Home arrow Letėrsi arrow Histori e Letersise arrow Kadare: Biseda pėr Evropėn...kliko ketu...
Kadare: Biseda pėr Evropėn...kliko ketu...

Kadare: Biseda për Evropën

Ismail Kadare

….dergoi per “albdreams” Zef NAÇAJ…

Ismail Kadare sqaron përfundimisht pozicionin e tij për polemikën e fundit lidhur me identitetin evropian të shqiptarëve. Sipas tij, ky debat nuk mund të quhet polemikë, por një dalldi e njëanshme. Kadare sqaron edhe njëherë se po polemika nuk ka qenë e kotë, pasi është shkruar në një kohë kur Shqipëria ndodhet në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së parë serioze me Evropën, ndërs Kosova në prag të pavarësisë.

Ismail Kadare sqaron përfundimisht pozicionin e tij për polemikën e fundit lidhur me identitetin evropian të shqiptarëve. Sipas tij, ky debat nuk mund të quhet polemikë, por një dalldi e njëanshme. Kadare sqaron edhe njëherë se po polemika nuk ka qenë e kotë, pasi është shkruar në një kohë kur Shqipëria ndodhet në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së parë serioze me Evropën, ndërs Kosova në prag të pavarësisë. Sipas shkrimtarit të madh, teknika, ose më saktë, dredhia klasike në këtë rast është të mos merresh me problemin që ngre polemizuesi tjetër, por të rendësh pas spekulimeve. E spekulimet, në thelb, janë mashtrim
Pyetje: Para së gjithash, do të dëshironim të dinim rrethanat në të cilat u shkruan këto letra, të cilat në disa aspekte ruajnë aktualitetin ende sot.

Përgjigje: Të dërguara në shtator të vitit 1991, tri letrat e para kanë pasur si shtysë të ngutshme paralajmërimin për tragjedinë e re, që po i kërcënohej Kosovës. Ndihej se diçka katastrofike ishte duke u përgatitur. Koha tregoi se ky alarm nuk ishte i kotë. Letra e katërt, dhjetë vite më pas, ka lidhje me të burgosurit e Kosovës.
Përveç kësaj, qëllimi tjetër, që gjithsesi lidhej me të parën, ishte tërheqja e vëmendjes për krejt çështjen shqiptare. Kjo lidhej natyrshëm me raportet me familjen e popujve evropianë. Kishte rënë ora për Shqipërinë. Është thënë edhe më parë, se ndërsa De Rada e ka përdorur shprehjen “erdhi dita e Arbrit”, në kuptimin e përzishëm, tani e njëjta shprehje duhej të kumtonte të kundërtën, mbarimin e fatkeqësisë gjashtëshekullore. Por për këtë duhej që Evropa të bëhej e ndjeshme ndaj kombit të harruar shqiptar.
Më 1991, ideja e hershme e Robert Shumanit dhe evropianistëve të tjerë, për një Evropë të bashkuar po ringjallej me forcë. Rënia e komunizmit e kishte ngucur si kurrë më parë këtë projekt madhështor. Popujt e porsadalë nga zgjedha komuniste i kishin sytë nga ky projekt. Për kombin shqiptar të ndarë më dysh, problemi paraqitej dyfish i ndërlikuar. Ndaj kambana për të duhej të binte dyfish më fort.
Me sa duket, për shkak të kësaj rrethane, e cila ndodhet ende në zhvillim e sipër, letrat tingëllojnë gjithsesi aktuale.

Pyetje: Kur lexon këto letra, mënyrën si shtrohen problemet, njeriu, padashur, bën krahasimin me polemikën e fundit për identitetin evropian ose joevropian të shqiptarëve. Shumë njerëz kanë shfaqur mendimin se ajo, krahas anëve pozitive, ka pasur mjaft keqkuptime. Madje disa e kanë quajtur kundërproduktive. Cili është mendimi juaj?

Përgjigje: Së pari desha të them se nuk besoj shumë që një dalldi e njëanshme të foluri, mund të quhet vërtet polemikë. Ndërkaq, nga e keqja, le ta quajmë kështu.
Mendoj se ajo pjesë e opinionit shqiptar, që e ka gjetur këtë “polemikë” kundërproduktive, ka gjithsesi të drejtë. Mund të thuhet se është një shembull se si s’duhet bërë një gjë e tillë.
Një polemikë del e dështuar, ose e dëmshme për dy arsye. E para, kur zhvillohet për diçka të paqenë, ose fare të parëndësishme. Polemikat shterpa, jo vetëm që s’japin asgjë, por çoroditin gjithçka. Arsyeja e dytë e dështimit është zvetënimi i polemikës. Ajo mund të fillojë mirë, mbi një bazë që ia vlen, por, më pas, kriteri i saj, pakti për atë që do të flitej, befas është prishur. Zakonisht është njëri prej pjesëmarrësve që duke mos e përballuar dot argumentin, e shtrajton (deformon) atë.

Pyetje: Ç’mendoni se ka ndodhur konkretisht me polemikën për të cilën po flasim? Ka qenë e kotë, apo është degraduar?

Përgjigje: Polemika, le të vazhdojmë ta quajmë kështu, nuk ka qenë e kotë. Kur kam shkruar sprovën mbi identitetin evropian të shqiptarëve kam qenë i bindur se problemi ka qenë më i ngutshëm se kurrë. Shqipëria ndodhet në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së parë serioze me Evropën. Kosova në prag të pavarësisë. Ndonëse ka kaluar njëfarë kohe, këto dy akte vazhdojnë të kenë po atë peshë e atë ngut madhor, e kështu do ta kenë për një kohë të gjatë. Unë s’di probleme më të rëndësishme për kombin shqiptar.
Askush nuk mund të hiqet naiv e të bëjë se nuk kupton, se hyrja e Shqipërisë në Evropë dhe pavarësia e Kosovës nuk vendosen diku në Tunizi apo në Singapor, por kryesisht në botën perëndimore, pra në Evropë e në SHBA.
Pra, polemika nuk ka qenë as shterpë e as në kohë të gabuar. E gabuar ka qenë bjerrja e saj.

Pyetje: A mund ta shpjegoni ku është bërë gabimi dhe a mund të shmangej ai?

Përgjigje: Nuk është vështirë të prishësh një polemikë. Teknika, ose më saktë, dredhia klasike në këtë rast është të mos merresh me problemin që ngre polemizuesi tjetër, por të rendësh pas spekulimeve. E spekulimet, në thelb, janë mashtrim.
Çfarë shtrova në sprovën “Identiteti evropian i shqiptarëve”? Asgjë më shumë se një ide të përpunuar qysh prej një shekulli e gjysmë, nga rilindësit tanë: orientimin evropianoperëndimor të Shqipërisë. Në prag të afrimit të ri me Evropën dhe NATO-n, kam dashur të rikujtoj idenë se identiteti shqiptar, pavarësisht nga ndikimet e pashmangshme, ka mbetur i qartë. Jam ngritur kundër tezës së shprehur kohët e fundit se identiteti shqiptar është gjysmak. Kundër tezës se një pushtim (në këtë rast pushtimi osman, e në një tjetër rast pushtimi serb) e prish identitetin. Kam shprehur mendimin se të pranosh këtë, do të thotë të pranosh idenë se ndërsa popujt e tjerë të Ballkanit, nën të njëjtin pushtim, e kanë ruajtur identitetin e vet, populli shqiptar, si më i dobëti midis tyre, për turp të tij, e ka humbur atë përgjysmë.
Një vend themelor në sprovën time zë mendimi se teza e mësipërme është një tezë e vjetër serbe, me prapavijë kriminale. Sipas kësaj teze, populli, ose më saktë, nënpopulli shqiptar, me identitet gjysmak, për shkak të pjesës së madhe myslimane, sipas tyre, është mish i huaj për kontinentin evropian. Se rrjedhimisht shqiptarët mund të dëbohen, e të venë andej nga, sipas tyre, kanë ardhur, në Azi. Se ky aksion për këtë spastrim etnik mund t’i besohet Serbisë. Se për këtë, Serbia do të ketë mirënjohjen e Evropës.
Dihet se si dështoi kjo ëndërr makabre dhe se si Serbia, në vend të mirënjohjes, pati bombardimin prej Evropës dhe SHBA-së.
Çfarë i mbeti Serbisë pas kësaj? Shpresa e vetme, e fundit, që atë që ajo nuk ua bëri dot shqiptarëve, shqiptarët t’ia bëjnë vetes. Me fjalë të tjera, të shpallen ata vetë se, ndryshe nga kombet e tjera, janë me identitet gjysmak.
Të vetëshpallurit mbrojtës të myslimanizmit shqiptar, në të vërtetë, janë akuzuesit kundër tij. Identitetit evropian ata i kundërvënë “identitetin mysliman”. Përveç që është një mënyrë barbare të menduari, sepse konceptit “evropian” nuk mund t’i vësh përballë një koncept fetar, ashtu siç nuk mund t’i vësh një të tillë koncepteve “aziatik” ose “amerikan”, kjo kundërvënie shpreh një qëndrim përjashtues ndaj pjesës myslimane të popullsisë shqiptare. Sipas kësaj kundërvënieje, myslimanët shqiptarë e kanë të pamundur ose të ndaluar të jenë evropianë.
Në sprovën “Identiteti evropian i shqiptarëve” është përsëritur disa herë ideja se myslimanët shqiptarë janë po aq evropianë sa të krishterët. Se nuk ka pasur e as mund të ketë Shqipëri evropiane, pa myslimanët. Ashtu siç nuk mund të ketë Shqipëri të mirëfilltë pa ata.
Në qoftë se thuhet se populli shqiptar, me shumicë dërrmuese, është shpallur sot aleat i Evropës dhe SHBA-së, kjo do të thotë se ndër tri besimet, është pjesa myslimane, si më e shumta, që e ka bërë në radhë të parë këtë zgjedhje. Rrjedhimisht, është faji i tyre nëse kjo zgjedhje quhet e gabuar, ashtu siç është meritë e tyre (dhe lumturisht ashtu është), nëse zgjedhja quhet e drejtë.
Përpara një shtrimi të tillë të çështjes, Haxhi Qamilët e vonuar e kanë të vështirë të përgjigjen. Ndaj ata i kthehen zanatit të vjetër: falsifikimit.

Pyetje: Folët pak më lart për degradimin e debatit.

Përgjigje: Për t’u kthyer aty ku e lamë, “polemika” nuk ka qenë e kotë, por ajo është zvetënuar.
Siç e thashë më lart, nuk është e vështirë prishja e një debati. Teknika, pra, është e njohur. Shpiket një tezë e paqenë, pra, një mashtrim: “I. Kadare e njëjtëson identitetin evropian me atë të krishterë”. Ky mendim nuk gjendet askund. Por kjo s’e pengon mashtruesin themeltar ta përsëritë atë disa herë. Të tjerë debatues, nga padija, naiviteti ose qëllimi i keq, e ripërtëritin atë. Mashtrimi, ashtu si paraja e pistë, riqarkullon tani kudo. Teknikë tjetër është të mos i përgjigjesh problemit që shtron tjetri, por ta kthesh gjithçka kryengulthi. Dihen tashmë disa nga këto mënyra, të përpunuara nga zyrat speciale të botës së përmbysur komuniste.
Në qoftë se ti je përpjekur për emancipimin e letërsisë apo të një rrafshi tjetër të artit, akuzohesh se ke bërë të kundërtën, “e ke sovjetizuar atë”. Nëse je përpjekur për hapje ndaj Evropës, akuzohesh se ke bërë çmos për mbyllje. Nëse ke mbrojtur refugjatët shqiptarë, qysh më 1990, përpara gjithë opinionit botëror, duke i bërë thirrje botës për t’i pranuar ata njerëzisht, akuzohesh për të kundërtën. Nëse je përpjekur me të gjitha mjetet të bësh të njohur çështjen e Kosovës, akuzohesh për shpërfillje ndaj saj. Nëse e ke mbrojtur UÇK-në, qysh në zanafillë nga akuzat për terrorizëm, akuzohesh se ke qenë ti vetë që e ke quajtur terroriste. E kështu me radhë, për të arritur gjer te problemi fetar. Akuzohesh për shumë kohë si kundërkatolik. Më pas, kur kjo pushon së qeni e besueshme, zëvendësohet me kundërmyslimanizëm. Ti i ke mbrojtur myslimanët shqiptarë nga shpifja monstruoze se ata janë të paaftë për të qenë evropianë. Ti ngul këmbë se ata janë po aq evropianë sa të krishterët dhe se hyrja e Shqipërisë në Evropë pa myslimanët as që mund të përfytyrohet. Ti e ke thënë disa herë këtë dhe prapë akuzohesh për të kundërtën. Ti u ke shkruar letra katër presidentëve “të krishterë” dhe nuk e përmend asgjëkund problemin fetar, duke u dhënë të kuptojnë se çështja e lirisë, e pavarësisë dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve, as pengohet e as ndihmohet nga besimi i tyre. E megjithatë, ti akuzohesh se në intervistat apo sprovat e botuara, kërkon t’i bësh qejfin “Evropës së krishterë”.
Siç shihet, Haxhi Qamilët e sotëm janë të palodhur. Ndryshe nga banditi i dikurshëm analfabet, këta të sotmit, që dinë shkrim e këndim, janë edhe më të rrezikshëm.

Pyetje: E keni përmendur Haxhi Qamilin disa herë në sprovat tuaja për të keq, në kohën kur Qosja e çmon si një kryengritës kundër grekëve, serbëve dhe feudalëve.

Përgjigje: Ka dy interpretime për këtë figurë. Vlerësimi i Enver Hoxhës më 1947, i përtëritur më 1960, ku haxhiqamilizmi trajtohet me respekt si “lëvizje klasore e patriotike” kundër feudalëve dhe grekëve e serbëve. Në të vërtetë, ka qenë lëvizja më e hapur antishqiptare, ceremoniali i përditshëm i së cilës ishte valëvitja e flamurit turk dhe djegia e flamurit shqiptar. Adhurimi i komunistëve shqiptarë për të, dëshmon një thelb të përbashkët midis haxhiqamilizmit dhe stalinizmit shqiptar. Një përcaktim i shkëlqyer i Mit’hat Frashërit, i vitit 1928, zbulon arsyet e kësaj dashurie të shëmtuar. Për Haxhi Qamilin dhe ndjekësit e vet, Frashëri shkruan se ishin “ata që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje dhe rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi”.
Riciklimi i haxhiqamilizmit në kronikën shqiptare, tregon se diçka nuk shkon në këtë kronikë. Ndonëse njeriu që i ka dhënë emrin kësaj lëvizjeje ka qenë, sipas Mit’hat Frashërit, një katundar nga Sharra, i ikur nga çmendina, haxhiqamilizmi vetë dëshmon një dukuri në historinë tonë. Gjithmonë sipas Frashërit, kjo ka qenë një lëvizje e errët që duke vepruar nën maskën e fesë myslimane, nxitej dhe financohej, për çudi, nga rrethet shoviniste, aspak myslimane, të Ballkanit.
Siç shihet, me një shekull vonesë, dukuria përsëritet. Historia jonë, në vend që të bënte sikur nuk shihte, duhej të kishte vënë re se përse në disa zona të Shqipërisë këndohet ende sot kënga për banditin nga Sharra (Mal më mal këndon bilbili, rroftë e qoftë Haxhi Qamili.). E kjo të kujton faktin tjetër se përse mbahet mend dhe vizitohet ende sot varri i Ballaban pashës, tradhtarit të mundur e të ndëshkuar prej Skënderbeut?
Shtrohet pyetja nëse kjo tregon një gjendje patologjike të një pjese të popullsisë shqiptare, apo këto janë zona në të cilat, sipas kronikave osmane, perandoria ka bërë shpërngulje etnike të vendësve, për t’i zëvendësuar me kolonë të ardhur nga kushedi ku. E këta kolonë kanë kujtime e nostalgji të tjera. Ato jo vetëm janë të ndryshme nga ato të kombit shqiptar, çka do të ishte e natyrshme, por ato janë në kundërshtim të plotë me interesat e tij. E këtë asnjë vend i sotëm nuk e lejon.

Pyetje: Në sprovën tuaj për Dante Aligierin, poetit të adhuruar ju i keni bërë një kritikë lidhur me trajtimin e gabuar të tij, të profetit Muhamet. Kjo kritikë bie në kundërshtim me akuzat e Qoses për antimyslimanizëm. Por nga një burim interneti, është thënë se në botimin frëngjisht dhe italisht, që do të dalin së shpejti, paragrafet ku flitet për këtë gjë janë hequr. Ç’mund të na thoni?

Përgjigje: Ky është një trillim i mirëfilltë. Në botimet e huaja, qoftë në ato frëngjisht e italisht, qoftë në të tjerat, nuk do të ketë asnjë fjalë të ndryshuar, në asnjë paragraf, e aq më pak në paragrafet ku përmendet profeti Muhamet.
Është për t’u habitur zelli i atyre që, nga një anë hiqen si mbrojtës të myslimanizmit, nga ana tjetër, kanë padurim, që ata vetë të fabrikojnë e të nxitin të kundërtën.

Pyetje: Veprat tuaja janë botuar gjithashtu në vendet myslimane dhe arabe. A ka pasur vërejtje lidhur me fenë?

Përgjigje: Ka dhjetëra botime të mia që nga Maroku në Turqi e gjer në Iran. Nuk jam në dijeni të ndonjë kritike lidhur me çështje fetare.

Pyetje: Edhe një pyetje e fundit. Të gjithë flasin sot në Shqipëri për Evropën dhe kanë padurim për pranimin në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, populli ynë bashkë me klasën politike, ka një qëndrim shumë miqësor ndaj SHBA-së. Ç’mund të thoni për këtë mirëkuptim të dyanshëm.

Përgjigje: Kjo është gjëja më e mirë që i ka ndodhur popullit shqiptar qysh nga pavarësia. Vizioni i tij përfshirës Evropë-SHBA, mendoj se është një model i mirë edhe për të tjerët. Në thellësi, në ato që mund të përfytyrohen si pllaka tektonike të gjeopolitikës nuk ka kundërthënie midis dy kontinenteve, më saktë midis BE-së dhe SHBA-së.
Dëshira shqiptare për Evropën, është përtej llogarive përfituese, siç kujtojnë disa. Duke përfshirë, natyrisht, zhvillimin ekonomik, është fryma evropiane që i tërheq shqiptarët me po atë forcë.
Ju përmendët pak më parë Dante Aligierin. Është jo vetëm poeti i parë i kontinentit, por bën pjesë në vlerat themelore të tij. Duke qenë poet i ndëshkimit, ai është, në radhë të parë, poet i pastrimit shpirtëror. Duke i bërë një kritikë lidhur me profetin e myslimanëve, mund të merret sikur kam dashur t’i bëj një test pikërisht tolerancës evropiane dhe frymës pranuese të saj. Dhe kjo është e natyrshme të bëhet prej një shkrimtari, populli i të cilit, pas një ndarjeje të gjatë, i kthehet kontinentit të vet, jo me një, por me të tri besimet e tij.

Evropa, bota perëndimore, as ka qenë e as është një botë idilike. Por ajo është një botë që e pranon gabimin dhe kërkon të ndreqet. Është ajo që e ka pjellë fashizmin, por është po ajo, që e ka mbytur atë. E po kështu me komunizmin, është ajo që e polli, e po ajo që e mbyti me duart e saj. E kështu me radhë, ajo që ka ndodhur e ende po ndodh me racizmin, antisemitizmin, kundërmyslimanizmin.
Duke iu kthyer Evropës, populli shqiptar, lë pas gjendjen e tij të panatyrshme, për t’u kthyer në gjendjen normale, i plotë dhe i papërçarë.
Nuk ka kundërthënie midis identitetit shqiptar dhe evropianizmit. Në gjirin e asaj që përcaktohet sot si Evropa e kombeve, jo vetëm nuk zbehet asnjë identitet, por, sado paradoksale të duket, ka gjasë që, raportet e vështira kohët e fundit të shqiptarëve me atdheun e vet, të përmirësohen. Shëndoshja e tyre, nëpërmjet atij që mund të quhet partiotizëm institucional do të sjellë një drejtpeshim të ri në gjithë jetën e kombit. Tek lëkundja e këtij drejtpeshimi qëndrojnë rrënjët e disa të këqijave kryesore të jetës sonë. Në rivendosjen e tij, mbështetet, ndër të tjera, shansi ynë.
Një nga parullat e Rilindjes Shqiptare ka qenë: Zhvish rrobet e robërisë, mëmëdhe!
Nuk është e lehtë, natyrisht, të ndahesh me të keqen, qoftë ajo otomane, fashiste apo komuniste. Ne e dimë se kjo nuk është çështje petkash, por shumë më e thellë. Megjithatë, vrulli i përbashkët shqiptar drejt frymës evropiane na e jep këtë shpresë.


“Ndaloni masakrën që po projektohet ndaj shqiptarëve të Kosovës”

Letër VACSLAV HAVEL-it, President i Çekosllovakisë

I dashur Vacslav Havel

Besoj se do të më kuptoni e për këtë arsye do të më falni këtë mënyrë të drejtuari jo protokollar. Duke qenë i sigurt se anëtarët e sektit tonë, sektit të madh të shkrimtarëve, mbeten përherë besnikë të kësaj bashkësie edhe kur qëllon që marrin poste të larta e bëhen presidentë shtetesh, unë po ju drejtohem thjesht si koleg (confrére), si një murg që i drejtohet vëllait të tij murg të të njëjtit urdhër.
Zgjedhja juaj si president i një vendi qendror të Evropës ka qenë jo vetëm një nder e një kënaqësi shpirtërore për të gjithë shkrimtarët, por përtej kësaj, ajo ka qenë një shenjë, një ogur i mirë për të gjithë kontinentin tonë evropian. Edhe më parë historia ka njohur zyrtarë të lartë, madje edhe monarkë shkrimtarë, por ju u bëtë kryetar shteti në një kohë të turbullt e dramatike, në kushtet e një konkurrimi e sensibiliteti të lartë politik kur vendi juaj ndodhej në mes të ciklonit të ndryshimeve që bota mbarë e ndiqte me ankth. Në këtë sens, fakti që zgjedhja juaj u prit me kënaqësi nga të gjithë, dëshmon se në botën tonë, që shpesh na duket më e ashpër e më cinike se sa është, synimi drejt vlerave të epërme shpirtërore, jo vetëm që nuk bie por qëllon që edhe ngrihet. Mendoj se përveç asaj ç’ka fitoi Çekosllovakia nga zgjedhja juaj ky është një mesazh i mirë dhe plot shpresa që mori krejt njerëzimi. Gjithmonë në këtë sens, aksionet tuaja me përmasa mbarë evropiane, siç qe takimi i Pragës i qershorit të këtij viti, që ju e organizuat bashkë me presidentin Mitterrand, janë të natyrshme e ju shkojnë ju për shtat si rrallëkujt.
Pata nderin të jem i ftuar në Pragë, por ndonëse u takuam bashkë, nuk pata mundësi, për arsye që merren me mend, t’ju shtjelloja disa mendime të mia, çka po përpiqem ta bëj, sa më shkurt, në këtë letër.
Ndonëse unë jam një shkrimtar i larguar nga vendi im, përpiqem gjithmonë si shkrimtar e jo si politikan, të bëj diçka për Shqipërinë e popullin shqiptar, një nga popujt më martirë të Evropës. Në Pragë u fol shumë për Evropën e nesërme. Gjetja e rrugëve drejt saj është një nga aksionet më fisnike e më heroike të kohës sonë. Në këtë kohë ka shumë arsye për t’u dëshpëruar, por ka edhe arsye të tjera për t’u gëzuar. Fakti që njerëz si ju marrin pjesë në projektin e ardhshëm të Evropës janë inkurajuese për të gjithë, sepse përherë ka pasur njerëz që këtë Evropë e kanë ëndërruar me cilësi sa më njerëzore.
Por, për fat të keq, Evropa nuk ka qenë kështu dhe në ndërgjegjen e saj rëndojnë mjaft pesha të vjetra, të cilat duken sikur do të harrohen, por nuk harrohen e s’mund të harrohen kurrsesi. Ne shkrimtarët diçka më mirë se të tjerët e kuptojmë këtë.
Probleme të rënda, nga ato që ngjajnë të pakapërcyeshme kanë dalë përpara botës së sotme. Ndër to dramat etnike si ndër më të rëndat iu prishin gjumin shumë kancelarive. Por problemet e vërteta janë pikërisht ato që prishin gjumin. Që ankthet e shumë popujve arritën, më në fund, të shqetësojnë kancelaritë kjo megjithatë është një gjë pozitive. Se në ç’masë do të qetësohen këta popuj, kjo do të përcaktojë, në fund të fundit, vlerat e kësaj kohe, për të cilën ne të gjithë jemi përpjekur në këtë fund shekulli.
Ndër popujt që kanë vuajtur më fort pasojat e gabimeve të Evropës, kanë qenë edhe shqiptarët. Ashtu si baltët, si hungarezët, si moldavët e si kombe të tjerë, ata provuan mbi trupin e tyre gërshërët e Fuqive të Mëdha, që i prenë pa mëshirë në fillim të këtij shekulli. Por ndërsa të tjerëve iu shkëputën copa e gjymtyrë, ose përkohësisht u vunë nën protektoratin e fuqive të huaja, kombi shqiptar ishte i vetmi që pësoi tragjedinë më të rëndë: u pre më dysh. Ky gjymtim i rëndë ia ka prishur e vazhdon t’ia prishë atij gjithë drejtpeshimin, e bashkë me këtë shkakton turbullira në gjithë rajonin ballkanik.
Ndërsa gjysma e këtij kombi shpëtoi, më në fund, nga diktatura vendase komuniste, gjysma tjetër vazhdon të lëngojë nën një nga diktaturat më të egra që ka njohur bota, dhunën serbe. Pa e tepruar aspak mund të thuhet se shqiptarët e Jugosllavisë jetojnë sot në një ferr të vërtetë. Duke mos kërkuar aspak prishjen e mirëkuptimit dhe paqes evropiane, shqiptarët e Jugosllavisë (Kosovës), popullsia e tretë pas serbëve dhe kroatëve në këtë shtet, kërkojnë vetëm të respektohen njëlloj si të tjerët, as më pak e as më shumë, dhe kërkojnë atë drejtësi që bota e sotme ua njeh të gjithëve. Me këtë rast dëshiroj t’ju njoftoj Ju, se nga të dhënat që po mbërrijnë prej burimeve të ndryshme, një masakër e përgjakshme po projektohet kundër shqiptarëve. Gjithë Evropa duhet të alarmohet prej këtij paralajmërimi, përpara se e keqja të ndodhë dhe një krim i tmerrshëm të depozitohet në ndërgjegjen e kontinentit tonë.
Ju kërkoj ndjesë zoti President për gjatësinë e kësaj letre. Ju keni probleme jo të pakta të vendit tuaj për të zgjidhur, por unë kam besuar përherë se shpesh, në udhë misterioze, çështjet e popujve, gëzimet e hidhërimet e tyre komunikojnë me njëri-tjetrin dhe ashtu së bashku qëllon që lehtësojnë njëra-tjetrën. Kam besuar se ju do të më kuptoni drejt, i dashur Vacslav Havel dhe nuk do të mungoni t’i kushtoni vëmendjen dhe fjalën tuaj të ndershme e të veçantë çështjes shqiptare. Populli shqiptar, që di si rrallëkush të jetë mirënjohës, nuk do t’jua harrojë kurrë këtë gjë.

I juaji
Ismail Kadare

Paris, 14 shtator 1991
 

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.