Home arrow Kronike arrow Kronika ne Albdreams arrow ...fantastike batthorja...kliko ketu...
...fantastike batthorja...kliko ketu...
FANTASTIKJA BATHORJA
Edison Ypi
Zbritën vrënjtur në stil dantesk; "Nel mezzo del cammin di nostra vita....". Nga varfëria dhe qetësia drejt pasurisë dhe rrezikut. Nga lartësitë shkëmbore drejt ultësirave moçalore. Nga ajri i pastër drejt ajrit të ndotur. Disa sapo lindën erdhën. Të tjerë sapo erdhën lindën. Pati nga ata që vdiqën pak para se të vinin. Si dhe nga ata që pak pasi erdhën vdiqën. Të gjithë nga veriu. Bashkë me ata që erdhën, ata që lindën e u zbritën, ata që vdiqën e u ngjitën, ata që duruan e ata që u dorëzuan, ata që vazhduan e ata që u rrëzuan, ata që ndërtuan e ata që nuk mundën, ata që fituan e ata që humbën, dhe të tjerë që do vinë do lindin e do vdesin, Bathorja është dhe do vazhdojë të jetë aty ku është, përgjithmonë.

Bathorja nuk është as larg as afër me Tiranën. Bathorja është pjesë e Tiranës. Edhe vargu i kodrave që e ndan me veriun e qytetit tashmë është mbushur i tëri me shtëpi dhe vila. Kështu që, bathoren përtej kodrave nuk e ndan kurgjë me qytetin.
Nuk mund të shihet në mënyrë të çfardoshme Bathorja. Madje, tamam-tamam, nuk duhet shikuar por shijuar ! Mënyrat klasike të vlerësimit, ato medemek me sy optimist apo pesimist, me shishe gjysëm plot a gjysëm bosh, nuk vlejnë aspak. Bathorja duhet parë me Dashuri ! Me Dashuri, sepse nuk është as Indonezi as Australi, por Shqipëri ! E po ta shohësh me Dashuri, ke për të vënë re' se sapo t'i hedhësh edhe vetëm njërin cep të njërit sy, as optimizmi as pesimizmi, as shishja bosh e as shishja plot dhe asnjë shishe rakie e asnjë kanoçe freskuese, si dhe rraqe të tjera moralistike qytetare, nuk kanë asnjë kuptim. Sepse Bathorja nuk është as shishe që pihet as kazan që zjen ! Bathorja është vullkan plot llavë të nxehtë përvëluese jete që shpërthen !
Dhe banorët e saj kurrë nuk duhen paragjykuar. Së pari sepse ata janë të gjithë shqiptarë. Shqiptarët e shpërngulur hallexhinj i mirëpret pa asnjë paragjykim italiani, anglezi, belgu, të mos i mirëpresi shqiptari ?! Ta ka hedhur duke të shitur me çmim të majmë një celular të vjetër me kapak të rinj një pesëmbëdhjetë vjeçar në Tiranë dhe për këtë shkak kuksinanët janë të gjith qen-bir-qensh ?! Jo more ?! Ku i kishe sytë o budalla ?! Po kur ti, pastrueses së shkallës, asaj kuksianes, nënës a kushërirës së atij të shkathëtit të celularit, i jep vetëm pesë mijë lekë të vjetra për të ta shkundur shtëpinë me themel, a të duket vetja më i mirë, më i gjërë, më i shkathët ?! Ose ta zemë ta lan makinën në një lavazh një pukjan njëmbëdhetë vjeçar. Të duket sikur vogëlushi këmbë zbathur e kërcinj lagur duke u dridhur nuk ta ka larë mirë makinën dhe zë e çfryn duke thënë se pukjanët janë të gjithë hajdutë etj. etj. Këto dhe të tjera kombinime të tilla u ngjajnë atyre rasteve kur shqiptaët ngordhalaqë mendjengushtë që dalin nëpër botë, në rastin më të parë të pafavorshëm për ta, zenë e çirren; italianët janë të gjithë të poshtër, grekët janë të gjithë pisa, etj. etj. Sapo zbret Kodër Kamëz, ja Bathorja !
Duhet bërë shumë kujdes që banorët e saj tejet të përqëndruar në punët dhe hallet e tyre të mos i vlerësosh përciptaz duke i shqyrtuar një nga një. Ata s'ta kanë ngenë ty ! Po i kqyre një nga një mund të duken djaj ! Vështrimi i pjesshëm mund të jetë fatal. Njerëz dhe sende aty janë pjesë të së njëjtës makinerie jete. Do kuptosh se Bathorja është vullkan jete vetëm po ta shohësh ashtu si e meriton; Një copet ! Të tërën bashkë ! Me njerëz, me rrugë, me dyqane, me shtëpi e vila, me të tëra.

Pa u futur në rrugën e asfaltuar që të shpie mespërmes Bathores "katundare", ja dy shërbime "qytetare"; Mbi një llamarinë gjigande të zezë dikush ofron; "KAM ORKESTËR DIXHEJE OSE DASME". Pak më tutje, anës rrugës, mes rrokopujës së zhurmave dhe tymrave të makinave, mbi një shtyllë të lartë, shkruhet; "BËJMË TATUAZHE". Nuk duket vendi ku bëhen ato tatuazhe, në cilin stil, cilësi dhe garanci, por qeflliun e tatuazheve dhe pearcing-ut, i cili s'është aspak çudi ta ketë mësuar zanatin aspak këndej rrotull por pikërisht në Londër, mund ta marrësh në celular. Numurin aty e ke !

Uaaaaaa....VIDEOTEKË, AUTOSHKOLLË, KLINIKË MJEKËSORE PRIVATE, WESTERN UNION, MATERIALE NDËRTIMI....!!! Bathorja shtrihet në rreth 400 hektarë. Brënda Bathores së madhe ka shtatë "Bathore" të vogla. Janë lagjet ku u vendosën të ardhurit e parë nga fillimi i viteve '90. Tani këto mikro lagje të bashkuara në një Komunë e cila varet nga Bashkia e Kamzës, shërbejnë vetëm si pika referimi. Bathorja ka 35 mijë banorë ! 35 % e banorëve janë kuksianë. 30 % dibranë. 15 % matjanë. 5 % tropojanë. Të tjerët nga të tjera krahina Veriore. Rreth shtatë mijë shtëpi. Prej tyre 1500 janë vila gjigande që zor t'i sheh syri në Itali, Greqi a gjetkë. 1 Xhami ! 1 Kishë ! Kisha, ngritur me ndihma italiane, ka në përbërje të Saj një shkollë të arësimit parauniversitar ku rreth dyqind vajza mësojnë për rrobaqepësi', parukeri' etj. Kompleks arsimor gjigand. Me shkollë 9-vjeçare, të mesme, me palestër me të gjitha.Tre qendra shëndetësore shtetërore me dhjetë mijekë. Dy klinika private. pesë klinika dentare private. I duan dhëmbët të shëndoshë bathoristët ta shqyejnë mirë mishin ! Dy shërbime funerale. Maternitet nuk ka. Maternitet nuk ka as në Kamëz dy kilometra më tutje ! Nuk ka as Internet Kafe. Shumë mire që nuk ka. Po të kishte as gjysmat e këtyre shtëpive e vilave nuk do t’i kishin ndërtuar dot ! Pesë komplekse sportive. Rreth 30 autosrevise. Makina pa numërim. 6 pika të furnizimit me karburant. Pa hesap vende ku tregëtohen materiale ndërtimi. Rruga kryesore tre kilometra e gjitha e asfaltuar mbi dhjetë metra e gjërë. Tre kilometra të tjera rrugë dytësore gjithashtu të asfaltuara. 112 rrugë të tjera dytësore nga 500 deri në 1000 metra të gjata, me taban të fortë të ngjeshur, janë ende të pa asafaltuara. Shumë shpejt do asfaltohen edhe ato. Rreth 20 restorante gjigande për ceremonira dhe dasma si dhe për PARTY siç shkruhet në njërin prej tyre. Nja 50 kafenera. Dhjetë dyqane mishi. Katër BOUTIQUE. Dhe-dhe-dhe....jo më pak se 30 SALLON BUKURIE !!! Nuk ka Hotel në Bathore. Tepër "e ngushtë" Bathorja edhe për Hotel edhe për Mikpritje ! S'shkojn' të dy ! S'martohet dot Bathorja me Hotelin ! O njana o tjetri ! S'do ment që ka edhe halle Bathorja. Halle ka Las Vegas-i i qefit dhe kumarit të Botës, jo më bathorja e shqiptarit hallexhiut të veriut. Vetëm njëra nga shtatë bathorezat ka kanalizime të sistemuara, ujësjellës dhe hapësira publike. Të tjerat, tani në dimër, ku klith kijameti, kanë a s'kanë një orë energji elektrike në ditë. Në pjesët ku mungon energjia mungon edhe uji. Por tamam aty ku mungon edhe energjia edhe uji, mbretëron pastërtia dhe drita ! Duket e pabesueshme por ashtu është ! Aty ku uji nuk vjen me ujësjellës e nxjerrin nga puse të improvizuara. E çojnë në shtëpi me bidona plastike ngarkuar mbi karroca dore. Një vocërrak sedërli refuzon ta fotografoj duke shtyrë një të tillë karrocë. Një e moshuar gjithashtu. Diku në lagjen pa energji dhe ujë, një tjetër çudi, një tjetër mrekulli. Ish soc-stallat e ish soc-fermës shtetërore janë populluar nga rreth 100 familje Romë të fshatrave të Veriut. Aaaaaaaa, s'qënka i vërtetë thashethemi sipas të cilit jo ç'do malësor mundet me zbrit në tiranë, por vetëm ata që ja kanë takatin, ata që e kanë një farë kapitali fillestar për të realizuar zbritjen. Jo pra jo ! Në veri është aq tmerr saqë prej andej nuk mund të mos vinë të gjithë. Të gjithë le të vinë ! Mirse të vinë ! Asgjë e keqe nuk na gjen ! Kohët e fundit me korentin është mbushur kupa. Kërcënojnë të bllokojnë rrugën nacionale ! Halli u duhet qarë. Por me këtë e kanë shumë gabim ! Sa fshatra buzëë rruge ka Shqipëria ?! Pa shumzoi me nga sa halle kanë ! I bie që për hallet e disave, aq herë sa rezultati i këtij shumzimi të bllokohet rruga e të gjithëve ! Pra që rruga të mbetet përjetë e bllokuar ! Jo-jo o vëllezër, jo deri këtu !
Kjo është tejkalim i së Drejtës ! Në oborrin gjigand të shkollës gjigande luajnë vocërrakët ata që kanë lindur këtu, ata që ndoshta nuk e kanë parë kurrë me sy fshatin skëterrë prej nga kanë zbritur prindërit e tyre. Kurrë mos e pafshin atë skëterrë veçse po ju tek ndonjëherë në të ardhmen për turizëm. Vocërrakët, janë të gjithë të bukur dhe të shkathët. Njëri prej tyre, një imcak nevrik, tejet i përqëndruar mbi një bazamant të ngritur betoni, po stërvitet ta bëjë sa më shkathtësisht atë trukun me trë letra bixhozi. Kur të jetë gati, kur ta ketë mësuar mirë zanatin, në qytet do dalë qytetarëve t'ua hedhë ! Ç'faj ka i shkathëti inteligjenti imcaku se ka budallenj qyteti ?! Dy mjeke në oborrin e shkollës ! Jo, nuk jemi mjeke - thonë - jemi mësuese, kështu e kemi uniformën, të bardhë. Brenda oborrit të shkollës ndodhen zyrat e komunës. Nëpunës të sjellshëm u shërbejnë me kulturë disa hallexhinjve që kanë ardhur për të marrë dokumenta. Në të njëjtën godinë ndodhen edhe "Forumi Rinor", "Biblioteka Komunitare e të Rinjve" si dhe zyrat e shoqatave komunitare. Ndër këto shoqata janë; "Shoqata e Grave", shoqata "Rilindja e Bathores", "Shoqata për Integrim" që nuk ka të bëjë me Skraparin dhe skraparllinjtë, shoqata "Shtëpia jonë është Bathorja" etj. Kjo e fundit ka edhe gazetë.
Në Bathore nuk ka Krim ! Ka tek-tuk ndonjë grabitje aventurore fëminore, por krim nuk ka. Mbahet mënt se si para disa vitesh dy vëllezër therën njëri-tjetrin për diçka që nuk u muar vesh kurrë si e qysh dhe aq. Mardhëniet e të ardhurve me pronarët e truajve jo-shtetëror ku të ardhurit kanë ngritur shtëpitë duken të qeta. Sigurisht probleme ka, por nuk ka ngutje të rrezikëshme. Ato probleme nga të dy krahët pritet të zgjidhen me Ligj. Në jug-lindje vorreza e Bathores. Qindra varre. Ç'ka bie menjëherë në sy është se varret janë të gjithë të rinj dhe të zbukuruar. Shtëpi dhe vila të reja dhe të bukura ! Po ashtu edhe varret ! Kaq pak krim, kaq shumë varre ?! Vdesin në emgracion, varrosen këtu - spjegon dikush. Pse vdesin në emigracion gjithë këta djem shumica nën tridhjetë vjeç ?! Bijen nga terracat e pallateve ku punojnë, rrëzohen nga vinçat...etj. etj. Mbi pllakat e varreve vargje naive; ....u bëfsh dritë....në dyert e xhehnetit....ti ike aq herët....babin sa shumë e deshe...lotët e derdhura për ty.....për vëllezërit xhajat dhe kushërinjtë kurrë s'mendove....mamin dhe babin me lotë na i lave. Kjo pra kjo është Bathorja ! Bathorja ku një dymbëdhjetëvjeçar i cili ka marrë pjesë me duart e veta në ndërtimin e shtëpisë së re qysh nga sherri me pronarin e tokës, nga hapja e themeleve, e deri tek rrethimi me kangjella, ndodh që ky dymbëdhjetëvjeçar nuk e di cili është kryeqyteti i Belgjikës, por e di, e jo vetëm e di, por e di dhe e bën, atë që një njëzet vjeçar në qytet edhe po ta dijë nuk e bën; ndërron rrotën e makinës me shpejtësi si tek Formula 1, për pesë minuta. Ku ?!
Nel mezzo del cammin….të komunitetin njerëzor më dinamik të planetit.
This email address is being protected from spam bots, you need Javascript enabled to view it
 
Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.