Home arrow Histori arrow Ngjarje Historike arrow Mal i Zi ...kliko ketu...
Mal i Zi ...kliko ketu...
Cetinja…atje ku ende dergjen me ‘mposhtjen’ e shqiptarëve
Skeda e Malit të Zi
Ben Andoni
Popullsia: 620.000 (Rregjistrimi i vitit 2003)
Kryeqyteti Administrativ: Podgorica
Sipërfaqja: 13.812 km katror
Religjionet kryesore: Kristianizëm, Islam
Gjuhët: Serbisht, shqip
Jetëgjatësia: 71 vjet (burra), 76 vjet (gra) (UN)
Njësia Monetare: Euro
Eksporti kryesor: Alumini
Internet domain: .cg.yu
Kodi Ndërkombëtar i telefonit: ( 381)

Më vjen keq për maskëmortin Bushatliun, por e admiroj këtë burrë të bukur…që kërkonte shumë…E sqaroj malazezen se nuk ishte turk…dhe etiketa ndanë kokës është e gabuar…Por, pak para bën…Pak më parë dy tregëtarë ambulantë…më thonë se sa larg është Shkodra…Më shikojnë të zgurdulluar kur u them se është vetëm katër orë… Të tjerët vetëm pinë. Një murg në manastirin e madh ndërtuar nga Crnojeviçi më sqaron qetazi dhe monotonish për shenjtin që i mban hapur kapakun e një arkmorti të hershëm…ndërsa më thotë se ka qenë në Shën Gjon Vladimirin (e tyre) në Elbasan. Edith Durhami nuk besoj se ka parë më shumë nga ky qytet, që ka mbetur njësoj i pandryshuar në shekullin e fundit...dhe që Gjukanoviçi me ëndrrën e madhe të knjazëve…do ta rikthejë në kryeqytet. Deri më tani duket një utopi…që Cetinja të kthehet sërish në kryeqytet...Ka shumë Shqipëri... në muzeun (që e identifikoj vetëm me Bushatliun)...dhe ka shumë në të gjithë Cetinjën...në vendin ku më duket se prek vërtet Mesjetën e fundit shqiptare...Eshtë varri i Marës...motrës së Skënderbeut, fëmijëve të saj... dhe vendi ku Njegoshi thurri kryeveprën e këtyre shkretanëve “Kurorën e Maleve”
Cetinjë, Ben Andoni*
“Përpara, përpara, Prizrenin ta shikoj,
Se është imi, në vendin tim do shkoj”…

Kaq mjaftonte një shekull më parë, që vargjet e thurrura në ndonjë dalldi pije nga Knjaz Nikolla t’i masturbonin bashkërisht të gjitha përfytyrimet e malazezëve. Proverbialë në Serbi dhe më gjerë për dembelizmin e tyre, gjithsesi kaq u duhej crnagorasve...që tu vërsuleshin turqve (kështu u thoshin zakonisht shqiptarëve). Kishin ndarë bashkë shekujt dhe mbijetesën. Ishin martuar, kishin bërë fëmijë me njëri-tjetrin...dhe në fund si në tregimet e vjetra skoceze e kishin prerë po aq qetazi njëri-tjetrin...Pikërisht, atëhere kur nuk pritej. Dhe, kjo këngë, që u bë më e njohura në vend i bënte banorët e kësaj qyteze të vogël që të shikonin fronin dhe kështjellën e Car Dushanit, si pas rrugës së vetme të qytetit të tyre…, ose njësoj sikur përpara të kishin vetë përfytyrimet e Ezekielit në Dhiatën e Vjetër. Këtë mendoj në këtë rrugë jo shumë të gjatë nga bregdeti dhe që i ngjitet me një malore disi të egër qytetit të kralëve. Nuk më bind në të gjithë gjatësinë e tij se po i afrohem ndonjë të papriture...Por cetinjasit më zbulojnë papritmas se kanë zotësi për tregti. Kudo shikoj makina pa fund..që presin për shitje në parkingje në xhepa malesh...Pres të më dalin dhe mua si në ëndrrat e tyre trupmëdhenjtë dhe sherrxhinjtë...por që në fakt është thjesht një rezistencë për t’i shpëtuar rrugës disi të vragët...që nget mendimet... Për minuta të tëra, veç shkrepave...asgjë nuk të ngjall më ndonjë interes veçse disa klube rruge…që duket sikur vetëadministrohen. Pastaj gurë. Me gjithë mend, nëse për etimologjinë e Malit të Zi të shkon mëndja për shkëmbinj... ato janë të gjitha vërtetë të mbledhur në këtë vend. “Gledaj! Tamo je Orlovi Krs”-më thotë një vendas (shkrepi i shqiponjës). Ka dyzina të tëra në vendin tim dhe pak më bëjnë përshtypje. Por, ajo që të vjen ndërmend është e thjeshtë...Zoti këtë vend e ka mbushur me shkrepa dhe gurë për ta shpëtuar nga ledhet dhe fortesat sepse kaq dembelë sa janë kush do të punonte vallë…Kara Mahmud Bushatliu...që do linte kockat këtu...duhet ta ketë ditur mirë, kur i merrte përpara këta kokëshkretë. Ishin kohë...në fakt, kohë burrash.
Në Cetinjë
Kaq. Ëndërrimi merr fund dhe 38 minuta pasi i ngjitesh rrugës së Budvës, mbërrin në Cetinjë. As më shumë dhe as më pak, ky më jep përshtypjen e një qyteti, që e kam parë dhe më parë. Në fakt e kam parë. Një minutë e pak sekonda nga stacioni, që dikur duhet të ketë qenë po i tillë, vjen dhe qyteti. Në kartolina është njësoj dhe po aq njësoj dhe në filmimet e vjetra bardhëezi...Pyes për muzeun dhe cetinjasi i parë i ngeshëm- ma bën me dorë: “Samo jedan ulice-isto kao uvijek”...(Vetëm një rrugë është...si gjithmonë). Mirko, ky shofer 48 vjeçar, kaq di. Eshtë i veshur me një palë pantallona xhinse dhe një këmishë të zbërthyer, ku ka nxjerrë gjoksin e tij të stërmadh. Asgjë më pas. Eci...në një qytet të qetë, pa njerëz, që duhet të ketë zëvendësuar njësoj qendrën e dikurshme. Janë vërtetë trupmëdhenj dhe fizikisht të mirë. Jo më kot e përmirësuan antropologjikisht Familjen Savoja, teksa i dhanë për grua Viktore Emanuelit III, Jelenën...Shkëputem sërish nga ngasemëndjet. Po, ky Kara Mahmudi...çfarë donte këtu pyes...Ku ishte magjia...Pse duhej t’i pushtonte dhe stërpushtonte sërish... ... Duhet të kenë ndryshuar në ditët tona. Tashmë janë të pavarur dhe aty fshehur pas maleve mtojnë që të bëhen sërish kryeqytet i shtetit më të ri të botës. Kaq u mjafton për temat e tyre stanjative të muhabetit. Ndërsa njësoj si vite, dekada dhe shekuj…gjerbin me symbyllur kafetë tip expresso dhe shëtisin të qetë lart e poshtë rrugës kryesore të qytetit. Eshtë njësoj, pra. Sikur Edith Durhami të ishte gjallë do të shikonte sërish se njësoj në shtëpitë që kanë mbetur, që nga koha e saj…shumë syresh të braktisura, po ashtu ”malazezët trupmëdhenj shëtisnin poshtë e lart rrugës kryesore të Cetinjës, veshur me kostumet më të zbukuruara popullore të Cetinjës, pinin sasi të pallogaritshme kafeje e rakije dhe bisedonin për ato kohë të lavdishme…”…Tashmë në vend të kostumeve u kanë mbetur T-shirt dhe pantallonat e shkurtëra, ndërsa më të vjetërve rrobat e thjeshta qytetare…Janë të ngeshëm, sikur do të jenë të përjetshëm…dhe bajagi të qetë. Këtë e ndiej teksa një çift pleqsh pasi kërkon “kljucc” (çelësin) qetësisht dhe me një zënie disi baroke, që duhet të ketë filluar 50 vite të shkuara -mundohen të hapin derën e tyre të shtëpisë të vjetër, ndoshta që nga koha e Knjaz Nikollës . Me sa duket, të gjithë mbeten të interesuar që ky vend të mbetet kështu. Sepse e dinë mirë që pa këtë vend...krenaria e malazezëve do të duket një fiasko. Në kohën e turizmit të ri..nuk çan më kokën njeri për Cetinjën..sesa për zhurmën e hip-hop, shalët flakëruese të xixëllonjave dhe scooter-ave të ujit. Edhe ky duhet të jetë një hall më shumë në kokat e cetinjasve, që tashmë ndihen të mënjanuar nga ethet e fitimit, që kanë bregdetarët, që këta i kundrojnë nga sipër-dhe i bën të rrijnë gjatë pa folur. Me shkak, kuptohet. Eshtë e vërtetë veçse. Kjo tokë shkretane, përveç detit që e lëpin nga poshtë, nuk të jep gjë tjetër. Në Cetinjë më shumë akoma…deti nuk duket…ndërsa të gjithë duket se e tretin vështrimin përtej maleve në kërkim të betejave të humbura. Atje ku i prenë kokën dhe “kavalierit turk”, Kara Mahmudit, kokën e të cilit e kanë njësoj krenari si shenjtë dhe relike të tjera të kobshme në këtë vend... Mirko, më shpjegon se tashmë kanë filluar të lëvizin. “Po rregullojmë shtëpitë…dhe ka interes gjithmonë e më të madh për godinat dy katëshe”, më thotë. Eshtë i bindur se ky vend do jetë shpejt kryeqytet, ndërsa në Budva më thonë...me ironi se atje shkohet vetëm për izolim...
Qyteti, politika dhe ekonomia
Shtëpitë, të cilat janë uniforme të sjellin të gjallë atmosferën tipike ballkanike arkitekturore të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX. Po t’u besosh thënieve të kryeministrit Gjukanoviç, shpresohet shumë që qyteti të jetë kryeqyteti i ri. Por kjo karakatinë..., që mezi po e merr veten poshtë bojërave dhe në stilin uniform mërzitshmërisht të ndërtimeve neoklasike, pak të jep përshtypjen e një kryeqyteti…sidomos evropian. Ndërsa malazes po. Ai është shpirti i tyre i vërtetë. Cetinjën provoj dhe vërtetë mund ta vizitosh me një frymë… , ndërsa Mirko…ky nacionalist i bindur- më krenohet se do më tregojë një surprizë. Edhe pa më thënë gjë ai- E di mirë se çfarë është. Po afron momenti im, por që nuk dua t’ia jap si kënaqësi: Do të më tregojë kafkën e Kara Mahmut Bushatliut, që këta e ruajnë në muze... Për fat është i zhveshur dhe nuk mund të futemi të dy në Muzeun e madh historik të qytetit, që është edhe krenaria kombëtare e crnagorasve. Një nga krenaritë e tyre… Këtë kohë mëdyshimi të mikut tim-e shfrytëzoj të marr suvenire dhe të shkëmbej me dy cetinjas përshtypje, por edhe orientime. Dy minuta më vonë, pasi më stërpyesin dhe binden se jam shqiptar më thonë se janë nipërit e Tinka Kurtit. Zallamahia shtohet. Një grua vjen...dhe më thotë sesi mund të gjej pëlhurë në Shqipëri. Të tjerët...sa larg është Shkodra. Janë krejt të paditur dhe më duken si të izoluar nga të gjitha... ...
Në vend të intermexos
Krejt ndryshe, larg tyre-Malazezët e qyteteve të tjerë kanë ecur mirë me turizmin vitet e fundit, paçka luftës së stërgjatur. Kanë mbetur disi në dy vitet e fundit, se pak më poshtë tyre, Shqipëria dhe sipër tyre, Kroacia (kjo superfuqi e vërtetë e turizmit) kanë bërë hapa galopantë. Besohet se kjo u falet, kur mendon se sapo janë bërë shtet, ndërsa në vitin e fundit u është dashur që të harxhojnë energjitë me punët e tyre shtetformuese. Që i kanë zgjidhur me nge, si çdo gjë të tyren. Janë ndarë mirë me serbët, paçka se kjo ngjan pak si anekdodike, ngaqë malazezë ka më shumë në Serbi sesa në të gjithë Malin e Zi. Dhe, mjafton që t’i dëgjosh në një debat televiziv për të kuptuar sesa të ngeshëm janë. Mbi të gjitha bashkëkombasit tanë…Në një nga stacionet e CRNG dëgjoj sesi përfaqësuesit e Unionit Demokratik shqiptar përballë disa subjekteve të tjera shqiptarësh shkëmbejnë me një gjuhë disi arkaike dhe krejt boshe platforma kotësie. Të bindur për fuqinë e medias pozojnë dhe akuzojnë...kot. Por kujdes, shqiptarët nuk janë budallenj. Të paktën në Malin e Zi. I kanë mësuar sesi bëhet sipërmarrja private në turizëm, ndërsa janë kudo..por të ndarë, ndërsa shumë syresh pëlqejnë “Inostranskih zemljovi” (vendet e huaja-thotë Mirko). Në fakt, për aq pak sa janë, të vjen për të qeshur që janë aq subjekte…që të ngatërrojnë me emrat dhe gjithçka. Ndoshta koha, kjo mësuese e mirë do t’u kujtojë se sa më shumë të ndahen...aq më vështirë do e kenë bashkimin e interesave të tyre, kujtoj fjalën e Prof. Qoses. Gjithsesi Unioni Demokratik i shqiptarëve, partia më e madhe e pakicës është në koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit dhe PSD-në malazese. Në Cetinjë më duken si të braktisura partitë që lidhen me radikalizmin. Një nga këto, një si biçim Stranska Srbija…krejt e vetmuar…valëvit një flamur mbi një oborr vetmitar. Mbase kështu është- mendoj. Këtu këtu ka një logjikë tjetër…këta njerëz rrojnë më shumë me të shkuarat se me të sotmet. Ndërsa ata që i udhëheqin kanë kuptuar se me shqiptarët duhet ta mbajnë mirë...Nuk di njeri të më sqarojë për shqiptarët këtu. Ndërsa për Kara Mahmudin dinë. Si ia prenë kokën? Si e mbajtën? Ku e çuan...Më duket se e mbaj me vete shpirtin e tij, që nuk duhet të qetohet...Ka dhe pak minuta...
Pak ekonomi
Njerëzit e Tinkës më buzëqeshin, kënaqen që flasim dhe blejmë suvenire, por kaq... Duhet të vrasësh pak mëndjen që të gjykosh se çfarë biznesi bëjnë këta. Në këtë vend deri në fund të shekullit të XIX nuk ka pasur ndonjë ekonomi për ta vlerësuar. Vetëm se në vitin 1947 diçka ndryshoi me krijimin e një kompanie, që quhej “Bojana”…Pak më vonë u ngrit dhe një firmë autobuzash dhe kulmi arriti me “OBOD” në vitin 1953, një pioniere në ish-Jugosllavi për industrinë elektrike. Ajo gjeti partnerë të mirë në Itali dhe Gjermani dhe prodhimet e saj ishin kudo, madje shumë edhe në Shqipëri në vitet e arta të tregëtisë mes dy vendeve. Por, malazezët krenohen dhe me grafikën e tyre. Këtu janë shtypur libra, që nga shekulli i XV dhe kjo i bën të mendojnë se ia dalin dhe kësaj pune. Ka fjalë optimizmi për industrinë e konservimit dhe një firmë tjetër "Trgopromet", që i ka dhënë një emër të mirë qytetit, pak pas viteve ’60. Në ditët tona, pretendohet se ka shkuar mirë dhe privatizimi dhe pas zgjedhjeve besohet se do të shkohet më tej. Në fakt, ajo që të bën më shumë përshtypje janë makinat, që i gjen kudo dhe që duket se duhet të jetë një biznes i mirë në vend. Por...në rrugë ecin makina shumë të shtrenjta shenjë që Cetinjasit duket t’i kenë rregulluar ndryshe punët e tyre...
...Dhe turizmi
Këtë e dinë mirë qytetarët e paktë të saj, numrin e të cilëve ma thonë gjithmonë ndryshe. Cetinja ka qenë historikisht “e paravendosur”, që të ishte qëndra e Malit të Zi. Prej religjionit, por më shumë prej bëmave të heronjve nga Crnojeviçi e më pas. Jo më kot, ajo vazhdon të jetë një pikë atraksioni kulturor edhe me këtë hapësirë aq të vogël. Dhe malazezët e kanë shfrytëzuar aq mirë këtë vend, teksa ajo ka mbetur njësoj si shekuj të shkuar me shtëpi të braktisura dhe të rrënuara, njësoj si shumë e shumë kohë më parë. Në fakt brënda përtacësisë së tyre Milo Martinoviç (shqiptar-mendohet) ndërtoi një si biçim hani. Por kjo qënie, që do të ishte dhe komandant më pas në fushatat e përmendura të Malit të Zi kundër shqiptarëve- e ndoqën më pas disa qëndra turistike në Cetinjë. Në mesin e shekullit të XIX ky vend u popullua, për aq sa mund të flitej…me taverna…dhe hane. “Në atë kohë, Cetinja ishte vetëm një fshat me çati të kuqe, që shquhej qartë në mes të një fushe të rrethuar me male. Shumica e kasolleve ishin përdhese, e në to banonin rreth tre mijë frymë…Në Cetinjë m’u krijua bindja se e kisha gjetur ‘vendin krejt të panjohur’, që kisha kërkuar”. Që nga vështrimi i Durhamit kanë shkuar shumë kohë dhe çatitë e kuqe janë zbërdhylur nga koha duke u zëvendësuar shumë syresh me çatitë e ndërmarrjeve të vetëadministrimit të Kardelit. Hotel “Lokanda”, që tani këta e njohin me emrin “Grand Hotel”, ka filluar punë më 1864. Pas kësaj, në fillimin e shekullit të shkuar në këtë qytezë (sa tmerr e kanë tu thuash kështu-për këta është njësoj se je në një metropol disa milionësh. Mbi një tabelë kanë vendosur drejtimet e Vatikanit, Romës, Parisit...) kishte fare pak hotele dhe pak mundësi turistike. Ishte kjo edhe koha me këtë rast, kur doli dhe guida e parë turistike që madje u shtyp edhe në anglisht më 1901. Interesi për Cetinjën rilindi pas Luftës së Parë Botërore, kohë e mbushur me lavdi për këta dhe momenti kur vendi njihej me emrin e vjetër si qëndra e Zetës. Momenti kur na morën shpirtin me mizoritë e tyre dhe kur Shkodra, kjo dashnore e madhe e shekujve i la të plagosur në shpirt... Në muze do të shoh pastaj foto të shumta që lidhen me këtë. Kjo, në fakt, mbetet edhe koha më e lavdishme e qytetit që tashmë numëronte 54 kafe dhe gjashtë hotele me emra impozantë si ‘London’, ‘Paris’, ‘Neë York’ dhe ‘Grand’ . E gjithë historia e tyre...në këto ish-kafe, nuk të ngjall asgjë nga lavdia që thurrej këtu. Dikur këtu sfidoheshe dhe këtu jepeshin gjëmat…por qyteti po vdiste. Erdhi Lufta e Dytë dhe kohët e mëvonshme…sidomos gjysma e shekullit të shkuar, kur qyteti filloi të vdiste pak e nga pak dhe e humbi përfundimisht statusin e tij të qendrës politike dhe administrative të Malit të Zi. Kuptohet se po ashtu edhe turizmi ndaloi. E vetmja gjë që i mbeti ishte kjo historia dhe kjo rrugë që të shullon në diell dhe që vendasit pak janë kujdesur për ta ndryshuar…Sot, ka mbetur Grand, që këta e quajnë të kategorisë A, moteli “Zicer” dhe Dormitory një qendër rekreacioni për rininë. Por, nga ana tjetër, ka një numër të madh restorantesh dhe kafet e stërshumta mes tyre emri shumë i dashur “Milena”... dhe të tjerë ‘Talija’, ‘Yelloë Moon’, ‘Piper’. Te kjo e fundit, Mirko ka kohë që të më rrëfejë historinë sipas mënyrës së tij, mbushur me knjazë dhe vojvodë, që i grijnë pa mëshirë turqit…
Historia e (ri)munguar…
Pak minuta më pas. Njerëzit e suvenirëve më kanë rrëfyer Cetinjën. Më duhet të ndez një qiri për shpirtrat. Dhe, këtë vendos ta zgjidh në kishëzën e vjetër ku është varri i Ivan Crnojeviçit, që prehet bashkë me Knjaz Nikollën dhe Princeshën e tyre Milena. Por më duhet mos të humbas dhe Kara Mahmudin. “Tamo je...spava mirno!”-më thotë me pak keqësi Mirko. Këtij “kucckom sinu”, i shpjegoj pak më vonë- se qytetin e ka themeluar më 1482 Ivan Crnojeviçi, burri i Marës, motrës së Skënderbeut. Ky sundimtar i fundit i shtetit mesjetar të Zetës arriti që të bënte dhe një kështjellë për vete në Orlovi Krs. Kujt ia thua? Kënaqem me vete. Nuk kishte nga t’ia mbante më Crnojeviçi: Luftrat e turqve e shtynë nga Zhabjaku në pjesët ku nuk kapeshin dot. Dhe, ishte po ai vetë, që pastaj ia dha emrin qytetit Cetinjë për nder të lumit, që kalonte atëhere…Mbërrij në kishën që e ka ndërtuar vetë, mbi rrënojat e një manastiri më të hershëm, që tashmë ka lënë trashëgimi disi kolona. Sytë më mbesin tek një kapitel të imituar keq korintik dhe të hepuar...Vetë Crnojeviçi, tani, prehet poshtë një pllake. Më duhet të ndez qiri. Nuk më intereson shumë Knjaz Nikolla që ka një varr impozant mbi të dhe e shoqja që është duke fjetur simetrikisht me të- në anën tjetër të kapelës. Eshtë momenti që kujtoj me dhimbje se asnjë nga princat tanë mesjetarë (më tepër bëmë-mëdhenj se Crnojeviçi)...me të cilët krenohemi, nuk ka një varr. Crnojeviçi është poshtë një pllake mermeri dhe ka të shënuar vitvdekjen 1490, por jo vitlindjen. I Crnojeviçit është edhe manastiri që ka shërbyer si residencë e metropolisë së Dioqezës së Zetës. Eshtë e kuptueshme që kaq obsesivë sa janë këta njerëz të kenë ndërtuar vetëm në këto vende…Dhe në fakt ia kanë dalë. Askush nuk i ka bezdisur, derisa kanë mbetur kaq pak, sa janë edhe tani. Në këto male ka qenë një bezdi e madhe për të ardhur, por edhe për të përballur vendasit…Përveç atij, Kara Mahmudit,...që si pa dashur në kobin e tyre...malaziasit na kanë dhënë një gëzim, sepse i kanë lënë kokën...Nuk e di sepse është mirë të shikosh kafkën e dikujt...që ndjen diçka... Pak minuta më pas...dal dhe i afrohem muzeut...Pasi e heq qafe shpejt ciceronen..kërkoj atë...Më duket sikur do fjalosem, por më shumë...se ia vlen dhe ta marrësh. Ta kthesh në Shqipërinë e tij, që nuk arriti ta bënte shtet...Një mik më ka siguruar se kafka e Kara Mahmut Pashë Bushatliut është atje. Por një kafkë që më shikon dhe që e gjej me vështirësi nuk ka asnjë gjë identifikimi. Derisa...e gjej. Po. Është simpatik. Sërish i bukur. Më mirë se kafka është maska e metaltë e vdekjes së tij. Një kryevepër e ndonjë mjeshtri. E konfirmoj qartë nga etiketa se është maska e vdekjes së këtij burri të rrallë. Që malazezët e kanë shënuar si pashai turk…Eshtë simpatik Kara Mahmut Pasha edhe i vdekur (është i shënuar dhe emri i trimoshit malazes që e ka vrarë-por e shpërfill në shenjë solidariteti me Mahmudin simpatik, që ka një fytyrë si Mosketierët e Dymasë)…I rrethuar në një kishë bashkë me shtabin ai vritet paçka se i duhet të luftojë dhe vetë ndaj një armiku më inferior… Nga këtu filloi historia e kokës së tij, që vendasit e mbajtën gjatë si relike dhe që tashmë më shikon e qetë nga pas vitrinës. Jemi në fund -shekullin e XVIII…Sa e dua, ta kem dhe ta çoj në vendin tim. Një sy më vigjilon, ndërsa një mik shqiptar më kufizon për foton...e tij. Po a mund të ikësh pa të vallë?
Krenaritë e tyre
Duhet të krenohen se vetëm 40 vjet pas Gutenbergut, Gjuraj Crnojeviç krijoi një si tip shtypshkronje. “Oktoih prvoglasnik”, që është botuar atje- mbetet libri i parë, shtypur në alfabetin cirilik në të gjithë Ballkanin. Një kujtim i mirë, kur kujton se këta dembelë të pafre- kohën tjetër ia kanë kushtuar luftës. Në muze më presin bëmat e materializuara të tyre, që këta i kanë kuruar me shumë pompozitet. Largoj me kujdes sërish ciceronen, sepse më duhet ta shijoj vetë, por mendja më punon për kafkën dhe maskën e vdekjes së Kara Mahmut Bushatliut. Në muze shikoj armë të arrira, që janë bërë nga artizanët vendas dhe që për këta mbeten nga më të mirat e llojit. Koleksionet e tyre, paraqesin shumë arritje. Për mua janë zhgënjyese. “Najbolji su u Skadar” (më të mira janë në Shkodër). Nuk zhgënjehen dhe Shkodra e tyre është?! Mungojnë kudo etiketat dhe ato të shkruajtura keq në cirilike...të konfuzojnë. Kujtoj patetizmin e Mirkos, që më shpjegonte në rrugën që ecnim bashkë se po atje dikur kishin ecur konsujt, ambasadorët dhe njerëzit e princërve më të njohur të Malit të Zi…Edhe vetë Viktore Emanueli i III, madje. “Ne e pritëm me plumba”,-më kap dhe mua patetizmi për nder të bregdetasit Vasil Laçi . Dal nga muzeu. Po, kaq është edhe Cetinja. Hapësira, nga ku jam ndarë me suvenir-dhënësit...100 metra më tutje varri i Knjaz Nikollës dhe Crnojeviçit-përballë manastirit, Pallati Biljarda i Njegoshit- dhe muzeumi. Sytë më tallin një shtyllë, ku janë sigluar tabela emrash të njohur metropolesh, por kujtoj se kjo dreq qyteze ka pas rëndësi. Të paktën për rusët. O Zot...nga buron kjo dashuri. Tek epilogu i Ana Kareninës, në fund, i dashuri i saj mbytur në lot dëgjon si luftëtarët rusë këndojnë për Malin e Zi. Vetë Romanovët kanë falur ikonostasin që është në manastir. Kaq. Në Biljarda, ish- vendi i Senatit të tyre, është shkruajtur dhe libri i njohur i Petar Njegoshit që në shqip para përkthimit brilant të Zarija Brajoviç ka ardhur nga Esad Mekuli. “Gorski Vrijenac” (Kurora e Maleve) është një nga krenaritë letrare të eposit malazes. Në fakt, që të njohësh më mirë vendin e Njegoshit duhet të shkosh në Malin Lovcen, ku gjëja më e madhe për turistët, që pak dinë për malazezët dhe shqiptarët është më shumë sesa Njegoshi - puna që ka bërë skulptori i madh kroat Ivan Meshtroviç. E vetmja gjë që më mbet në mëndje nga Njegoshi, kur pyes- është se ishte një burrë gjigand mbi dy metra dhe tepër simpatik, që unë i shtoj edhe atributin pijedashës. Vendasit i shtojnë këtyre cilësive dhe atë të liderit, filozofit që ai në gjallje e materializoi me fjalinë ”Njeriu është si një dritë që është bërë për të ndriçuar qiellin”… Kur kam pyetur Marko Camajn, redaktorin e saj dhe ish-ambasadorin fuqiplotë të Federatës gjysmake, ai ma cilësoi Njegoshin të ngjashëm me Pushkinin, Lermontovin, Gëten, apo Hainen…?! Kurse historia...thotë se nga ai vijoi ndryshimi që vazhdoi pastaj me pasardhësin e Petar II Petroviç Njegoshit dhe kuptohet Knjaz Nikollës që të ndjek tashmë në të gjitha suveniret. Në 1910 ishte mbretëri…dhe pastaj ky vendth i vogël pësoi shumë dhe shumë ndryshime…derisa nga 1878 deri më 1914 ndryshoi në të gjitha senset…Gjithsesi me shumë urrejtje për shqiptarët. O Zot sa urrejtje...Kjo më ndjek dhe nga sytë e një murgu të ftohtë që më konfuzon për manastirin duke më treguar kafkën dhe eshtrat e një shenjti...që çuditërisht janë fare pak para ngrirjejete postmortum të Bushatliut.
Fat dhe urrejtje
Gjithsesi, në “Kurorën e Maleve” ka nderim për shqiptarët. Patjetër që ngrihet lart figura e Skënderbeut me fjalë të stërzgjedhura, ndërsa diku për të shprehur nderimin për boshnjakët dhe shqiptarët, Njegoshi thotë: “vëllezërit tuaj me far e fis”. Dihej se feudalët mesjetarë shqiptarë kanë pasur shumë lidhje me atë malazezë. I pari feudal shqiptar, i përmendur në shekullin e XIII, Dhimitër Progoni ka qenë martuar me Komnenën- të motrën e Stefan Nemanjës, themeluesit të Shtetit Mesjetar serb…Kurse Karl Topia shkon më shumë akoma teksa në një manastir, që sot është rrënuar afër Elbasanit ngre kishën që i kushtohet shenjtit serb Jovan..Ka shumë legjenda, por murgu serb që më shikon si një mag në manastirin e famshëm në Cetinjë...përveçse më ritregon legjendën shkapërthyeshëm nga ajo që më ka thënë Moikom Zeqo më fut në labirinte, që më bëjnë të dal menjëherë nga manastiri …Por edhe Balshajt, që i has kudo në Mal të Zi, janë një familje e përzier shqiptaro-sllave. Madje më 1375 Balsha i II është nismëtar i thirrjes në Pejë të organizimit të Patriarkanës serbe. Balsha i III ia lë zotërimet e tij dajës Stefan Llazareviçit…pasi e jëma ishte bijë e Princ Llazarit, atij që udhëhoqi koalicionin ballkanik në Fushë-Kosovë më 29 qershor 1389. Më shumë akoma, jam krenar se i vetmi varr i njohur i familjes së Kastriotëve është ai i Marës...që malazezët e kanë ruajtur dhe ruajtur krejt ndryshe nga ne, etj...Por në thelb duhet të ketë një filling mes dy popujve...atje ku rrembat duhet të marrin lëng nga i njëjti burim. Mark Milani, ky autodidakt i çuditshëm ky mik-armik i shqiptarëve do të shkruajë në “Zakonet e shqiptarëve” : “Njerëzit tanë nuk i njohin zakonet e shqiptarëve edhe pse ata janë fqinjët tanë, prandaj disave ata u duken shumë më të vrazhdët dhe më të egër se popujt e tjerë, kurse për mua nuk është ashtu”...Nuk ishte ashtu. Ai vetë luftoi egërsisht kundër shqiptarëve. Fishta e ka përjetësuar në Lahutën e Malcisë…”Sa për luftë asht Mark Milani/burr si motit, trim si luani, qi edhe ushtrisë ka për t’mi pri/për me shtrue Plavë e Guci/për me shkelë Lekë e Malsi/Edhe Shkodrës mbrendë me i hi/me i hi mbrenda me bajrak/me e ba Shkodrën karadak”…
Shkodra-ëndërr
Por kaq. Në të 150 vitet e fundit kemi derdhur aq gjak, saqë janë harruar shumë gjëra. P.sh që Buzukun nuk e pengoi asgjë që duke shkruar “Mesharin” e tij krahas alfabetit latin të përdorte dhe 6-7 shkronja të alfabetit cirilik, që ai i shikonte të arsyeshme për disa fonema të veçanta të shqipes…Apo bëmat e Eposit të Kreshnikëve, ku përzihen heronjtë e ndryshëm me njëri-tjetrin dhe kërkojnë të marrin lavdinë e shoshoqit. Ndërsa ajo që më mbet në mëndje është dashuria e këtyre njerëzve “të papamë” për Shkodrën. “Odakle si ti?!” “Albanac”-i them dikujt. “Priccaj mi nessto s Skadorom?!” (Më trego diçka për Shkodrën). “Da le je daleko?” (A është larg). I shpjegoj që është vetëm 4 orë...dhe me pengesat e zakonshme të doganierëve shqiptarë të dy anëve të kufirit dhe vetëm kaq…A është kaq e bukur…Bash si drita-i them, por më beterr se Cetinja-i përgjigjem me shpirt. “Malazeztë ishin kaq injorantë në pjesën më të madhe saqë besonin se Shkodra-Scodra e kohës së romakëve-ishte themeluar nga serbët dhe tërboheshin se ajo kishte qenë seli e një peshkopi të krishterë të paktën dyqind vjet para se paganët serbë të hynin në gadishullin ballkanik”, shkruan Durhami...Ajo që ka ndodhur me Shkodrën dhe ëndrrën e tyre tashmë dihet. Ishte Princi Danilo, i cili u fut në Kalanë e Shkodrës më 24 prill dhe pasi mori çelësat nga Esat Pasha shpalosi flamurin e tij… Krejt ndryshe se çfarë premtuan ata e rrënuan qytetin- ëndërr të tyre…Duke treguar se në fund të fundit, ballkanasit e Cetinjës harbojnë në mëndje dhe shkërbejnë me vepra...Në fund…teksa Fuqitë e Mëdha e lanë nën Shqipërinë e re Shkodrën, ata do t’i vinin zjarrin Pazarit të Qytetit, njërës prej stolive më të bukura të memories arkitekturore ballkanike. Qytetit nga ku Bushatliu, kishte projektuar të niste shtetin e tij modern shqiptar, i kishte ardhur fundi nga ëndërrimtarët e tij...njësoj si Jeruzalemi.

Ka ardhur kohë për të shkuar. Përshkoj të njëjtën rrugë. Jam ndarë sërisht ‘miqësisht’ me ciceronen, që me një anglishte të pastër i fryn kokën dy tutkunëve amerikanë dhe ma bën me buzëqeshje...të ditur se ia ka dalë. Mirkoja më ka lënë. Ndërsa njerëzit e suvenirëve kujtoj se më kanë ‘plasur’ dy kartolina me Knjaz Nikollën dhe Milenën. Kam mbetur bosh pa kafkën dhe maskën mortore të Kara Mahmudit. Ndjej se kam mall për të, si ndaj një gjëje të tejçuar. Por, kjo i takon këtyre...Kjo më bën që: Pak minuta më vonë të futem në realitet. Ngaqë, ky vend është i harruar tash nga Zoti, por edhe nga shërbimi urban. Dy-tre matrapazë të stërmëdhenj taksixhinj, që më vërtiten…nuk janë të bindshëm që të udhëtosh…Ndërsa autobusi nuk duket. Situatën e merr një mesoburrë më i duruar…që bën një Pazar të arsyeshëm. Kështu na largojnë nga Cetinja dhe nga lavdia e një vendi…që është larg shkëlqimit… të shkuar. Sa e mrekullueshme më duket Shkodra që këtej, për të mos thënë që e dua këtë metropol nderi dhe shkëlqimi, që këta do të shpërnguleshin të gjithë për pelegrinazh. Për fat është kohë tjetër… Shkodra një Zonjë e rëndë...ndërsa kjo një si biçim lëneshe...Kaq kujtoj në kthesat gjarpërushe...që më sjellin detin gjithmonë e më afër. Eshtë zgrip i Verës së vitit 2006. Retë e mbulojnë pak e nga pak Cetinjën...
 
< Prev
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.