|
Pjeter Jaku,Michigan SHBA...kliko ketu... |
Cikël poetik
Pjetër Jaku Jane tetembdhjete poezi qe autori i boton per here te pare ne www.albdreams.com Jane shkruar pothuajse te gjitha ne pranveren e vitit 07-tes. Kushdo qe desheron te shprehe konsiderata rreth ketyre poezive te autorit mund te na shkruaj ne e-mail te webit
This email address is being protected from spam bots, you need Javascript enabled to view it
ose te shtepise botuese “Kuvendi”
This email address is being protected from spam bots, you need Javascript enabled to view it
Pesha e Atëdheut Atëdheu peshon sa një ofshamë , Kur pas le shtëpinë,
Sa një ëndërr në fund të botës Kur mendjen edhe dorën shtrinë Të kapësh majat që ke pare, T’i marrësh udhët krejt në grusht, Pastaj të kthehesh si dikur Mbi kroje t’i mbështetësh buz’t Edhe të çlodhësh, duke u lodhur Ngarkuar qiellin përmbi shpinë Pastaj të bëhësh Prometeu Të marrësh hopa Shqipërinë T’ia lësh fëmijës tënd të mirë, Si më të shtrenjtin xhevahir Kjo fjalë në shqip t’i thuash është At’dheu yt, bir!
Shqipëria
Le të na puth dielli, Dielli të na i çelë sytë Atëdheu ynë le t’i zgjatë krahët Të na i ngroh ëndrrat Dhe të na marrë në gji Mua, ne dhe ty!
……
Pemët me gishta të akullt Me lotë të ngrirë në sy Veshtrojnë nga qielli dhe luten Për mua, për ne dhe për ty.
………………
Rrugët me gjurmët tona Të pafshira, Presin të shkelim mbi to, Duke përsëritur përsëri, Se na duan Mua, ne dhe ty.
……..
Majat, më të larta bëhën Dhe shkëmbinjët syhapur I shohin vëtëtimat e shpirtit tonë, Që vetëndizen e bëhën fli, Për mua, për ne dhe për ty.
……..
Shqipëria bëhët më shumë Shqipëri Në një shpend gjigand, Që pushon në qiell Yjet do të ndizen, S’do të ketë më re Shqipëria na pret Mua, ty dhe ne!
Patriotizëm
S’di për të satën herë Me “vrau” fjala “ Patriot” Këtu, në diasporë! Sa ishim në Atëdhe, Pak e përdornim këtë fjalë. Atje njerëzit, vraponin E vrapojnë, Duke menduar se punonin për vete, të kthyer ne heronjë mitik, të lidhur me tokën ku rilindin çdo ditë…
Në të vërtetë, Hymnin e Flamurit Dhe lutjet më të Rëndësishme i thonin, Duke e levizur diellin Nga lindja në përëndim Dhe, duke fjetur me Kokë në duar Hynin e dilnin në Atëdheun e tyre Pa e ditur se po bënin Patriotizëm! Ndryshe këtu, larg Kufinjve te Tij. Na shkrep të jemi Patriot? Një stemë në xhaketë, Një flamur në makinë Me fjalën turqisht “ komb” Vrapojmë të dukemi Dhe dukemi të zgjohemi Me një fjalë të re Dhe bëhëmi të gjithë Me nga një Atëdhe!
Pastaj flasim për Bëmat tona, Ose duam të tjerët të Flasin për ne E blejmë patriotizmin, Pagujam aq pak Për pak zë! Dhe, pasi t’i mbushim Xhepat e mendjes, Jemi të zotët Të “heqim” kokën nga supet Për ty , Shqipëri! A nuk është ky patriotizëm I veshur veç në zi?!
S’do të mbajë më kravatë
Vellon e kësaj nate ma bën të zezë, Një kravatë e përflakur, sytë m’i ka zënë. Një shqiponjë e frikësuar, mes për mes Gjoksit të një vrasësi, don të ik prej aty! Në qafën e hajdutit injorant, mashtruesit të pafytyrë Është lidhur aq fortë, në nyjen gordiane, Sa vetëm sopata e zgjidh. At’herë?! Le t’u themi fytyrzez’ve, spiunëve, Hafijeve, të pamoralëve tipik, gangsterëve me kravatë; Lëreni ditën të jetë ditë, natën mos e nxini më shumë.
Unë, s’do të mbaj më kravatë!
G i s h t a t
( Një mikut tim biznesmen )
I njohuri im, një biznesmen Më këshilloi një të dielë, Që nuk e dinte se ia vlen Më shumë një fjalë e pathënë!
“ Ruaj gishtat!”-ai më tha sa m’dha dorën u largua. Një kërcënim ai më la Ashtu n’të ikur, duke shkuar!
Që mos t’i prekja unë hafijet Dhe të mos shkruaja kurrë për ta Kjo ish këshilla dhe arsyet, Që biznesmeni dor’n më dha!
Se po i “dhimbej” dora ime Se mos një ditë i bie mbi krye Se zinte gjumi nga ca shkrime, Që udhëtojnë përjetësive!
Edhe pse hiqej i lumturuar, Edhe pse sytë i zbardhëllonin, Ekranesh ishte reklamuar, Sikur shumë gjëra i mungonin!
Ta kish të paktën një diplomë, Ta themelonte një gazetë, Do kishte dhënë një million, Që t’i sajohej një portret!
Se do të vdes i ziu një ditë, Paratë e tradhëtojnë dikur, E mua do m’jetojnë gishtrinjtë, E mendja s’do më plaket kurrë!
Mars, 11.2007
“ Për Atëdheun”
I venë kollaret kuq e zi, I lyjnë flokët në të zezë. Disa të tjerë për thjeshtësi I mbajnë këmishat pa mbërthesë!
Se s’u del kohë nga punë e rëndë Ne rastorant a në fabrikë Dhe kollaristët “avokatë” I “ mbrojnë” shqiptartë nga padrejtësitë!
Këta fakirë shumë të lustruar, Të veshur spicë, pa asnjë cent Me pamje për t’u mëshiruar Hartojnë projekte që s’i bëjnë!
Edhe pse shkollën nuk e kanë Dhe s’dinë asgje n’avokati, Do bëhën edhe historianë, Do marrin çmim në letërsi!
Dhe ti njeriu që s’i njeh Do jemë dhe unë , ndoshta me ty Që u besojmë ca mendjezive, Që kanë me qindra histori!
Ti kallais këta lesh kalesha, Një dorë mjeshtri shumë e fortë, Që në kazanat me genjeshtra Të mbytën e mos dalin dot!
K’ta prototipa të së keqës, Atëdheun nuk e kanë asgjë. Të ulur në themel t’gënjeshtres Shqiptarë u duhen edhe më!
Tu bëjnë ca çeshtje, t’i padisin E veç t’u rrjepin ca dollarë, E t’i përkthejnë, t’i delendisin T’i kthejnë nga erdhën, sa më parë!
Se për Atëdheun bëjnë shumë Dhe për shqiptarët prap dhe më, Me ca dredhi i venë në gjumë, U thonë se bëjnë ata çdo gjë!
Sikur këta janë diplomatë, Politikanë të klasit të parë, Se kanë miqë ca avokatë, T’i japin vetes ca dollarë!
Pa le ndonjë koneillanist, 1) Sikur punon n’Shtëpi të Bardhë Dhe rrinë gjithnjë me kongresist Dhe mik e ka çdo senator!
Të jep këshilla politike, Se si mund t’bëhët në Atdhe Dhe struket në mbarim t’çdo dite, Si struci kokën fut në dhe!
S’shikojnë të gjorët se ku janë Dhe rendin pa asnjë mandat, As veten s’mund ta përfaqësojnë, Le më të përfaqësojnë shqiptar’të!
Mars, 2007
1) Coney island = resorant të klasit të ultë. ( Shqiptimi është koneilland )
“ Pëllumbi “
S’ia kam idenë Se si mund kthehet Një korb i zi Në pëllumb të bardhë. Që pendët e korbit Të shkruajn pa bojë, mund të ndodh!
Edgar Allen Po Nuk e shkroi Korbin për t’i Ngjarë pëllumbit Dhe askund S’e përmendi Emrin Pëllumb. Por, mesa duket, Për inat të tij Një miku im U “pëllumbëzua”, Duke i vënë vetes, Një mbiemër oriental, Me fletë prej korbi. Që t’i dalë ëndrra Dhe keqësia e zezuar, Dhëntë Zoti Të mos e nxi më shumë mbiemrin.
Korbi, te korbat e gjet’ vendin!
Maj 2007
Zë i shitur
Këto ditë pa ngjyrë, s 'di si t’i thuash mëngjesit me mjegull, ditës që dremit e, vetëm shijëzon sëmundje, smogun që na zë nuhatjen e së keqes, pastaj drekën me një picë në vrapim, duke rendur pas ngjyrës së zërit, pas detit te syve dhe rrathëve blu e zi poshtë tyre, që pagjumësia e përflakur u ka dhënë një rimel intersant nga brënda bebeve të syrit, që aq shumë i ngjan një loje pa fjalë, që vjen e të ngjitet, ashtu dalë e nga dalë!
Zëri që më vjen prej aq larg, më duket se udhëton me një flakë blu, që digjet në një qiri gjigand në majën e qiellit, duke pergjakur përreth gjithë yjet.. Zëri ka ngjyrë dhe, në prekje, sikur udhëton rrotullueshëm, në një përndezje pa fund ndaj, ngjyrat e natës janë pak për zërin tënd, më thuaj të lutem, në këtë kohë çalamane, ku, dhe pse të dhëmb?
Nuk prish punë në të dhemb ndonjë stuhi pëshperitëse, që nuk thuhet! Për mua do bërë përjashtim. Nëse ka ngjyrë të zezë zëri yt, Të bardhë ka zëri im!
Më thuaj, si t'ua prish ngjyrën këtyre netëve të dala boje, të flisje me gojën tënde, ti do ma thoje!
Prill 2007
Burrni e rrëzuar
Përrenjë të rrëmbyeshëm më vijnë para syve, me trungje të thyer, si fjalë të dehura, pa degë, pa gjethe, pa rrënjë, pa sythë dikush paska gjurmuar te di më shumë për lisat, t'i shtoj përfytyrimit një fytyrë hënore të dylltë, duke vetëkërkuar anën e dyshimtë... ngacmueshëm me zhukasin grenza brenda kokës, gjarpërinj me sillen nëpër këmbë, duke më vështruar, në vend të më pickojnë mua, pickojnë vetën dhe vetëhelmohen pa e kuptuar. pastaj u duhet të mbyllen, si djalli në shishe për t'u kthyer në antihelmin e vet.... u bu bu ç'po heqin këta gurë të shkretë.. të gjithë përplasen me ta e bëhën copë dërmohen në fortësinë e tyre e nuk i thyjenë dot.... shohim të përplasen fjalët, pa u menduar, pa u gdhendur, që nuk dalin nga truri, veç nga goja… Ndaj na duhet një penë prej druri t’u vijë hakut këtyre hajvanëve, që kanë humbur çdo virtyt prej burri!
Erdha
Erdha, ti s'më pe hënën e kisha ngarkuar në kurriz. Tek zbrisja lehtë qiellit pa re, një rrufe më ndau përgjys’ gjysma ime ishe ti një fushë e blertë e mbjellur me agrume. Të pashë, s'të fola, të preka me buze te dora qielli u kthye mbrapsht dhe ne u gjendëm në kupen e tij sofiane. Krejt papritur u zgjove me mundim, të ngjisje pjerrnajat qiellore, nuk munde, rreshqite, më thirre të lutem, ty, Zotit tim të përmbysur, që diellin e harrove në honet pafund të imagjinatës “puthma dorën dhe, më zër përdore, se, vetëm ashtu do të mund t'i ngjis hapsirat qiellore!” Ndërsa ti, mbajë hënën mbi kurriz, derisa të palosësh o i zi, se gjunjët nuk janë shkallët për te dielli, ai nuk pranon njerëz pa dashuri.... eh o i zi, o i ziiiiiii hëna të bën natë e, nata s'të jep sy”....
Edhe njëherë
më duket vetja budalla, me try lily, me tra la la me qiell e hënë e ku ta di me natë me sy, me fjalë pa sy e nuk ankohem prap e prap, se jam pa ty, veten s’e jap, se unë i hypi vetëtimës, imagjinatës budallaqe e fluturoj mbi oqeane me zjarrin, që më zbret në faqe, me mendjen zgjuar ditë e natë me sytë që natën e bëjnë dritë e me thënjen proverbiale "i mbyturi përherë të mbyt", se jemi mbytur ne të dy e shpëtimtari s'do të vi, në fund të shpresës i rrëzuar ai ëndrrën tonë e ka harruar...
Çmenduria e çmendur
një çmenduri që çmëndet, sa herë degjon zërin tënd malet ulen e ngrihen e na rrëzohen në këmbë, dielli është në të ikur e kthehet përsëri syri, një llamp e pafikur që digjet si qiri lumenjtë rrjedhin e rrjedhin e krojet puthin token, ofshama e luginave po e çmendka botën! thua të jemi ne, apo ëndrrat tona nesër një ditë me re, do të jetë kur të zgjohna mungesa e njëri tjetrit do çmend ditën vetë do të ngrihet shqiponja të thërrasë mbi shkëmb: o njerëz të këti globi, largohuni nga kjo tokë, se gjithë rruzullimi ka dy njerëz,- thotë, ata janë të çmendur, janë të çmendur krejt, tek secili jush keni për t’i gjetë, se është çmendur bota, çmenduria vetë. deti ka tallaze, që i ngre në qiell, dielli vjen e ulet në gjoks të secilit, thonë se është çmendur histori e shkretë, nuk ka më data, muaj edhe vjet dashuri e madhe shekujt i ka djeg, se gjithë bota rron, vetëm në dy vetë.....
Në Krujë
Do të shkoj në Krujë me miken time. Dikun do ndalemi të pimë një kafe, pastaj do shohim diellin e përskuqur, tek përshkon ngeshëm qiellin tonë të syve e të zbres në faqe!
At'herë do na ndihmojë kështjella, vetes t‘i ngjitemi deri në majë nëpër gurët shkëmbor të gjoksit, do të qaj!
U duket, çudi që lotët shkëmbor, të rrokullisen si gurët e kështjellës së lashtë e, dikun në këmbët e Kalasë të na zërë dreka, me miken bashkë!
Pastaj, eh pastaj, do vizitojmë muzeun ndërplanetor të njëri tjetrit, ku do të bëhën betejat e nesërme te gurrat e përgjakura të shkëmbit!
Atje do të pimë e do të pimë në cicat e Kalasë moderne, trimëri skenderbejane, që unë dhe mikja e ime e krijuam me mendje!
Më vonë, eh më vonë, do na zërë gjumi në krahët e mbrëmjes, të harruar kalldremeve dremitëse, në gjirin e butë të ëndrrës!
Dhe, ashtu do të rrimë, si gurët e Kalasë ngjitur deri në mëngjeset që kurrë s'do të vinë papritur!
Pa titull
( Gjysëm popullore )
kam një mollë, një portokall kë të ha e kë të lë? - ti më the… kam një oqean me mall, dhe s'më pyete për asgjë! ti më the se nuk do vija të fluturoja unë me ty tej përtej reve të nxira ngarkuar breshër e shi por, unë erdha mikemira, sepse fjala peshon rëndë, për dy mollë, që të ka gjoksi, unë i bie detit në këmbë…
Eh, kjo botë pa diell, pa hënë kur të zihen sytë e zënë verbëria nuk ka brirë portokallja ime e mirë....
Malli
Nuk është mall nga ai që prekët, Që shihet e ndjehet, me dorë a me gjuhë, Nuk është send, që vishet e ngjishet, Të rri ngushtë a gjatë, a lirshem të rri. Eshtë diçka që nuk ka gjatësi, as vlerë, Një yll vezullues, një hënë që nuk e kalon detin, Eshtë hingëllimi i një kali, që ndjehët veç nga ai… Nuk ka peshë që matet me kilogram a me ton Nuk është gjë që leviz, nuk e sheh nga shkon Por, peshën e njeriut mbart mbi kurriz, Deri sa përkulet më shumë se në gjunjë… Ai, në sy ka fytyrën e një tjetri, si pikturë të gjallë Në zemër ka më shumë rrahje, sa dyfishi i saj Çuditem si nuk bjen njeriu nga malli Të rrëzohet, të mbesë, ashtu shtrirë mbi re, Të mos ia dëgjoj njeri frymën, ti mbytet halli, Ndoshta për një rresht, pse jo për një zë…. Për një fishkëllimë të erës mbi lisa Për një bilbil, që këndon në të gdhirë dita, Për fytyrën tënde të lemuar si prilli, Për gjoksin tend, për duart, për buzët dhe sytë, Për rrethimin tënd nga krahët e mi prej fryme. Do desha me peshën e kësaj nate, të të mbyt! Të të mbyt e ringjall, të ringjall e të mbyt, Të pi një oqean, e të mos më duket një pike, Ta kemë hapin një milje, njëmijë hapa ti bëj, Ta kemë syrin sa dielli, në ëndrrën tënde të hy, Ta hap derën pa zhurmë, të pazgjuar të gjëjë, Pastaj, eh pastaj, moj e mira ime mirësi Të të fshi lotët, të marrë udhën së mbrapshti S’do mundem të kthej……. At’herë? Më mirë s’po vi……
Mars 2006
Qirinj të ndezur gishtat e mi!
Një libër i vrarë, I mbetur në vitin iks Në një skelet përsonazhesh Që qajnë Harruar në humnerat thepisëse Të trurit Shpirtin ma mbajnë. Ka vite që rruga më ka tretur, Në përpjekje misterioze. Udhët janë bërë të rrëshqitëshme, Këmbët nuk zënë, Shpeshëherë bie nën rrugë E bëj të ngrihem, E ngrihem të bëjë një punë, Ashtu i vrarë, nga vrasja I harruar askund! E një libri I harruar askund! Mbështjellur në dhëmbjet e mia Shfajësohem para rroposjes Në rëndomësi torturuese, Duke folur me muret E jo me mendjen e strukur Në fjalën “ Unë!”, Që s’është emër njeriu, As planeti, Që s’është emër rruge As qyteti. Veç thjesht një përemer vetor I vetës së parë,që krijimin E quan punë të marrë! Se, kompjuteri nuk është mendje Dhe, asnjë komand se merr, Pa mendjen dhe dorën time! Ndaj u bie fytyrës së ditëve Me perendimin e muzës , Netëve ua vjedh një orë më shumë Të mbytëm në përgjumje, Se gjumi mbetet fjalë e palidhur! Eh Perëndimi im Ik të pushosh në kapriçot e moshës Pa fjalë, pa zjarr, pa dritë, Aty ku qirinj të bëhën gishtrinjtë Dhe nata i ndez për t’u lutur, Para syve, që të shohin Perëndinë e Perëndive, Fuqinë e krijimit!
Udhëtim i pakthyeshëm
( Babait ) Gjyshja më kish thënë dikur se, para se njeriu te vdesë, shpirti i shkon gjithëkund ai ka shkelur. Para se fryma t’i soset dhe ajri t’i bëhët mal i rëndë, shpirti udhëton, gjithëkund mendja i ka shkuar.
U rrëzua Maji dhe lulet nga perëndimi u kthyen. Këmbët nuk i bindeshin babait, as zëri, as dora, as syri Në një ditë plot diell, përtej syve të tij Nuk do të vij më nënta e këtij Maji! Në ëndrrat e tua të palevizëshme, qielli u shëmbë, e Ti, nuk ishe me njerëzit që të rrethonin! Besoj, se atëbotë ke qënë gjithëkund, mendja dhe këmba të ka shkelur, më larg se vështrimi symbyllur, i përqafuar me malet, me shkëmbinjët e thinjur. Në Kodrat e Kqia nuk të rrëshqiti syri, aty ku dikur gjuaje derra të egër! Në Lak të Rroshit e mbyte natën, me një tufë pishash të ndezura, duke i shpëtuar lukunisë së ujqërve. E mbyte natën e tërbuar, si ariun putërbardhë, që dikur, vëllait tënd, Nikollës i kishte rrëmbyer xhaketën, me pagën e javës. Në Suk Bukur mendoje i përqafuar me Qafën e Mertezës, se ku do ti kaloje ditët, përtej së nesërmes! Në Zepën vellore dhe me Lumin e Fanit, pushove sytë dhe këmbët, në një bukuri magjepse, duke vështruar nga Sangu! Në Munellë u ule, si dikur këmbëkryq. Me diellin rrëzuar mbi sy, zbrite me një frymë shkallëve të Sukës së Gjatë, për të parë vreshtat në fund të arës, dhe qershitë degëthara! Krikzat ishin thyer e plakur, e hardhitë po qanin për dorën tënde! Në Shkallën e Mrizit nuk u ule të pushoje, edhe se ajo të kishte falur jetën dikur, se, te Mrizi i Madh ishin mbledhur Zanat të të ringjallnin trupin. Në Kodër të Krisë ( Kryqës) u ule dhe bërë kryq, si përherë kur ngjitje atë majë., Atëherë, Përroi i Bardhë vërshonte teposhtë gurëve te nuses, si nëna bijëve të saj, duke te thënë: Mos kalo me këpucë, thellësitë këto vite janë shtuar! Dhe ti, si një djalë i ri, je ngritur, pa i mbështetur duart në gjunjë, ke zbritur nga Kodra e Krushqëve, aty ku Dom Nikolla zbriste me kalë të bardhë, duke puthur Gurin e Madh, me nje puthje stërgjyshore, ( akoma mbi atë gurë ishin buzët e Gjyshit)! Në çdo shtëpi u fute, ashtu si dikur, pa trokitur! Te Çun Frroku të pritën nipat, pa të njohur, në Kodër të Kuvendit i hodhe një sy kullës së Lal Prengës, diku, në fund të katundit, Gjon Ndreca i binte fyellit, në Lak të Drenit, me xhaketën krahëve, po zbriste si vetëtimë, malli i këtyre udhëve, për gjurmët tua të bekuara! Por, më kot, Ti po çmalleshe me shtëpitë, me dyert e tyre prej guri! Pastaj e kishin radhën udhët! Nuk e di se ku pushoj fryma jote, se duart tuaja kishin pushtuar krahërorin dhe, sytë t’i kishte mbyllur zemra. Shpirti ende udhëtonte, duke sjellur imazhe të reja, si kulla të varura në hapsirë. Shpirtit tend i mungonin këmbët! Në fund të një rruge, kishe ndalur vështrimin, mbështetur mbi kryqin e trupit tënd, në një mesditë të zjarrtë, duke lëshuar lotë pa e kuptuar, se udhëtoje në një kohë të ftohtë! Një mbasdite gjunjëprerë, ia kishte prerë krahët dhe fjalës, E mua mezi më mbërriti një ofshamë nga ti: Zëri yt akoma jeton në ajr, në veshët e mi: “ Dergoma një ftesë, se dua të vi!” 1)
1) Pak para se babai te ndrronte jete, ne biseden e fundit qe kisha me te i thashe: - Ta dergoj garancine per te ardhur ne Amerike. “ Dergoma , - me tha,-se dua te vi!”
09 Maj 2005 - Gusht 2007 |
|