Home arrow Letėrsi arrow Tregime arrow Nostalgjia...kliko ketu...
Nostalgjia...kliko ketu...

Image “Hajde ikim nga Liqeni” foleja me famë e dashurisë 

Shkëlqimi dhe harresa e simbolit të kryeqytetit. Reportazh/ 50 vjet jetë të Parkut Kombëtar.

 …dergoi per “albdreams”Gjovalin Kacorri…

 

 

TIRANE Esmeralda Keta
This email address is being protected from spam bots, you need Javascript enabled to view it

Kur u ndërtua në vitin 1952, askush nuk e kishte menduar se Liqeni Artificial do të kthehej në një pikë orientimi për kryeqytetin. Do të kthehej në parkun e madh të dashurisë së shqiptarëve. Me mijëra çifte, gjatë këtyre 5 dekadave të historisë së tij, kanë shkëmbyer puthjen e parë dhe i janë betuar njëri-tjetrit për dashuri të përjetshme pikërisht buzë Liqenit. Por jo vetëm ata. Liqeni Artificial ishte edhe parajsa e tradhëtive bashkëshortore, ku çiftet ‘rebele’ mund t’i shpëtonin fare mirë syrit të kureshtareve dhe të kënaqnin epshet e tyre. Qoftë dhe sepse në Tiranën e viteve ’80 ishte një mision pothuaj i pamundur të gjeje ‘një çëlës shtëpie’. Në thashethemet që qarkullonin dhe ‘love story-et’ e vërteta që jetoheshin aty, Kodrat e liqenit ishin një vend i preferuar edhe për ‘guardonet’ (vëzhguesit), fëmijë, por dhe të moshuar, që shikonin të fshehur pas shkurreve skenat e dashurisë duke shuar jo vetëm kureshtjen e tyre. Madje një nga gjinekologët më të shquar, një profesor i vjetër, ishte bërë i famshëm në Tiranë, jo vetëm për aftësitë si doktor, por dhe për batutën e tij të famshme: “Treçereku i fëmijëve të Tiranës janë ngjizur nga Liqeni”. Dhe askush nuk e ka vënë në dyshim këtë, pasi të gjithë kishin një sekret që i lidhte me të. Pavarësisht se kursi i kohërave ka ndryshuar kahje, asgjë nuk ka mundur të mjegullojë ndikimin e Liqenit mbi historitë e dashurive të shqiptarëve dhe efekti i magjisë ka mbetur i njëjtë. Joshja është e njëjtë. Edhe sot ai vazhdon të jenë vendi ku pëshpëriten më shumë fjalë dashurie dhe ku dashnorët, që sërish strehohen këtu, bëjnë betime për besnikëri të përjetshme. Është vendi ku mijëra ëndërra nisin, por shumë të tjera përfundojnë në ujërat e tij.
Liqeni dje...
Nëse mali i Dajtit është dhuratë e natyrës për kryeqytetin, Kodrat e Liqenit Artificial janë dhurata e dorës së njeriut për brezat. Dhe kështu ka ndodhur vërtet. I ndërtuar rreth viteve 50-të, Liqeni do të lidhej pazgjidhshmërisht me jetën e shqiptarëve. Për vite të tëra ai ishte ‘oazi’ i dashurisë ku të rinjtë mund të gjenin një vend për prehjen e dëshirave të tyre. Tinguj kitare, këngë dashurie, lokale ku mund të vallëzoje i përqafuar deri natën vonë me vajzën e zemrës dhe madje t’i jepje edhe një puthje pa pasur frikë se të tjerët mund të të shohin, por edhe lot, brenga e dhembje të pafund. Ishte edhe një brez këngëtarësh, të cilët e kishin për nder të quheshin “këngëtarët e liqenit”. Kaq ka mjaftuar për ta kthyer atë në simbolin e dashurisë për brezat e shqiptarëve. Aq sa nuk do ta tepronim nëse do thonim se të gjithë janë magjepsur me Liqenin. Madje edhe idioma “shkojmë nga Liqeni” apo “ishit nga Liqeni” nënkupton finalizimin e një lidhje dashurie. Për të rinjtë e atëhershëm (një pjesë e të cilëve sot janë gjyshër), por edhe për ato të sotmit, Kodrat e Liqenit simbolizojnë vendin e shenjtë të dashurisë. Larg syve të kureshtarëve dhe për më tepër larg asaj çfarë ofronte realiteti shqiptar, të kapërceje tabelën që lajmëronte hyrjen për në Parkun Kombëtar, ishte sikur të gjendeshe në një realitet ndryshe. Ekzistonin vetëm ata dhe dashuria e tyre. Aty ishin të lirë të mendonin për dashuritë e tyre, të thurrnin ëndërra me zë të lartë, të këndonin këngë të ndaluara dhe të bënin gjithë ato “çmenduritë’ që e bëjnë jetën më të bukur. Dhe si padashur Liqeni është dëshmitar i mijëra historive dashurie, disa të finalizuara në altarin e martesës, të tjera vetëm kujtime të bukura.
...dhe sot
Është e pamundur të ketë një vend tjetër në Shqipëri, me të cilën të jenë lidhur kaq shumë kujtime dashurie. Dhe duket se magjia e tij nuk do të zbehet asnjëherë, sepse edhe sot, kur kohërat kanë ndryshuar shumë, të rinjtë sërish preferojnë t’i bëjnë premtimet e tyre të dashurisë pikërisht atje. Buzë liqenit. Si prindërit e tyre. Historitë nisin sërish atje. Të tjera marrin fund po atje. Lulet e mimozave presin sërish për t’u këputur nga duart e të dashururve dhe Liqeni është sërish atje për të marrë me vete sekretet e dashurisë dhe ... vëzhguesit, fëmijë e të moshuar të ‘apasionuar’ shuajnë kuriozitetin, janë po atje, në ndjekje të çifteve, të cilët nuk e çajnë shumë kokën për kalimtarët kureshtarë. Madje edhe pse janë vendosur trarët e ndalim qarkullimit, dashnorët, që tani nuk lëvizin më në këmbë, por në makina, sërish e gjejnë një shteg për t’u futur atje. Të gjithë e dinë se në secilën prej makinave të parkuara në afërsi të Inxhinierisë së Minierave luhet një histori dashurie. Edhe sot ka dashuri, ka lot, ka dhimbje, amanete të lëna, letra të shkruara, fjalë të pathëna, fatkeqë që vendosin t’i japin fund jetës së tyre atje ku kanë dhënë puthjen e parë, shëtitjet me varka, pikniku me familjen apo zhytja e parë. Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, në ditët e festave, si për shembull për Shën Valentinin apo të tjera, tiranasit, por dhe të ardhur nga rrethet, e konsiderojnë ngjitjen nga kodrat e liqenit si një ritual të detyrueshëm për t’u kryer.
 

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.