Perparim Hysi 
Aksioma poetike e një Poeti!
Meditime rreth librit “Ia kam frikën njeriut” të Mensur Spahiut!
Poetët nuk lindin në këtë botë si specie të veçanta. Ata, në se dallohen nga njerëzit e tjerë, mendoj unë, kjo ndodh se me fjalën e tyre, me vargun e tyre, sikur shkëputen pakësa nga mjedisi ku jetojnë, sepse marrin të tjera atribute: atributet e tribunit. Këto atribute ata i fitojnë nëse me fjalën e tyre kanë ditur të hyjnë në botën e madhe të lexuesit. Dhe, sa më e madhe të jetë kjo “hyrje”, aq dhe më me vlerë është fjala poetike e poetit. Dhe, po të gjykojmë nga këto që thashë, mendoj se poeti Mensur Spahiu ka ditur të hyjë në botën e lexuesit. Ka hyrë ashtu thjesht dhe pa u ndjerë, herë butë e butë, kur lira e tij poetike nxjerrë tinguj malli me dashuri, dhe, herë-herë me britma poetike, ku Poeti si tribun tërheq vëmëndjen e lexuesit.
Nuk ka si bëhet më bukur! Ai, Mensur Spahiu, nuk të lë që të hallakatesh, të vrasësh mendjen se ku do të dalë me vargun e tij. Jo! Ai të thotë: “Më shumë se çdo tmerri në botë,/ ia kam frikën njeriut, dhimbja ime!”.
Ti që e lexon, domosdo, je i detyruar që të qëndrosh edhe do të gjykosh: - More, pse ky, Mensur Spahiu, ia ka frikën njeriut? Mos është gjë ksenofob, ziliqar, i vogël nga shpirti? Përkundrazi- dhe këtu qëndron gjithë kiuntesenca e kësaj poezie- duke bërë këtë pohim, ai i jep lexuesit një leksion njerëzor që ka vlerën e një aksiome. Morali i gjithë kësaj aksiome të bukur poetike, nuk është gjë tjetër, as më pak e as më shumë se sa urtësia e madhe e popullit kur thotë: - Mos u ruaj nga kuçedra me nëntë kokë, po ruhu nga njeriu me dy faqe.
Shpesh, si i kursyer në fjalë, por jo në mendim e urtësi, vetëm në pak vargje ai e jep shqetësimin e tij poetik dhe njerëzor njëherësh: “Neveri” 
në mos qofsha trim, të të vras, do të pështyj, do të grryej fytyrën të të përgjak sado pak!
… të më vrasësh ti më pas!
Të lutem, lexues, a ke si mos impresionohesh nga këto vargje të kursyera me një mesazh kaq domethënës? Nuk ke se si? Domosdo, se në të gjitha poezitë e tij ai të prishë gjumin edhe të bënë që, njësoj si ai, të përjetosh, të hahesh me të ligun (igjallëvdekur), me njeriun e lig që është kudo, prandaj ai i bën vargjet si kambanë edhe i tund, i tund për të gjithë ata që kanë sy, që kanë veshë.
Këtë nuk e bën se vuan nga ndonjë obsesion vetiak dhe krejt manjak. Jo, jo! Kurrsesi! Ai do që bota ku jetojmë të jetë më e bukur, më e madhe; ku Cezari të marrë çfarë është e Cezarit! Jo ndryshe! Ndryshe, jo! Që për fat të keq, në kohën që jetojmë, është kthyer si normale ku më i forti (që ndeshet, fiton e që del nga llumi) të shtypë e terrorizojë.
Ndaj poeti “hap në hap e orë më orë grindet/ netëve e ditëve nuk e lë të qetë të mos pjellë/ të mos shtohet mbi dhè e as nën dhè/ kripë në prush të plasë/ muze terri e tmerri - zi e zisë anembanë të mbesë!
Ja pse është i shqetësuar Poeti. Shqetësimi i tij është pak hiperbolik: do që e liga të mos infektoj as nën tokë!... Ju lutem, më gjeni të ngjashmin!!!
Ai e di se nuk e ka rrugën të lehtë e të shtruar, ndaj, kur shkruan i shikon me keqardhej dhe nuk mund të rri pa e shfaqur berrierën keqdashëse të ndonjë botuesi (e, kush nuk është ndeshur me ta?!) që “nuk ia pranoi këngën e tij” për arsye krej qesharake, dashakeqe, (Një botuesi) që me një varg të goditur e quan “vejushmashtrimi që bëmat e saj fëmija s’i di”.
Natyrisht, në këtë shkrim nuk do të analizoj gjithë poezitë e tij, por them se tek Mensuri, ke se çfarë mëson: dhe nga vargu, dhe nga mesazhi, edhe nga figura. Nëse nuk është aq i goditur vargu, këtë e kompeson mesazhi. Mesazhi është kripa që i jep shije “gjellës poetike” të Mensurit, të cilën e hedh me masë dhe asnjëherë nuk e tepron.
“Koka ra si e prerë nga shpata/ prej kafshimit lemeritës nga fjala, thotë ai. Ose, s’ke si mos ndalesh tek poezia; “Nëse dikush të thotë”’ ku, me pak analogjik me Kiplingun në vjershën “If…”. Poeti me modesti tregon se është si gjithë të tjerët; jeton, punon, dashuron, është prind, qytetar, njeri dhe “asgjë më shumë!”.
Poeti ka një zemër të madhe dhe në jetë mëdyshet e mëdyshet, si në vetëgjyqësi; kjo botë nuk është krejt e pastër dhe virgjine. Përkundrazi, në këtë botë poeti është më në hall: nuk di kujt t’i besoj?! Se ja “të vërtetat janë mbuluar e mbytur me gënjeshtra dhe poeti” ngutet e ngutet të mos hesht…! Sikur vetëm kaq, ai duhet vlerësuar. Të mos heshtësh në këtë kohë kur “heshtja është kthyer, si të thuash, në art; them se nuk ka bërë pak. Për Mensurin, poeti që hesht, pothuaj ka vdekur. Dhe dy vargje lapidar! Për t’u gdhendur në memorie!
“Kur s’qan kush për ty, mos qaj të tjerët! Ruaje lotin të qash veten!”
Sa kuptim plotë janë vargjet tek poezia, “Zemërim i heshtur”! “Ankohesh e dashur, grindesh me mua, në foto i zemëruar përse jam?!
Dhe poeti-njeri, zë e shpjegohet; “harron se që nga rini e hershme/ krenaritë boshe e gojët e liga, gjoksin ma tranden/ Si mund të qesh, thotë plot mllef, kur të liqtë orë e çast rreth meje shtohen?... si finale… “kur të kuptosh se i ligu po thërmohet/ çast më çast, foto me gaz!” Ç’aksiomë e bukur poetike e një njeriu, Njeri!
Thashë në fillim se nuk do marrë të analizoj poezitë e librit një për një. Por, duke e mbyllur këtë shkrim, kurrsesi nuk mund të mos citoj poezinë: “Kujdes fjalën!”
“Më çmende, tha gruaja, një natë, ky duhan, kjo dritë në mes të natës…”
Veç të tjerash e kuptoj këtë poezi!... Kam vuajtur nga e njejta ankesë e gruas sime… Dhe, ndërsa Mensuri e ka zgjidhur poetikisht këtë shqetësim; vargje aq me peshë:
“Kujdes, me fjalën grua, kujdes! Sjell ajo mirësi… gjamën fjala sjell!...” unë e kam zgjithur pak ”burrërisht”, duke bërtitur.
Tani, pasi më doli “pija”, lexova poezinë e Mensurit dhe më duket se shpëtova. Se, fjala e Poetit është, ndonjëherë, më e forte se gjylja e topit. Po kur e zbraz një “topçi” si Mensuri… Me të tjera kumte poetike, O Mensur Spahiu!...
Florida, më 23 korrik, 2007 |