Home arrow Letėrsi arrow Histori e Letersise arrow Per Kadarene -Detari...Kliko ketu...
Per Kadarene -Detari...Kliko ketu...
Lehtesia e paperballueshme e mistifikimit.

Miq te nderuar,

Kam kenaqesine t'i u percjell ketu me poshte, nje analize mjaft objektive dhe teper interesante, jo vetem per nga stili terheqes dhe i sakte i te shkruarit por, mbi te gjitha, per nga thellesia e mendimit dhe argumentimi i fenomeneve qe trajton. Shkrimi, ve theksin mbi pozicionin e rolin e vepres dhe personalitetit te shkrimtarit ne shoqerine para e pas totalitare, si edhe per reaksionet e ankthet e shoqerise se sotme lidhur me te kaluaren e te sotmen e saj, sidomos ne fushen e kultures dhe identitetit te saj. Analiza ne fjale eshte shkruar nga studjuesi dhe analisti i njohur Ardian Vehbiu.Ky shkrim publikohet me lejen e marre nga vete autori.

SIMBAD

----------------------------------------------- 

LEHTËSIA E PAPËRBALLUESHME E MISTIFIKIMIT-

Ismail Kadareja në tregun global të maskave - Temës së shkrimtarit nën totalitarizëm të gjithë duan t’i kthehen: lexuesit e vjetër, për t’u gërmuar rrënjët veprave; shkrimtari vetë, në momente krizash autobiografike; lexuesit e rinj, për të zbuluar në veprat çka u dëshiron e bardha zemër. Kombet e vogla post-totalitare, nga ana e tyre, priren t’i përdorin autorët e vet emblematikë si orakuj ose autoritete morale, e përveç fjalës së shkruar, t’u mbajnë vesh edhe zërin në tribunat e piedestalet e vëmendjes publike – siç po e përjetojnë këtë shqiptarët përditë me Ismail Kadarenë, tanimë të shndërruar në timonier virtual të kalimit nga diktatura në “demokraci”. Ky transfigurim ndoshta është i natyrshëm e pritej, por me siguri nuk i shërben letërsisë, leximit të veprës ekzistuese dhe konceptimit të veprës së re. Shkrimtari i madh është i tillë për ç’ka shkruar, jo vetvetiu për figurën që i paraqet publikut. Mediat nga ana e tyre janë të etura të sendërgjojnë personazhe me një këmbë në jetën reale e një këmbë tjetër në fantazitë më irracionale e primitive të publikut viktimë; dhe nuk tregojnë ndonjëherë mëshirë për institucionet kombëtare, qofshin edhe njerëz prej mishi e kocke. Rreziku më i madh, në këtë rast, është që shkrimtari të vijë e të posedohet prej kostumit ose uniformës që duan t’i veshin studiot televizive, ose ta shohë veten gjithnjë me makiazhin e trashë e të nevojshëm për kamerat. Ismail Kadaresë vitet post-totalitare i dhuruan njëkohësisht lavdi e njohje planetare nga njëra anë, sulme të shfrenuara e shpesh të papërligjura nga ana tjetër. Nëse për milionat e lexuesve në botën mbarë ai emër mbetet edhe sot etiketë e një kontributi letrar të meritueshëm, një numër detraktorësh shqiptarë veprën pothuajse ia kanë kaluar tashmë në hije, për t’u përqendruar në hollësi të jetës publike të shkrimtarit nën totalitarizëm dhe të raporteve të tij me Enver Hoxhën e regjimin komunist në përgjithësi. Këta detraktorë, të frymëzuar prej gjithfarëlloj motivesh ndonjëherë meskine e ndonjëherë rreptësisht etike, duan t’ia shndërrojnë Kadaresë jetëshkrimin në një vepër të posaçme, të cilën ta sulmojnë pastaj sipas dëshirës e midesë. Sulmet e fundit Kadaresë i vijnë prej Stephen Schwartz, kritik amerikan me një profil biografik sa kaleidoskopik, aq edhe të parëndësishëm; por që po tregon interes të pazakontë për çështje të kulturës shqiptare e të kalimtarisë prej komunizmit në post-komunizëm. Duke iu bashkuar një kori të zhurmshëm, Schwartz e quan të padenjë çmimin Man Booker International që sipas tij nuk iu dashkësh dhënë një “mashtruesi komunist”, bashkëpunëtor aktiv i diktaturës në Shqipëri, duke i shërbyer propagandës komuniste me veprën dhe regjimit me veprimtarinë e vet publike aso kohe. Megjithatë, e ndryshe nga të tjerë komentatorë që kanë përdorur ad nauseam argumentet e Schwartz, ky i fundit i kërren artikujt e vet në revista të mëdha e të njohura në Perëndim, duke ua paragjykuar leximin romaneve kadarejane që tanimë po përkthehen varg në anglishte. Kritikat e llojit biografik nisen në thelb nga pyetja nëse Kadareja ka qenë apo jo disident nën komunizëm; duke iu kundërvënë të gjithë atyre që e paraqitin shkrimtarin si hero e martir të qëndresës ndaj shtypjes policore dhe asfiksimit të fjalës së lirë, e duke u përpjekur të vërtetojnë të kundërtën, ose pikërisht që Kadareja në mos e ka përfaqësuar, të paktën e ka mishëruar diktaturën – si përjashtim që vërtetonte rregullin, sukses gatuar e pompuar prej shërbimeve të fshehta, mik intim i Enver Hoxhës dhe i familjes së tij, eksponent i nomenklaturës komuniste. Relevanca letrare e një debati të tillë lidhet me natyrën e letërsisë që Kadareja vetë krijoi nën totalitarizëm dhe me leximin që i duhet dhënë sot asaj vepre, në rrethanat kur totalitarizmi nuk është më faktor veprues në jetën e lexuesve përkatës.  Kush kërkon t’i japë përnjimend përgjigje çështjes kaq të koklavitur të disidencës kadarejane, harron se kjo është sajuar në kontekste paraletrare; prej të gjithë atyre kritikëve e dashamirësve të shumtë të shkrimtarit që kanë kërkuar t’ia prezantojnë veprën në mënyrë sa më tërheqëse për publikun perëndimor. Kjo lidhet drejtpërdrejt me mitin e shkrimtarit disident nga Lindja, që rëndom vërtitet në qarqet elitare të lexuesve në Perëndim, ushqyer prej bindjes në thelb naive se vlerat e një vepre letrare botuar nën diktaturë varen fund e krye nga natyra subversive politike e kësaj vepre. Nëse edhe çmimi Man Booker International iu dha Kadaresë në bazë kësi kriteresh jashtëletrare, atëherë detraktorët do të kishin të drejtë – meqë ta titullosh shkrimtarin tonë si disident, do të thotë jo vetëm të fyesh të gjithë ata artistë që përnjimend u janë kundërvënë regjimeve totalitare në botën mbarë duke e paguar shtrenjtë rebelimin, por edhe t’ia mistifikosh veprën Kadaresë vetë.  Kur vjen fjala për letërsi të mirëfilltë, një vepër ka po aq lexime sa edhe lexues; dhe detyra e kritikës letrare është, ndër të tjera, të tentojë njëfarë katalogimi ose kategorizimi të këtyre leximeve, për t’iu përafruar atij funksioni tekstual që Umberto Eco e ka quajtur “intentio lectoris”, ose krijim të lexuesit nga vepra. Pritja e romaneve të Kadaresë nga publiku anglo-sakson i shekullit XXI nuk ka shumë pika takimi me përjetimin e së njëjtës vepër nga lexuesi shqiptar i periudhës totalitare. Kritika komerciale vetvetiu që kërkon ta orientojë lexuesin perëndimor drejt leximit alegorik të veprës kadarejane si manifest anti-totalitar; por vetë pikturimi i shkrimtarit shqiptar si disident ose “viktimë” e regjimit është, në thelb, kundërprodhues; pavarësisht nga dosja K, pohimet autobiografike të shkrimtarit vetë, rrëfimet e dashamirësve të tij, dhe roli objektiv i letërsisë kadarejane nën totalitarizëm, si alternativë ndaj shkretëtirës kulturore të komunizmit.  Pesëmbëdhjetë vjetët e fundit kanë qenë të furtunshme për Kadarenë, aq pranë çmimit Nobel për letërsi dhe njëkohësisht i sulmuar si rrallë ndonjëherë, ndoshta pikërisht për arsye të suksesit global. Sikurse ndodh rëndom edhe me shkrimtarë të tjerë të këtij kalibri, triumfi ose përfshirja në tregjet kulturore globale të planetit koinciduan me një farë krize prodhimtarie, po të gjykohet nga niveli i veprave që Kadareja ka botuar rishtas e që artistikisht u mbeten larg romaneve të mëdha shkruar në vitet 70-80. Schwartz e ka relativisht të lehtë të hedhë baltë, bie fjala, mbi “Pasardhësin”, meqë ky roman nuk i imponohet dot lexuesit me forcë artistike por më tepër funksionon si hije inerciale e Kadaresë së mëparshëm.  Figurës së Kadaresë disident ashtu siç po i shitet publikut në Perëndim i përgjigjet ndër shqiptarë personazhi mediatik i profetit, kryepriftit e autoritetit moral; një mistifikim ky që, në raste të skajshme, rrezikon ta shndërrojë shkrimtarin në ikonë dogmatike ose kujdestar honoris causa të panteonit kombëtarist. Kadareja vetë, me praninë e vet publike tashmë të përhershme në mediat, nuk duket ta ketë përballuar dot trysninë për një travesti të tillë, por ka hyrë në kompromise me manipulatorët e opinionit, duke e pranuar rolin e titullarit sublim të së vërtetës historike “kombëtare”. Për kë është mësuar të kërkojë në fjalën kadarejane mesazhin subversiv, ose marrjen në pyetje të ekzistueses; denoncimin e banalitetit dhe autopsinë e Leviatanit të shtetit; ose përjetimin e përmasës sublime si bashkudhëtare të së përditshmes, kjo travesti nuk mund të sjellë veçse trishtim.  Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin; si në Shqipëri ashtu edhe në Perëndim, kritika dhe mediat kanë hyrë në një garë sa agresive aq edhe absurde për ta zëvendësuar veprën e Kadaresë me kitschin e jetës së tij private dhe veprimtarisë së tij publike si qytetar; dhe për ta shndërruar shkrimtarin në personazhin kryesor të romaneve të veta, duke përfshirë edhe arki-romanin biografik. Është triviale të flasësh për Kadarenë anëtar të Partisë së Punës, deputet të Kuvendit Popullor, nënkryetar të Frontit Demokratik e të nxjerrësh përfundimin se ky njeri ka qenë praktikisht eksponent i totalitarizmit të Enver Hoxhës; sikurse është njëlloj triviale të peshkosh në arkiva akuza e denoncime gjithfarësh që mund t’i jenë bërë nga armiqtë që i ka pasur (dhe i ka) të shumtë e të palodhur. Një zhurmë e tillë mediatike, për fat të keq, e zhvendos vëmendjen nga çka duhej të mbetej temë themelore e çdo debati mirëfilli kritik rreth fenomenit Kadare në letërsinë shqiptare dhe botërore – vepra letrare e shkrimtarit. Letërsia shkruar dhe botuar nën totalitarizëm mund të ketë qenë motivuar nga besimi i sinqertë në komunizëm; adhurimi për diktatorin; urrejtja për “armikun e klasës”; nevoja për të inxhinieruar shpirtrat njerëzorë; vullneti për shëlbesë e kështu me radhë. Vepra kadarejane, para se të jetë denoncim i terrorit policor siç e duan disa ose përligjje e atij terrori siç e duan disa të tjerë, është monument i përpjekjeve – të shkrimtarit, të lexuesit, dhe të shqiptarit vetë – për mbijetesë në rrethanat ndalimtare të tmerrit totalitar. Duke e quajtur Kadarenë “mashtrues komunist”, Schwartz provon se nuk ka kuptuar absolutisht asgjë nga natyra e regjimit në Shqipërinë totalitare dhe nga vepra letrare e Kadaresë vetë, çka është katastrofike për dikë që e pikturon veten si kritik radikal.  Proza e Kadaresë shtjellohet rreth enigmës madhore të pushtetit politik, sa kohë që romanet rregullisht i popullohen nga një kohortë komandantësh, gjeneralësh, sulltanësh, sekretarësh të parë, pashallarësh, ambasadorësh, të dërguarish, gjeneralësh, krerësh e në përgjithësi sundimtarësh jetërsuar pikërisht prej pushtetit të pakufishëm. Etosi elitist i kësaj proze, nëse përnjimend ekziston, themelohet mbi imperativin për të dalluar thelbësoren nga trivialja në histori, tragjiken nga banalja. Pavarësisht prej këtij obsesioni ndaj pushtetit, Kadareja nuk i përcjell lexuesit ndonjë adhurim për autoritetin, por dramën që i bashkëlidhet, duke prodhuar një letërsi shekspiriane si ripërjetim i tmerrit totalitar në përmasën e fantazisë historike, mitike e të legjendës. Jo metafizike, si Kafka, as filozofike si Borges, as ludike si Calvino, por një sublimim të admirueshëm të tmerrit të individit përballë kërcënimit policor të shtetit.  Ky tipar unik e lejon veprën kadarejane t’i mbijetojë kolapsit komunist në Lindje dhe implikimeve të Kadaresë qytetar me pushtetin e asaj kohe; pse e shndërron atë vepër në një pasqyrë unike të shpirtit njerëzor e të shqiptarit në veçanti, në një mjedis sunduar, madje modeluar prej dhunës totalitare, ku heroizmi shpesh gjente shprehje në përpjekjet e përditshme për t’ia ruajtur jetës me thonj e me dhëmbë përmasën normale. Letërsisë ndoshta i kishte munguar një sublimim kaq i përkryer i frikës përballë terrorit brutal të shtetit; ose përjetimit të ulërimave të viktimave si heshtje; dhe nëse një kumt i tillë i mbërrin kulturës së përbotshme prej Shqipërie, kjo na jep të gjithëve një arsye madhore, në mos të mjaftueshme, për t’u krenuar si bashkëkohës e bashkëqytetarë të shkrimtarit Ismail Kadare.

  Ardian Vehbiu 

[Botuar fillimisht në “Bota Shqiptare”, gazetë e shqiptarëve në Itali, Romë, 9 maj 2006, dhe më pas në “Shqip”, Tiranë, 19 maj 2006.]  

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.