Ish-republika jugosllave e Malit të Zi është bërë shteti më i ri i pavarur në Evropë
Gjatë një mbledhje të posaçme zyrtare parlamenti e shpalli vendin të pavarur.
Parlamentarët pranuan zyrtarisht rezultatet e referendumit të muajit të kaluar kur malazezët votuan me një rezutalt të ngushtë për shkëputjen nga Serbia.
Kryetari i parlamentit Ranko Krivocapic pyeti nëse anëtarët e parlamentit pranonin rezultatin e referendumit. Votimi ishte unanim.
"Si rrjedhim parlamenti ka vendosur ta shpallë Malin e Zi një vend të pavarur," tha kryeparlamenari malazez duke vulosur të ardhmen e vendit.
Ndërkohë jashtë parlamentit në kryeqytetin Podgoricë me mijëra vetë festuan, megjithë shiun e dendur, duke valëvitur flamujt e kuq dhe të artë të Malit të Zi.
Ceremonia ishte e thjeshtë. Opozita e bojktoi ceremoninë dhe ende nuk e ka pranuar zyrtarisht rezultatin e referendumit.
Nuk pati ndonjë delegacion nga Serbia dhe as të ftuar të lartë ndërkombëtarë.
Por shpallja zyrtarisht e pavarësisë së Malit të Zi është një ngjarje e rëndësishme historike.
Ajo i jep fund një lidhjeje politike gati 90-vjeçare me Serbinë dhe shënon shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë në gjashtë shtete të pavarura.
Tani fillojnë negociatat që ka mundësi të stërzgjaten midis Beogradit dhe Podgoricës për të zyrtarizuar ndarjen.
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë e Malit të Zi të ndjekin një dialog konstruktiv në marrëdhëniet e tyre të ardhme.
Serbia pritet të shpallë pavarësinë e saj javën e ardhshme.