|
Shkodër. Fondet e Bashkisë nuk përballojnë dot kërkesat
Shyqyri SELHANI Përmirësimi i infrastrukturës kërkon më shumë para Rreth 62 km rrugë ka në inventar Bashkia e Shkodrës që përshkojnë si artiere këtë qytet me mbi 100.000 banorë. Zhvillimi i shpejtë i këtyre 15 viteve i ekonomisë dhe tregtisë, i dhanë një hov të shpejtë zhvillimit të transportit rrugor. Ishte normale që këtij zhvillimi t'i përgjigjej me rrugë të reja apo të rehabilituara. Qeveria demokratike e atyre viteve e njihte mirë situaten ekonomike apo edhe në fushën e infrastrukturës rrugore, por ajo e kishte të vështirë t'i përgjigjej me investime të mëdha. Prandaj u përpoq që t'i mbante në këmbë ekzistueset, të investonte diçka në përmirësimet e tyre dhe me forcimin e buxhetit të shtetit të rriste gjerësisht investimet. Me të ardhurat e bashkisë edhe nga investimet e dërguara nga qeveria demokratike, pavarësisht se me vështirësi e në kushte teknike jo të kënaqshme, infrastruktura rrugore në Shkodër u mbajt disi. Tatëpjeta e investimeve… Ndërsa vitet 1997-2005 qenë vitet më të vështira për shkodranët në të gjitha drejtimet. Natyrisht një goditje të rëndë pësoi infrastruktura rrugore e qytetit. Ishin vitet e drejtimit politiko-ekonomik të vendit nga socialistët, të cilët në mënyrë të programuar, me motive tërësisht demokratike filluan persekutimin politik e sidomos ekonomik të Shkodrës për ta varfëruar atë, për të prerë rrugën e zhvillimit të vrullshëm të viteve '92-'96. Dhe për 8 vjet në Shkodër krahas mungesës së theksuar të energjisë elektrike u thellua në mënyrë drastike mungesa e investimeve në fushen e arsimit, shëndetësisë, e sidomos atë të investimeve në infrastrukturën rrugore. Vitet 1998-1999 janë vitet ku rrugët e Shkodrës me një ritëm shumë të përshpejtuar, dalin pothuase tërësisht nga funksionimi si rrugët tradicionale të lagjeve Kiras, Dudas, Skënderbeg, Ndocej, Sarreq, Gjuadol, Ura e Keqe, Rus, etj.Pjesa dërmuese e rrugëve u mbush me gropa dhe gjendja në vitin 2005-2006 paraqitet tepër e rënduar. Drejtuesit demokrat të pushtetit vendor para-qesin njëri pas tjetrit projekte në ministritë e drejtuara nga socialistët për rikonstruksion rrugësh, takimet e para ishin të qeta, plot buzëqeshje dhe dasha-mirëse, por vetëm kaq, për investime as që bëhet fjalë. Rrugëdalja nga embargoja socialiste E ndodhur para një situate të tillë Bashkia e Shkodrës u përpoq të gjente mënyrë dhe forma të ndryshme për të përmirësuar sadopak situatën. Ajo iu drejtua shoqatave, donatorëve të ndryshëm, fondacioneve, si USAID, FZHSH, UNOPS, PASARP, IDA, RF Austrisë, GTZ, etj. Përmes tyre ajo arriti të realizojë rikonstruksione rrugësh sië, Rruga "Bujar Bishanaku", "Marsel Kashen", "Halip Bajraktari", "Daniel Matlia", "Ndre Mjeda". Bashkia iu drejtua për bashkëpunim biznesit vendas dhe komunitetit. Fillimi qe i vështirë, edhe sot. Dhe filloi përmirësimi i rrugëve nga ky bashkëpunim, si riparimi i rrugës "Luduvik Saraqi", Zona industriale nr.1, u bë tërësisht e re rruga tek blloku i banesave pas ish- Sanatoriumit, rruga e Arrës së Madhe etj. U shtuan të ardhurat në buxhet dhe financimet për infrastrukturën Nga viti në vit, Bashkia, falë përmirësimit të punës së Zyrës së Tatim- Taksave, sidomos me ardhjen në krye të saj, zotit Nexhat Grezhda u rritën së tepërmi të ardhurat në krahasim me vitet më parë. Kjo bëri të mundur që një pjesë e mirë e të ardhurave të investohen në rikonstruksion trotuarësh, rrugësh, ndriçim. U rikonstuktuan trotuari para Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në rrugën "Don Bosko", para godinës së Universitetit "Luigj Gurakuqi", para Prefekturës, u bë rikonstruksioni i trotuarëve në qendër të qytetit, pranë hotel "Rozafës" dhe përballë tij, në rrugën "Daniel Matia". Së shpejti fillon trotuari i ri në rrugën "Guerile", para Teatrit "Migjeni". Po bëhen investime për të rritur ndriçimin e qytetit, hapjen e kanaleve të bardha e të zeza. Bashkia ka drejtuar një pjesë të mirë të investimeve direkte në rikonstruksionin e rrugëve më të shpartalluara të qytetit. Bashkia në bashkëpunim me komunitetin ka marrë përsipër mbylljen dhe asfaltimin e të gjitha gropave e dëmtimeve të tjera të bëra në rrugët e asfaltuara për t'i ruajtur e mbrojtur nga prishja e mëtejshme me vlerë 15.5 milion të reja. Thellimi i këtij bashkëpunimi të frytshëm ka bërë që bashkia t'i afrojë komunitetit 40 milion lekë të reja për të rikonstrukturuar rrugët dhe rrugicat e shumta, me mbi ngarkesë popullsie, me kusht që banorët e këtyre rrugëve të hapin kanalet anësore për ujërat e bardha, t'i betonojnë ato dhe punimet e tjera i merr përsiper Bashkia. Sipas informacioneve që ka Bashkia, Qeveria do të fillojë rritjen e investimeve në infrastrukturën rrugore për qytetin e Shkodrës. Së shpejti do të fillojë punimet për unazën e qytetit me vlerë mbi 3 milion euro. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Ministria e Transportit janë duke punuar në këtë drejtim. Eshtë zhvilluar tenderi për 2 fazat e para dhe së shpejti pritet shpallja e firmave fituese. Bashkia ka paraqitur pranë Ministrive përkatëse 16 projekte në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, 2 projekte për sistemimin e ujërave të bardha e të zeza, 1 projekt për ujësjellës dhe janë evidentuar problemet e shpronësimit. Shkodra sot ka nevojë për punësim, investime… Shkodra sot ka nevojë për çdo gjë, në veçanti për punësim, investime, sidomos në infrastrukturë. 8 vjetët e qeverisjes socialiste kanë lënë plagë të mëdha në qytetin e Shkodrës. Janë 8 vjetët e qëndresës së madhe, e besnikërisë së madhe ndaj idealeve demokratike e PD-së, prandaj ato me të drejtë kërkojnë mbushjen e këtij dificiti persekutues 8- vjeçar dhe pastaj për të ecur me rritëm të përbashkët investimesh. Shkodranët nuk mund të heshtin të vazhdojnë të lëvizin në ato rrugë që me të rënë pikat e para të shiut nuk kalohet as me çizme. Ato presin dhe kanë besim që qeveria demokratike, brenda mundësive që ka, normave ligjore të ktheje kryet nga Shkodra, jo për mëshirë, por për drejtësi. Nga 130 rrugë, 73 janë të paasfaltuara Gjendja e rrugëve të Shkodrës është e tillë 30.708 ml janë rrugë të asfaltuara, 32.000 ml të paasfaltuara. Nga 130 rrugë gjithsej, 73 janë të paasfaltuara, 57 të asfaltuara. Në bazë të statistikave ka rezultuar se nga 57 rrugët e asfaltuara vetëm 30% e tyre mund të themi se plotësojnë kushtet normale. Mendimi i specialistëve është se infrastuktura rrugore në qytetin e Shkodrës është drejt amortizimit të plotë, drejt shpartallimit total nëse do të lihet e vetme Bashkia e Shkodrës t'i përballojë këtë situatë. Një gjendje e tillë është si pasojë e politikave të qëllimshme persekutive që qeveria socialiste ndoqi për 8 vjet ndaj Shkodrës. Fitoria e PD dhe aleatëve të saj më 3 Korrik 2006 ka hapur një faqe të re për të gjithë Shqipërinë. Shkodranët janë ato që gëzohen më shumë sepse kanë kontribut të veçantë. Megjithë përpjekjet që bëjnë zoti Edi Rama apo drejtues të tjerë të PS për të akuzuar qeverinë demokratike se nuk ka bërë asgjë për Shkodrën, se zoti Sali Berisha, zonja Jozefina Topalli dhe vetë shkodranët mbajnë peng Shkodrën, nuk i gënjen ato. Mendja e çdo shkodrani jep produkt 2 herë më shumë se e zotërinjve që sa përmendëm. Shkodranët shohin me kënaqësi se brenda pak muajsh Shqipëria furnizohet shumë më mirë me energji elektrike se 8 vitet e qeverisjes socialiste, se rendi dhe qetësia gjithnjë e më shumë po bëhen zotër të vendit, se banditët, kriminelët, kondrabandistët, mafiozët, po kapen edhe në vrimë të miut, se në Shqipëri po vendoset shtet ligjor. Shyqyri SELHANI |