Trokitje në ndërgjegjen e komunitetit Zef Pergega Botuar ne Revisten “Kuvendi” Nr.2 2007-Michigan 2007
Kritika konstruktive është si bujku me bimen. Në rast se ia shkul gramin në rrënjë , dhe ia mbyt krimbat, gruri prodhon bukë për të gjithë. Në të kundertën, egjra e rrit fyllin e shtatit, dhe barku mbetet i thatë për të ngrënë parime dhe bar. Me ndryshim nga komunitetet e tjera, e keqja mes nesh jeton gjatë , ndërsa e mira tretet dhe shqelmohet. Komunitetit tonë nuk i mungojnë dollaret për të ngitur përmendoren tullumbace të lavdit, nën përkundjen e erërave pa themel, ndërsa është harraq i madh përkundër kultures , librit, historisë etj…
Çdo qelizë e jetës, edhe aktivitetet, fenomenet, mediatikët, organizimet shoqërore dhe politike, mbrëmjet me këngëtarë, ku fjala e lirë dhe kultura janë kërthizë jashtë , kanë nevojë për sugjerime, këshilla, dhe kritika, qofshin këto edhe të ashpra. Eshtë një sëmundje në komunitet, as nuk pranohet kritika , as nuk bëhet ajo në mënyrë përmanente në shtyp. Pjetër Jaku, Zef Lleshi, Elinda Marku për disa dukuri e kanë shfaqur mendimin e tyre me kurajo. Të mësuar me lavde e me mashtrime mes njeri-tjetrit, shkrimet e tyre , i kam parë si përpjekje dinjitoze në mbrojtje të fjalës së lirë, nga antiprofesionalizmi. Kur ke marrë grepin për peshk , mos kërko në tru te peshkut dollar!!!
Si shumë të tjerë, Pjetër Jaku, ka vënë re se, TV shqiptar nuk përciell shije estetike dhe kombëtare , përveçëse çdo natë të kujton adresat e disa dhe vetëm të disa biznesmenëve. Asnjë nga biznesmenët shqiptarë nuk e kanë të reklamuar biznesin e tyre në tv arabe, ndërsa invazioni i atyre arab është tejet në rritje në Tv shqiptare.
Besoj se asnjë njeri nuk mund ti etiketojë si mjete informacioni, ata që qendisin jorganin e lavdit me gjilpera politike, me fill ideologjik , nën moton “T’u marrim paratë malsorve dhe shqiptarëve , se keshtu i do mushka drutë” Dhimshurisht , ky është poshtrim i konstatuar në opinjonin e shëndoshë të komunitetit, që i bëhet krenarisë dhe bujarisë shqiptare.
Si njeri që kam 25 vjet me shtypin , mediat audiovizive, dhe autor librash, jam çuditur me termin “Shef ekzekutiv i …” Çfarë ka për të ekzekutuar në një media, kur dhe ku duhet të predominojë fjala e lire dhe mendimi alternativ?!
Gazetaria është vizion, jo kobure!. Ky është mesazhi që përcjell Pjetër Jaku ne shkrimin e tij. Kam mbetur i shtangur nga pergjigjja e kolegut tim te vjeter Rafael Flloqi për shqetësimin e drejtë qytetar , kur përçmohet figura e Jezu Krishtit , dhe dita e Pashkëve Katolike, si dhe për disa censurime që cenojnë me qellim mesazhin , ai me tha: “Unë marrë paratë, duke bërë atë që më thonë”.
Të shkelësh mbi profesionin dhe, sidomos të fyesh figuren e shenjtorit me gjuhë klaunesh kjo vetëm gazetari profesionale nuk është!.
Pjetër Jaku çeli një diskutim , që në fakt vlon nëpër kafet, apo grupimet shqiptare. E, fjala hapur , nuk bën mort. Mesazhet e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit nuk mund të frymohen nga parcela krahinizmi urrejtje e antiprofesionalizmi. Po të ishin gjalle Noli, Konica, Peci, Luarasi, Oroshi, Pipa, e Sinishta do ta kishin lemeritur keqas brezin tonë , që nuk jemi te zot të bëjmë një radio apo television publik , profesional larg instikteve që dëmtojnë harmoninë. Qellimit të mirë duhet t’i pergjigjesh me ndjesinë e të kuptuarit. Me mirë gjeneral në profesionin tend, se sa kapterr ne profesionin e tjetrit.
Shkrimi i Pjetër Jakut është një trokitje në ndërgjegjen e komunitetit . Sa herë kam bërë ndonjë sugjerim , konkluzion në tubime , a në gazetën “Illyria” dhe revisten “Kuvendi” e pamundur të mos kemë patur një telefonatë anonime; (stili i vjetër, anonimati kërcënon).
Përsonalisht kam pritur reagimin e Z. Ekrem Bardhes , si ish-botues i gazetës “Illyria” dhe për faktin se Shqipëria i ka dhuruar nderin e konsullit të nderit. Të njëjtën gjë kam pritur , edhe nga Z. Adriatik Sheko si ish-botues i gazetes “Tema” . Jetojmë në një shoqëri të lirë, dhe nëse jemi të hapur , pa hile dhe intriga pas shpine, le të organizohet nje tryeze e rrumbullaket, për të kuptuar thelbin e çeshtjes.
Shenim: Ne numrin e ardhshem dhe ne vijim do lexoni opinione nga komuniteti ne lidhje me sherbimin e mediave. |