|
Lutje e te ftuarit ne studio.
Edison Ypi.... -Ç'mërmërit ashtu a mavri ?! "Të shkoj a të mos shkoj ?!"Ku mo ?! Ku të shkosh a të mos shkosh ?! I ftuar në studion televizive ?! Po edhe tani që s'mbeti kuç e maç pa e nxjerrë surratin në ekran, edhe tani me dilema hamletiane po merresh o ?! Shko o shko ! Kurrë mos refuzo ! Në të gjitha variantat e të gjitha dyshimeve, lëkundjeve, sëkëlldirave, jo ftuesi, por ti o ti, ti i ftuari do jesh i fituari. As mos j'u fut fare atyre se sa di e sa s'di, sa mundesh e sa s'mundesh, si je e si s'je. Edhe kurgjë të mos dish, edhe kurrkushi të jesh, përderisa dikujt i vajti mendja të të ftojë, ai dikushi diçka parasysh pati. Prandaj të gjitha dyshimet dhe hamëndjet flaki. Dhe, që të qetësohesh, t'i rrafshosh gjithato dyshime, ja ku po ta them cop'; Yll o yll je, yll ndriçues përvëlues me dritë, të gjitha i di, për gjithçka mundesh, hatanë mund të bësh. Prandaj patjetër të shkosh, domethënë të vish. Të vish pra të vish. Madje ndonjëherë edhe pa pritur të të (Ah kjo Toskërishtja e Ledi Shkrelit me dy të-ra të vrëra si gjilpëra !) ftojnë të tjerët por duke e hedhur llafin ti vetë.Veçse disa gjëra të lutem mbaji parasysh, diji paraprakisht.Së pari duhet të kesh parasysh se, meqënëse televizioni nuk është as i yti as i atij asaj apo atyre me të cilët do kuvëndosh por i tjetërkujt, jo vetëm ti, por edhe ai ajo ata ato, të gjithë hiç më tepër se "të ftuar në studio" janë.Mos u çfaq si cjap. Ai me të cilin do llafosesh nuk është kasap.Mendjen hallakate si të duash. Sa më liksht e më lesht aq më mirë.Kujdes duart. Ato kanë më tepër rëndësi se surrati dhe mendja. Mendjen ta njohin dhe surratin ta shohin. Po nuk tregove duart s'dihet nga mund t'ju shkojë mendja, imagjinata. Tregoji pra. Tregoji në mënyrë që gjindja që të sheh të sigurohet se nuk i ke të pa lara, se nuk i ke të përgjakta, se nuk po krruan me to ndonjë zgëq erogjen tëndin, dhe, sidomos se nuk i ke të zëna zgjatur diku për të vjedhur ndonjë gjë.Dëgjoje pyetjen. Sado e ëmbël apo e hidhët, çpuese apo gudulisëse, e rrafshët apo e thepisur, e ngatërruar apo e shkallmuar pyetja, mos thuaj kurrë "Kjo pyetje më pëlqen" "Kjo pyetje s'më pëlqen" "Kjo është pyetje e mirë" etj. etj. Pyetja nuk është e jotja. Pyetja është e Tul Tangulit. Tanguli mban përgjegjësi vet' për pyetjen. Përgjigja po. Ajo është e jotja. Për atë kujdesu. Ama ta bëri pyetjen Tub Taplasi, aaaaaaaa, me atë ki kujdes, mendohu pak, pastaj përgjigju. Por kurrën e kurrës edhe atij mos ja paragjyko pyetjen. Ai derri i divanit që po të ndjek duke gromësitur, sado derr sado gromësimtar, kaq gjë e di, këto i kap. Sepse, sado të thuash ti; "Hë mo se televizioni përtyp e flak si çumçakizi është", gromësimtarit, ja ashtu përtyp e flak, çumçakizi çeku ja ka zmadhuar, zbardhur e mprehur, sytë dhe dhëmbët.Kurrë mos nis të përgjigjesh duke thënë; "Së pari do desha të....". Ji i sigurtë se përveçse t'i përgjigjesh pyetjes që sapo tu bë, kurrkush nuk është i interesuar për tjetër gjë. Ato së pari e së treti e së pesti shko shiti tjetërkund. Tjetërkund, sepse edhe Tangulit edhe Taplasit, mbrapa u vjen teknologjia, industria, energjia, të cilat nuk vlen të shpenzohen për broçkullat e tua.Ore, ndonjë gjë që nuk e di, s'e di - s'e di, s'u bë qameti, thuaj s'e di dhe pikë. Përpiqu të bësh të njohur produktin e punës tënde, por kurrsesi të llomoisësh ç'ndodh në laboratorin e broçkullave të tua dhe të ngjajshmëve të tu. Kështu dhe kurrsesi ndryshe ! Për arësyen e thjeshtë sepse pikërisht po aq sa të squtët e dinë sa budallej janë, edhe budallenjtë e dinë sa të squt janë. Kjo është arësyeja që, po fole edhe për ato që nuk i di, të gjitha shtigjet të mbyllura i ke.Mos mbaj letra përpara demek sikur ke ardhur i paisur, i armatosur. Ta dish mirë se po mbajte letra, teleshikuesve menjëherë do tu mbërthehen sytë mbi letrat dhe do të harrojnë ty. Letrat do tu kujtojnë letërsinë. Letërsia ndjenjat, dashurinë, mallëngjimin etj. etj. E meqënëse nuk i lexojnë dot, do t'u futen imagjinatave. Merre tani me mënt se ç'mund të marrin me mënt mbi ca letra që s'i lexojnë dot ca njerëz që rrojnë kot ! Pupupupupu ! Letra anonime. Letra të hapura. Letra higjanike. Letra katrama. Poshtë letrat !Mund të ndodhi që në ndonjë moment të ndjehesh ngushtë të mos dish nga t'ja mbash. Të lutem bëj shumë kujdes. Bëj shumë kujdes sepse në këtë rast mund të të duket vetja si brënda atyre banjave të ngushta të lokaleve të vogla ku gjithçka mbi lavaman s'të bën përshtypje ta rrjedhësh e ta lëshosh. Prandaj kujtohu se televizioni banjë s'është. Dhe sidomos kujto që ay i divanit mban gjith' kohën në dorë një bombë që quhet telekomandë të cilën po e plasi të gjithëve në hale na hodhi.A do të më shtish në Dhe' të gjallë ?! Nuk e besoj. Por nëse vërtet ay është qëllimi yt, athere mos j'u ndaj, një - e - dy e, plasja, rrasja, grisja, krisja si e ke zakon; "Për mendimin tim...." "Të them të drejtën...." "Këtë e kam thënë edhe në një intervistë tjetër...." "Me këtë nuk dua të them se....". Po mirë o byrazer që ngutesh të saktësosh duke thënë se nuk deshe të thuash ato që the, lejomë mua të them atë që dua të them; Ti, kur flet, mendimet e të tjerëve shpreh ?! Të tjerat gënjeshtra i pate ?! E kujt i plaz se sa herë në sa intervista ke thënë të njëjtën gjë ?!E zemë se i bëre të tëra këto gabime se aq di, aq ke, aq ta pret. Po të paktën ver aty - këtu ndonjë pikë o burr' i dheut. Si s'të merret fryma xhanëm ?! Ver or' ndonjë pikë a presje të na japësh mundësinë të të bëjmë ndonjë tjetër pyetje e të të japim rastin të kthesh ndonjë tjetër përgjigje, sido që ta katranosësh.Nuk ke faj ti jo. Nuk është hera e parë. As studioja e parë. Ke parë ti dhe plot studio, studioze e studiozë të tjerë. Në ato studiot e mbetura me ato formatet e vjetra ku nuk ftohen politikanë sa herë lyp publiku por politikanët vijnë sa herë u vjen atyre veza. Ke qënë për shembull në studion e Asaj që mban në dorë një celular të madh dhe të fton vazhdimisht t'i shkruash një SMS në numurin e shënuar në cep të ekranit. Mir' Ajo, po ty o ty, ty si nuk të vajti mendja kurrë mendja makar vetëm ta pyesësh se pse vlen, kujt i lypset, si është e mundur, në të njëjtën kohë të pyesësh disa të ftuar, të lexosh, për më tepër, duke gënjyer si derr, tu premtosh përgjigje qindra SMS-rave ?! Me Atë tjetrin atë katranin që ja ndajnë ekranin s'po e zgjasim se fix na bërtasin. O i ftuar i uruar ! Ti, si skile që je, këto e të tjera që nuk t'i thashë por i more me mënt, mund t'i marësh për shakara për të qeshur nëpër ca kafenera me ca kushërinj e kushëriresha. Por nuk është ashtu o jo. Bëj o' si të them se ma nxive jetën ma bëre verem ! Me miq e mikesha kushërinj e kushëriresha qesh e gajasu sa plasu, por shihe këtë punë o aman se le nam.Edhe diçka se desh e harrova; Sakën se thua "Faleminderit !" në fund të bisedës. Kurrë dhe askujt ! As Asaj, as Atij, as Tangulit, as Taplasit ! Se e bën muhabetin lëmsh në at' mënyrë. Ai Bombarolo-ja i divanit nuk do marri vesh cili nder u bë, cili e bëri, cilit ja bëri. Ishe ti që pranove ftesën ! U lodhe sa munde. Bëre sa e si dite. Hëngre sa u ngope. U përket atyre të falenderojnë, jo ty ! Po nuk e kuptove as këtë, athere kthehu andej nga erdhe, pirdh sa pirdh e ik e vidh. |