk janë të barabartë në karaktere, inteligjencë, në punëra, në raporte midis tyre, në mënyrën e jetesës, në mjediset e prejardhura, në psikologji e shumë të tjera. Ata kanë edhe të përbashktën e madhe e cila i bashkon nën thënien "njëri për të gjithë e të gjithë për një", një shpikje djallëzore dhe e çuditshme, e përbashkëta kundrejt "zotit plan" dhe e përbashkëta e qëndrimit "gati-tu" ndaj "mësimeve, vendimeve dhe strategjisë së Partisë së Punës. Rreth kësaj të përbashkëte ndiheshin gjithmonë të rrezikuar e të frikshëm, të ndrojtur e të kujdesshëm me tepri…sa nuk gjenden kollaj fjalë të përshkruash e të ndriçosh brendësinë e njeriut. Por njeriut të shpërfytyruar u vinin rreziqe të tjera të paparitura e të paparashikuara nga sajesat e kancelarive e mendësive antihumanë të "katraxhinjve" dhe "peçinokave". Roman realist, realist kritik apo një vepër tragjikePa kaluar në disa rrjeshta analizë rreth personazhe desha të shtroj pyetjen: Kjo vepër mbetet si roman realist, realist kritik apo një vepër tragjike? Këtë ta vendosin lexuesit, për mua kjo është një vepër tragjike e gjithë shoqërisë sonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, e cila po na shoqëron me tragjedi të tejra edhe në fillimet e shekullit të parë të mijëvjeçarit të tretë, e në mes të Europës. Përse e konsumuan jetën personazhet e "Shëmbjes" në intervalin kohor gjysëm shekullor?Marku i Bardhë , një djalë i ri 19 vjeçar, i aspiruar për një jetë më të mirë zbret nga bjeshkët e bukura dhe fillon punën në minierë. La pas shtëpinë dhe trojet stërgjyshore, male, pyje, burime, kafshë, zogjtë, lëndinat, lulet dhe i zëvëndësoi me errësirën e nëntokës. Lagështinë, shëmbjet, vagonin, silikozë, barakën e fjetjes dhe mencën. Falë dhuntisë intelektuale të malësorit, hap pas hapi u përshtat dhe u perfeksionua në jetën dhe profesionin e tij duke u njohur me shumë njerëz të tjerë. Jeta e tij u rrit me hapjen dhe zgjerimin e minierave. Shteti i asaj kohe në emër të "lugës së florinjtë" kishte nevojë për shumë minerale dhe mjete monetare. Marku jetoi ngritjen e shumë minierave, fabrikave, uzinës së rafinimit dhe së fundi rënimin e plotë të tyre, pra një nga shëmbjet. Vetë vdiq edhe ai nga shëmbja me emrin e tmershëm silikozë. Edhe sot silikoza pasi ka marrë rreth 300 jetë njerëzish vazhdon të lëndojë shumë të tjerë. Kjo plagë e njohur dhe plotësisht e evitueshme u neglizhua nga sistemi i atëhershëm për investim të pa përfillshëm në disa ton tuba për dërgimin e ujit nëpër frontet e punës.Gjergj Matia, një inxhinier i ri miniere plot ëndrra ideale për jetën dhe shkencën, me sinqeritetin dhe naivitetin e tij iu bashkua armatës së madhe të intelektualëve. Me punë e studime u arrit të vendoset ndër specialistët e lartë më të aftë në degën minerare. U dallua në kultivimin e teknologjive të reja në përpjekjet për mekanizmin (instalimin e çpimit të lagur) etj. Ai vuajti nga një lloj tjetër shëmbjeje e quajtura "agjitacion propogande" sabotim në ekonomi, sajesa të zeza që dënonin disa për të bërë zap gjithë të tjerët që futnin panikun, frikën, heshtjen dhe këtu rolin kryesor e luanin afijet katralitë dhe peçinokët. Gjergj Matia pavarësisht pësimit mbeti një karakter i pathyeshëm dhe me vullnet për të ardhmen. Fatin e jetës dhe të ngjarjeve të inxhinier Gjergjit e kanë kaluar shumë intelektualë, midis të cilëve unë kam shumë afërsi, disa herë kam kaluar në tehun e briskut. Me këtë desha të them se është një personazh pozitiv dhe mjaft realist. Peçi Noka, sekretari i dytë i Partisë, njeriu më i pushtetshëm dhe më i fuqishëm ia saj kohe, i cili sipas Markut të Bardhë i kishte hipur mbrapsht kalit,nuk kishte arsimin përkatës, mbante një qitap të mbrapshtë dhe përmes tij kalonin me shumicë krimet ndaj qytetarëve. Kur e njohëm në roman nuk ishte gjë e re. Unë e kam njohur për më se 30 vjet dhe sot më duket se e takoj shpesh herë. Si Peçi ka patur me shumicë në atë kohë. Që nga brigada e ndërmarrja, nga rrethi e deri në Komitetin Qëndror. Peçi Noka është personazhi më tipi (Peçonokat) negativ, i shpërndarë gjithë andje dhe ekzekutuesit konkret të shumë të këqijave të asaj kohe. Ai përmes katarlive, "furnitorëve" vidhave u bënë satanët dhe djajtë e qytetarëve të shoqërisë. Bile një shokun tonë, përmenden në mënyrë letrare në roman, e dënuan dhe pas burgut pësoi dëme të parriparueshmë psiqike deri sa vdiq në mjerim. Kur e kujtoj edhe unë ndjehem fajtor që e zbulova të vërtetën kur nuk vinte në punë. Për "të mirat" në luftën kundër shfaqjeve të huaja kapitaliste dhe shkeljet në luftën e klasave peçonoku u emërua zëvendësministër. Bile tashti vonë ka botuar dhe një libër ku fytyrën dhe veprën e tij e shpalos në mese dyqind fotografi.Sarkazma e autorit tek dialogjet "Luku-Loku"Së fundi, dua të ndalem në një dukuri artistike origjinale të shkrimtarit Ndue Deda. Dialogjet e dy personazheve fantastikë, misteriozë të Lukut dhe Lokut. Autori i ka përdorur në trajtë të koncentruar në nëntë raste për të bërë rezymenë filozofike të ngjarjeve të veprës. Në dialogjet e tyre është përdorur sarkazma dhe se kjo është gjetja e autorit. Dialogjet "Luku-Loku" janë vendosur në trajtën e eseve apo të prozës poetike. Shëmbjet dolën nga thellësitë e nëntokës dhe si tentakula përfshinë tërë shoqërinë duke përmbysur sistemin shoqëror, politikën, ekonominë, pushtetin. Ato përfshinë edhe vetë origjinën dhe minierat u shuan e bashkë me to fabrikat, uzinat dhe sektorë të tjerë. Kjo përmbytje përfshiu edhe fatet e njerëzve e të personazheve të romanit. Të fuqishme si uragan paskan qënë shembjet.Me minierën, Markun e Bardhë shëmbjet dhe pëllumbat nisi rrugën romani, dhe po me këta bashkëudhëtarë mbyllet…Bukur është shkruar "Epilogthi" ku mendoj se në trajtë letrare dhe filozofike jepet mesazhi i së ardhmes dhe i vazhdimësisë së jetës dhe fateve njerëzore të shqiptarëve. Falenderoj shkrimtarin Ndue Dedaj për romanin "Shëmbja" emocionet e reja e të kthyera si vepër me vlera të gjera. E falenderoj për skalitjen me dashuri dhe vertetësi të shumë personazheve.* Kryetar i Shoqatës të Inxhinierëve të Minierave të Shqipërisë |