Home arrow Letėrsi arrow Histori e Letersise arrow Visar Zhiti....kliko ketu...
Visar Zhiti....kliko ketu...
Kadare dhe Qose së bashku krijojnë identitetin tonë

 

Intervista/Flet shkrimtari i njohur Visar Zhiti

Polemika Qose-Kadare nuk është vetëm sprovë apo premisë për të njohur vetveten. Për shkrimtarin e njohur Visar Zhiti, dy njerëzit e letrave shqipe, krijojnë së bashku identitetin tonë kombëtar, për të cilin ata debatojnë. Madje edhe ato shpimet e penave me mllef alla shqiptarçe, që Visar Zhiti na këshillon të mos merremi me to, janë dritëhijet e këtij identiteti pa të cilat ne nuk mund të jemi ndryshe. "Ato le të bien si pema që rrëzon lulet e tepërta dhe ne të merremi me thellësinë e debatit", thotë shkrimtari, jeta e të cilit është një metaforë e historisë së kombit tonë. Duke e ndjerë vetën një gur në mozaikun e identitetit shqiptar, në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", ai tregon këndvështrimin e tij për këtë debat.
 Si e vlerësoni polemikën Kadare-Qosja?

 Polemikat gjithmonë janë të mira. Janë si ato përplasjet e reve që nxjerrin një vetëtimë, dhe gjithmonë mendjet e njerëzve kanë nevojë për ndriçim. Ne kemi nevojë për të njohur vetveten, duke njohur vetveten do të njohim tjetrin, duke njohur tjetrin, njohim vetveten dhe njëkohësisht dalim tek kolektiviteti. Kolektiviteti i një shoqërie janë individët dhe ajo bashkësi individësh, që kanë karakteristikat e përbashkëta. Mënyra se si vështrojnë jetën, realitetin apo fatin e përbashkët, bën një kolektivitet, një nocion, një komb. Gjithsesi ne duhet të dimë kush jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë. I quaj të nevojshme këto. Nuk quaj të nevojshme kalimin e caqeve, sherrnajën, inatet e hershme. Përplasja e mendimeve është një mrekulli, jemi vërtet vend me mendime.
 Cili është mendimi juaj për identitetin tonë kombëtar?

Kuptohet, nuk është puna se duhen mendime individuale. Duhet pranuar ajo çfarë kemi të përbashkët. Jemi shqiptarë, kemi një gjuhë, kemi një gjeografi, por ama edhe një gjeografi shpirtërore, kemi besimet tona, kemi imazhin tonë për të ardhmen. Kur them, kemi besimet, e kam fjalën për besimin tek vetvetja, tek njeriu dhe tek Zoti. Për fat të gjithë ata që besojnë në Zot, pranojnë një Zot. Njerëzit janë të lirë për mënyrën sesi i falen këtij Zoti: në mënyrë myslimane apo në mënyrë katolike. Ky nuk duhet të jetë shkak i përçarjes apo i ndarjes, përkundrazi feja është apel për të qenë bashkë. Dhe mendoj se kjo nuk është pronë e një apo e dy vetave, por është pronë e të gjithëve, sepse të gjithë jemi një gur në mozaikun e identitetit kombëtar, por aq më tepër janë shkrimtarët dhe artistët ata që e bëjnë këtë identitet. Nuk do të kishim identitet italian pa Danten.
Ju përmendët gjeografinë e cila është një nga argumentet kryesore të Kadaresë në sprovën "Identiteti evropian i shqiptarëve", ndërkohë

Qosja nga ana tjetër ka paraqitur "Gjeografinë e lëvizshme"....
Vendosja gjeografike është trualli i përbashkët i këtyre njerëzve. Por edhe identiteti lëviz, dhe kjo s'ka pse t'i trembë njerëzit apo atë kolektivitet, por janë mënyrat e ekzistencës në kuptimin e mirë. Pra edhe gjeografia ndryshon, edhe identiteti pasurohet, apo braktis diçka të panevojshme.
Në tërësinë e argumenteve që japin Kadareja dhe Qosja, ku e gjeni veten?
Nuk është hera e parë për Kadarenë që merret me një çështje të tillë. Ai është marrë herë pas here. Do të thosha se ai bën një punë të madhe dhe të rëndësishme në këtë lëmë. Jo vetëm që hedh dritë mbi identitetin shqiptar, por është një nga kolonat e këtij identiteti sot, dhe kuptohet e ndjej dhe e mbështes si qytetar për tendencën e tij për një Shqipëri evropiane, e cila nuk është më një aspiratë por është një realitet. Nëse shfletojmë historinë tonë të Mesjetës apo Rilindjen Evropiane, do të shikojmë se Shqipëria ka qenë shumë e lidhur me Evropën. Ka qenë pjesë e saj dhe sot po të kujtojmë atë që e di çdo fëmijë shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, ku edhe akademia jonë e trajton si një kryengritës të madh kundra pushtuesit turk, ku bota e sheh si luftëtar të qytetërimit perëndimor. Ai që në atë kohë ka qenë pararojë e Evropës së Bashkuar. Ky fakt nuk është mendimi im, sepse s'do të guxoja ta thosha, por në Itali sot Skënderbeu shihet si pararendës i Evropës së Bashkuar. Pra ne kemi një backround të tillë evropian, të cilin nuk duhet ta humbim, por duhet ta pasurojmë. Kjo nuk duhet të na bëjë të rrëzojmë vlerat apo ndikimet që kemi marrë nga kahet e tjera, nga Perëndimi po e po, por edhe nga Lindja. Të gjitha virtytet që janë njerëzore që i vlejnë shoqërisë, të gjitha dijet, ato përkundrazi duhet të bëhen pasuri e përbashkët e një kombi dhe e njerëzimit në përgjithësi. Studiuesi Rexhep Qosja ka merita të mëdha në krijimin e identitetit kombëtar shqiptar, në zbulimin e tij. Kjo ndoshta ka bërë që ai të krijojë një farë korace dhe të mos pranojë më shumë se aq. Pra të krijojë një lloj konservatorizmi në prirjet e veta dhe një lloj përuljeje ndaj fesë që ai beson. Kurse Kadareja është më i çlirët, më i hapur, më evropian, më perëndimor dhe më i domosdoshëm. Por që të dy së bashku krijojnë identitetin tonë, dritëhijet e këtij identiteti pa të cilat ne nuk mund të jemi ndryshe.
Mendime të ndryshme kanë dy mendimtarët, në lidhje me bejtexhinjtë.

 Cili është sipas jush roli i tyre në identitetin kombëtar?
Bejtexhinjtë kanë meritën që shkruan bejte dhe kënduan nën dritën e qiririt. Pra treguan forcë shpirtërore të këtij kombi që nuk dëshironin të shuhej. Por dihet, bejtexhinjtë janë të mbytur me barbarizma dhe u desh të vijë Naim Frashëri që të ribëjë gjuhën shqipe, njëkohësisht të ribëjë Shqipërinë si ëndërr. Pra, nëse ata janë grimca identiteti, Naim Frashëri është mali i këtij identiteti. Unë besoj tek Naimi. Kuptohet nuk i rëndoj, por i pranoj se janë pjesë e historisë shpirtërore.
Ju jeni marrë me figurën e Nënë Terezës. Si e vlerësoni interpretimin e figurës së saj në këtë polemikë?
Më dëshpëron shumë keqkuptimi që bëhet me ikonën e saj. Nënë Tereza është një figurë universale. Është një frymëzuese, jo thjesht një bamirëse, por frymëzuese e mirësisë. Jo më kot, bota e ka quajtur investitoren e dashurisë, apo ajo që donte t'i jepte kuptim jetës dhe vdekjes së njeriut. Pra në një farë mënyre është një mrekulli dhe e bën fatlum atë popull që e ka nxjerrë. Ajo duke qenë figurë e botës, pra gruaja më e njohur e planetit, nuk e zvogëlon figurën e saj duke thënë se është shqiptare. Unë nuk po them se ajo bëhet më e madhe duke thënë se është shqiptare. Unë e them me guxim, se ndoshta Nënë Tereza nuk ka shumë nevojë për Shqipërinë, por është Shqipëria ajo që ka nevojë për Nënë Terezën. Një pjesë e kanë kuptuar dhe e duan, e ardhmja do e kuptojë më mirë. Ata që e shikojnë si thjesht një misionare katolike, gabohen. Ata që ngrenë zërin dhe thonë ç'ka bërë Nënë Tereza për Shqipërinë, gabohen përsëri. Ishte Shqipëria ajo që s'bënte për Nënë Terezën, që nuk ia hapte dyert. Ajo ka trokitur disa herë, dhe në momentet kulmore të jetës së saj, si kur ka marrë çmimin "Nobël", apo herët e tjera, ajo ka thënë që jam shqiptare nga gjaku e origjina. Pra e ka ditur vlerën e identitetit, të njeriut që vjen nga diku. Pra, e ka pohuar dhe e ka thënë, kurse Shqipëria i mbyllte dyert dhe e mbulonte me harrim dhe me fyerje. Dhe në moshën e saj të thyer kur qiriri i jetës së saj po shuhej, Shqipëria e kuptoi dhe pati nevojë për dritën e saj, dhe ajo e solli këtë dritë. E solli këtë dritë, por ishte vonë për ne. Por prapë ajo bëri shumë. Kush nuk e sheh, është faji i verbërisë së tij. Nënë Tereza herë pas here ka thënë: Më mirë të ndezim një qiri, sesa të mallkojmë errësirën.
Ka zëra që thonë se Kadareja e ka bërë këtë sprovë për të ndihmuar vendin tonë, për t'u integruar në Bashkim Evropian dhe se ajo çfarë shkruan është më shumë dëshirë e tij sesa një studim realist..
Patjetër që është dëshirë. Pa dëshirë nuk bëhen gjërat. Por Kadareja që në vjershën e tij të parë ishte pjesë e artit evropian, pjesë e Evropës. Madje kur në rininë e tij të hershme është botuar dhe përkthyer në gjuhën ruse, në parathënie është kjo kritikë për të: që vështrimi i Kadaresë dhe ndikimet e tij janë nga letërsia perëndimore. Por mund të themi që Kadareja nuk është një studiues si një rastësi, por është një sintezë e aspiratës, e shpirtit të kombit që e nxjerr.
Shpeshherë polemikat midis Kadaresë dhe Qoses janë shtrirë edhe në planin personal. A krijon kjo subjektivizëm në trajtimin e çështjes?
Ato kanë edhe subjektivizëm, kanë edhe mllef, kanë edhe si të thuash, po të përdorim një gjuhë ordinere "larje hesapesh të hershme", d.m.th mërira. Por qoftë medias, qoftë qytetarëve duhet t'u interesojë thellësia e këtij debati. Ato le të bien pastaj si pema që rrëzon lulet e tepërta dhe bën fruta një pjesë të tyre.
  

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.