Home arrow Letėrsi arrow Poezi arrow Cikėl poetik nga Mensur Spahiu ....kliko ketu...
Cikėl poetik nga Mensur Spahiu ....kliko ketu...
NJË SHEKULL S’KAM QETËSI
Cikël poetik nga Mensur Spahiu



Pershendetje!

po dërgoj një cikël për faqen tuaj

mensurspahiu

Një shekull s’kam qetësi

Popullit të Kosovës, në pritje të Ditës së Madhe.
Zemërthyer e kafshuar prej gojëve të liga,
brengosur e pakuar dhe nga dashuria,
i djegur për rritje e i etur për dije,
ofron mëngjesin e bardhë loja e diellit në xhama,
trupin ma hijeshon vallja e ujit mbi barin!...
Me dridhje syri, me dridhje buze,
i lehtë sa ajri, i shpejtë sa drita,
si bari në rritje kur i çelet ujit, ajrit; i çelet diellit,
shpejtoj t’i çelem mëngjesit, ditës së pritshme.
Me duar e këngë të diellta ndizet vallja,
vallëzon uji e vallëzon ajri,
vallëzon dielli e bari së bashku!
Ofron mrekullia… Luan me duar, luan me sy,
luan me buzë, me gjithë fytyrë! Puthet ujit,
ngrohet vetes, çelet ajrit, çelet diellit, bari im!
Më mbushet gjoksi, më lumturohet fytyra,
rritet shtati, më zbukurohet syri,
në vallen e tyre fluturon shpirti nga gëzimi
i çelet diellit në puthje për rritje, në puthje për dije!
Dhe pse e duan dhe i buzëqeshin,
si fëmijën e përkëdhelin, me sy e puthin, e prekin,
i verbon bukuria, shtrirja, krenari e rritjes i trishton
dhe s’e lënë të qetë! Si njeriun s’e lënë të qetë!
Ç’t’i bëjnë ujit, ajrit, ç’t’i bëjnë diellit?!
Me zili i sillen, me zili e vështrojnë,
si dhimbshurisht e prekin dhe si padashje e këpusin,
ziliqarët e presin… Si padashje më shëmtojnë!
Më nxihet ora, më nxihet gjithë dita,
më vritet zemra dhe si nga mosrritja e djalit,
më thahet shpirti e dridhem,
vuaj e dridhem, si bari kur bie!
Mblidhem e strukem, shkurtohem, vuaj e s’hesht,
në inat të së ligës kurrsesi s’hesht, pres…
Jo një ditë, një javë, një muaj e jo një vit,
rojtar nderi i fytyrës sime që se ç’bën,
një shekull plot dimra s’kam qetësi!
Ha veten, vuaj e ruhem poshtë ngricës së errësirës
të çelë Ditën e Madhe, plot shpërthim, bar i ri, në rritje!
tetor, 2006
* * *
Për një vështrim, buzëqeshje me krahë,
një fjalë të ngrohtë, të mirë,
si në ethe prita ardhjen tënde…
I lajthitur, the, sapo erdhe!
* * *
Ushqehen, luajnë e rriten,
herë-herë ngjan sikur fluturojnë
e sërish kthehen, vështrojnë,
puthin, përqafojnë, shtrëngojnë e shtrëngohen…
Vështrohemi sy më sy,
herë ul kokën unë, herë ul kokën ti!

Qetësimin besoja hapësirës

Më shumë se kurrkujt tjetër,

ta besova fjalën e mirë, fjalën e bardhë,

dridhjen e buzës, këngën, lodhjen e syrit,

gëzimin det, dashurinë, urretjen,

zemërimin, guximin, idhnimin;

mallin e gjoksit, të gjithë fytyrës.

Më shumë se kurrkujt tjetër,

ta besova rrugën, hapat, peshën,

shtrirjen, qetësinë pa fund, zhurmën;

krahët-lastarë në përqafim hapësirash,

duart e fuqishme, damarëdalë, të ndershme,

ngrohtësinë e përkëdheljes pa fre,

besimin ta besova!

Ditën e natën, puthjen, zhgënjimin,

grindjen e tyre, lindjen e mëngjesit të pastër,

pulsimin, diellin tim në filllim betejash

dhe atë të festimit të fitoreve, ta fala…!

Troha-troha, pikë-pikë ma mësove dhimbjen,

zogu im i paqetë, i pabindur, i panënshtruar!

Tash sa kohë meraku për ty më copëton për orë;

shteron syrin, buzën,

shton mallin e thanë fjalën, thanë gjithë fytyrën,

shkreton udhën, guximin e përkëdheljen,

nxin dashurinë, buzëqeshjen, nxin këngën.

(S’mundem kurrsesi të shoh atë që s’e shoh dot,

t’i flas atij që kurrsesi s’i flas e s’e dëgjoj dot!)

Regëtin pulsimi dhe më zë trishtimi,

trazon loti, puthja, gjoksi, më vritet shpirti

e s’të shoh, vritem i gjithi… S’të prek, s’të shoh!

Ende ke shtigje, ende ke kohë,

qetësimin besoja hapësirës, zogu i vlimit tim!

dhjetor, 2006

Michigan

* * *

Pa përbuzur çfarë kam, dua,

rend drejt asaj që më mungon,

s’më lë të qetë!

… Një dhimbje gjoksi më ndjek,

e më ndjek!

* * *

Tingëllon telefoni,

s’bufon zë!

… Zemërohesh nga rruga,

a mes dashurive të reja,

kujton mallin e lojës së vjetër…!?

Gënjej veten

Nexhip Ejupit

Ndërsa nxitoj në pikëtakimin me ty,

dikush në rrugë më përshëndet

dhe si duke u këputur trupit, buzëqesh…

Bëj se i kthej respekt, se i buzëqesh.

Në kafe dikush më thërret në emër

e si duke u djegur sysh e fytyrës nga malli,

ngre dorën dhe më fton në tryezë.

Bëj sikur digjet në mallin e tij, malli im,

bëj sikur…

Dhe në punë si miqësisht dikush afrohet,

për të vjetrën e për të renë,

bisedë hileqare bën e qesh…

Bëj se dëgjoj, se flas, bëj sikur qesh!

Në shtëpi, miku im, as gruaja e as fëmijët,

të bardhë e të lirë si drita, s’ngrihen në respekt!

Hesht. Kafshoj sytë drejt dhomës!

Vështroj pasqyrën. Bëj sikur… bën sikur!

Medet! Në fytyra e sy, në gjokse e hapa,

në duart e buzët e njerëzve, në përshëndetjet,

buzëqeshjet e në pritjepërcjelljet,

bile edhe në përqafimet e puthjet e tyre,

hënëzon ftohtësi e kohës moderne, dashuri e pakuar!

… Medet e medet, qindraherë-zemërthyer, miku im,

gënjej veten se jam gjallë, jetoj mes dashurive!

23. 11. 2006

Michigan

Fundjavë

Për dëshirën e kënaqësinë e fëmijës,

gjithë ditën e ditës të shtunën në plazh!

Të nesërmen, për dëshirat e gruas -

gjithë të dielën në Dajt!

Të hënën as në punë e as në rrugë,

i pushtuar nga vetja!

Gusht 2006, Tiranë

S’ju premtoj dot

Prindërit, gruaja, fëmijët dhe mjekët,

të afërm e të largët, shokë e miq,

muret e dhomës, të kushinës,

madje edhe perdet varur e në ndrrim,

kërkojnë të hedh, të braktis cigaren;

të keqen mbështjell me të bardhë ta harroj.

Si në pritje të mbulimit nga turpi, hesht përballë tyre!

Në ulje koke, mbyllje syri, pakuptuar buzëqesh

dhe sërish hesht e s’flas dot!

… Gishtave e mbaj, e shoh, më sheh,

buzëve i flas, buzëve më flet!

Seç kam një trishtim shok e miq,

trembem e digjem nga një mall, prindër të mirë,

dhe ti grua, fëmijë të rritshëm plot shëndet,

besoni;

humbje ekuilibri sikur ndjej pa të!

Shpesh, kur për hiç gjë, grindemi me fjalë,

kur me fjalë grindemi dhe me të dashurit afër e larg,

kur heshturasi, vetëm e i përlotur

çmallem me të dashurit e vdekur;

përkëdhel forcë, fjalë më ofron për qetësim!

S’ju premtoj… e s’ju premtoj dot!

nëntor, 2006

Vajzë e kohë, grua moderne!

Mes fërshëllimave të mendimit modern,

fjalës së lirë,

ditës-ëndërr,

dëshirës për prekje të jetës në zhvillim;

prindërit huton, veten lazdron!

Burrin-rrobë e vjetëruar-e shtrydh,

e braktis, tokës ia dhuron!

S’ka gjë pse fëmija ndjek e qan,

e qan e ndjek!

Plotë ngjyrime ulërimash vrapon, e vrapon…

Zemërim i heshtur

Ankohesh e dashur, grindesh me mua,

në foto i zemëruar përse jam!

Këmbëngul si fëmijët, përplasur duart,

për fytyrë të qeshur, sy me dritë e gaz.

Në ngut kërkon lyerjen e dhomës,

çdo anë muri, ngjyrim të veçantë të mbaj.

Fytyra ime të rimarrë shkëlqimin,

bojrat, pajisjet ngarkon me faj!

Harron se që nga rini e hershme

krenaritë boshe e gojët e liga, gjoksin ma trandën.

Njërin krah miku vjetër pabesisht ma dëmtoi.

Gjer në shpatull i pabesi deshi të ma kafshonte!

Me shkëlqime të gënjeshtra afron i riu

si dikur të vjetrit i lazdrohet syri!

Grindesh… Fjalët pranë meje ditë e natë

më çudisin çast në çast! Kërkon të qesh,

pëlqen foto me gaz… A nuk e sheh,

të liqtë orë më orë rreth meje shtohen!

Si ajri sillen, përdridhen, të më kallin fytyrën;

emrin, zërin t’i mbulojnë me natë!

Si mundem të qesh, a s’më thua…?!

Dhe foto me gaz kërko më pas,

më pas e dashur shumë foto me gaz.

Atë mëngjes pa dhimbje gjoksi

kur fytyra, sytë, fjala të më qetësohet,

kur të kuptosh se i ligu po thërmohet,

çast në çast, foto me gaz!

 
< Prev   Next >
© 2009 Albanian Dreams
Joomla! is Free Software released under the GNU/GPL License.