|
Rrofsh Inis Gjoni !
Edison Ypi Rrofsh Inis Gjoni rrofsh ! Shtatore mishi je - Shtatore meriton - Shtatore do të ngremë ! Shtatë metra ja ngritëm Lugatit ! Prej broxi ! Dhjetë do të ta ngremë Ty ! Prej floriri !Ç'patën namuzqarët që u lemeritën me ty për dy minuta porno-video amatore autentike ?! Ç'u çpoi ?! ?! Ç'u dogji ?! Ç'nuk kuptuan ?! Të dinin virgjëreshë ?! Kujtuan se i kishe vithet kubike, këmbët paralelopipedike ?! Menduan se s'kishe kërthizë ?! Imagjinuan se, atje teposhtë atje në mes, në vend të një hamburgeri, si e kanë të tëra, Ti mund të kishe nja tre a katër hamburgera a nja pes' a gjasht' paidhaqera ?! Të marrshin të ligat dhe të leshtat ! T'i pamë ! Të tëra të hatashme i kishe !Natyralisht, Ti as e vret as e plagos as e përdhos mendjen fare për këto. E the vetë se çudia më e madhe në botë nuk zgjat më tepër se tre ditë. Prandaj edhe ata edhe ato që me hiret e tua aq u çuditën sa desh vdiqën, nuk e vrasin fort mendjen. S'kanë nge të merren me dy porno-minutat e tua amatore. Dhe nuk po merren. Nuk po merren ata por po merrem unë. Mund të thuash me vete Ti Inis; "Edhe tani që kanë kaluar tre ditë merret ky me mua...?!". Merrem Inis merrem. Jo për çudinë e rastit Tënd dhe si e kupton Ti. Por në një kuptim më të gjërë, më të thellë, për tjetrën; Për çudinë e çudisë, për atë se si erdhi puna që vendi im është çmendur aq liksht sa kurgjë nuk të çudit më ! E meqënëse jashtë çudisë, për më tepër që edhe Ligji i tre ditëve nuk më kap, pse gojën mos ta hap ?!Në këto kushte po ta them shumë sinqerisht se për rastin tënd çuditem më pak se sa do çuditesha nëse një mëngjez duke dalë nga shtëpia dikush të më thosh'; "Jeta pa Seks në këtë botë është e pamundur".Po pse o Inis, a nuk është një kokrrizë rëre ajo porno-videoja Jote amatore përballë një oqeani të shkumbëzuar prej gjashtëmbëdhjetë vitesh ose tetë milionë e treqindmijë minutash pornosh epshesh, dufesh, kurvërish profesionale shtetërore kombëtare ?! Porno-politika, porno-administrata, porno-grafologjia, porno-fjalimet, porno-fushatat, porno-premtimet, porno-dallaveret, porno-hajdutllëku, porno-çmimet, porno-letërsia, porno-muzika etj. etj. etj. pak të duken Ty moj ?! Po të pyes ty duke të kujtuar milionat e porno minutave kombëtare sepse nuk është çudi që edhe Ty të të duket se kushedi çoç bëre në ato dy minuta.Pa na e lidhin këtë mesele edhe me teknologjinë dhe kalamajtë ! Demek teknologjia ç'edukoka kalamajtë e mamuzqarëve ! Ta marrim shtruar. Kur u eduakuan këta kalamaj që na i paske ç'edukuar Ti dhe teknologjia me ato dy minutat ?! Më '91-'92 kur adoleshentët e sotëm sapo u ngjizën ?! Kur asnjë namuzqar dhe asnjë qyqar s'mori vesh ç'u bë ?! Më '96-ën kur njomcakët dëgjuan mamin dhe babin çoç të çuçurisnin vesh-më-vesh gjatë disa netëve dhe, a shitën shtëpinë dhe paratë ja dhanë me pahir një më budallai se ata vetë, a shkundën xhepat mblodhën ku i kishin e ku s'i kishin edhe kacidhet e fundit e ja falën një budallai të dytë kushëri i tretë me atë budallanë e parë ?! Më '97-ën në kohën e bombave dhe britmave prej të cilave ende fëmijëve u fishkëllejnë veshët ?! Apo gjatë qindra e qindra netëve duke parë mijëra e mijëra spote televizive me cuca cullake që presin t'u celefonosh ?!Sigurisht disa ëngjëj na mbetën pa u djallosur. Jo të gjithë prindërit i kemi trushkulur. Megjithatë alarmizmi i namuzqarëve nuk justifikohet dot. Përfytyro një djalë apo një vajzë në fillim të moshës së rrezikut aty tek 12 - 13 vjeç. Është krejt e pamundur që diku në lagje të mos ketë një Internet Kafe. Është krejt e pa mundur gjithashtu që djali apo vajza t'i qëndrojnë tundimit për të mos e frekuentuar. Një nga tundimet e para më të forta është padyshim motorri i kërkimit i përbindshmi Google. Një nga kërkimet e para në Google është e pa mundur të mos jetë "Sex". Ky kërkim për një fraksion të sekondës të jep sot, ububububububu, jo më pak se dy milionë e treqind mijë foto ! Me inisa, me pubisa, me penisa. Si t'i duash. Si t'i kesh qef. Aq sa as jeta e kalamanit me gjithë jetët e prindërve nuk mjafton as t'u hedhësh një sy.Boll me Internetin dhe kalamajtë. kemi aq tepër porno-vende dhe porno-vepra për t'i porno-ç'edukuar kalamajtë sa s'di nga ta nisësh zësh. Ti Inis, atë; "Syn e bukur që tu vrënjt" e ke shtënë ndonjëherë mbi porno-grafinë më të pështirë shqiptareske, Muzeun Kombëtar ?! Je Artiste. E pa mundur të mos e keshë vënë re se Pafuqia dhe paturpësia, dhuna dhe përulja, padituria dhe padrejtësia, frikacakllëku dhe burracakllëku njerëzor, janë të gjitha atje. Sipas porno-autorëve me porno-nam, deri aty nga mesi i shekullit të kaluar shqiptarët nuk kanë pasur fare femra. As nëna, as motra, as bija, as kushërira, as të dashura. Dhe natyrisht as seksin nuk e kanë ditur çfarë është. Erdh' u a mësoi ay proletari në mes të mozaikut me xhaketën supit. U mësoi seksin, si bëhen kalamajtë etj. Nga mesi i shekullit të kaluar e tëhu, po. Prej athere kemi femra. Kemi tre femra. Të vetmet ndër gjithsej trembëdhjetë porno-personazhet-simbole të historisë. Ndër këta trembëdhjetë, shtatë kanë bërë historinë e Shqipërisë të nja dyzetë viteve, dhe gjashtë atë të dy a tre mijë viteve, nga Pellazgët tek proletarët. Porno-vuajtje-rrënqethje antiestetike e gjallë mu në ballë; Çpërpjestimi i kohës ngërç Ainshtainian. Tre femra, dhjetë meshkuj - ndërlikim Darvinian. Burra me mustaqe, gra me pushkë - problem Frojdian. Proletar vetëm një, kazëm e lopatë asnjë - hall Marksist. I therur asnjë - pisk Stalinist. Sa kohë ka që rri varur atje ajo porno-grafikë ? Aty tek pesëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë minuta !E di si është puna o Inis ?! A do ta dish të vërtetën, tamam të vërtetën, të vërtetën cullak si Ti n'at' videon ?! Po ! Mësoje athere. Mësoje që ta dish' mirë e t'i heqësh të gjitha dyshimet e streset e të flesh rehat.Ja e vërteta ! Me pornon tënde kalamajtë as janë edukuar as janë çeduakuar. Thjesht e kanë parë. Një numur i vogël burrash-kalamaj namuzqarë hileqarë, tek e kanë parë videon, kanë urryer paksa partnerin tënd Taras Lala. E urryen Tarasin kur panë se nuk e kishte si të tyrin. Pra as të hollë të përdredhur e të qurrtë si të qenit, as të lëshuar e të ngordhur si i të vdekmit, por të drejtë e të fortë si i të gjallit. Ndërkohë, të gjithë meshkujt, edhepse ndonjëri nuk e thotë, kanë admiruar hiret e Tua. Femrat ?! Ah ato, ato të gjitha pa asnjë përjashtim, kanë bërë sikur janë ndjerë liksht prej hireve të tua, ndërkohë që janë zilepsur ndonjëra ndoshta dhe vilanepsur, me gjigandin Tarasin. Jo Taras Bulbën kozakun jo ! Taras Lalën, shqiptarin, ndoshta myzeqarin.Cilat janë më të bukura se Ti Inis ?! Ato "Kurvat e Kombinatit" si quheshin athere, ato të pavdekësuarat mbi atë mozaikun ?! Ajo rruspia në mes të mozaikut mbuluar demek me kostum kombëtar me në dorë pushkën ?! Bujkesha plot djersë me vështrim nga pas, pushkën me të dy duart shtrënguar ?! Apo ajo n'qosh', ajo piridhiçka zborristja që mezi priste zborrin nëpër transhera të zbërthehej ?! Asnjëra !Nëse s'është kështu, ather; Pse sa vjen Pranvera zbërthehen të gjitha, çvishen të gjitha, sa edhe lëkurën janë gati ta grisin, me të breçka të qepin ?! Pse plot prindër i veshin gocat e vogla si gra dhe i dërgojnë të këndojnë këngë dashurie gjith' epsh në gjuhë të huaja ?! Kush i blen dhe pse i blen vibratorët e gomës ?! Pse kemi gjithato katundarka të reja, të cilat, me të zbritur në qytet, krejt njëlloj si Ti, madje më mjeshtërisht se Ti, zhysin hundët mes pluhurash të bardha mbi pjata të rrafshëta ?! Vërtet Hashishi ynë është më i mirë se i Pakistanit ?! Vërtet shumë e shumë adoleshente katundarka i lënë virgjëritë tu shkojnë në det mbi përrenj e lumenj duke u shkëlyer e çjerrë mbi telat e pasarelave të vjetra të ndryshkura për të vajtur në shkollë sepse tjetër rrugë s'ka ?! Po Imenet e varura si flamurë që i tund era mbi gardhe hekurash shtëpiash të reja, i ke parë ndonjëherë ?! Vërtet nëpër katunde na kanë mbetur fare pak djem sepse kanë ikur në kurbet ?! Vërtet jo rrallë vajzat shqiptare ikin në Itali a gjetkë me ndërgjegje të plotë ?!Nis e ver në skenë një Porno-Dramë Inis ! E mira do ishte ta shkruash vetë. Lëndë ke plot. Shko merre lëndën e parë diku pranë ndonjë Moteli. Shko shihi namuzlinjtë, kryetarët, moralistët, ata që video-pornot e para animalistike i kanë bërë në natyrë në shpat të malit të katundit. Shko shihi sesi hyjnë e dalin papushim me studentesha dhe sekretaresha mbi fuoristrada.Mund të shkosh edhe diku tjetër për tu frymëzuar. Tek live-porno-politika ! Tek Zogu i Zi ! Shko shiko si e kanë çveshur dhe e kanë lënë plasur me shalë shkëlyer. Shkruaje dhe vëre në skenë dramën. Shoqëroje me gjëmime vagneriane ! Bëje Zogun e Zi si zogun tënd; Jo prej betoni e hekurash ! Prej mishi e leshi ! Jo të Zi ! Të kuq ! Jo të ftohtë ! Të nxehtë, të zjarrtë ! Pastaj t'shohim ç'do ndodhi n'atë Kryq e n'atë Krisht ! Do shtohet a do paksohet trafiku ?! Do ketë a s'do ketë ndotje ambienti ?! Do ngrihet a s'do ngrihet pluhur ?! Do ndodhin vdekje, ngjallje, apo ringjallje ?!Rrofsh Inis ! E e bëre si burrat ! |