Home Emigrantet Amerike Shefqet Meko i shkruan Dr.Luan Zyko...kliko ketu...
|
|
Shefqet Meko i shkruan Dr.Luan Zyko...kliko ketu... |
“Ç’KEMI NGA SHQIPËRIA,BABI ”
-Një libër interesant nga Dr.Luan Zyka që si një ish- nëpunës i lartë në Administratën Civile shqiptare u përpoq të sillte ndryshim në atë që e kishin harruar politikanët dhe qeveritë shqiptare: Në kulturën tonë . Luan Zyka u largua me shkresa nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Minsitrisë së Kulturës edhe pse ky post cilësohej profesional e jopolitik, të cilin ai e fitoi me konkurim.Por shkresat bënë të vetën.Tashmë ato janë zverdhur e harruar diku, kurse libri i tij “Ç’kemi nga Shqipëria, Babi” vjen me mesazhe dhe analiza realiste nga një pasionant dhe profesionit, që kërkonte të sillte ndryshim në administratën rakitike shqiptare.Ky libër tregon një të vërtetë që duhet njohur- -Shefqet Meko nga Amerika në letërkëmbim meditues me autorin Dr.Luan Zyka në Greqi - -I dashur miku im Luan: Më gëzoi pa masë libri jot “Ç’kemi nga Shqipëria,babi”.Për disa orë të kisha pranë,dëgjova zërin tënd migjenian që me turfullim ngre grushtin ndaj djallëzive të kohës dhe shekullit. Ndjeja shqetësimin tënd, jetova me trazimin e shpresën, mbi të gjitha pashë dritën që ti përpiqesh të hedhësh përmes libri. Faleminderit.
Ikën vitet, ikëm edhe neve cep më cep të botës. Ndërsa përgjysëm shekulli flisnim për shokë e miq nga Vermoshi në Konispol ( sa ngushtë jetuam ato dekada), tani miqtë , shokët dhe ish-kolegët i kemi në çdo kontinent. Pra jemi larguar dhe ndarë nëpër glob, por ja, vjen Dr. Zyka me një libër thirrje dhe na bashkon, ose së paku na zgjon e shkund nga përgjumja tronditëse e Perëndimit. Titulli i librit vjen përmes pafajësisë së fëmijve tanë, që edhe pse nuk jetuan famijërinë tonë mjerane, sërish ndiejnë traumat tona. Thjesht, pyetje ngazmuese: Ç’kemi nga Shqipëria…? Këtë pyetje që ne e bëjmë në çdo bisedë telefonike me shqiptarët e kësaj dhe asaj ane.Tejet i shqetësuar Dr.Zyka na bën thirrje të ruhemi nga “apendiset politike”, që për fat të keq nuk gjallojnë të qelbëzuar vetëm në Tiranë apo Athinë… Si Konica, aq i dëshpëruar dhe dashuruar me Shqipërinë dhe shqipëtarët, po ashtu edhe miku im dridhshëm ngre zërin zgjues: Zgjohuni bashkëkombas. Duajeni, njiheni më tej,krenohuni me të, zhvilloheni, pasuroheni dhe promovoni kudo kulturën dhe identitetin shqiptar.
Libri është një sukses Dr. Zyka.Përshëndes dhe vlerësoj punën dhe kohën mendore investuar në ato faqe libri. Artikujt dhe analizat e tua sjellin dritë në atë që dikush e do të errësuar, madje dhe të paemër, ndërsa ti vjen me ide të freskëta dhe plane që galvanizojnë një shpresë të madhe. Me këtë libër ti ke bërë punë të dobishme.Kjo dobi qarkullon edhe këtu midis komunitetit shqiptaro-amerikan në Minesota. Sapo e lexova librin tënd i tregova për të një mikut tim amerikan, Steve Clift, themelus e drejtues i “E-Demokraci” i cili promovon demokracinë online dhe më tha: “Ju sapo keni filluar një rrugë të gjatë që quhet demokraci…” Ndërsa shqiptari më i hershëm në Minesota, Hiqmet Abedini, mbasi e lexoi më tha : “Shqipëria ka njerëz xhevahirë, ky libër ta tregon këtë”.Pra libri jot po lexohet dhe debatohet edhe këtu “në Vermoshin e Amerikës” siç kam qejf ta quaj unë.
Këto radhë zgjodha t’i shkruaj me shkrim dore, se më duket se përcjell pa “ndërmjetës” mendimin tim dhe sikur flas direkt me Luan Zykën pasionant.Ti je nje shembull i gjallë që përpiqesh përmes vizionit tënd unik për kulturat dhe popujt, përmes experiences tënde bashkëkohore e moderne, përmes vullnetit dhe përkushtimit profesional, ti kërkon të menaxhosh paqen përmes kulturës në Ballkanin lodhur nga konfliktet dhe urretjet fqinjësore. Ti spikat me punën dhe mendimet e tua, sidomos kur fokusohesh te kultura si urë dhe shpresë për paqen dhe mirëkuptimin midis dy indentiteteve historikë Ballkan:Grekëve dhe Shqiptarëve.Hapi që hedh ti sot, hapi që ti kërkon të hedhë vetë kultura dhe shoqëria shqiptare, nuk kuptohet nga të gjithë.Ndokush të keqkupton, por ti gjithmonë ke qënë njeriu i së nesërmes, ndaj edhe libri është diçka për nesër, është në fakt një referencë që mund t’u shërbejë edhe historianëve.
Duke gjetur shumë ide dhe trajtesa realiste, e kalova librin për herë të dytë për të kondensuar në memorjen time filozofinë kulturore të Luan Zykës që edhe pse i detyruar të studiojë Agronominë, nuk e ndan dot shpirtin nga ajo që quhet “bukë e përditshme” siç është kultura dhe tradita e një populli. Më pëlqen ngjizja e mendimit tënd hulumtues, me sentencat e zgjedhura nga mendimet e të mëdhenjve të kombit si Konica, Migjeni, Fishta etj. Në këtë kuptim libri është një mesazh i stolisur bukur. Pasqyrimi i përpjekjeve të tua për ta bërë sa më popullorë kulturën dhe vlerat shqiptare në Greqinë fqinjë, e cila prek çdo ditë djersën e emigrantëte shqiptarë, sidomos përpjekjet titanike për ta sjellë aty Kadarenë e Letrave tona,tragojnë profesionalizëm dhe passion.Përsëri të lumtë Dr. Zyka. Ti na bën thirrje të lëvizim dhe është koha për të lëvizur. Fizikisht ti jeton në një moment dhe vënd nga ku mund të ringrihet dinjiteti shqiptar i nëpërkëmbur nga palaçot politikë.
Por le të kujtoj, miku im se ne jemi ata që jemi e nuk mbetemi ata që ishim.Ne ndryshojmë sikurse duhet të ndryshojë dhe evoluojë edhe kultura dhe me mentaliteti i popullit që e bart dhe zhvillon. Duam apo nuk duam kjo është e vërteta. Kjo duket qartë edhe ne librin tënd kur analizon dy kulturat në Lindje dhe Perëndim dhe je befasues me mbylljen tronditëse: “Desha të ndryshoja atë që që dashuroja…”
Ne të gjithë kemi një eksperiencë unike në ikjen dhe ardhjen tonë. Unë shoh në librin tënd se si ikja jote e detyruar ka burrëruar shqiptarizmin e Luan Zykës, ndërkohë që shqiptarucët janë me shumicë në Tiranë.Shqiptarët e vërtetë tek Tirana dhe Shqipëria jonë, janë ende pa fat. Dhe ne që ikëm pak fat dërgojmë aty tek ai vënd dhe unë ende nuk e di pse. Kjo pyetje më bën të dridhem shpesh sepse nuk kam përgjigje. Pse shumë njerëz të mirë nuk kanë fat? Pse fati i keq i ka shformuar burrat e Tiranës? Një burrëri e shformuar, që herë dridhet, herë përdridhet, që pështyhet dhe lëpihet aty midis vetes, midis Tiranës, në publik, në parlament, në media.Kudo. Ka humbur “shtylla kurrizore” e dinjitetit shqiptar mes politikanëve dhe kiniunkurave misterioze të “udhëheqësve-tribunë” që duan rreth vetes vetëm servilë dhe njerëz të pështirë, vetëm “Yes Sër”…Dhe ti ngrihesh mbi këtë mentalitet servilizmi që kërkon të nëpërkëmbë edhe kulturën shqiptare. Zëri jot është edhe i yni, edhe i atyre të mirëve pa fat në Tiranë, që nuk dinë të pranojnë të jenë në këtë “rrjetë marimage” dhe me guxim u janë future bizneseve dhe harrojnë mjedisin ku jetojnë. Ata kanë sukses, por janë të rrezikuar nga e panjohura djallëzore që herë fle në parlament, herë në sheshin “Skënderbej”. Për mua njerëzit e biznesit që dinë të punojnë dhe investojnë në lëvizje kulturore, janë një shpresë e madhe. Meditimet e mia në Tiranë më zhytin thellë në një moment trishtimi, dhe ndiej dhimbje kur shoh se vlera nuk ka vlerë, dhe nuk gjej dot veten aty ku unë i përkas dhe vij… Por libri jot më largon nga trishtimi, më gjallëron e më jep shpresë, miku im.
Uroj që çdo ikanak si puna ime, kudo që të ndodhet, në këtë apo atë kontinent, të ketë shans ta lexojë librin e Dr. Luan Zykës “Ç’kemi nga Shqipëri, babi”.Sikurse titulli është risi, ashtu edhe momentet e trajtuara.Dhe ndërsa lexon parathënien e tërë ndjenjë e dhimbje të autorit, shkon deri në fund të librit dhe do të mbyllësh me një psherëtimë “Uah, edhe ky burrë u dëbua nga një post i merituar?…”
Dikush mund të dëbohet nga një post apo përgjegjësi në burrokracinë shtetërore, kudo, jo vetëm në Tiranë, por nuk mund të dëbohet e vërteta. Ti në ato kohë në Tiranë ke punuar dhe kontribuar për të promovuar mençurisht kulturën e kombit që përfaqson.Kujtoj edhe tani debatet tona të zjarrta qysh në vitet e shtet-diktak dhe deri tek takimi i fundit në Tiranë kur më the: “Bëre mirë që ike, se këtu nuk të lenë të qëndrosh…” Libri jot demonstron qartë dhe dhimbshëm pasionin e një njeriu që mund të bëjë ndryshimin. Ne miqtë dhe shokët e tu të themi: Faleminderit Dr. Luan Zyka. Shefqet Meko Mineapolis, SHBA |
|
|
|