Home Debati Debati ne Albdreams Kriza ne Shqiperi...kliko ketu...
|
|
Kriza ne Shqiperi...kliko ketu... |
Kriza politike dhe kriza energjitike
3 pyetje 3 përgjigje 1. Një situatë e paprecedentë po ndodh muajt e fundit në Shqipëri. Dy forcat më të mëdha politike nuk kanë gjetur konsensus për të kryer zgjedhjet lokale. A mund të na rendisni arsyet përse klasa politike shqiptare e ka çuar vendin në një krizë të rrallë politike?2. Krahas krizës politike, një krizë tjetër shumë herë më e rëndë është kriza energjetike. Po për këtë krizë, si mendoni ju cilat janë arsyet përse Shqipëria sapo futet në dimër futet edhe në kolaps energjetik?3. Që nga ndërtimi i Hidrocentralit të Komanit, në vendin tonë nuk është ndërtuar asnjë vepër energjetike. Rasti më flagrant ka qenë diskutimi i dy viteve më parë kur opozita e asaj kohe kundërshtonte ndërtimin e TEC-it në Vlorë, ndërsa në vazhdojmë të jemi të zhytur në errësirë. Përse sipas jush kjo lloj përplasje ka sjellë mungesën e investimeve në vepra energjetike?..................................Alfred Peza Analist1. Kriza politike e radhës ku e ka zhytur vendin klasa jonë politike, është një krizë ciklike 16-vjeçare, aq sa i shkon për shtat thënia: Nga krizat vijmë, në kriza shkojmë. Shkaqet janë të thella dhe arsyet të shumanshme. Mbi të gjitha kjo krizë e radhës që po konsumojmë, tregon edhe njëherë se lidershipi politik shqiptar është një kastë që vendos mbi çdo gjë interesat e pushtetit, e karrierës dhe ambicieve personale mbi interesin e qytetarëve, taksapaguesve, votuesve shqiptarë dhe interesave tona si shtet dhe si komb. Ky është konkluzioni madhor, i thënë në një gjuhë të troçtë, pa shumë spërdredhje rreth realitetit ku ndodhemi. Të gjitha të tjerat, në gjykimin tim, janë thjesht derivate të këtij raporti. Rrënjët e kësaj krize duhen kërkuar si tek mazhoranca ashtu edhe tek opozita, të cilat janë njëlloj fajtore dhe bashkëfajtore të saj. Për arsyen e thjeshtë se gjatë këtyre 16 viteve, kur herë njëra e herë tjetra kanë qenë në pushtet, nuk kanë treguar vullnet politik për të krijuar në Shqipëri bankën e të gjitha të dhënave të nevojshme për krijimin e një infrastrukture elektorale të tillë që sa vjen dhe perfeksionohet bashkë me sistemin elektoral, politik dhe demokratik në vend. Një bankë që duhet të ruante dhe të garantonte regjistrimin e saktë të popullsisë, një sistem të tillë adresash, regjistrin kombëtar, kartën e identitetit, numrin dhe kodin fiskal personal të çdo qytetari shqiptar, kompjuterizimin e zyrës së gjendjeve civile dhe një sistem modern të azhornimit të listave të sakta zgjedhore, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve të shpejta të zgjedhjeve duke mbyllur kështu një cikël që do ta bënte votën e secilit prej nesh të numërueshme drejt, gjë që do të mundësonte daljen e rezultateve zgjedhore të sakta dhe të pakontestueshme nga palët. Por, kjo as që ka nisur që të bëhet dhe kam frikë se do të duhet të kalojnë edhe shumë vite të tjera, derisa të realizohet. Përse lind pyetja naive pas kësaj: Sepse të gjithë ne ia dimë kuptimin thënies: "Ujku mjegull do", të cilin e zbaton në këtë rast, klasa jonë politike. 2. Kriza energjetike është pasqyra më e mirë për të parë cilësinë e produkteve që prodhojnë krizat politike në Shqipëri. Ky është treguesi më sinjifikativ për të parë raportin mes premtimeve elektorale dhe programeve politike dhe qeveritare që na ofron klasa jonë politike dhe mbajtjes së këtyre premtimeve. Mjafton të analizosh këtë raport mes krizës aktuale politike dhe krizës energjetike, për të kuptuar se përse thuajse e njëjta situatë është edhe në sektorë të tjerë jetikë për shërbimet për qytetarin: furnizimi me ujë, rrugët, serioziteti i reformave në sistemin arsimor, shëndetësor, reforma e pensioneve, papunësia, strehimi, kthimi dhe kompensimi i pronës, legalizimet e deri tek ajo që ne e rrumbullakosim me termin lufta kundër krimit të organizuar, evazionit fiskal dhe korrupsionit. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, Shqipëria vazhdon të ketë drejtues të tillë si drejtori i KESH-it Andi Beli, të cilët jo vetëm që nuk e njohin institucionin e faljes dhe të dorëheqjes, por e thellojnë talljen e kësaj pjese të "qeverisë së shërbesave" ndaj qytetarit shqiptar, duke deklaruar se "megjithëkëtë, vendi nuk ndodhet në krizë energjetike". Zoti na ruajt se ç'dimër na vjen mbrapa...3. Mungesën e investimeve në veprat prodhuese të energjisë elektrike, gjykoj se në radhë të parë e ka sjellë, mungesa e kulturës politike dhe shtetërore për të operuar me strategji, vazhdimësia e zbatimit të të cilave në sektorë të tillë strategjikë për vendin, nuk duhet të preket nga konjukturat politike dhe nga fakti se kush ikën dhe kush vjen në pushtet. Politika ka punë deri në fazën kur në bashkëpunim me institucionet e specializuara, ekspertët më të mirë të fushës dhe me asistencën e operatorëve të huaj të specializuar, mund të përcaktojnë se në kushtet e Shqipërisë, ku do të bazohet prodhimi: Në energjitë ujore, TEC-e, energjitë e erës, etj. dhe sa për qind do zërë pak a shumë njëra dhe tjetra dhe mënyrën sesi do të integrohemi në rrjetin evropian e ndërkombëtar të energjisë. Dhe më pas, ndërtimi i veprave që do ta prodhojnë energjinë elektrike dhe krijimi i një sistemi shpërndarje deri tek mbyllja e ciklit për pagesën e dritave nga ana e konsumatorëve, është një vepër që duhet ndërtuar pavarësisht se kush forcë politike është në pushtet. Por, kam frikë se kjo ska për të funksionuar asnjëherë në Shqipëri dhe zgjidhja më e mirë dhe e shpejtë gjykoj se është privatizimi i KESH-it dhe liberalizimi dhe stimulimi i sektorit të investimeve në objektet e prodhimit të energjisë elektrike. Vetëm pas kësaj, do të kemi shpresa që të realizohen premtimet e sotme për të patur 24 orë drita në shtëpitë tona...................................Ilva Tare Analiste1. Ka vetëm një arsye që shpjegon mosveshmarrjen e politikanëve në Shqipëri dhe ajo është kriza e përfaqësimit të klasës politike. Njerëzit që sot luajnë kartat si në të majtë edhe në të djathtë janë pazgjidhshmërisht të lidhur me interesat e ngushta vetjake postesh aktuale dhe të ardhshme. I vetmi interes i cili duhet t'u rrëmbente dhe gjumin politikanëve, ai kombëtar, nuk është në axhendën e tyre. Sikur të kujdeseshin pak më shumë sinqerisht për konsensusin dhe standardet e zgjedhjeve sot shqiptarët duhet të kishin kartat e premtuara të indentitetit nga Berisha. Sikundër do të shkonin në zgjedhjet e radhës me një opozitë të bashkuar jo nga frika e humbjes së radhës, por nga vlerat dhe meritat e gjithsecilit. Kriza e politikës është përçuar në kapilarët e të gjithë shoqërisë së cilës i duhet të paguajë prapambetjen dhe lojërat e ka kush e ka, të një klase të vjetruar që historikisht ka prodhuar kolaps dhe varfëri për qytetarët e saj. Për gjendjen e pashoqe ku ndodhet sot Shqipëria, për fat të keq duhet t'i referohemi shprehjes popullore që nuk fajëson politikanët, por popullin që vazhdon t'i zgjedhë ata.2. Për mendimin tim, nuk ka dy kriza. Është vetëm një. Kriza politike e cila është e aftë të gjenerojë vetëm kriza të tjera, siç është dhe rasti i kolapsit energjetik. KESH-i i Berishës, Nanos, Metës, Majkos, ka qenë gjithmonë si një flamur stafetë që ka përcjellë një sistem të kalbur i cili është shfrytëzuar nga qeveritë e radhës për pasurim personal. Jo rastësisht drejtuesit e KESH-it kanë qenë njerëz të besuar të kryeministrave, më të cilët thuhet se nën tavolinë kanë ndarë përqindjet e tenderave disa milionësh. Ndërsa sheshit është e sigurt që kanë ndarë keqmenaxhimin e burimeve që duhet të siguronin energji dhe jo errësirë mbi dhjetëvjeçare për popullatën. 3. Edhe kjo pyetje ka të njëjtën përgjigje. Politika, politika, politika. Politika pa vizion për të ardhmen ka marrë në qafë të tashmen dhe të nesërmen e të gjithëve. Edhe veprat publike me interes mbarëkombëtar janë trajtuar nga qeveritë si favore personale dhe afera të korruptuara dhe më pas janë sulmuar politikisht duke mbajtur peng difersifikimin dhe pasurimin e burimeve energjetike. Kur disa muaj pas lëvizjes demokratike të Dhjetorit '90, disa nostalgjikë thoshin se shqiptarët do ta kërkonin Enver Hoxhën, shumëkush buzëqeshte me ironi ndaj të gjorëve komunistë. Fakt është që edhe 17 vjet pas shembjes së atij regjimi e gjithë Shqipëria vazhdon të mbijetojë falë veprave të asaj kohe që pandehën se e lanë pas për një më të mirë. Pakkush mendon sot se politikanët që votohen demokratikisht ndërtuan përparimin që ëndërruan të gjithë. ..................................Arben Muka Gazetar i "Deutsche welle"-s1. Dy forcat më të mëdha, PD dhe PS, të cilat janë dhe alternantet e pushtetit politik në Shqipëri, po tregojnë edhe këtë herë një sëmundje të vjetër të tranzicionit alla shqiptar: Herë e bëjnë qimen tra dhe herë e bëjnë trarin qime... Gjithmonë sipas interesit te tyre dhe jo sipas interesit publik, politikanët e dy forcave më të mëdha (për mua jo vetëm ata)në proceset elektorale nuk sillen si dy konkurrentë të barabartë në një garë. Tjetër sillen kur janë në opozitë, duke paragjykuar thuajse çdo ide dhe qëndrim që vjen nga qeveria, dhe tjetër sillen kur janë në mazhorancë duke paraqitur si armiqësore dhe të mbrapshtë çdo ide dhe qëndrim që vjen nga pakica. Për mendimin tim ky është çelësi i krizës aktuale. Tjetër arsye është dhe legjislacioni. A nuk jemi dëshmitarë që gjatë kësaj periudhe tranzitive, ligjet ose amendimet në funksion të zgjedhjeve janë bërë turravrap, shkel e shko, sa për një proces, në minutën e fundit etj.?! Politikanët shpenzojnë kohë në periudhat paraelektorale se si të përcaktojnë rregullat e lojës, një punë që duhet të kishte përfunduar një herë e mirë dhe kohë më parë. Në vend që për këto rregulla të flasin teknokratët dhe ekspertët e ligjeve, më aktivët janë krerët e politikës që bëjnë hesape të tjera për çdo ligj e nen që është në diskutim. Një arsye më shumë është dhe roli që kanë luajtur vitet e fundit organizatat dhe agjencitë e specializuara të huaja në asistimin dhe këshillimin që bëjnë për proceset elektorale. Këto subjekte po e humbin dita ditës rolin e tyre në Shqipëri jo për ndonjë frymë antiperëndimore që ekziston në vend, por për qëndrimin që ato mbajnë vit pas viti. Duket se strategjia e tyre është kryerja e hapave minimale. Dhe po lamë diçka këtë proces zgjedhor, s'ka gjë se e bëjmë herën tjetër. Duket se punojnë me moton: Punë ka sot, por dhe nesër... 2. Nëse kam besim se për krizën politike do të gjendet dhe me pahir një zgjidhje e çastit të fundit, për këtë krizën energjetike, jam shumë pesimist. Tani po na godet në mënyrë të rreptë nëna natyrë, por dhe nëse ja nisin shirat e rrëmbyer dhe do ti shpërthejnë bazenet e hidrocentraleve disa javë më vonë, kjo s'do të zgjidhë asgjë. Arkëtimet nga konsumi i energjisë do të jenë sërish të pakta. A mendoni që ka burrë (të paktën e di me siguri absolute që Andi Beli s'është) që të dalë tani para zgjedhjeve dhe nja një muaj pas zgjedhjeve dhe të mbledhë fatura të papaguara!? T'u presë dritat banorëve në x lagje a zonë?! Jemi në fushatë elektorale dhe prioritet ka mbledhja e votave dhe jo e lekëve të harxhimit të energjisë. Jo vetëm Andi, por dhe Andisi i PS-së apo Dritani i LSI-së po të ishin drejtorë të KESH-it (madje dhe vetë Berisha), do të dukeshin qesharakë në klimën shqiptare që të shtrëngonin qytetarët për të bërë atë që është më normalja: të paguanin atë që konsumonin. Nga kjo atmosferë që do të vazhdojë deri ne fillim të prillit arka e KESH-it do të ketë më pak para kesh dhe do ta ketë borxhin për importin që do të kryejë dhe më të madh. 3. Në këtë aspekt nuk mund të flas gjatë pasi nuk jam ekspert i fushës. Ajo qe lipset të bëhet një orë e më parë, është ngritja e një forumi, apo subjekti kombëtar, sponsorizuar nga qeveria dhe mbështetur nga opozita, që të mbledhë specialistët më të mirë të fushës energjetike. Të ndërtohen dhe miratohen platforma afat shkurtra, afatmesme e afatgjata për ta kapërcyer njëherë e mirë pasigurinë dhe makthin tek qytetarët në aspektin e furnizimit me energji elektrike. Pa këtë nuk ka as moshë të internetit, as Shqipëria 1 Euro, as luftë kundër korrupsionit e aq më shumë: Shqipërinë në errësirë nuk mund ta afrojë askush as dhe një centim më afër me BE-në dhe me Nato-n...................................Lutfi Dervishi Analist1. Është mënyra se si bëhet politika. Një çështje (qoftë edhe thjeshte teknike) nuk diskutohet për t'u zgjidhur, por shihet si rast që duhet mundur kundërshtari. Fitimtari në zgjedhje fiton gjithçka dhe humbësi i humbet të gjitha. Në këtë mënyrë edhe zgjedhjet lokale prodhojnë tension të lartë politik a thua se kemi të bëjmë me zgjedhje të përgjithshme. Jemi në një situatë të paprecedentë, kur nuk respektohet ligji dhe kushtetuta. Cdo gjë shkon në ekstrem dhe konsensusi kërkohet jashtë kornizave kushtetuese.2. Ka disa arsye, së pari është mungesa e investimeve dhe diversifikimi i burimit të energjisë. 99% i burimit të energjisë është uji. Çdo dimër sa vjen dhe i ngjan pranverës. Ne jemi në varësi të tekave të kohës dhe sa kohë që kemi këtë raport të burimit të energjisë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mbajmë kokën lart. Së dyti është çështja e menaxhimit të KESH-it dhe mungesa e tmerrshme e investimeve. Deri më tani, të paktën 20 vitet e fundit investohet në shpërndarje dhe konsum, por jo në prodhim. Energjia megjithëse është kthyer në një problem politik, nuk trajtohet si prioritet. Liberalizimi i tregut të hidrocentraleve lokalë dhe tërheqja e investimeve të huaja për burime alternative energjie është përgjegjësi e qeverive. Qeverisë aktuale nuk mund t'i kërkohet llogari pse nuk bie shi, por mund t'i kërkohet llogari nëse në 2008-n apo 2009-n do të ndodhemi prapë në këtë gjendje. Shtimi i sasisë së importit nuk është zgjidhje, se tek e fundit paratë që harxhohen do të jenë në kurriz të investimeve. Nëse ka një gjë për të cilën ka "vlerë" kriza është rrugëdalja për të ardhmen.3. Pyetja juaj në një farë mënyrë e ka përgjigjen brenda. Mungesa e investimeve në energjetikë më shumë se peng i politikës është pre e mentalitetit tonë që nuk i mendojmë gjërat për nesër, por sot për sot, madje as sot për sot, por tani për tani, në këtë çast në këtë moment. ..................................Plator Nesturi Analist1. Ajo çfarë mund të llogaritet si arsyeja kryesore e përshkallëzimit të krizës në të cilën ka hyrë vendi është mungesa e besimit ndërmjet aktorëve kryesorë të politikës. Në fakt gjatë gjithë historisë së tranzicionit pluralist shqiptar krizat kanë qenë një fenomen i vazhdueshëm pavarësisht nga shkalla e tyre e intensitetit, ndërkohë që kjo e tanishmja nuk mund të thuhet se ishte e paparashikueshme apo të cilësohet si shfaqja më e ashpër përplasjes politike. Mjafton të kujtojmë atë çfarë ndodhi në vitet '96-'97 me politikën shqiptare dhe si u përcoll e çfarë pasojash pati për shoqërinë dhe vendin. Në këtë kuadër, mbarsja e vazhdueshme e tensionit politik, trashëgimi i mungesës së besimit nga një palë zgjedhje në tjetrën ku pas çdo votimi kish kontestime të humbësve, mosndërmarrja e iniciativave të dyanshme për uljen e gjakrave në kohët midis dhe bashkëpunim për interesat e vendit (përjashto konsensusin e arritur midis Nanos dhe Berishës), do të sillte padyshim një agravim të situatës. Edhe nëse do të ish arritur një marrëveshje për këto zgjedhje vendore, kjo nuk do të kushtëzonte që një të ardhme të afërt kriza të shfaqej në një formë më virulente. Sepse padyshim edhe në këto zgjedhje do vijonin parregullsitë për trukim rezultati, pabesitë pas çdo marrëveshjeje konsensuale dhe shpërfillje ndaj çdo standardi me qëllim final fitoren me çdo kusht të tyre. Atëherë kur triumfi i secilës palë në vend të përgjegjësisë për fatet e vendit si pasojë e votëbesimit të arritur nga një rezultat i ndershëm është zëvendësuar me etjen për pushtet, qoftë kjo e pamerituar, kurrsesi ky vend nuk mund t'u shpëtojë krizave pafund. Pabesia e politikanëve tanë nuk është e drejtuar vetëm ndaj kundërshtarëve, por dhe ndaj votuesve të tyre e gjithë shoqërisë, përderisa ky vend vijon të mbahet peng për zhvillimin dhe integrimin e tij evropian, nga krizat e shkaktuara nga klasa që e drejton. Fatkeqësisht përpara nuk ka qoftë edhe një dritë sado të vogël se këto situata nuk do të përsëriten, edhe pas arritjes së marrëveshjes për zgjedhjet vendore e qoftë pas zhvillimit anemik të tyre.2. Arsyet e krizës energjetike, për çdo shqiptar të detyruar të kalojë disa orë të ditës në errësirë, janë më se të kuptueshme që lidhen me politikën. Dhe ky faj nuk ka ngjyrë. Problemi që diskutohet është se kush dinte ta menaxhonte më mirë dhe kush është më diletant në zgjatjen e orareve të territ. Në Shqipëri ka pasur specialistë shumë të zotë të problemeve energjetike ndaj është mungesë respekti për punën e tyre që të thuash se Shqipëria nuk di të ndërtojë një strategji për kapërcimin e këtyre krizave dhe kërkesës gjithnjë në rritje të tregut shqiptar për energji. Nga ana tjetër si vend kemi resurse të mëdha për prodhimin e energjisë si në mënyrë hidrike ashtu edhe nëpërmjet TEC-eve pasi në vend janë rezervat më të mëdha të naftës për Ballkanin. Mungesa e strategjive dhe investimeve në këtë sektor të zhvillimit, nuk mund të lidhet tjetër veç me aferat e shtetarëve ku në rast krizash mund të abuzohet fare lehtë dhe pa të hyrë gjemb në këmbë me çmimet e blerjeve. Shumë fushata janë financuar nga tepricat e këtyre blerjeve dhe "çuditërisht" edhe kësaj radhe jemi në prag zgjedhjesh.3. Shumë kujt i kujtohen deklaratat e opozitës së atëhershme, tashmë në pushtet, për qëndrimet e tyre ndaj TEC- it në Vlorë, projektit AMBO, etj. Shumica e sotme në pushtet parti një qëndrim të ashpër kundër këtyre investimeve në sektorin energjetik, çka tregon se më e pakta ajo jo vetëm ish mediokre në planifikimin dhe strategjinë për zhvillimin e vendit, por njëkohësisht me pengesat dhe zvarritjen për fillimin e punëve të investimeve u bë shkaktare për frenimin e zhvillimit ekonomik. Në çdo vend të botës, qoftë edhe sipas një kodi moral, secila qeveri e cila ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër, në rastin kur kupton se e ka pasur gabim, jep menjëherë dorëheqjen duke i hapur rrugë një plani tjetër zhvillimi. Por jemi në Shqipëri, kemi një kryeministër si Berisha që si një mjeshtër demagog, nuk e ka për gjë të jetë i buzëqeshur e të ndërrojë kursin e anijes pasi na ka futur më parë në mes të stuhisë...................................Mimoza Dervishi Analiste1. Arsyeja e parë pse jemi në një krizë të vazhdueshme politike, ka të bëjë me ndryshimet që kanë ndodhur në spektrin politik gjatë vitit që shkoi, ku përballë Berishës nuk kemi më, të njëjtin person si në 15 vitet e fundit. Kjo përballje është dhe handikapi i parë që padiskutim do gjenerojë kriza, sepse është një përplasje jo vetëm brezash, por dhe idesh e vizionesh. Handikapi i dytë ka të bëjë me Berishën vetë, pa qenë nevoja të vihet përballë Ramës. Ai ka një precedent të shëmtuar në karrierën e tij politike, dhe këtu nuk bëhet fjalë veç për keqdrejtimin që i bëri shtetit shqiptar gjatë kohës që ishte President, por kemi të bëjmë me mënyrën si ka organizuar zgjedhje ai. Ka vjedhur dhe manipuluar hapur dhe akoma s'ka dhënë asnjë provë, që di të bëjë të kundërtën e vjedhjes. Ndaj frika dhe kujdesi që duhet të tregojë dhe po tregon opozita është jashtëzakonisht e madhe dhe me të drejtë. Kush është ai që nuk ka frikë nga manipulimi? Është e kotë të thuash më pas që na vodhën, nëse nuk merr masat pa nisur zgjedhjet. Berisha vetë duhet të ishte i interesuar t'i garantonte zgjedhjet opozitës, pa qenë nevoja ta çonte situatën në këtë pikë. Siç e keni vënë re ai nuk lëshon deri në zgiq, dhe pastaj befas bën si babi i dhembshur i kombit. Dhe lidhur me këtë vjen dhe një arsye po kaq kryesore që ka gjeneruar krizën, mosbesimi që ekziston mes palëve dhe s'ka si mos. Çfarë thonë sot, dalin e përgënjeshtrojnë paturpësisht nesër. Ka dhe një sërë arsyesh më të vogla, siç janë humbja e kohës me debate shterpë, mungesa e opozitës në parlament, e cila sigurisht nuk ka numrat të miratojë ligje, por ama tribunën për të bërë opozitë e ka në parlament dhe duhet ta kishte shfrytëzuar më mirë. 2. Personalisht ka 7 vjet që nuk e di ç'do të thotë mos kesh drita dhe ju kërkoj ndjesë për këtë. Dihet çdo zgjidhje personale ka haraçet e veta nga pas, kjo imja të paktën është zgjidhje me drita, po jo për meritën time, por të vendit ku jetoj. Sigurisht që i kam në mend netët e tmerrshme nën qirinj dhe më duken si net nga një tjetër epokë. Nuk e imagjinoj dot fare si mund të vazhdohet në këtë gjendje dhe sidomos kur mendoj që shumica e miqve të mi janë bërë dhe me fëmijë, më dhemb, kur dëgjoj si mund të rrisësh fëmijët pa drita në mes të dimrit. Shqipëria është një vend mesjetar në këtë drejtim, që përpiqet t'i thotë Evropës së shekullit 21, më bëj vend. Politikanët janë ata, të paaftët e mëdhenj të atij vendi, njerëzit më të papërgjegjshëm në historinë 15-vjeçare pluraliste, që as me komunistët e Enver Hoxhës nuk krahasohen dot në këtë pikë. Ajo që ta shpif më shumë janë ish-drejtuesit e KESH- it, kur dalin japin mend për krizën, në një kohë që secili prej tyre ka shtuar diçka në gjendjen alarmante ku është vendi. Të gjithë një tufë, ose injorantësh, ose hajdutësh, bashkë me këtë më të riun, që duket si Liza në botën e çudirave. Ka ardhur koha kur qytetaria duhet të ngrihet dhe nëse ka protesta që duhet të bëhen, janë ato për dritat, nga mëngjesi deri në darkë pa pushim, pa dallim bindjesh politike, dhe protesta më e madhe duhet bërë me votë. 3. Nuk ka veç mungesë investimesh për vepra energjetike, ka mungesë vullneti për të ndërtuar atë vend. Shqipërisë i mungojnë politikanët dhe biznesmenët e përkushtuar, patriotë, ata që mendojnë për vendin, dhe le të përfitonin edhe vetë pas kësaj. Në Shqipëri ka njerëz që i hyjnë politikës vetëm për të përfituar vetë, pa lënë asgjë pas, por vetëm duke shkatërruar e vjedhur sa të mundin. Ka dhe një mungesë vizioni të llahtarshëm. Në këto 16 vjet, të paktën dritat, uji dhe rrugët, duhet të ishin probleme të tejkaluara. Është një dështim i madh i të gjithëve, por dhe i ndërgjegjes qytetare, e cila rrehet me llambushkat e fushatave të verës dhe kërcet dhëmbët çdo vit nën batanijet e dimrit. ..................................Mimoza Picari Redaktore në "Top-Channel"1. Viti që lamë pas, ishte në kuptimin e plotë të fjalës viti i krizave si politike dhe ekonomike. Ai u shoqërua paturpësisht nga një mungesë e thellë përgjegjësie të politikës ndaj votuesve, dhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Nuk më pëlqen të ndaj qeverinë nga opozita për marrjen e përgjegjësive të përbashkëta ndaj situatave të tilla si ajo e krizës energjetike, pasi si e majta që ishte 8 vjet në pushtet po ashtu dhe djathta tani në qeverisje që prej një viti e gjysmë, pra së bashku 10 vjet, nuk kanë arritur të zgjidhin një nga krizat më të rënda atë të energjisë elektrike. Duke spostuar vëmendjen e publikut tek zgjedhjet dhe certifikatat e regjistruara, opozita s'ka bërë as më shumë dhe as më pak, por i ka hedhur një perde problemeve reale të shqiptarëve. E shfrytëzuar edhe nga qeveria, situata e krijuar parazgjedhore, mbuloi paturpësisht skemën e "kafshatës" që u bë publike me aq zë të lartë nga kryeministri në shtator, si strategjia, që do t'i jepte zgjidhje mjerimit të atyre që marrin bukën me listë, mbuloi pagat e pamarra të arsimtarëve, shpërblimet e policëve, apo investimet publike. Viti 2007, ka nisur me një mal krizash, të cilat të mbivendosura krijojnë hartën më të rëndë të mjerimit shqiptar. Asnjë debat nuk është zhvilluar, nga politikanët e zgjedhur për krizën energjetike, ky ndoshta është turpi, më i madh. 2. Unë nuk jam eksperte e energjisë, por di që në Kuvendin e Shqipërisë ka 140 deputetë të mandatuar për t'i dhënë përgjigje pyetjes se përse sa herë vjen dimri ne s'kemi drita. Madje më shumë se përgjigje natyrisht për t'i dhënë zgjidhje. Unë si qytetare jam e prirë të shoh dritat në shtëpi, që i paguaj edhe pse faturat vijnë të fryra, dhe procesverbalet e KESH-it dhe konstatimet e specialistëve, thonë që është abuzive. Asnjë qindarkë nuk më është kthyer pas, edhe pse KESH-i pranon që në këtë faturë ka një gabim. E nëse ke një pjesëtar të familjes me temperaturë të lartë, këshilla që vjen nga mjeku, është "bëji banjë direkt", ndërsa fatkeqësia ime është se s'ka drita për një gjë të tillë. Arsyet e krizës energjetike duhen kërkuar tek qeveritë tonë ndër vite. Por kur një qeveri kopjon strategjinë e e qeverisë së mëparshme për energjetikën, çfarë zgjidhje mund të presësh për zgjidhjen e krizës, pasi një qeveri mandatohet për të hartuar apo zbatuar diçka ndryshe. 3. 16 vitet e fundit e fundit nuk kanë sjellë asnjë investim në sistemin energjetik në Shqipëri. Nuk arrij të kuptoj përse nuk po zbatohet marrëveshja e nënshkruar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë edhe për linjën e interkonjeksionit Podgoricë-Elbasan, nga qeveria demokrate, apo ndërtimi i TEC-it në Vlorë edhe pse pas kundërshtimit në opozitë ra dakord me ardhjen në qeveri. Këto janë përplasje politike, kur në fakt ata që duhet të flasin në Shqipëri janë specialistët, ndërsa politikanët duhet të dëgjojnë. Për aq kohë sa ndodh e kundërta, çdo debat ekspertësh që vishet me politikë, do ndryshojë ngjyrë sa herë që pushtetet ndërrohen, dhe bashkë me ngjyrën edhe formën. ..................................Edlira Gjoni Analiste1. E ashtu-emërtuara 'krizë politike' që ka bllokuar trutë e politikanëve shqiptarë, nuk duket të jetë as e para, as e fundit, teksa protagonistët e saj janë dhe do të vazhdojnë të jenë të njëjtët individë dhe forca politike. Nëse fillimisht u duk sikur ngërçi i krizës ishte data e zgjedhjeve, shpejt rëndësia e saj u shfry si flluskë sapuni për t'i lënë vend grykë-çjerrjeve për ca letra skandaloze që na u quajtkan 'certifikata'. Edhe nëse arrihet 'kompromis' edhe për këto çudi-bërëse në shtetin shqiptar, do të gjendet patjetër një arsye po kaq, në mos më shumë absurde, qesharake dhe fatkeqe, që të bllokojë normalitetin mendor dhe zgjedhor të politikës sonë. Çfarë fatkeqësie, të tallesh me fatin, jetët, të ardhmen dhe krizat e një vendi në mënyrë kaq të hapur, kaq të papërgjegjshme, kaq foshnjarake, poshtëruese, injoruese dhe moskokëçarëse sa ç'bëjnë të përzgjedhurit politikanë shqiptarë. Arsyet përse klasa politike e ka çuar vendin në këtë farë feje, janë të gjitha mangësitë e përmendura më sipër, së bashku me një shtysë nxitëse që këta kllounë marrin nga media. Është shumë dhimbëse që 20 minutat e para të një edicioni informativ në një televizion prestigjioz iu kushtuan kësaj të mallkuare krizë, thënieve gëk-mëk të atyre që mezi presin t'ju vihet një mikrofon tek goja, dhe ngërdheshjes së tyre të kotë për ca certifikata që...politikanë, ZGJOHUNI, nuk i interesojnë askujt. Votuesit e zgjedhjeve lokale duan të dinë kush dhe si do ta zgjidhë në mënyrë afatshkurtër dhe afatgjatë krizën skandaloze të energjisë. Askush nuk do t'ia dijë për ligjëratat tuaja dështake dhe të pështira për ca data dhe certifikata lodër, që përveçse shkatërruan imazhin e deformuar të Shqipërisë, po prishin edhe ekuilibrin ditor të shqiptarëve. Kriza e sotme nuk është politike; është krizë mendore e politikanëve shqiptarë.2. Për sa kohë nuk do të ketë një strategji të zgjidhjes së krizës energjetike, nuk do të ketë kurrë një dalje nga kjo errësirë që ka pllakosur Shqipërinë. Me ardhjen e çdo dimri që në vitet '90-të Shqipëria futet edhe në kolaps energjetik sepse gjenerata e drejtuesve të shtetit që zëvendësojnë njëri-tjetrin, nuk ndjehen aspak fajtorë për të shpallur me zë të lartë doktrina të interesit të ngushtë vetjak, që i ndjekin me shumë zell dhe përpikmëri prej vitesh të tëra. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Madje, më e rëndë se kriza energjetike, në '97-ën ishte kriza absurde e pragut të luftës civile. Dhe teksa Shqipëria digjej, politikanët ndiznin llullat në flakët e saj. Rëndom dhe dhimbshëm, pavarësisht kujt kahu politik i përkasin, politikanët shqiptarë i përdorin krizat dhe hedhjen e fajit palës tjetër si ryshfet dështak për ndërgjegjjen e tyre të dalë jashtë boje. Si produkt i një sistemi kolltokofag që e vë shumë pak theksin mbi rëndësinë e veprimeve që bëjnë, kësaj klase politike që vërtit sot pa mëshirë Shqipërinë nëpër errësira energjetike dhe mendore, i mungon tërësisht perspektiva për strategjitë zgjidhëse, apo çfarëdolloj strategjie që nuk përfshin interesin e tyre vetjak. Kjo klasë politike i është nënshtruar joshjes së përfitimit mbi kurrize të brishta dhe të urta shqiptarësh që nuk dinë as të protestojnë për energjinë, as të kërkojnë të drejtat e tyre minimale në vitin 2007. E gjitha kjo politikë përjashtuese shërben si kompesuese për konkurrencën intensive që bëjnë sahan-lëpirësit e politikës shqiptare në jetët e tyre private (e tillë është, përderisa lufta nuk është publike). Dhe kriza energjetike do të vazhdojë të errësojë ditët, punët, mendjet, jetët, kërkesat dhe pritshmëritë e shqiptarëve, përsa kohë që politikanët të vazhdojnë të luajnë me shumë sukses me kartën e përshtatjes së shpejtë të shqiptarëve me çfarëdolloj situate që ju serviret, pa bërë zë hiç. 3. Është praktikë e bërë bozë tashmë se çdo propozim i pozitës kundërshtohet me forcë nga opozita. Edhe për TEC-in e Vlorës, nëse në këto momente të djathtët do të japin miratimin që kundërshtuan me aq forcë kur ishin në opozitë, do ta hidhnin sot poshtë të majtët, si projekt tërësisht të pamenduar, në dëm të turizmit shqiptar, në një kohë fare të papërshtatshme, jokushtetues dhe të pacertifikuar....!!! Është shumë e dhimbshme të dëgjosh se KESH-i ka shpenzuar në vitin 2006 aq para sa janë shpenzuar për tre vjet bashkë në 2002-2005, dhe rezultatet janë të padukshme. Nëse të gjitha ato para janë investuar për 'mirëmbajtjen' e një rrjeti të amortizuar, duhet gjetur një rrugëdalje që investime të ardhshme kanalizohen në gjetjen e burimeve alternative të furnizimit me energji. E fundit krizë energjetike që ka kaluar aty ku energjia është shpikur, ka qenë aty nga viti 1960. Të përjetosh black-out pas 47 vjetësh në një vend evropian, është tërësisht e pabesueshme. Dhe do të ngjante me një barcaletë ironike për ata që i gjejnë me cdo lloj mënyre metodat për ta zbuar errësirën. Këto metoda nuk janë lënë për t'i shpikur shqiptarët. Si imitues të denjë që shquhemi, duhet t'i kishim adaptuar me kohë metodat. Ndoshta ka ardhur momenti që të shpenzohen më pak para dhe energji në chartera dhe studime sterile, dhe të përqendrohet vëmendja qeverisëse tek hartimi urgjent i strategjisë dhe gjetjes së rrugës së shpëtimit nga kjo errësirë e gjithanshme.
This email address is being protected from spam bots, you need Javascript enabled to view it
..................................Arben Vata Redaktor në "Top-Channel"1. Në fakt kjo ishte një situatë pak a shumë e pritshme, e cila shpresoj të marrë fund një orë e më parë. Ishte e pritshme për shkak të paralajmërimit të hershëm të bojkotit të opozitës dhe vendosmërisë së pakuptueshme të shumicës për të shkuar edhe e vetme në zgjedhje. Arsyet e moszgjidhjes së krizës së akumuluar së fundi mendoj se janë: Kokëfortësia e krerëve të dy palëve për të mos lëshuar nga pozicionet e tyre; mosrespektimi apo më mirë të themi devijimi i marrëveshjeve të sapo nënshkruara; paqartësia e pretendimeve të palëve dhe kërkesat e reja që shpallen menjëherë pas firmosjes së një akordi; dhe çfarë është më e rëndësishmja, klima e rëndë e mosbesimit mes palëve. Si pozita, ashtu dhe opozita, janë në një krizë të rëndë mirëbesimi mes tyre, që reflektohet sa herë që ata mblidhen. Krizë që po reflektohet edhe në shumë aspekte të tjera të jetës dhe mund të cenojë rëndë të ardhmen euro-atlantike të vendit. 2. Pa pretenduar të jem specialist në këtë fushë, mund të them se kjo është një krizë e mbartur, e cila është neglizhuar në një masë jo të vogël nga qeveria aktuale. E cila, duhej të kishte importuar më shumë gjatë vitit të kaluar në verë, të kryente remontet e linjave të marrjes së energjisë nga jashtë dhe të fillonte të mendonte seriozisht për burime të tjera të energjisë. Vetëm kështu ajo do të bëhej më e besueshme dhe nuk do të shfajësohej kryesisht me mungesën e reshjeve për kolapsin energjetik drejt të cilit po shkojmë, për fat të keq. 3. Ndërsa shumë vende të botës në kushtet e shterimit të burimeve ujore po marrin masa për ndërtimin e burimeve alternative të energjisë, për paradoks, Shqipëria, që ka rezerva ende të mëdha hidrike por edhe mundësi për ndërtime Tec-esh etj, nuk po ndërmerr asnjë investim serioz në këtë fushë. Nuk dihet për çfarë arsyesh lihet në harresë hidrocentrali i Banjës në Gramsh apo i Bushatit në Shkodër, vepra këto të planifikuara për t'u ndërtuar që në regjimin komunist. Po ashtu, është e pa kuptueshme zvarritja e nisjes së punimeve për Tec-in e Vlorës, vonesa që mendoj sikurse atëherë kur PD-ja ishte në opozitë lidhen me qëllime elektorale. Dihet kundërshtimi masiv i popullsisë dhe organizatave në Vlorë, të cilët janë shprehur për zhvendosjen e këtij Tec-i në një vend tjetër, ndërkohë që sanksionimi i plotë i kësaj çështje përpara zgjedhjeve lokale do të ishte një minus për llogaritë elektorale të qeverisë...................................Adrian Thano Drejtor i gazetës "Shekulli"1. Është pasojë kulmore e një sjellje politike që vijon prej vitesh, ku në qendër të vendimmarrjes politike nuk është individi, qytetari, taksapaguesi, por bota e vockël sa një kokërr misri e protagonistëve të politikës së Tiranës dhe e klaneve të tyre të ngushta. Është pasojë kulmore e arrogancës rrugaçe në sjelljen ndaj konkurrentit, në qasjen ndaj alternativës, sjellje e qasje këto që dëshmohen në trajtimin e kundërshtarit si armik, kulturë kjo që lidhet me njëqind arsye trashëgimie dhe rrethanash historike. Është gjithashtu pasojë kulmore e një raporti tragji-komik mes qeverisësit dhe të qeverisurit. Meritojmë ata që zgjedhim, do të thotë që meritojmë atë që na ofrohet, pra edhe këtë që po vuajmë tani. 2. Arsyet lidhen me mënyrën si (s)'punon vendim-marrja politike në Shqipëri. Ne shohim që në Shqipëri nuk qeveriset, ka 16 vjet kjo histori. Këtu kalohet nga njëra fushatë elektorale në tjetrën, ka fare pak ose aspak stabilitet politik. Shtoj kësaj, mungesën e burimeve njerëzore, mbajtjen peng të mirëadministrimit nga tarafllëku apo mediokriteti etj. Problemet zgjidhen në kushte emergjence, ose nuk zgjidhen fare, mungojnë planifikimet afatgjata, shkurt hesapi nuk ka seriozitet në qeverisje etj. Edhe kur ka bulëzime projektesh, mënyra si konceptohet kritika dhe kundërshtia në Shqipëri, bën që ato shpesh të sabotohen nga lufta e egër politike apo nga konkurrenca e pandershme. Kriza energjetike është vetëm një nga pasojat e kësaj mënyre se si sillemi ne me vendin tonë dhe me njëri-tjetrin. Por kjo nuk është asgjë para krizës morale që na ka damllosur të gjithëve. Histori më vete... 3. Edhe rasti që përmendni ju në Vlorë është një situatë tipike e konfuzionit që krijon mënyra e mbushur me handikape dhe paragjykime me të cilën u qasemi ne shqiptarët problemeve dhe debatit. Sidoqoftë në këtë rast konkret, duhen peshuar mirë humbjet dhe fitimet që ka ai qytet dhe turizmi shqiptar në përgjithësi nga vepra të tilla. Faleminderit dhe vit të mbarë lexuesve të T.O...................................Altin Kreka Zv/kryeredaktor i "TV Klan"1. Arsyet se pse vendi ndodhet në një krizë të pakuptimtë në lidhje me zgjedhjet ndodhet te mosrespektimi i rregullave të lojës. Të krijohet përshtypja se socialistët (Rama) nuk do që të hyjë në zgjedhje dhe demokratët (Berisha) po bëjnë gjithçka që opozita mos hyjë në zgjedhje. Kultura e ulët demokratike, prishja e sistemit të vlerave që përcaktohen nga një konkurrim i barabartë dhe karrierë e rregullt politike, dhe vendosja e interesave tërësisht personale në qendër të luftës politike, janë shkaktarët e asaj që po ndodh në vend me mosarritjen e një konsensusi politik për mbajtjen e zgjedhjeve. Në demokraci, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë, hapi i parë. Politika jonë nuk e ka hedhur ende këtë hap.2. Kriza e rëndë energjetike është as më shumë dhe as më pak, por simboli i dritshkurtësisë së politikës shqiptare. Të gjitha qeveritë kanë vrapuar pas emergjencave dhe asnjë prej tyre nuk ka parë përtej zgjidhjeve të momentit. Në një kohë kur në Shqipëri që pas rënies së komunizmit duhet të ishte menduar për ndërtimin e burimeve të reja energjetike, qeveritë dhe ministrat dhe drejtuesit e KESH-it u zvarritën nëpër tendera, prokurime. Asnjë nga qeveritë nuk mendoi përtej mandatit të saj. Nëse Shqipëria është në gjendje të marrë kredi deri në gjysmë miliardi dollarë, sigurisht ato nuk duhet të hidhen për ndërtim rrugësh, por për krijimin e burimeve të energjisë. Duket se të gjithë ministrave nuk ju ka interesuar privatizimi i KESH-it, njësoj si Albtelekom-i. Ne jetojmë ende me gërmadhat e sistemit komunist dhe jo me të gjitha burimet energjetike që u ndërtuan gjatë asaj kohe. Janë bllokuar edhe ato pak projekte të mëdha energjetike dhe duket se e gjitha kjo është bërë sipas mentalitetit, "gjithçka fillon me ne" dhe se paraardhësit do e kenë bërë ndonjë pisllik që ne duhet ta zbulojmë. E kështu me radhë deri sa vjen një moment që në Fierzë del peshku në zall.3. A ju kujtohet fushata e opozitës së dikurshme kundër privatizimeve strategjike, siç ishte AMC-ja apo Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë. Në atë kohë u dëgjuan edhe deklarata për shtetëzim. Ndokush e besoi se vërtetë do të ndodhte ajo që u tha. Ato deklarata mitingjesh janë treguesi i psikologjisë së çdo pushteti në Shqipëri. Nisja e çdo pune nga pika zero është rregull tashmë. Pas '90-ës çdo gjë u rrafshua dhe ekonomia dhe jeta sociale nisi nga fillimi. Pas 1997-ës ndodhi i njëjti fenomen. Në 2005-ën për fatin tonë të mirë ky lloj mentaliteti nuk përfshiu të gjitha fushat. U anulua privatizimi i Albtelekomit, Parkut Energjetik të Vlorës, u zvarritën HEC-et e Skavicës, Kalivacit, Bratilës etj. Arsyet sigurisht që nuk janë ato që deklarojnë zyrtarisht ministrat apo edhe vetë kryeministri. Për të gjitha këto kosto që krijon, politikanët nuk kanë asnjë frikë se mund të ndëshkohen nga elektorati. Apo për faktin se kujtesa në këtë vend është shumë e shkurtër apo se mashtrimi dhe zhvatja janë morali normal i shoqërisë. Kam qeshur kur dëgjova për herë të parë kreun aktual të KESH-it që pas kthimit nga eksperienca e tij jashtë vendit, premtoi mrekullinë dhe u skandalizua se si në këtë vend paraardhësit e tij kishin lënë me mijëra sahatë pa vendosur nëpër abonentët e KESH-it. Në këtë vend asnjëherë nuk kanë vendosur teknicienët por vetëm politikanët. E çfarë mund të kuptojë një ministër apo kryeministër nga parashikimet shumëvjeçare të motit. Nga niveli i prurjeve të lumenjve apo thatësirave të pazakonta
|
|
|
|