Home arrow Intervista arrow VIP arrow Ingrid Gjoni..kliko ketu..
Ingrid Gjoni..kliko ketu..
Ingrid Gjoni: E prisja një çmim në  Netët
e Klipit Shqiptar ...Sapo ka fituar çmimin për grafikën më të mirë në "Netët e Klipit Shqiptar" dhe është mjaft e entuziazmuar për këtë. Ingrid Gjoni rrëfen se arsyeja pse ky çmim e ka gëzuar aq shumë është se ajo ka qenë ideatorja e gjithë videoklipit të këngës së saj "Përse me mua". Ka qenë një klip për të cilin ka punuar shumë, duke surprizuar edhe motrën e saj Inisin, e cila sipas Ingridit i sheh gjërat gjithmonë me sy kritik. Sidoqoftë ajo zbulon se kënga është thjesht një pasion i momentit dhe se ëndrra e saj është aktrimi. Së afërmi ajo do të diplomohet për Dramë në Akademinë e Arteve të Bukura dhe pas një periudhe pushimi që do t'i shpërbejë për t'u relaksuar, ajo ka ndërmend të impenjohet seriozisht në këtë fushë. Në një intervistë për "Tirana Observer" ajo rrëfen për çmimin e fituar së fundmi, si dhe për projektet e saj në të ardhmen.

Në "Netët e Klipit Shqiptar", kënga juaj mori çmimin për grafikën më të mirë. Çfarë do të thotë një çmim për ju, shpërblim i punës suaj apo një hap më lart në rrugën tuaj të artit?
Shpërblimi për punën time dhe sigurisht një hap më lart. E rëndësishme ishte që e mora këtu, sepse me të vërtetë që tek ky klip unë kam dhënë gjithçka që kam pasur. Kam dhënë idenë time, kam punuar shumë, kam dhënë një pjesë shumë të madhe nga look-u, dmth çdo gjë, çdo detaj në këtë klip ka qenë e realizuar nga unë. Sigurisht me ndihmën e "BBF studio", por të gjitha gjërat kanë qenë të ideuara nga unë, dhe është një gjë e mirë, në "Netët e Klipit Shqiptar" ishin 130 klipe dhe u vlerësuan vetëm 12, ku klipi im ishte ndër ata që morën çmim.
 

Sa keni punuar për klipin e këngës "Përse me mua", me të cilin morët dhe çmim?
Për këtë klip kemi punuar mbi 12 orë në ditë, pasi e bukura e këtij klipi është se kemi punuar mbi dyzet kopertona, për të ndryshuar gjithë gjërat e vogla. Jemi lodhur me atë, ndaj them që e meritonte që të merrej ky çmim

.A e prisnit që të merrnit një çmim?
 
Po, prisja një çmim. Nuk e dija çfarë çmimi, por isha shumë e sigurt që në momentin që dërgova klipin. Njerëzit e tjerë nuk e thonë këtë gjë, por unë nuk kam pse të mos e them, pasi kjo është një ndjesi e brendshme. Juria ishte për t'u falënderuar, dhe kjo jo se unë mora çmim. Është një juri më konkrete se sa në festivalet e tjera, sepse nuk është me anë të telefonit që ti s'e merr vesh kurrë se si votohet. Dola shumë e kënaqur

Ku e shihni veten tuaj përveç se në muzikë?
Unë kam aktrimin, që shpresoj të më bëhet profesion, madje profesioni kryesor.
 

Kush e përzgjedh veshjen tuaj kur dilni në skenë dhe në klipet tuaja?
Unë kam stilisten time, Enada At'Nikolla që e kam zgjedhur për këtë klip dhe ka qenë hap pas hapi në koncertet mia. Por unë kam idetë e mia. Ajo ka sugjerimet e saj, por gjithmonë në bazë të shijeve të mia. Unë zakonisht kam shumë më shumë besim tek vetja se sa tek të tjerët, kushdo qofshin ata dhe vë primare idenë time, por, sigurisht, që vlerësoj dhe respektoj vendimin e tyre.
 

Çfarë vendi zë për ju paraqitja e jashtme në paraqitjen skenike?
Zë një vend shumë të madh. Njerëzit që nuk e kanë paraqitjen e jashtme justifikohen me fjalinë "nuk është e rëndësishme paraqitja". Por unë mendoj se çdo gjë që ka të bëjë me paraqitjen skenike ka rëndësinë e saj dhe prandaj mundohem të jem perfekte. Çdo njeri është i prirë tek më e bukura, çdo njeri e do më të bukurën, dhe prandaj unë them se luan një rol shumë të rëndësishëm. Për mua ka shumë rëndësi, dhe mua kjo më ka vlejtur.
 

A mendoni se të qenit një femër e bukur ju ndihmon në karrierën tuaj?
Të ndihmon dhe s'të ndihmon. Të ndihmon, sepse dihet nga të gjithë që bukuria është një ndihmë më vetvete. Nuk të ndihmon, sepse ka momente që bukuria paragjykohet dhe nuk të lë hapësirë që të shfaqësh aftësitë e tua. Ndaj të duhet të punosh dhjetë herë më shumë se një njeri që nuk është i bukur për të treguar se ti ke aftësi të brendshme. Unë nuk jam fare me këtë opinion që ekziston, sepse jemi të gjithë me dy sy, me dy veshë, me të njëjtat ndjesi dhe organe, dhe se zoti ka dashur të të bëjë pak më të bukur se të tjerët, nuk do të thotë se talenti nuk është njësoj tek të dy palët.
 

Cilat janë projektet tuaja artistike së afërmi?
Tani pres të diplomohem për dramë. Tema ime do të jetë një dramë e Çehovit, ku kam dhe rolin e Natashës, që është roli kryesor. Pastaj mezi po pres të lirohem pak nga këto që të pushoj dhjetë ditë. E kam shumë të nevojshme që të pushoj, pasi kam qenë shumë e ngarkuar në shkollë. Pastaj direkt kam projektuar që të filloj videon e një kënge të re të rrymës R&B, e kompozuar nga Stine.
 

Po në një plan më afatgjatë, ku e shihni më shumë veten, tek muzika apo tek aktrimi?
Them se tek aktrimi. Muzika për momentin është një mënyrë për të qenë gjithë kohën në vëmendje, një mënyrë e mirë për të fituar para, dhe është një diçka që më bën të ndihem mirë. Mbase mund të ndryshojnë gjërat, por besoj se në të ardhmen e shoh veten tek aktrimi. Sidoqoftë njëherë pres të diplomohem, pastaj do të kem projekte konkrete.
 

Bashkëpunimi juaj i fundit muzikor me motrën tuaj Inisin pati mjaft sukses, do t'ju shohim në të ardhmen në një projekt tjetër bashkëpunimi?
Unë pata shumë fat që Inisi erdhi në këtë album. Unë i bëra ftesë dhe ajo pranoi me shumë dëshirë. Mua më bë qejfi jo vetëm për faktin që ajo është motra ime, por edhe sepse është një emër që mua më ndihmon për të qenë realiste. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, dhe kënga u bë hit e u prit shumë mirë nga publiku. Unë kam pasur dhe bashkëpunime të tjera me këngëtarë të tjerë, siç ishte dhe ai me Sabianin, një këngë shumë e mirë, që unë e dua shumë dhe që u prit shumë mirë nga publiku, por tani kam vendosur të dal më vete. Them që do fokusohem tek vetja, mbase më vonë...
 

A konsultoheni me motrën tuaj përsa i përket anës profesionale?
Që e vogël unë e kam ndjekur nga mbrapa Inisin. Gazetat shkruanin që kur unë isha 11 vjeç, që më shumë ka emocione motra e saj se sa Inisi. E kam ndjekur shumë nga mbrapa, kam qenë e vogël dhe më pëlqente të bëja si ajo. Por kjo ndryshoi shumë shpejt. Kur unë fillova të kuptoja se unë duhet të punoja vetë, ndodhi një gjë shumë e kundërt që Inisi të merret shumë me mua. Është shumë e përkushtuar dhe po lan atë që unë bëja para dhjetë viteve, por është dhe diçka tjetër që vlen për ta përmendur, që Inisi nuk bën asnjë veprim pa më pyetur, qoftë për veshjen, qoftë për mendimet, dhe këtë nuk e ka vetëm me mua, por edhe me mamin, motrën e madhe. Për gjënë më të vogël ajo të merr në telefon dhe të pyet. I kemi marrëdhëniet të tilla, që pyesim. Përsa i përket klipit tim të fundit, ia kam bërë surprizë. Askush nuk e dinte. Në shtëpi vetëm na shihnin që hynim e dilnim. Ata të shtëpisë e dinin që po bëja një klip dhe Inisi nuk e priste këtë, pasi ky ishte një klip që bëri shumë bujë dhe nuk dukej sikur ishte bërë këtu. Kur e ka parë për herë të parë Inisi është shokuar dhe më ka thënë "bravo", përveç nja dy gjërave të vogla që Inisi e ka zakon t'i shtojë.
 

Kush janë këngëtarët tuaj të preferuar shqiptarë?
Ndër këngëtaret femra më pëlqen shumë Eranda Libohova. E përmend gjithmonë me shumë dashamirësi, ka një zë shumë të mirë, ka zë shumë të mirë, është tip, dhe më pëlqen shumë. Nga këngëtarët meshkuj nuk kam shumë hapësirë për të zgjedhur, sepse janë shumë të rinj dhe kanë një stil që mua nuk më tërheq.

Blendina CARA - TIRANAOBSERVER-  
 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.