Home arrow Kosova arrow Cdo gje rreth Kosoves arrow OKB per Kosoven...kliko ketu..
OKB per Kosoven...kliko ketu..
Image KS i OKB debaton për Kosovën

Në Këshillin e Sigurimit të OKB u zhvillua seanca kushtuar zhvillimeve në Kosovë. Raporin për gjendjen e paraqiti kryeadministratori, Soren Jesen Petersen. Mysafir në këtë seancë ishte kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, por pa të drejtë fjale. Ndërsa qëndrimet serbe i prezantoi Sanda Rashkoviq Iviq. Vlerësimet e tyre i dhanë edhe ambasadorët e vendeve anëtare të KS të OKB.

"Në Kosovë janë arritur shumë rezultate pozitive. Shumë aktivitete janë në zhvillim, mirëpo kanë mbetur edhe shumë obligime për t'u kryer". Ishte kjo esenca e raportit të kryeadministratorit në largim Soren Jesen Petersen, të paraqitur para Këshillit të Sigurimit të OKB. Petersen tha se në Kosovë po vazhdon procesi i vendosjes së stabilitetit të qëndrueshëm. "Në këtë rrugë një kontribut të veçantë ka dhënë kryeministri Agim Çeku", theksoi Petersen. Përfaqësuesja e Serbisë në këtë seancë, Sanda Rashkoviq Iviq përsëriti qëndrimet e Beogradit se Kosova duhet të ketë një autonomi të gjërë në kuadër të Serbisë. "Serbia është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës", u shpreh Rashkoviq - Iviq e cila kundërshtoi ndryshimin e kufijëve të jashtëm  të Serbisë dhe imponimin e ndonjë zgjidhje prej bashkësisë ndërkombëtare.
Të gjithë ambasadorët e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit mbështetën punën e kryeadministorit, duke e quajtur atë të suksesëshme, e në disa raste edhe të shkëlqyeshme.
Ambasadori kinez tha se në Kosovë janë shënuar rezultate të konsiderueshme në zbatimin e standardeve, që është edhe baza për zgjidhjen e statusit të ardhëshëm. Ai përshëndeti angazhimet e institucioneve të Kosovës drejt krijimit të kushteve për një jetë më të mirë të pakicave. Mirëpo Kina mendon se këto angazhimet duhet të jenë më intenzive, sepse poulli shumicë është ai i cili duhet të marrë përgjegjësinë për siguri dhe tolerancë. Kina mirëpret vazhdimin e dialogut mes Pristhinës dhe Beogradit. Pekini zyrtar respekton integritetin territorial. Ndërkohë që zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti politik, janë dy kushtet kryesore që mund të sjellin deri tek zgjidhja e statusit përfundimtar.
Punën e autoriteteve ndërkombëtare dhe kryeadministratorit Petersen mbështetën edhe Greqia, Kongo, Argjentina dhe disa vende të tjera. Mirëpo të gjitha ato theksuan nevojëne  sigurimit të të drejtave dhe garantimit të sigurisë për pakicat, në vecanti për serbët. Këto vende përshëndeten negociatat në Vjenë, por theksuan se rezultaten janë të pakta.
Ndër më kritikët ndaj punës së autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë ishte ambasadori rus. Ai tha se ende nuk mund tu besohet premtimeve të institucioneve të Kosovës. Rusia kërkon përmirësimin e menjëherëshëm të gjendjes së pakicave dhe zbatimin e standardeve. Duhet garantuar të drejtat e pakicave dhe lirinë e lëvizjes, në veçanti të serbëve, duke shtuar se në kohët e fundit në Kosovë ka pasur 187 sulme ndaj pjesëtarëve të minoriteteve. Autoritetet ndërkombëtare dhe të Prishtinës duhet t'i japin fund dhunës, tha ambasadori rus i cili ishte skeptik ndaj pohimeve se pavarësia e Kosovës do të mundësonte zbatimin më të mirë të standardeve.
Për dallim prej tij, Britania e Madhe mendon se Unmiku dhe institucionet e përkohëshme të Kosovës kanë shënuar një varg rezultatesh pozitive. Ambasadrja britanike u shpreh se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet deri në fund të këtij viti.
Përfaqësuesit amerikan përshëndeti angazhimin e kryeadministratorit, presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Agim Çeku në zbatimin e standradeve dhe zvoglimin e krimit, në veçanti ndaj pakicave. Ai kërkoi vazhdimin e këtyre angazhimeve. Ndërkohë që nga Beogradi kërkoi që të ndërprejë pengimin e pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës. SHBA përkrahën angazhimet e të ngarkuarit të OKB në procesin për zgjidhjen e statusit, Marti Ahtisarin. Këtë mbështetje presin edhe prej anëtareve tjera të OKB-së. Sa i përket statusit të ardhëshëm të Kosovës, ai u shpreh se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para vitit 1999, nuk do të ketë ndarje të Kosovës apo bashkim të saj me ndonjë vend tjetër. Ndërkohë që zgjidhja e statusit duhet të jetë në përputhje me vullnetin e popullilt të Kosovës. Të njëjtat qëndrime mbështeti edhe ambasadori i Shqipërisë. Ai tha se zgjidhja më e mirë, është pavarësia e Kosovës, sepse kjo siguron edhe stabilitetin e rajonit. Në fund të seancës, Soren Jesen Petersen edhe një herë mori fjalën, për herë të fundit në detyrën e kryeadministratorit. Ai tha se kryeministri i Kosovës dhe institucionet e atjeshme kanë kuptuar shumë seriozisht çështjen e zbatimit të standardeve dhe 13 kërkesave të Grupit të Kontatit. Petersen përsëriti se situata për minoritetet mbetet shumë e vështirë. Mirëpo kundërshtoi pohimet e përfaqësueses së Beogradit, sa i përket pronave serbe dhe numrit të incidenteve, duke shtuar se vetëm nëntë incidente kanë sfonde ndëretnike. Ndërsa 35 të tjera duhet të sqarohen.

 Bahri Cani  

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.