|
1. NEDESAM AZDËR – SADO TË THEM ËSHTË PAK 2. Lamtumira e fundit Mustafa Merlika Krujës me lutjen Zotit t’a prehë të qetë ... rrëzë Sarisalltikut të Tij Dy shkrime nga : Mërgim Korça
NEDESAM AZDËR – SADO TË THEM ËSHTË PAK
Mërgim Korça
Sa kohë që e pata Nënën gjallë, e dëgjoja dëndur t’a përdorte shprehjen turke “nedesam azdër” kur bëhej fjalë për gjëra dhe veprime që me logjikë normale ishin të qarta e nuk donin asnjë shpjegim. Me që përgjatë analizës sime dua t’a përdor këtë shprehje, për t’a familjarizuar lexuesin me përdorimin e mirëfilltë të saj, do të sjell si shëmbull një paralelizëm. Enver Hoxha, shtetin që ai themeloi dhe drejtoi për më se katër dhjetvjeçarë, ai e quante me mburrje “Shteti i diktaturës proletare dhe më demokratik i botës”! Dhe Nëna e ime e ndjerë, nuk i a hynte të krahasonte dy cilësorët diametralisht të kundërt për nga semantika e tyre e që diktatori u vinte ndërmjet shënjën e barazimit, (e pra një barazim paradoksal), por tek e dëgjonte këtë pohim, tundëte kokën dhe thosh me përçmim :
Nedesam azdër !
Hyjmë në temë. Po bëhen 17 vite deri më sot, që të gjithë formacionet politike vazhdojn’e përdorin shprehjen “periudha e tranzicionit”. Pa i a hyrë fare përimtimeve e krahasimeve historike për popuj e vënde të ndryshëm për nga jetëgjatësía e saj, do të ndalem e të bëj një saktësim. Përderisá mbas shpalljes së fushatës presidenciale u paraqitën një varg emrash e mbiemrash e ndërmjet tyre ishin si emri i z. Servet Pëllumbi e gjithashtu ai i z.Fatos Nano, përkatësisht njeri ish shef katedre marksizëm-leninizmi pranë “Shkollës së Lartë të Partisë Vladimir Iliç Lenin” dhe tjetri n/drejtor i “Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste”, vetkuptohet se akoma tek ne nuk ka filluar periudha e tranzicionit ! Kurse me zgjedhjen e z.Bamir Topi në postin e Kryetarit të Shtetit, i pari President i Shqipërisë i palidhur me ish PPSh., vërtet që tashti e mbrapa mund të themi plot gojën se po fillon tranzicioni.
Nedesam azdër !
E vazhdoj me dhimbjen që më shkakton pozicionimi i një pjese drejtuesish politikë të vëndit ndaj zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe në vazhdim.
Nuk kam se si mos t’a filloj me udhëheqësin e Partisë Socialiste, z.Edi Rama. Ai e fillon me qëndrimin e tij të një pragmatizmi tipik të njeriut pa asnjë parim, (veç atij AMORAL), duke i përjashtuar të gjashtë deputetët socialistë që votuan kundra interesave personale të tija e në vazhdim me këmbënguljen për përjashtimin edhe të z.Fatos Nano. Gjithashtu vazhdon me vizitën formale të urimit Presidentit, edhe kjo skajshmërisht pragmatike nga pikëpamja e interesave të tija personale. Pse i quaj thellësisht e krejtësisht pragmatike këto dy lëvizje të tijat ?
Për rastin e parë, a nuk e shikon ai se si, kur senatorë republikanë amerikanë votojnë kundra projektit të Presidentit të Sh.B.A.- ve për thellimin e luftës në Irak apo edhe për ligjin e emigracionit votojnë kundër, as që i shkon ndërmënd njeriu të kërkojë përjashtimin e tyre, (pa le të quhen se po e shpërdorojnë votbesimin e popullit) ! Kurse z.Rama këtë pozicionim të tijin e quan se ...
nuk është autoritarizëm por politikë e re !(?)
A ndryshon ky nga qëndrimet e shokut Enver ? Z.Rama e kritikon z.Berisha se ky i fundit e drejton me dorë të hekurt dhe kontrollon deri në një se ç’bëhet në PD. Bukur dhe kritikë parimisht e drejtë. Po pasqyrë nuk ka z.Rama t’a shikojë veten se ç’bën dhe si do t’a drejtojë PS-në ?
Nedesam azdër !
Lidhur me rastin e dytë, ai mendon të ushtrojë sadopak trysní indirekte ndaj Kryetarit të Shtetit për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm, që do të ishte edhe fillimi i reformës së thellë në organet e drejtësísë, (e pra edhe fillimi
i fundit të aferave korruptive të tija si kryetar i Bashkisë Tiranës). Pasoja ?
Penalizimi i të gjithë veprimtarísë kaluar të tij në këtë drejtim, me lejet e ndërtimit ! E qartë ? Nedesam azdër !
Në vazhdim, nuk ka se si të mos lerë shumë për të dëshiruar z. Ilir Meta. Ai u shpreh se zgjedhja e presidentit ishte kushtetuese por jo konsensuale. E ç’quan ai konsensuale ? Zgjedhjen e presidentit pararendës Mojsiu ku u bashkuan kokë më kokë dy ish anëtarë të PPSh-së dhe zgjodhën me konsensus një ish militant tjetër të po asaj partije ? Vetë ky konsensus e rrëzon nocionin e tranzicionit !
Nedesam azdër ! Nuk mundem mos t’a vazhdoj së rishmi me z. Meta, para se t’u jap fund këtyre radhëve. Sa më revolton qëndrimi i tij tek, për interesa të ulëta politike personale, shfrytëzon “mizerjen” në të cilën është katandisur populli i mjerë pa energji elektrike e pa ujë, dhe e ngré atë masë kundra qeverisë aktuale të z.Berisha. A nuk qé vetë z.Meta kryeministër e pastaj krah i djatht’i kryeministrit në vazhdim ? Përgjatë kësaj hullíje e ftoj Kryeministrin z.Berisha të veprojë krejtësisht ashtu siç spekullon z. Meta për t’a luftuar qeverinë aktuale, i cili pohon se ... ne (LSI- ja) i kemi forcat tekniko – shkencore t’a zgidhim problemin e mungesës energjisë ! E Kryeministri z.Berisha t’u thotë “bujrum” specialistëve të LSI-së, me kompetenca të plota, e t’a zgjidhin problemin !
Nedesam azdër !
Michigan 28 korrik 2007
Lamtumira e fundit Mustafa Merlika Krujës me lutjen Zotit t’a prehë të qetë ... rrëzë Sarisalltikut të Tij
Të dashur bij të të ndjerit Mustafa Merlika, Fatos edhe Bashkim, me gjithë nipër, mbesa edhe gjinorë gjaku ose lidhjesh, miq të ngushtë të familjes Merlika që ndodheni sot në këtë ceremoní mortore rrëzë Sarisalltikut, si edhe pjesëmarrës të tjerë. Lejomëni, ju lutem, t’a kem nderin t’i shpreh edhe unë disa konsiderata sot që urna me hirin e Mustafa Merlikës po varroset përfundimisht në Krujën e Tij të dashur. Ishim së bashku me Nënën ditën kur e ndjera Fitret, e motra e Mustafa Merlikës, për t’a ndarë të keqen e madhe që ndjente, erdhi së bashku me njerën nga të bijat e na tha se Mustafai kish ndërruar jetë. E mbaj mënd si të ishte sot. Na u shkreh një vaj i mbytur ... Kaluan që atëherë shum’e shumë vite, thuajse plot pesë dhjetëvjeçarë. Nuk janë më mes nesh as Fitreti e as Qazimi me Asllanin, si brez i parë me Mustafën e ndjerë. Mirëpo koha e ka bërë të vetën se pranë tyre n’Amshim, gjënden edhe bijtë Petriti me Besimin, të shkretët, së bashku me të ndjerat Cajen e Mustafës, Nailen e Qazimit, Gianna-n e Asllanit edhe Elenën e Petritit. Ah, sa shumë njerëz, të vdekur tashmë! Kurse sot në këtë ditë të veçantë, bijt’e Mustafës Fatosi e Bashkimi, me gjithë nipin e tyre Eugjenin, së bashku me bashkëshortet e tyre të mira, e bënë të mundur që, më në fund urna me hirin e Mustafës së ndjerë, të prehet në qetësin’e përjetëshme mes njerëzve të Tij nga më të dashurit ! U mbyll kështu edhe ai qark peripecishë i jetës personit të cilit, kur ishte student në Stamboll, siç e mbaj mënd nga e ndjera Nënë, një fallxhore i kish pasë thënë (pak a shumë) ... me duart tuaja fatin e vëndit do brumosësh ... thuajse larg vëndit gjithmonë do jetosh ... shumë mbas vdekjes, nderi do të të dihet ... Dhe unë pyes, e bashkë me ju edhe veten : Si ka mundësí që, kaq vite mbas shkërmoqjes diktaturës aq barbare komuniste, vazhdojnë të mos i njihen Mustafa Krujës ato virtyte e vlera aq të vyera madhore që ai kish si bashkëthemelues i “Mëvehtësísë Kombëtare”, (tek dokumenti themelor i së cilës për 47 vite, nënshkrimi i tij nga komunistët i u maskua) ? Lihet në heshtje shtati i tij madhor si gjuhëtari nga më të shquarit kombëtarë ? Mirë se i a përvetësuan e pastaj edhe e zhdukën, por si nuk i a japin as sot meritën si hartues i fjalorit shqip – shqip të cilit albanologët e shquar të kohës i a ngrinin lart vlerat ? Si anashkalohet fakti se ai qe nismëtari dhe zbatuesi i shpëtimit të treqind’e njëzet familjeve hebreje të paisura, me urdhër të Tij, me pasaporta shqiptare e të sjella nga Kosova në Shqipëri. As zihet në gojë fakti, (ndonëse ka dokumenta përkatëse), që kur në muajin mars të vitit 1939 Giovanni Giro, përfaqësuesi i Mussolinit, i paraqiti Mustafa Krujës projektin e ri të ndërtimit të marrëdhënjeve me Shqipërinë mbasi të rrëzohej Mbreti Zog, Mustafa Kruja i përbuzi ato duke i thënë t’ia bënte të qartë Duce-s se më mirë të rrinte në fron 100 vite ish armiku i M.Krujës, se sa t’a sundonin Shqipërinë italianët ! Ky pozicionim i Tij skajshmërisht patriotik sa u takon pikësynimeve fashiste ndaj Shqipërisë, u mbajt qëllimisht i fshehur nga diktatura pasuese komuniste e cila veç vrer edhe mashtrime propagandoi rreth Tij. E unë pyes, si ka mundësi që akoma sot nuk i njihen zyrtarisht këto vlera këtij personaliteti kaq të shquar të çështjes kombëtare ? E përgjatë kësaj hullije nuk mundem mos t’ju ve në dukje, zotërinj të nderuar, vazhdimin e qëndrimit të Mustafa Krujës përkundrejtë Aleatëve të Luftës II-të Botërore mbas mbarimit të vetë luftës. Ky qëndrim i tij nuk ka se si të mos konsiderohet një monument graniti personaliteti si edhe karakteri. Letra me të cilën Ai u drejtohet autoriteteve qeveritare amerikane duke u kërkuar strehim politik, është një akt akuzë ndaj Aleatëve që vepronin në kahje të kundërtë me interesat e vëndit tonë dhe Ai, nga njera anë u kërkon ndihmë, por ndihmë gjithë dinjitet e personalitet, e nga ana tjetër u thotë shquar e hapur se Ai nuk u bashkua me ta gjatë luftës sepse shkeleshin interesat e Atdheut të Tij, Shqipërisë !
Edhe ky qëndrim i Tij akoma sot nuk bëhet publik e prandaj unë pyes : përse ? Me këto pyetje karakteri retorik, dua t’i shpreh sot botërisht para urnës me hirin e Mustafa Krujës, bindjen si edhe besimin tim se, do të vijë një ditë që mbështetur në dokumenta dhe vetëm dokumenta historike, aktiviteti atdhetár si edhe shkencor i Tij do t’a zenë vëndin që u takon. E mbështes këtë bindje në faktin se kur Kosova, ndonëse gjëndet akoma në syrin e ciklonit për fitimin e pavarësísë, figurën e Mustafa Krujës nuk stepet dhe e përdor si gur themeli të pavarësísë saj dhe emrin e Tij i a vendos njërës prej rrugëve kryesore të Prishtinës, pikërisht asaj përpara Parlamentit. Mbështetur në këto realitete e shpreh bindjen se do të vijë dita që të shkunden edhe drejtuesit e Shqipërisë e kësisoji, figurës së ndritur të Mustafa Krujës, do t’i a japin vëndin e duhur në Panteonin e atyre që kanë qenë të shquarit dhe ndéri i Kombit tonë.
Kjo dëshira, bindja si edhe urimi im !
Mërgim Korça
2 Qershor 2007 |