Home arrow Letėrsi arrow Histori e Letersise arrow Rrofsh Arian !...kliko ketu...
Rrofsh Arian !...kliko ketu...
Rrofsh Arian !

Edison Ypi 

Rrofsh Arian Selimi, rrofsh ! Ty shtatore nuk do të ngremë ! Mos pretendo aq tepër ! Nuk kemi flori ! Nuk kemi për dhjetorista flori, le më për shtatorista si ti ! Edhe atë flori që patëm ia vodhëm vetvetes !Nejse !Gjithsesi, për diçka do të të jemi përgjithmonë falënderues. Para disa ditësh na dhe rastin të mësojmë edhe një herë ku jemi me respektimin e "Të Drejtave të Njeriut" pas gjashtëmbëdhjetë vitesh Liri !Në shtetin demokratik policët janë shërbëtorët më të sjellshëm, më të kujdesshëm, më të vëmendshëm, më të dhymysshëm ndaj të gjithë të tjerëve. Këta "të dhymysshmit" duhej të të sillnin nga qelia e paraburgimit në gjykatë për një seancë gjyqësore, ku do të vendosej për marrjen e shenjave të gishtave të tu. Bukur deri këtu. Por çfarë ndodhi rrugës ?! Si mo si ?! Policët, ata dhjetë a katërmbëdhjetë ti nji, bënë një Akt-Padi' që i ke rrahur ti ?! Ou ! Po ne shpatullgjërët i pamë qiqërr ! I gjakosur ishe ti ! I rrahe, more gjakun e tyre, vetveten përlyve ?! Sa çudi sa çudi ! Apo të rrahën e të gjakosën ata ty dhe kundër teje bënë padi' ?! Dëgjo ore ! Se mos e kundërshton atë padi' dhjetë kundër nji se është rekord që ndodh vetëm në Shqipëri ! Pse të sollën cullak në gjykatë në tempullin e respektimit të ligjit, mor aman ?! Dhe kokën pse ta rruan si të Hamit Matianit ?! O Arian ! Po duket Tirana si Guantanama o burr' i dheut ! Edhe le të duket Tirana si Guantanama, se nuk janë edhe aq larg, por problemi është se të paraburgosurit nuk i kemi as kinezë as islamikë, por shqiptarë. Dhe s'kemi as ku t'i transferojmë. Se Amerika i dërgon në Shqipëri dhe Shqipëria i pranon. Por Shqipërisë kush ia pranon shqiptarët ?!Nejse përsëri !Dëgjo, ti Arian ! Dëgjoni edhe ju të tjerët që bëni sikur nuk dini dhe dërr-dërret nuk i ndalni; Je i paprekshëm ! Je absolutisht dhe rreptësisht i paprekshëm ! Pa dalë një vendim gjyqi që të të shpallë fajtor, je përsosmërisht si gjithë shqiptarët e tjerë, jashtë e brenda hekurave, për të cilët nuk ka vendim të tillë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjithçka tjetër, qoftë edhe pambarimisht e vogël, jashtë këtij pohimi është kriminale. Pra, kush të ka prekur ty ka bërë krim. Sigurisht edhe nëse ke bërë një apo s'ka rëndësi sa reagime ndaj policëve ! Po - po ! S'ka kurrgjë për t’u çuditur. Policët janë disa. I shoqëruari është një ! Policët janë të pajisur, të armatosur. I shoqëruari është duarlidhur, i papajisur, vetëm me prangat, si proletarët e Marksit. Nëse, pavarësisht nga çfarëdolloj rrethane, i shoqëruari shkakton ndonjë problem, për këtë krejt, krejt or krejt, përgjegjësia e jo vetëm përgjegjësia, por edhe turpi janë të policisë dhe të kurrkujt tjetër."Mund t'ua bëjmë jetën të pamundur keqbërësve, por, nëse do të vepronim kështu, do t'ua bënim të padurueshme të gjithë të tjerëve", ka thënë një polic i famshëm. Pse e ka thënë polici këtë ?! Pse kaq tolerant, kaq liberal ky polic ?! E ka thënë, madje jo vetëm e ka thënë, por edhe e ka bërë thjesht dhe vetëm, si thotë propulli, "Për të mos u djegur i njomi me të thatin". Vështruar pak më thellë, në një gjuhë më të saktë se sa ilustrimet bukolike që parapëlqen propulli, polici i famshëm ka holluar zërin për të tërhequr vëmendjen ndaj provokimit të precedentëve të rrezikshëm, të cilët, nëse mundësohen, me kalimin e kohës mund të bëhen mënyrë e gabuar e sjelljes ndaj keqbërjes në përgjithësi. E jo vetëm "mënyrë e gabuar" ! Nuk ka mënyrë të gabuar në kriminologji ! Kriminale po ! Pra, polici i famshëm, nga frika e kriminalizimit të antikrimit ka bërë atë, të cilën më lart e quajtëm "tolerancë" dhe "liberalizëm". Nga ky këndvështrim, që është i vetmi i vështrimit të problemeve të kësaj natyre në një vend demokratik, lejimi i keqtrajtimit tënd në paraburgim është më kriminal se sa krejt krimet që mund të kesh kryer ti, Arian, morpo edhe sikur Holandën, Amerikën, Italinë, Belgjikën, Anglinë, Suedinë, të gjashta së bashku t'i kesh furnizuar me drogë.Nejse përsëri e përsëri !Nuk je rasti i parë i antikrimit kriminal. Po të kujtoj dy raste jo fort të largëta në pikëpamje kohore me tëndin, por shumë të afërta në pikëpamje cilësore.Në zgjedhjet e fundit, përgjegjësi kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ministri i Brendshëm i asaj kohe, kishte vënë kandidaturën për deputet diku. Zgjedhjet vajtën "mir' e bukur" deri aty nga mbrëmja, kur ministri mori vesh se humbi. M'i vodhën votat !,- klithi ministri. Ai që duhej të ruante të mos vidheshin votat në krejt Shqipërinë, "nuk i ruajti dot" në zonën ku kishte kandiduar vetë !Tjetra; para disa muajsh një i urtë qyqar kishte rënë në një qesharak sherr. E morën në qeli e plasën. Një "serioz" polic e thirri ta pyeste. Nisi ta pyes. Qyqari, një t'ja rrëmbyer koburen policit, një t'ja plasur vetes m’u në tëmth. I urti qyqar, plus qesharak sherrin, mpleksur me serioz policin, erdhën e u bënë një tragjik fund.S'do mend se nga këto do të ndodhin ! Përderisa mbi atë mozaqikun mbi Muzeun Kombëtar nga trembëdhjetë tipa dhe tipe, vetëm dy, njëri që duket si Naim Frashëri dhe ai proletari me xhaketë supit, nuk kuptohet pse i kanë lënë të paarmatosur. E meqenëse iu kthyem mozaqikut, të prehemi edhe pak mbi të. Ato cilësimet paraprake të atyre tre femrave, pse iu duken të tepruara disa namuzqarëve ?! Fastivali i këngës Evropiane sapo mbaroi. E fitoi një grup finlandez. Krejt grupi ishin mbështjellë me lëkura dhe maska si djaj, si vampirë. A i ka vajtur në mendje ndonjë finlandezi të thotë se grupi ka bërë paraqitje jo të mirë të Finlandës dhe finlandezëve, se Finlanda nuk është vend frankenshtajnash dhe finlandezët nuk janë vampirë ?! Më kupton ?! Këta namuzqarët tanë nuk e kanë idenë e filtrit artistik dhe ia fusin kot fare ! Këta nuk kuptojnë se vampirë kaluar vampirave janë ata të armatorurit e mozaqikut.Megjithatë, le të besojmë se prindërit vërtet seriozë, të cilët u shqetësuan në lidhje me “ç’edukimin” e fëmijëve të tyre nga ato dy minuta video-porno, të kenë nisur ta marrin veten duke kuptuar se edukimin sistematik të themeltë të fëmijës nuk e shkatërron kurrgjë. Le të besojmë edhe se të tjerët prindër të kenë nisur të kuptojnë, sipas radhës dhe rëndësisë, rreziqet e tyre së pari, pastaj të fëmijëve.Ndërkohë që mendohen prindërit, unë merakliu i pashërueshëm i video-audio-orgjive pornologjike natyrore autentike, po bëj tjetër gjë. Po shoh e dëgjoj video-audio-orgji-pornologjinë më të bukur në botë; Bishtpërdredhura Qaf' Thana në mes. Nga pas liqeri ëndërrtari. Përpara i vrazhdëti Pishkashi. Qafë-Thanës mezi pret t'ia zëri vendin Gramozi. Liqerit Valamara. Pishkashit Karavastaja. Këto atje ku erërat e lodhura të Mokrës valëvitin flamujt e përgjakur të luftës së mundimshme të dashurisë kundër urrejtjes mbi fushën e Domozdovës

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.