MENSUR SPAHIU
(Cikël poetik nga vëllimi i përgatitiur për botim: “Hija e njeriut gjallëvdekur”)
Në më harroftë dielli
Mësova se pëlqen të ikësh, diku larg në tjetër vend...! Përse nuk nxiton?! Ec, shpejto atje ku veten e mendon në më shumë mirësi! Druhesh, ruhesh... Sesi rrudhesh, venitesh e mpihesh! I dëgjoj fjalët, i ndjej, i shoh dhimbjet, dridhjet dhe ato që grinden nëpër gjoksit tënd, i shoh, i ndjej, i dëgjoj... Shpengohu prej meje! E di... Pa ty, pa qetësi... E di e di; veç ti gazplotë, gazlirë, qëndisur në sy shendetplotë rritesh... Hidhesh, shtrihesh e qesh, ngrihesh, shton shtatin, vlimin, shton dije të çuditshme dhe s’kërkoj tjetër kënaqësi! Oooo, me të njëjtën frymë, me të njëjtin diell, fluturon nëpër qiellin e gjoksit tim të larë pas shiut, (pas shiut, e mira ime, pas shiut në tërbim të madhërishëm për lehtësim), flutur ther e ther pa pushim, dhimbja ime, sërish! Dhe unë, beso, notoj e notoj, në kërkim për shërim, si ti, notoj, joshem papushim! E vogla ime, e dhimbshura sa qielli me yjet, hapësira; bëlbëzoj me ty në mençuri, mrekullohem në njeri, të përgëzoj... Nxito... Nxito... Shpejto e vrapo...
Në më harroftë dielli, të harroj!
Ec e ec…
Zemërimthi jam në rrugë! Ec e ec, largohem… Shpejtoj e shpejtoj!
Me lotin heq etjen, fitoj forcë, vazhoj rrugën!
Ec e ec...
Ëndërr e keqe s’më lë të qetë, plagën që dhemb kërkon ta ndezë!
Ec e ec...
Bisedë për jetën
Maksim Çukos
Dëgjon e flet, flet e dëgjon, hesht e nuk hesht! Ende të shqetëson kohë e shkuar, njeri i mirë, kohë e shkuar, përgojuar, me harresë mbuluar! E reja me lëvizje, punë, liri, muzikë e vrull, rrugë e nisur, e pabitisur, makinë e braktisur, tek këmbë e urës, hekur i punuar, beton i paafruar, pema përballë, frut i pazënë, zogu në degë të thyer, cicërima, lulja në çelje, bar i ri i shkelur, flutura kur lahet me diellin, yjet, hija, qeni në lehje, rrufeja, gjarpëri i mbledhur e i shtirur poshtë gurit për fjetje! Nxitimi drej punës, dijes, njohjes e mosnjohjes, derë e dhomës harruar,- gojë lemeritëse gëzon në pritje si me ripërtypje; krevat i pasistemuar, rrobë, foto, presë e thonjëve, libra hedhur kuturu, pasqyrë e qorruar, vija-vija shikimi, djegur fytyra, buzëngrënë, copëtuar, gjymtuar dita e arnuar! Gjellë e ftohur, pambaruar, uji në gotë i pafilluar, syri, buza, fjala, prekja për mosharrim e gruas, zemërimi, gëzimi i djalit, i vajzës, ardhja e vonuar, përqafimi, largim i shpejtë, vështrimi, mendimi, dëshirat vend e pa vend, ithnimi, lindja, perëndimi të shqetëson dhe nuk hesht, nuk hesht për qetësim! Përndezjen e ngadalshme të fytyrës, ta hijeshojnë lulet e bardha të moshës mbi ballë, njeri i mirë, kurrsesi nuk mundem që siç më do ti në biseda të gjalla, kohë për kohë dhe për të gjithë, me krahë të jem! As të afërmit, gruaja, as fëmijët, shokët, as koha s’ka sesi të jenë përherë ashtu siç duam ne! Gjithmonë do të mbetet diçka e pa thënë, diçka e pa bërë, njeri i mirë, zemërgjerë; larë në diell, tharë në hënë! … Dëgjon e flet, flet e dëgjon, hesht e nuk hesht!
Zog i zogut tim
Me doçkat e vogla, bar i ri, erëmirë, i lirshëm në rritje ther e ther nëpër shtroje, nëpër sy dhe në gjoksin tim plot dhimbje ndizet, merr krahë e fluturon gëzim i rritjes tënde! Afrohu, afrohu, mos ke frikë, afrohu, s’më shqetëson, s’më shton dhimbjet! Druhesh, trembesh prej dridhjes së duarve, fytyrës, buzëve të mia dhe frikësh e qesh, qesh e frikësh në afrim… E në mua ther e ther! As nga loti im-det, oqean, pafund, pa fillim, mos u frikëso, mos u trishto, lule erëmirë, zog i zogut tim në pritje të rritjes për fluturim; në të çmallem, thërmohem e tretem njëherësh! … Të besoja se do prekje, do përqafoje të bardhën, gjatë rrugës së rritjes tënde do të mund të puthje a të vdisje për të vërtetën; në çast le të mbyllet syri, do të joshesha krejt në qetësim, zog i zogut tim!
Mundim i ri
Përgjigje letrës së një miku
Edhe se i lodhur e i munduar si era, çeliku, veriu kur fryn, spiranca në ulje e ngritje, në mallëkim të kohës, çastit kur të pashë e të njohja, sërish e marr në duar letrën tënde me fjalë në erë dhe dridhshëm e mbaj, dridhshëm e vështroj, prej tërbimit të lojës së fjalës nisur për kafshim, frikshëm nëpër gishtat e holluar e kthej, e rrotulloj, në syrin e zvogëluar edhe të skuqur nga zemërimi me ty, në idhnim e shtërngoj, helmin e fjalës me syrin e prushtë të plas e të qesh, të qesh më pas… Vetes i bëj zë! Kujdes, kujdes! Në ndërtesa përdhese, zi jetese-pa çati edhe në laboratorë gjigandë me kryet gjer tek retë, në emër të lirisë, të së drejtës, mendimit të lirë, pa britma e pa piskamë në mungesë ajri e drite, po gjëmtohet zëri e po gjëmtohet fjala! Nga specialist e kryespecialistë të bardhë a të zinj, në rrugë pa shpresë për kthim po tjersohet njeriu, shpirti… E të bëj zë!... Nga larg të bëj zë, kujdes, mba vesh! Gjithmonë do jem këtu ku jam e ky që jam, (i bardhë, i ëmbël për miq, i hirtë, i idhët për të ligj) me dashuritë e mia shpirtbardha. Këtu ku fjala është fjalë e heshtja është heshtje, puthja puthje, lindja lindje e vdekja është vdekje! Këtu ku veten shoh e prek në njerëz, dhe pështyj, pështyj mbi botën e fryrë nga mbarsja me kulturë e dije të gënjeshtërt! Të frymoj me të shumtët e tu të turbulluar, s’ka sesi! Mundimi im i ri, pa mbaruar një betejë, një tjetër më duhet të nis!
Ngrihem mbi brengën
Nga një gacmim i vazhdueshëm në shumim për zemërim, seç kam një tmerr dëshire të ngrihem mbi brengën! Mbi shkapërderdhjen në trazim të shpërthej, të lulëzoj; të plas më pas në lotë e vaj... Të hesht, prej idhnimi t’ia bëj krrak! Të mbaj vesh... Të shoh e të dëgjoj mendjelehtët, të paaftët, cinikët, mendjezinjtë, si i paqenë të shoh e të dëgjoj gojët si pa buzë kur çast më çast krimbërojnë papushim... Prushërojnë e prushërojnë ditën e natën fjalë, gënjeshtra, errësira shendetliga mbi dritën! Ajrin, ooo, ajrin çuditërisht e duan nën sundim dhe pëlqejnë, kërkojnë ta ngarkojnë me pjellat e tyre, si vetë ata!... Mjaft! S’dua të dëgjoj! Kur s’ka nënë, si paska babë...!? Veç prej dhimbjes, prej lotit, fjalës së syrit tim, seç kam një tmerr dëshire të ngrihem mbi brengën...
Vajzë forecaster
Vajzë flokëpastër, flokëdrejtë, qafëgjatë si gjirafë, nën hijen lozonjare, përkëdhelëse të pemëve, lirshëm hedh hapin e lehtë, të rëndë, të shpejtë; me taka të larta trotuarin godet, e godet! Krenon, rrit, dridh trupin në inate dhe ec, e derdhur i falesh ajrit, fytyrëmall ditës, gjethes, njerëzve, barit, e në gjithçka lë pas aromën erëmirë të trupit tënd! Të peshojnë e të miklojnë vështrimet mbi ty, a të qetësosh disi fytyrat në lokalin djathtas, (përndezur njëherësh nga bukuria në trotuar), me kërcime qafe hedh shikimin xhamave! Shumfishimit të fytyrës i buzëqesh!... Heshturazi gëzon, vështrime mbledh, mbështjell, mbushesh thellë me frymë, me sy gjoksin e fryn, shtrin hapin e shpejtë, sërish hapin e rëndë, nën rrobën e lehtë derdh trupin e bëshëm, të lirë dhe godet e godet, mbi taka në pllaka krekosesh shpejt e shpejt... Në bashkëjetesë s’ka mundime fytyrës, sy të skuqur nga pagjumësia për rritjen e fëmijës; grindje për shpenzimet e ditës, javës, muajit, veshjes, ndërrimin e buzëkuqit-qershi në të ndezur, për mendime, ushqime, shije, ëndrra, për kohën e harxhuar në shoqëri të reja, grindje s’ka. Vajzë flokëpastër, flokëdrejtë, qafëgjatë si gjirafë, si koha, kokën prapa kurrsesi nuk e kthen! |