Home Letėrsi Histori e Letersise Dergoi S.Detari...kliko ketu...
|
|
Dergoi S.Detari...kliko ketu... |
|
Gjyqet e Kadaresë
Një nga format themelore të debatit kulturor ndërshqiptar pas vitit 1990 ka padyshim të bëjë me kundërvënien sa gjeografike, aq edhe simbolike midis Veriut dhe Jugut ose gegëve dhe toskëve – të përthyer në gjuhësi, letërsi, histori, etnografi, antropologji dhe statistika përqindjesh të përbërjes së elitave kombëtare. Persekutimi i pamëshirshëm i kulturës katolike gege nga ana e regjimit totalitar të Enver Hoxhës tanimë është përshkruar e diskutuar gjallërisht, falë edhe rrëfimeve ngjethëse të viktimave që kanë mbetur gjallë dhe sidomos prestigjit të mrekullueshëm të asaj kulture që i mbijetoi dhunës. Në këtë konteks është vënë në dukje edhe padresjtësia e madhe historike që iu bë varinatit letrar verior të Buzukut, Bogdanit, Jubanit, Mjedës, Fishtës, Migjenit e Koliqit, që nga momenti kur përdorimi i tij përkrah standartit gjuhësor u ndalua praktikisht me ligj prej regjimit. Disa kritikë, gjuhëtarë e kulturologë shkojnë deri atje sa normëzimin e gjuhës, ndalimin e përdorimit të gegërishtes letrare dhe përndjekjen policore të katolicizmit shqiptar, t'i marrin për anë të ndryshme të të njejtit krim të shëmtuar kundër integritetit kombëtar. Qëndrimet revizioniste të skajshme ndaj çeshtjes së standartit gjuhësor të shqipes janë të njohura prej kohësh, edhe ngase qarkullojnë kryesisht në periferitë e debateve kulturore; atje ku pasioni militant bashkjeton bukurisht me provincializmin e kulluar dhe folklorizmi kitsch e me diletantizmin shqeto. Element i ri në këtë diskutim, përkundrazi, është inskenimi i problemit nga ana e disa analistëve, brenda dramës madhore të diskriminimit politik dhe kulturor që u qenka bërë shqiptarëve gegë nga shqiptarët toskë gjatë pesëdhjetë viteve të fundit dhe veçanërisht prej regjimit komunist. Kjo tezë në thelb provokuese po vërtetohet shumë tërheqëse jo vetëm për turmat e ngeshme të kafeneve të Shqipërisë së Veriut e të Kosovës, por edhe për forca kulturore të caktuara, të cilat duhet ta synojnë për ta kalëruar, teksa natyrshëm ngarendin drejt pushtetit qoftë dhe vetëm kulturor. Grupe të ndryshme me orjentim kulturor katolik konservativ, në Shqipëri e në diasporë, e kanë përqafuar pa ngurrim; por edhe organe që priren ndaj qëndrimeve kulturore alternative, të tilla si “Java” e Migjen Kelmendit, që botohet në Prishtinë. Janë pikërisht këta kryqtarë të kauzës gegërishte që i janë vërsulur, kohët e fundit, shkrimtarit Ismail Kadare dhe krejt kulturës, që, në një mënyrë ose në një tjetër, i referohet kësaj figure qëndrore të shqiptarisë. Arsyeja që sulmet kundër Kadaresë janë integruar në këtë lëvizje, në thelb revanshiste e gjithsesi radikale ka të bëjë drejtpërdrejti me peshën e veprës së këtij autori në përvijimin e një kulture shqiptare mbarëkombëtare që i referohet lexuesit shqiptar si të tillë përtej përkatësive të tij gjeografike, dialektore dhe krahinore; çka mundi të ndodhte vetëm pas përftimit të shqipes letrare standart dhe konsolidimit të kodeve të saj brenda binomit lexues-shkrimtar. Në krye të një grupi shkrimtarësh dhe dhe përkthyesish aktivë gjatë viteve '60-'80, Kadareja ishte ndër të parët që e konceptoi dhe shtjelloi veprën e vet letrare brenda standartit, çka ishte njëkohësisht edhe një orvatje vendimtare për t'i dhënë këtij standarti legjitimim dhe substancë. Pavarësisht nga insinuatat e ngushta dhe provinciale të detraktorëve të tij dhe shakaxhinjve të estradave sot, Kadareja ishte dhe mbetet shkrimtar shqiptar mbikrahinor njëlloj siç e ndjen veten shqiptar lexuesi i tij, pavarësisht nëse është lezhian, skraparlli, gjakovar apo ulqinak nga prejardhja; çka nuk u shkon askap për shtat atyre që në dallimet dhe kundërvëniet krahinore po gjejnë tani me të madhe identitetin e tyre publik. Pavarësisht nga të metat objektive dhe subjektive të standartit gjuhësor të vitit 1972, pavarësisht nga genocidi kulturor ndaj katolicizmit gegë dhe komponentes katolike në kulturën shqiptare, vepra e Kadaresë është edhe sot e kësaj dite provë e gjallë e ekzistencës së një kulture shqiptare urbane dhe të stërholluar, themeluar përtej dallimeve krahinore dhe kundërvënieve arkaike gjeokulturore në Shqipërinë e madje shqiptarinë e traditës. Natyrisht, nuk ka gjë më të lehtë se të sulmosh një figurë publike, aq më tepër kur është fjala, si në rastin e Kadaresë, për një autor të konsideruar herë si poet të oborrit të Enver Hoxhës e herë si më të madhin e disidentëve antikomunistë; herë si apologjet të totalitarizmit shqiptar, e herë si diskreditues të këtij totalitarizmi; herë si flamur i Shqipërisë post-totalitare, e herë si pikë referimi e bajrak i Shqipërisë së vjetër, komuniste e proletare. Një shkrimtar aq prodhimtar si Kadareja, që ia doli të mbijetojë për më shumë se tridhjetë vjet nën totalitarizëm pa reshtur së komunikuari me lexuesin e vet, i ka thënë tanimë të gjitha dhe të kundërtat e tyre. Edhe më tej ndërlikohet kjo nga veprimtaria publike e Kadaresë intelektual, të angazhuar, shpesh hapur e me të gjithë peshën e autoritetit që i jep emri në debate kulturore e politike nga më të ndryshmit dhe sidomos nga qëndrimet e skajshme të të gjithë atyre që i janë bashkëngjitur zellshëm shkrimtarit vitet e fundit duke u deklaruar e përbetuar si kadarejanë. Është gjithnjë e nevojshme të dallohet midis Kadaresë autor të veprës së vet letrare, Kadaresë person real e figurë publike dhe Kadaresë tashmë mit e gjysëmperëndi të ngjizur në vetëdijen kolektive të adhuruesve të tij e të skulpturuar për së gjalli në panteonin e kulturës kombëtare; sidomos ngaqë edhe shkrimtari vetë, ndonjëherë, duket sikur nuk arrin ta bëjë këtë dallim. Siç mund të pritej, konfuzioni në perceptim është shfrytëzuar regullisht prej detraktorëve, të cilët duan t'ia rrëzojnë kadaresë veprën duke ia përqeshur mitin, ose duke ia përfolur ndonjëherë rëndë qëndrimet publike. Vepra e Kadaresë do mbrojtur kështu edhe prej sulmeve shpesh demagogjike dhe manipulimeve të kritikëve të tij të parimtë e të paparim, edhe prej mykjes që i kërcënahet brenda zhguallit të florinjtë të mitit kadarejan, ose rrezikut për të përfunduar e kontrolluar prej priftërinjve të kultit Kadare. Të dyja palët, shpesh, obsesionohen me çikërrima të jetës private ose vepra publicistike minore e ndonjëherë mediokre të shkrimtarit, çka do t'i shërbente fare mirë, paradoksalisht, errësimit të asaj çka Kadareja u ka sjellë në thelb shqiptarëve dhe botës mbarë. Në të vërtetë romane si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, “Pashallëqet e mëdha”, “Koncerti”, “Viti i mbrapshtë”, “prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Piramida”, jo vetëm krijuan lexuesin shqptar modern, por edhe i bënë vend Shqipërisë në hartën e kulturës botërore për herë të parë në histori. Ka një lidhje absolutisht domethënënse midis këtyre dy arritjeve, në kuptimin që vetëm një letërsi mbikrahinore, ose e ngjizur brenda një konteksti mbarëkombëtar mund të synonte e të arrinte një leximtari të përbotëshme. Përkrahja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë që mund t'i jetë dhënë Kadaresë nga regjimi i Hoxhës, miqtë francezë të diktatorit dhe makinacionet diplomatike të fshehta e të pafshehta të asaj kohe nuk ngrenë kurrëfarë peshe në vlerësimin kulturor të dukurisë Kadare në vetvete dhe të kontributit të veprës së shkrimtarit në letërsinë shqipe dhe botërore të shekullit XX. Përkundrazi, që Kadareja e krijoi veprën e vet brenda një kontiniumi mbidialektor – duke pasur në mendje lexuesin e qytetëruar e urban cilësisht të ndryshëm e e një shkallë më lart nga lexuesi krahinor, të themi i Fishtës ose i Çajupit – kjo luajti një rol padyshim vendimtar në kristalizimin e këtij suksesi të pashoq. Shumë prej denoncuesve të sotëm të primatit tosk në historinë moderne të Shqipërisë dhe të padrejtësive që ua janë bërë gegëve, të paktën që nga Lufta e Dytë e këtej, nuk e kuptojnë që problemi i mirëfilltë për historianët duhet të ishte jo arbitrariteti i imponimit të toskërishtes letrare si standart gjuhësor në Shipëri (e Kosovë) por vetë dominimi i elitave shqiptare të Pasluftës prej elementit tosk e në përgjithësi jugor. Vizioni i një Shqipërie të ndarë më dysh, midis një Jugu prokomunist dhe një Veriu antikomunist është tepër i thjeshtuar dhe nuk i përgjigjet aspak realitetit historik të kohës. ndoshta më e saktë do të ishte të thuhej se ndarja ishte mes një Jugu ku të ardhmet e mundëshme të Shqipërisë - kumunizmi dhe nacianolizmi i “Ballit” – kacafyteshin mes tyre dhe një Veriu që parapëlqente pasivitetin në mos bashkëpunimin oportunist me këdo qëllonte të ishte në pushtet. Megjithatë, historianëve do t'u duhet të shpiegojnë më hollësiht se ç'kanë bërë deri më sot, arsyet pse, të paktën që nga 1912-a e këtej Jugu i Shqipërisë është treguar më aktiv sesa veriu në çdo aspekt të jetës së Shqipërisë së pavarur: ekonomi, kulturë, palitikë. Situata e krijuar në vend gjatë Luftës së II Botërore u dha elitave toske mundësinë të prononcoheshin përfundimisht në krye të shtetit, në një kohë që gegët, e sidomos katolikët gegë, shpejt e papërgatitur, e panë veten në krahun e humbësve. Nëse mizoria me të cilë e shtrinë komunistët pushtetin e tyre në Veri të Shqipërisë ishte si të thuash markë tregtare e totalitarizmit shqiptar, margjinalizimi i elementit geg e sidomos katolik në politikë, ekonomi dhe kulturë nuk do të mund të shamngej gjithsesi. Nga kjo pikëpamje, Ismail Kadareja dhe roli i tij sundimtar në kulturën e Shqipërisë totalitare e post-totalitare duan marrë si shprehje elokuente dhe të përsosur të asaj lëvizje ekspansioniste në kulturën toske që i ka rrënjët në Rilindjen Kombëtare. ishte pikërisht karakteri agresiv, kooptues absorbues, përfshirës i kulturës toske që shërbeu si armë e mjet vendimtar për t'i sjellë toskët në krye të Shqipërisë; sikurse gjallësia e pazakonëshme e elementit tosk dhe gadishmëria për të ndërmarrë ndryshime e reforma në strukturën e shoqërisë dhe të kulturës se shtetit të ri shqiptar ( të cilat u shfrytëzuan pastaj aq mjeshtërisht nga komunizmi); vetëdija e nevojës për t'i kapërcyer caqet e tribalizmit tradicional shqiptar në emër të shtetformimit dh snaksionimit formal të unitetit kombëtar. Përkundrazi gegët parapëlqyen të selitin hapësira dhe struktura të tjera më të kufizuara për nga frymëmarrja duke mbetur robër të krahinarizmit më gjatë nga ç'mund të tolerohej prej historisë; madje edhe kultura katolike urbane e Shkodrës, që në shumë drejtime kishte arritur një nivel sofistikimi të papërsëritur më, nuk i bori dot disa elemente veçanërisht kokëforta të tribalizmit, ekskluzivizmit dhe përjashtimit. Nuk është e rastit që Fishta, shpesh i përmendur dhe i treguar si kundërfigurë arketipale e Kadaresë, mbetet një poet krahinor para se të jetë poet kombëtar, shpesh folklorik dhe romantik konservator, ndonjëherë arkaizant e gjithsesi anakronik. Midis këtyre dy kollosëve të letrave shqipe krahasimet janë të pamundura, pse u përkasin universeve të ndryshme. Prandaj edhe orvatja e radikalëve të sotëm pro-gegërishte, për ta mbështetur ringjalljen e dëshiruar gege në etosin fishtjan është e diestinuar të mos ketë të ardhme në atë masë që drejtohet kundër standardit dhe formës moderne te kulturës shqiptare në përgjithësi i së cilës kulturë kadareja është njëkohësisht metaforë dhe apostull. Vepra e Kadaresë do marrë kështu, për një summa të lëvizjes kulturore centripete toske gjatë shekujve XIX-XX – e cila lëvizje, megjithatë e tek e fundit, i solli Shqipërisë edhe dhuratat e pamirëpritura të komunizmit e të asfiksisë totalitare. Mirëpo, përpjekjet për ta minuar e madje për ta rrëzuar atë vepër me pretekstin se është pjesë integrale e një faqeje të errët në historinë shqiptare, tradhtojnë një mënyrë të arsyetura paralogjike, ndoshta magjike; e gjithsesi një paaftësi të frikshme për ta lexuar historinë si të tillë. Përgjegjësitë e Kadaresë autor ndaj lexesve të vet nënë totalitarizëm; përgjegjësitë e Enver Hoxhës e të bashkëpunëtarëve të vet ndaj krimit totalitar; e më në fund përgjegjësitë e të gjithë atyre që i besuan komunizmit si fe të kohëve moderne u përkasin rrafsheve të ndryshme të etikës. Nëse njeriu e gjen identitetin e vet duke u realizuar nënëprmjet zgjedhjeve që bën dhe ushtrimit të vullnetit të lirë, kurrsesi nuk mund të harrohet si kujdesej totalitarizmi për t'i mënjanuar egërsisht mundësitë për marrje vendimesh nga jetët e të gjithëve. Nga ajo pikëpamje vepra e Kadaresë ishte po aq pjesë e mekanizmit totalitar të kulturës sa edhe masa e lexuesve të tij që nga ajo vepër e merrnin dritën; dhe pikërisht atyre lexuesve që në 1990 u munduan ta zëvendësojnë regjimin enverist të Alisë me diçka të re e të shumëshpresuar, utopike dhe europiane – njëkohësisht intelektuale dhe populiste, ekumenike dhe lirike, ëndërrimtare dhe borgjeze, sublime dhe të pamundur. Përsëri nga ajo pikëpamje, dhe tarktorët e sotëm të Kadaresë, separatistët kulturorë dhe gjuhësorë, pushtatuesit e sandardit gjuhësor të 1972-shit dhe përçmuesit e krejt etosit kulturor kombëatr të kultivuar në Shqipërinë totalitare të Pasluftës janë edhe ata trashëgimtarë besnikë e të denjë të konfliktit kadarejan, ose vazhdues e instrumente të asaj drame që Kadareja shkrimtar sa e zbuloi, aq edhe e mbolli me duart e veta në historinë e shqiptarëve. Ardian Vehbiu ( Marrë nga “Bota Shqiptare” ) |
|
|
|