Home arrow Letėrsi arrow Histori e Letersise arrow Kadare Qose...kliko ketu...
Kadare Qose...kliko ketu...

Kadaresë e Qoses. Po pasojat a i menduat?

Zamira Cavo

Leter e hapur drejtuar Kadarese dhe Qoses. 

Po pasojat a i menduat?
Ndoshta këtë letër mund ta kisha shkruar disa javë më parë, kur polemika midis jush sapo kishte filluar. Siç e shikoni nuk e bëra dhe përgjigjen se përse nuk e shkrova, do ta gjeni në thëniet tuaja.Nga ju kam mësuar se shqiptarët kur nisin një polemikë mes tyre, polemikë që cënon personalitetin, nuk ka zot që t’i ndalojë për t’i shkuar deri në fund. Prandaj dhe kjo letër e hapur vjen tani me shpresën se çfarë kishit për t’i thënë njeri- tjetrit, ia thatë në format tuaja specifike, ballkanase dhe të dëshpërueshme intelektualisht.
Pyetja e parë që do t’ju bëja është e thjeshtë : A i keni menduar pasojat e kësaj polemike në Shqipëri, por edhe Kosovë?
Unë jam rritur me idhuj, dhe personalisht mendoj se, nëse idhujt vdesin, dhe njeriu ka vdekur, të paktën moralisht. Nuk jam kurrsesi idhtare e tezës se” njerëzimi është më i lirë kur nuk ka idhuj”. Por përkundrazi, jam pasuese e zjarrtë e tezës se “ Një shoqëri pa idhuj, është si një kufomë në arkivol”. Dhe kur flas për idhuj , përjashtoj në mënyrë kategorike idenë e fetishizimit të politikanëve, të “lavazhit të trurit” përkundrejt “Udhëheqësit politik” apo diçka e ngjashme. Jo. Unë jam edukuar në familjen time të kem idhuj të pranueshëm si të tillë nga vetë ndërgjegjja ime, dhe jo të diktuar nga jashtë. Ju të dy keni qenë idhujt e mi, dhe sigurisht, dhe pse më keni zhgënjyer, përsëri mbeteni të tillë.
Kur kam lexuar veprën tuaj, z Qose, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kam menduar me ditë e net të tëra, të gjeja mundësinë t’ju takoja, për të parë nga afër shkrimtarin e mendimit politikosocial. Atëhere isha fare e re. Kërkova të njihesha me krijimet tuaja dhe atëhere mësova se Ju ishit një Kolos me të cilin, do të mburrej kombi në vite. Pena juaj në analizat e situatave, qofshin këto politike, sociale e për më tepër letrare, ishin të pakrahasueshme për nga forca e mendimit dhe parashikimi për të ardhmen.
Nuk do të thosha të njëjtat fjalë për ju, z Kadare, pasi dëshirën për t’ju takuar nga afër e kam realizuar kur isha ende fëmijë, ndërsa në bibliotekën time nuk besoj se mungon ndonjë vepër juaja. Në fëmijëri, me poezitë tuaja, fitoja çmime të para në interpretim, ndërsa më vonë, mora përsipër të “ndeshesha” me këdo që mundohej të hidhte qoftë edhe një hije dyshimi mbi veprën tuaj, të cilën pa modesti, them se e njoh mirë.
Vetëm një gjë nuk e kisha menduar kurrë: T’ju drejtohesha me një letër të hapur si një misionare e “pajtimit të gjaqeve”! Paradoksale e? Paradoksale për dy arsye krejtësisht të ndryshme nga njera tjetra. E para, sepse nuk besoj se
ka gjak për t’u pajtuar dhe së dyti, sepse nuk kam pasur dhe as kam ndërmend të marr përsipër një mision të tillë. Por po e them përpara vetë, me qëllim që të mos u lë shkas “gojëve të liga” ( që sigurisht nuk kam asnjë iluzion se do të mungojnë) që të thonë: Po kjo ç”kërkon të bëjë? Do të pajtojë Kadarenë me Qosen? ( Etj Etj, .... sikundër thotë miku im Arben Duka).
Nuk do të kisha guxuar t’ju drejtohesha në mënyrë të tillë, po qe se nuk do të kisha vënë re pasojat, të cilat më shqetësojnë.
Të parat, i ndjeva tek kolegët, të cilët ,ashtu si në ndeshje futbolli, u bënë “tifozë” të njerit apo tjetrit. Ky tifozllëk ka çuar në dëmtime serioze të mendimit të kualifikuar shkencor e intelektual. Po të dëgjonit prononcimet edhe në qarqe të konsideruara akademike, do të bindeshit edhe vetë për këtë pasojë serioze. Do të doja të dëgjonit intelektualë, të cilët për të qenë sa më të anshëm në mbrojtjen e njerit apo tjetrit, përdorin argumente deri skandaloze për të justifikuar pozicionin e tyre të “tifozit”.
Ju z .Qose, diku keni thënë : “Shkaqet e krizave shoqërore gjithnjë janë të ndryshme. Krizën e një shoqërie më së qarti e dëshmojnë të dhënat e fushës mendore”.
Nuk mendoni se edhe Ju keni “kontribuar” në këtë krizë?
E dini që kam dëgjuar mësues historie që u thoshte nxënësve se “ duhet të mbrojmë me çdo kusht identitetin tonë islamik përballë denigrimit perëndimor bashkëkohor. Këtë mësim e kemi nxjerrë nga Historia dhe kush e ka lexuar Qosen tani në fund, bindet përfundimisht për këtë”!!!!!
Ju solla një shembull -di-vulgar për të kuptuar se sa thellë dhe keqas po përjetohet polemika juaj tek njerëzit, që të them , kanë kulturë. Po tek të tjerët?
Dhe nuk besoj se keni nevojë t’jua kujtoj unë “gabimin “ në polemikën tuaj. As unë dhe askush me një fije mendje, nuk ka pse të jetë kundër polemikave. Përkundrazi. Por polemika juaj ka kaluar të gjitha caqet për të qenë intelektuale. Ajo është kthyer në denigruese. Dhe kur idhujt denigrohen mes tyre, zhgënjimi i idhtarëve është marramendës dhe çon pashmangësisht në kriza intelektuale. A nuk do të kishte qenë më mirë që mendimet tuaja t’i kishit shprehur ballazi në ndonjë konferencë të organizuar me specialistë këtu në Shqipëri ose Kosovë? Sinqerisht, më vjen keq që latë median të spekullonte me thëniet tuja, me qëllimin tuaj dhe më tej, me denigrimin tuaj. Përse gjithë ky mllef dhe në këtë kohë?

Kur ju thashë në fillim të kësaj letre se ju jeni idhujt e mi, pata edhe një qëllim tjetër. Idhujt janë të tillë, sepse dinë të ngrihen mbi normalen, janë pothuaj të “jashtëzakonshëm” në personalitetin e tyre. Atëherë pyes: nëse dy kolosë, me të cilët jemi krenuar deri tani, kanë kaq shumë mllef ndaj njëri- tjetrit dhe nuk arrijnë ta përmbajnë atë, çfarë mund të presim në paqëtimin e shqiptarëve mes tyre?

Desha të sjell në vëmendjen tuaj dhe një detaj, ndoshta të “harruar” prej jush. Të dy ju, idhujt e mi, jeni nominuar disa herë për të qenë President të vendit. Me javë të tëra emri juaj është lakuar në titujt e parë të mediave për këtë post të lartë shtetëror. Dhe këtë nuk e kam bërë unë. E keni bërë ju me veprën tuaj dhe populli, me nuhatjen e tij inteligjente, ka kërkuar emrat tuaj, si burra të paqëm, të mençur dhe të drejtë për të qenë në krye të shtetit. Dhe këtu qëndron dhe një pasojë tjetër që ndoshta ju ka “rrëshqitur” kur filluat polemikën. Cili është shembulli që dhatë? Treguat edhe një herë se jeni si gjithë ballkanasit e për më tepër, si të gjithë shqiptarët: kokëfortë e hakmarrës deri në palcë! Dhe pasoja është e dukshme. “Kur nuk gjejnë fjalën mes tyre Kadareja me Qosen, që kanë një barrë mend, mos prisni ta gjejnë mendjen politikanët e Shqipërisë apo Kosovës”,- tha në një takim të gjerë, një diplomat i vjetër karriere.
Dhe së fundi, do t’ju isha mirënjohëse, nëse do t’i jepnit përgjigje pyetjes së vajzës sime (e cila ashtu si unë ju adhuron): Pse duhej pikërisht tani Kadare dhe Qose të polemizionin për identitetin e kombit? ? Dhe pse në këtë mënyrë?
Sinqerisht.

 

 

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.